PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

ZGJEDHJET LOKALE 20 (1996)

Në vitin 1996, PPDSH i fitoi zgjedhjet për pushtetin vendor në komunat më të rëndësishme shqiptare, Tetovë dhe Gostivar. Me arritjen e fitores në këto zgjedhje lokale do të mund të kontestohej projekti nacional maqedonas në komunat me shumicë shqiptare.

Agonia e politikës shqiptare e filluar që nga viti 1991, vazhdonte akoma, por tani kriza politike shkaktohej nga opozita shqiptare e udhëhequr nga Partia e Prosperitetit Demokratik Shqiptar.

Zgjedhjet për pushtetin vendor u mbajtën në vitin 1996 dhe nuk ishin zhvilluar në Republikën e Maqedonisë që nga viti 1991. Pushteti komunal praktikisht kishte mandat jashtëligjor prej 6 vjetësh. Por, kjo arsyetohej me mungesën e ligjit për ndarjen territoriale. Zgjedhjet komunale duhej të ishin një sprovë e madhe për shqiptarët e Maqedonisë. Mbetej të shihej se a do të gjente mbështetje politika e disfatave dhe ruajtja e stabilitetit, në dëm të interesave kombëtare shqiptare, apo politika e kontestimit të institucioneve shtetërore nacionale sllavo-maqedonase dhe reformave rrënjësore. Pala qeveritare shqiptare e përfaqësuar nga PPD dëshironte të fitojë zgjedhjet me çdo kusht dhe kështu të ruajë status-quo-në e politikës së saj. Pala opozitare e drejtuar nga PPDSH ishte e interesuar për fitore në komunat me shumicë shqiptare, sidomos në dy qytetet kryesore, Tetovë dhe Gostivar Ky do të ishte hapi i parë për çrrënjosjen e një politike shterpe dhe rikthimin e proceseve nga fillimi. Duhet theksuar se në këto zgjedhje opcioni i PPDSH, mbështetej absolutisht nga populli shqiptar në Maqedoni.

Harta e IRJM - ndarja vjetër territoriale, para v. 1996, me 34 komuna

Harta e IRJM – ndarja e re territoriale- sipas ligjit të v. 1996

Zgjedhjet lokale të v. 1996 – promovimi i kandidatëve për kryetarë të komunave

Në zgjedhjet komunale të vitit 1996, edhe përkundër pengesave të shumta, PPDSH korri fitore. Ajo fitoi 9 kryetarë komunash dhe një numër të madh të Këshillave komunale. Në vendbanimet urbane, Tetovë dhe Gostivar, ku dominonin shqiptarët, bindshëm fituan kandidatët e PPDSH.

Komunat, në të cilat fitoi PPDSH në zgjedhjet lokale të v. 1996 ishin :

Tetova - Alajdin Demiri

Gostivari - Rufi Osmani

Tearca - Llokman Elezi

Osllomeja - Fadil Bajrami

Zajazi - Rufat Hyseini

Veleshta - Sevdi Kaba

Sërmnova - Sefer Elmazi

Negotina - Raif Kamberi dhe

Vrutoku - Bajram Ajrullai.

Me moton “SHQIP” – M. Thaçi në çastin e promovimit të kryetarëve të komunave

Edhe përkundër manipulimeve të shumta që u bënë me votat, PPDSH arriti të fitojë bindshëm në Tetovë dhe Gostivar dhe përbërjen e shumicës së Këshillave komunale. Përfundimisht, tek shqiptarët e Maqedonisë edhe përmes pushtetit lokal u legjitimua një politikë e cila e kontestonte politikën degjeneruese dhe apatike shqiptare që ishte në dëm të interesave kombëtare dhe njëkohësisht i kontestonte institucionet nacionale sllavo-maqedonase.

Fitorja e PPDSH në zgjedhjet komunale, në qendrat urbane Tetovë dhe Gostivar ishte fundi i një politike të përgjumur që nisi me votimin e Deklaratës për pavarësi të IRJM, pra me humbjen e shansit historik për vetëvendosjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe njëkohësisht filli i një politike serioze që duhej të instalonte interesin shqiptar.

Shtrohet pyetja, pse grupi politik pro-qeveritar i humbi zgjedhjet, edhe pse i posedonte të gjitha format legale dhe jolegale të mundësisë për manipulimin e votave ? Përgjigja mund të kërkohet në veprimin politik të tij. Duke u bazuar në ruatjen e stabilitetit me çdo kusht, PPD pak nga pak hynte në një fazë të shkrirjes përfundimtare me Socialdemokratët sllavo-maqedonas dhe shndërrohej në filiale të tyre. Ky grup politik nuk mundi të krijojë politikën e vet dhe t’ia imponojë atë partnerit të koalicionit. Me kalimin e kohës, edhe vetë anëtarësia e PPD e kishte të qartë se kishte humbur kredibiliteti i tyre. Nga ana tjetër, PPDSH përmes veprimit dhe aktivitetit permanent me masat e gjera popullore, kishte ngritur vetëdijen politike dhe kombëtare të tyre. Në këtë mënyrë, popullata shqiptare, vetëvetiu ishte nxitur për ta ruajtur votën e saj nga keqpërdorimi eventual.

Veprimet e para të politikës së re, përmes pushtetit lokal ishin në vijë të platformës së përgjithshme të saj. U ndërruan drejtuesit e ndërmarrjeve që ishin në kompetencë të komunave. Deri në këtë kohë të gjitha ndërmarrjet drejtoheshin vetëm nga sllavo-maqedonasit. Tani për herë të parë në krye të tyre u emëruan shqiptarë 21. Hapi tjetër i rëndësishëm ishte përmirësimi i strukturës nacionale të të punësuarve nëpër ndërmarrje. Një çështje mjaft e rëndësishme ishte përmirësimi i infrastrukturës komunale,

Miting madhështor i PPDSH në Tetovë gjatë zgjedhjeve lokale të v. 1996.

e cila ishte lënë pas dore vite me radhë. Pastaj, përdorimi i simboleve kombëtare, flamurit kombëtar shqiptar. Duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese të nenit 48 të Kushtetutës 22 së IRJM, në të cilën përfshihen të drejtat e popujve që jetojnë në Maqedoni dhe shprehja e veçorive të tyre. Duke marrë parasysh se platforma dhe programi i PPDSH ishte për ruajtjen e vlerave kombëtare, Këshillat e Kuvendeve komunale, ku kishte fituar PPDSH, sollën vendim për përdorimin e flamurit kombëtar 23. Mirëpo, Gjykata kushtetuese rekomandoi ndalimin e përkohshëm të të gjithë simboleve kombëtare, me arsyetim se komunat nuk janë kompetente për këtë. Gjyqi kushtetues ia linte qeverisë detyrën për zbatimin e vendimit. E tërë kjo, për një kohë të caktuar, mbeti pezull. Momenti i përshtatshëm për ndërhyrje erdhi menjëherë pas bashkimit të dy subjekteve politike shqiptare.



21 Dokumentet : Nr. 08-268/18 dhe 08-268/24, të datës 17 maj. 1997.

22 Kushtetuta e RM-së, Neni 48, thuhet: Pjesëtarët e nacionaliteteve kanë të drejtë lirisht të shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë idenitetin dhe veçoritë nacionale. Republika ua garanton mbrojtjen e identitetit nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar…

23 Këshilli komunal i Tetovës këtë vendim e solli më 19 qershor, 1997, sepse zgjedhjet në Tetovë u kryen më vonë se sa në komunat tjera (Dokumenti 08-360/2, 19 qershor, 1997, nënshkruar nga Dr. Vebi Bexheti).