PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

Programi i Partisë Demokratike Shqiptare.

Programi i Partisë Demokratike Shqiptare.

Programi i PDSH përfshinë 32 pika. Në pikat e para të programit të PDSH përmendet principi i së drejtës për vetëvendosje, si parim i së drejtës ndërkombëtare të popujve. Me këtë, PDSH-ja e bënte të qartë se do të vihet në krah të parimeve ndërkombëtare të botës së qytetëruar dhe demokratike. Më pas në programin e saj theksohej qartë se të ardhmen e IRJM e sheh si “binacionale” dhe multikulturore, ku të dy popujt kryesorë, shqiptarët dhe maqedonasit do të garantojnë të drejtat e grupeve të tjera…

Për herë të parë programi i kësaj partie shqiptare jepte shpresa për zgjidhjen e statusit të pjesës së ndarë të kombit shqiptar që jetonte në trojet e veta etnike.

Në pjesën hyrëse të programit të PDSH thuhej:

Partia Demokratike Shqiptare, me seli në Tetovë, është formë e bashkimit dhe e organizimit politik pluralist të shprehjes dhe përfaqësimit të interesave kolektive dhe individuale të të gjithë qytetarëve që jetojnë në vend dhe jashtë.

Pikësynim i PDSH do të jetë realizimi në shkallë sa më të lartë i barazisë së qytetarëve dhe bashkësive nacionale, pa dallime nacionale, kulturore, konfesionale, gjinore, gjithnjë sipas standardeve evropiane. Barazia para ligjit, me të drejta dhe obligime, pa marrë parasysh përkatësitë, shkallën e arsimimit, pozitën sociale dhe shoqërore, kundërvënia e çfarëdo lloji të segregacionit do të jetë orientim kryesor i PDSH.

PDSH do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët e vendit dhe do të angazhohet për bashkëpunim të gjithëmbarshëm me të gjitha partitë tjera që demokracinë, barazinë e konsiderojnë si milie të bashkëveprimit qytetërues “.

Përcaktimet programore të PDSH :

  1. PDSH angazhohet për realizimin e së drejtës për vetëvendosje të popujve, në përputhje me parimin e të drejtës ndërkombëtare.
  2. PDSH angazhohet që Republika e Maqedonisë të ndërtohet si shtet sovran, demokratik, shumëpartiak, i decentralizuar, gjithnjë duke respektuar realitetin binacional dhe multikulturor. Nisur nga kjo, PDSH-ja do të këmbëngul që Maqedonia të përkufizohet si shtet i qytetarëve dhe i popujve të barabartë, i maqedonasve, i shqiptarëve dhe i grupeve të tjera nacionale e etnike që jetojnë në të.
  3. Për grupet e vogla etnike, PDSH do të angazhohet që t’i gëzojnë të drejtat sipas normave të UNPO ( Orgnizatës joqeveritare që mbron interesat dhe të drejtat e kombeve dhe të popujve të përfaqësuar në OKB me seli në Hagë ).
  4. PDSH angazhohet për modelin e demokracisë koncensuale, për sistemin parlamentar dy dhomësh, atë të qytetarëve dhe atë të popujve ku për çështje me interes nacional merren vendime me konsensus.
  5. PDSH angazhohet që në hierarkinë drejtuese të Republikës së Maqedonisë të instalohet edhe institucioni i nënkryetarit shqiptar i cili do të përkujdeset për barazinë sistemore nacionale, kulturore dhe konfesionale.
  6. PDSH angazhohet për një kushtetutë që do të garantojë barazinë e plotë nacionale dhe qytetare në të gjitha lëmenjtë e jetës, e sidomos në ate politike, ekonomike, shkencore, sociale, arsimore, kulturore, informative, gjuhësore, fetare, në përdorimin e simboleve, etj.
  7. PDSH angazhohet për themelimin e institucioneve të pavarura dhe autonome që do të jenë në funksion të zhvillimit të veçorive nacionale, kulturore dhe religjioze.
  8. PDSH do të angazhohet në demaskimin e të gjitha trajtave të keqpërdorimit të sistemit, si nga aspekti nacional, ashtu edhe politik, grupor dhe individual. Parandalimi i deformimeve shoqërore, i vendosjes së raporteve segreguese, koloniale në sistem, pastaj kundërvënia ndaj ideologjizmave politike dhe teokratike, lufta kundër korrupcionit do të jetë tabani i angazhimit moral i PDSH.
  9. PDSH angazhohet për ndarjen e pushtetit shtetëror në atë legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe atë lokal. Në këtë vijë PDSH e sheh të pashmangshëm procesin e ngritjes së autonomisë së pushtetit lokal dhe bashkëveprim të komunave mbi baza të interesit regjional.
  10. PDSH angazhohet për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë në strukturat veriatllantike dhe në ato evropiane, për një potencial profesional ushtarak që në të gjitha nivelet do ta pasqyrojë strukturën nacionale të popullsisë.
  11. PDSH angazhohet për shpejtimin e proceseve integruese regjionale dhe globale, ballkanike, evropiane dhe botërore, si në sferën ekonomike, politike, nacionale, kulturore, ashtu edhe sociale të bazuara në nevoja dhe interesa të përbashkëta objektive.
  12. PDSH është për komunikim dhe qarkullim të lirë të njerëzve, të ideve dhe të kapitalit, veçmas në hapësirat shqiptare, me qëllim të zhvillimit harmonik kombëtar, kulturor, shkencor, teknologjik, etj, pa marrë parasysh kufijtë shtetëror.
  13. PDSH angazhohet për respektimin dhe realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit, e veçanërisht për lirinë e të menduarit, të vetëdijes, të besimit të lirë, të bindjes kolektive dhe individuale, etj, pa marrë parasysh përktësinë nacionale, racore, fetare, gjinore të rregulluar me Kushtetutë dhe Ligj.
  14. PDSH angazhohet për emancipimin e përgjithshëm, sidomos të atyre qytetarëve të cilët për shkaqe historike dhe diskriminuese kanë ngelur në shkallë më të ulët të zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor, etj. Në këtë vijë ajo do të angazhohet sidomos për emancipimin e plotë të femrës. Pa femrën e emancipuar nuk ka shoqëri të emancipuar.
  15. PDSH është për politikë të tillë sociale, e cila posaçërisht rëndësi do t’i kushtojë familjes, ekzistencës së qytetarit dhe nevojave ekonomike, arsimore, kulturore dhe shëndetësore të tij. Mbrojtje të veçantë do të gëzojnë personat e sëmurë, pleqtë dhe invalidët.
  16. PDSH angazhohet për zhvillim dinamik, intenziv dhe harmonik, për nxitje të prodhimtarisë dhe të investimeve si forma më adekuate për fisnikërim të kapitalit privat, gjithnjë në përputhje me ligjet e ekonomisë së tregut dhe me të arriturat shkencore dhe teknologjike.
  17. PDSH angazhohet për shumësinë e pronës.
  18. PDSH angazhohet për krijimin e kushteve ligjore për investimin e papenguar të kapitalit të huaj për punësimin e fuqisë punëtore profesionale dhe manuale, duke respektuar standardet ekologjike.
  19. PDSH angazhohet për politikë tatimore unike dhe reale, e cila do të stimulojë veprimtaritë ekonomike e që do të jetë në shërbim të mbrojtjes së standardit të qytetarit.
  20. PDSH do të angazhohet për të drejtën e barabartë në punë për të gjithë qytetarët, si dhe për politikë të drejtë sociale dhe humanitare.
  21. PDSH angazhohet për intensifikimin e bujqësisë dhe të blegtorisë si dhe për ngritjen e objekteve industriale për përpunimin dhe finalizimin e prodhimeve të këtyre degëve, për shfrytëzimin racional të pasurive minerale, për ndërtimin e kapaciteteve të vogla hidroenergjitike dhe të sistemeve të ndryshme për ujitje, për zhvillimin e turizmit, të infrastrukturës bashkëkohore dhe për modernizimin e të gjitha llojeve të transportit.
  22. PDSH angazhohet për arsimim dhe shkollim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, për zyrtarizim të Universitetit të Tetovës, për rishqyrtimin, ndryshimin dhe plotësimin e planprogrameve mësimore në drejtim të harmonizimit të tyre me interesat kombëtare, shkencore, ekonomike, letërsisë, artit dhe historisë së tjetrit.
  23. PDSH angazhohet për ngritjen e institucioneve shkollore, kulturore dhe shkencore.
  24. PDSH është për barazi të plotë të gjuhëve të popujve dhe të grupeve nacionale e etnike në të gjitha sferat e jetës publike dhe private e rregulluar me kushtetutë dhe ligj.
  25. PDSH do të angazhohet për rindërtimin, restaurimin dhe mbrojtjen e përmendoreve dhe monumenteve kulturore historike (nacionale dhe fetare), si dhe përdorimin e toponimeve në baza gjuhësore dhe shkencore.
  26. PDSH do të angazhohet për informim cilësor, gjithëpërfshirës, kredibil, objektiv, aktual duke nxitur bashkëpunim të brendshëm dhe ndërkombëtar në fushën e informimit. Në vijë të këtij përcaktimi ajo do të angazhohet që edhe në gjuhën shqipe të funksionojë një agjenci informative që do t’i furnizojë mjetet e informacionit, ato shtetërore dhe private me informata nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Përbërja programore dhe kohore e mjeteve të informacionit, i radios dhe i televizionit duhet të jetë në proporcion me strukturën nacionale të popujve, grupeve etnike dhe nacionale.

PDSH do të luftojë çdo cenzurë dhe çdo keqpërdorim të mjeteve të informacionit.

  1. PDSH angazhohet për mbrojtje të standardizuar shëndetësore.
  2. PDSH do të angazhohet për përparimin dhe kultivimin e lirë të traditave kulturore dhe historike dhe për festimin e lirë të festave kombëtare dhe fetare. Do të sigurojë qarkullimin e lirë të veprave artistike dhe të arriturave tjera kulturore dhe shpirtërore, pa marrë parasysh vendin se ku krijohen ato. Këto vlera duhet ngritur në shkallë të kujdesit institucional. E drejtë e patjetërsuar e çdo qytetari është përcaktimi i lirë i tij për përkatësinë fetare, predikimin dhe manifestimin e lirë të riteve dhe traditave fetare, mësimin e lirë të fesë dhe mësimin fetar të institucionalizuar.

Angazhim i veçantë i PDSH do të jetë rikthimi i pasurisë së tundshme dhe patundshme në pronësi të sërishme të bashkësive fetare.

  1. PDSH do të angazhohet për privatizim real, sipas ofertave të tregut, për kthimin, respektivisht, kompenzimin real të pasurisë së patundshme të qytetarëve, që është marrë në bazë të nacionalizmit, eksproprijimit apo në baza tjera.
  2. PDSH do të angazhohet për kthimin e punëtorëve tanë të punësuar jashtë vendit dhe krijimin e kushteve për reintegrimin e tyre në vendlindje, si dhe për zbatimin dhe respektimin konsekuent të akteve bilaterale dhe multilaterale ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me punëtorët tanë jashtë.
  3. PDSH do të angazhohet për liri të qarkullimit dhe banimit në suaza të shtetit dhe jashtë tij, si dhe për krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë qytetarëve të shpërngulur, e që shprehin gatishmërinë të kthehen.
  4. PDSH duke u nisur nga përcaktimet dhe standardet e rilindasve shqiptarë për tolerancë fetare do të angazhohet që Ballkani të jetë rajon i mirëkuptimit të ndërsjellë, i qarkullimit të lirë, pa bariera administrative, nacionale, religjioze dhe kulturore.

Platforma e Partisë Demokratike Shqiptare jepte një retrospektivë të ngjarjeve që ndodhën në Evropën lindore dhe juglindore, shthurrjen e shteteve dhe krijimin e shteteve të reja. Përshkruante qartë ngjarjet në ish Jugosllavi dhe tendencat e popujve më të fuqishëm për të krijuar shtetet e tyre nacionale përmes shkeljes së parimeve ndërkombëtare, duke përdorur forcën ushtarake. Platforma shpjegonte edhe tendencat megalomane të strukturës sllavo-maqedonase për të krijuar shtetin e tyre nacional në përfundim të shekullit XX. Poashtu theksonte qartë edhe gabimet e strukturës politike shqiptare në momentet vendimtare, kur vendosej fati i ardhshëm i pjesës së ndarë të kombit shqiptar, që jetonte në trojet e veta, në IRJM. Platforma e PDSH ofronte edhe zgjidhje konkrete, përmes ndryshimit të Kushtetutës së IRJM bazuar në parimet e institucioneve ndërkombëtare, në përputhje me drejtën demokratike të popujve për vetëvendosje.

Platforma politike e Partisë Demokratike Shqiptare përfshinte :

Hyrje

Ndryshimet në makroplan, rrënia e komunizmit, e sistemeve totalitare, shthurja e federatave, asaj sovjetike, jugosllave, çekosllovake, manifestojnë një tendencë të pandalshme historike që duhet pa rezervë të përfillet nga politika.

Sipas të gjitha gjasave kjo tendencë historike i dromcon amallgamet e sajuara rastësisht në fatkeqësitë historike, utopitë joreale ideologjike që nuk përfillin lighshmëritë ekonomike e sociologjike, veçoritë etnike e qytetëruese, standardet morale e njerëzore.

Kolapsi i Lindjes paraqet një sindrom të përbërë nga disa faktorë determinues: tendencën historike nqë afirmon të veçantën kundruell totales së papërkufizuar, ligjshmëritë ekonomike që kryesisht janë të pavarura nga konceptet ideologjike, interesat gjeostrtegjike dhe ekonomike, standardet e avansuara qytetare për liritë dhe të drejtat e njeriut etj.

Në Lindje, posaçërisht në hapësirën e ish Jugosllavisë manifestohen dy lloj anakronizmash, vonesash historike:

a. krijimi i shteteve nacionale dhe

b. kolonializmi

SHTETI NACIONAL

Shtetet nacionale ishin fryt i shekullit XIX, i një kohe të zhvillimit të pabarabartë të vetëdijes nacionale dhe të shoqërive në përgjithësi. Ato shoqëri që ishin në një shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror dhe e kishin të formësuar kodin diferencues nacional dhe kulturor arritën të përkufizohen si shtete nacionale.

Me këtë rast, me siguri janë shkelur të drejtat e njeriut, ato individuale dhe kolektive, mirëpo aso kohe planeti nuk ishte ende “fshat global” i mbuluar në çdo pjesë me mjete të informacionit si sot. Në kohën e sotme nuk mund të bëhen padrejtësi masive, pastrime etnike pa prezencën e mjeteve globale të informimit, kështu që tentativat për krijim të dhunshëm të shtetit nacional në hapësira multietnike në shndërrohet në çështje globale. Luftërat e pakuptimta në hapësirat e ish Jugosllavisë, shprehin pikërisht këtë anakronizëm dhe mospërfillje të kontekstit kohor dhe qytetërues.

Nga aspekti i psikologjisë sociale në këto hapësira u spikat edhe një dukuri: zëvendësimi i eksluzivzmit ideologjik, atij komunist me atë nacional-shovinist.

Përderisa në periudhën komuniste eksludoheshin, eliminoheshin, pastroheshin, diferencoheshin, margjinalizoheshin kundërshtarët ideologjik, në GULAGËT, GOLI OTOKËT etj., në periudhën postkomuniste, në fazën e nacionalizmit të vonuar, gjithnjë në vijë të kësaj strukture ekskluziviste mentale, eksludohen, pastrohen, margjinalizohen përfaqësuesit e kombit tjetër.

Emëruesi i përbashkët i dy periudhave është ekskluzivizmi.

Në hapësirat e ish-Jugosllavisë ky ekskluzivizëm kundruell tjetrit, popullit që papritmas shpallet si kundërshtar u manifestua me këtë gradacion:

- pastrime etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë,

- apartheid në Kosovë dhe

- getoizim, margjinalizim, akulturim në Maqedoni.

KOLONIALIZMI

Pastrimet etnike, apartheidi apo margjinalizimi janë forma që e përkufizojnë sindromin e kolonializmit të ri që në këto hapësira merr pretekstin kinse nga projekti i shtetit nacional, kontekstit juridik që këto shtete i përkufizon si nacionale përkundër strukturës së theksuar multietnike dhe uzurpimit të së drejtës që tërë begatitë e shoqërisë të vihen në funksion të kombit – shtet, shteformues dhe në disfunksion të popullit që nuk lejohet të identifikohet me shtetin.

Pra, në ato formacione të reja shoqërore që përkufizohen si shtete nacionale, ku për shkaqe ekonomike, politike, ushtarake, etj, nuk mund të zbatohet varianti më ekstrem i eliminimit të TJETRIT, zbatohet metoda e margjinalizmit, e eksploatimit, e vendosjes së raporteve koloniale në mes të popullit shteformues dhe atij TJETRIT që e konteston dominimin e tij, popullit primar dhe të atij sekondar.

Nga ky margjinalizim i popullit dytësor, populli parësor ka levërdi ngaqë tërë begatitë e sistemit vihen në funksion të popullit primar dhe në disfunksion të atij që eksploatohet. Shembull tipik për këtë është Republika e Maqedonisë, ku 1/3 e popullsisë (shqiptarët) në jetën publike funksionojnë 1/30-ta.

Neokolonializmi në shtetet postkomuniste merr trajta të papara brutale edhe për shkak të ekspansionizmit masiv sllav saqë popujt e kolonizuar, TË TJERËT, tashmë gjenden brenda substancës së tyre dhe amputimi është i vështirësuar. Çdo përpjekje për çlirim, shkëputje, cilësohet si rrezikim i interesit gjeostrategjik. Për t’i parandaluar këta procese normale, në kuadër të tendencës globale historike që e afirmon të veçantën kundruell totales së padiferencuar, kjo mendësi prodhon teori për sovranitet të kufizuar që shfrytëzohet si pretekst për intervenim ( në Çekosllovaki, Afganistan, Çeçeni, etj.)

Këto tendenca, këta interesa ekonomikë, nacionalë, gjeostrategjikë, këto vonesa në trajta dhe efekte të ndryshme u manifestuan gjatë shthurrjes së Jugosllavisë dhe në vazhdim, gjatë ngritjes së shteteve ncionale mbi gërmadhat e saja.

JUGOSLLAVIA

Çdo tentativë që në Jugosllavi të theksohet interesi i një kombi, kundruell interesave të kombeve të tjera ka përfunduar fillimisht me krizë politike, pastaj me atë ekonomike, sociale, morale dhe në fund me luftë.

Jugosllavia e parë dhe e dyta ishte produkt, jo i realiteteve të brendshme, i interesave të thella, i vazhdimësisë historike, por i kontratave, i marrëveshjeve të brendshme dhe të jashtme. Kur prishej një element i kësaj kontrate, Jugosllavia hynte në fazën e destabilizimit, apo turbulencave që e instalonin spiralen e krizës.

Jugosllavia e dytë, në vazhdë të tendencës që ajo të përkufizohet si Serbi e zgjeruar hyri në krizë, kur pas vdekjes së Titos, Akademia serbe hartoi projektin për prishje të kontratës, për theksimin e interesit serb në shtetin multietnik që sot njihet me emrin MEMORANDUMI I ASHAS-së

Filli dhe caku i këtij projekti ishte prishja e mekanizmit të vendosjes koncensuale që parandalon mundësinë e majorizimit, të tjetërsimit të interesave dhe të drejtave të kombeve numerikisht më të vogla se kombi dominant.

Antipodi i koncensusit ishte mekanizmi “ një njeri një votë “ që në sistemet multietnike mund të përçudnohet në mekanizëm eliminues të kombeve dhe të kulturave.

Efektet shkatërruese të këtij mekanizmi në hapësirat multietnike zakonisht kamuflohen me reduktimin e të drejtave nacionale në ato qytetare dhe në deformimin e demokracisë në procedurë eliminuese, kur shumica, një komb numerikisht më i madh me procedura legale, të mbivotimeve në parlament eliminon, margjinalizon, ç’pushtetizon një komb tjetër, numerikisht më të vogël.

Procedurën eliminuese, si vazhdimësi të konceptit “një njeri-një votë”, tentuan ta zbatojnë në Kongresin e fundit të LKJ-së, kur delegatët sllovenë, pastaj kroatë, boshnbjakë, shqiptarë, maqedonas, e braktisën kongresin. Siç dihet pas kësaj Jugosllavia hyri në spiralen e krizës.

Shkaktarë i krizës pa kurfarë dilemash, me të drejtë merret regjimi serb, prijësi i saj S. Millosheviq dhe institucionet që u instrumentalizuan në vijë të këtij projekti, ndërkaq nga ana tjetër regjimi maqedonas dhe prijësi, K. Gligorovi amnestohen nga ky faj, madje edhe spikaten si shembuj pozitiv, përkundër faktit qorrues që tregon se në Maqedoninë multietnike legalisht zbatohet principi mbivotues “një njeri një votë” dhe se Gligorov në esencë është kipci, Millosheviqi i realizuar, ashtu lehtë, shpejt, pa rreziqe dhe pa kritika nga faktori ndërkombëtar.

MAQEDONIA

Në Maqedoni spikaten, ndonëse në trajta më të pakuptimta të gjitha simptomet e etheve të makroplanit historik dhe të atij më të ngushtë jugosllav.

Republika e Maqedonisë, përkundër strukturës së theksuar binacionale dhe multikulturore është përkufizuar si shtet nacional i maqedonasve në të cilin shqiptarëve u garantohen të drejtat qytetare, si gjithkund në botë.

Gjatë secesionit të saj nga ish sistemi u bënë disa gabime esenciale:

- uzurpimi i së drejtës për vetëvendosje vetëm për popullin maqedonas, por jo edhe për atë shqiptar që sërish, pa dëshirën e tyre, ndahen edhe nga një pjesë e trungut kombëtar;

- shpallja e referendumit pa i definuar premisat dhe raportet brenda formacionit të ri shoqëror;

- trashëgimia vetëm e të drejtave, por jo edhe i obligimeve nga ish sistemi, si bie fjala çështja e nënshtetësisë, e kompensimit të të drejtave dhe institucioneve të humbura të spektrit kombëtar;

- shkelja mbi vullnetin e shqiptarëve të cilët e bojkotuan referendumin maqedonas dhe organizuan atë shqiptar, për autonomi politiko-territoriale;

Gjatë ndërtimit të Republikës së Maqedonisë si shtet të pavarur poashtu janë bërë një sërë gabimesh, gjithnjë në vijë të përcaktimit ekskluzivist nacionalist që tjetrin e shmang, e margjinalizon:

- hartimi i kushtetutës së Maqedonisë ku nuk ngërthehet interesi esencial i shqiptarëve;

- mbivotimi i kushtetutës përkundër vullnetit të përfaqësuesve shqiptarë të cilët “en bloc” nuk e votuan;

- injorimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, veçmas kreut të dytë të dokumentit të Lordit Kerington;

- anashkalimi nga fryma e bisedimeve shqiptaro-maqedonase në Ohër, me ndërmjetësimin e z. Gert Arens etj.

Koncepti i mbivotimit, i tipit “një njeri një votë”, imponimit të vullnetit të një populli kundër popullit tjetër u aplikua edhe gjatë secesionit edhe gjatë procedurave parlamentare, gjatë votimit të kushtetutës dhe të ligjeve që përkufizojnë të drejtat nacionale.

Në shtetet me strukturë të brendshme multietnike, nëse paraprakisht nuk përkufizohen të drejtat e patjetërsueshme nacionale, atëherë procedura e stërkequr demokratike shndërrohet në instrument makabër që eliminon, margjinalizon, i përthan potencialet e popullit tjetër.

Maqedonia është shembull tipik i këtij deformimi ku përmes “demokracisë” humben të drejtat nacionale, të trashëguara apo ato që ofron konteksti historik.

Në Maqedoni në mënyrë perfide vendosen mekanizma të kontrollit të popullit primar, favorizues mbi popullin sekondar, defavorizues.

Në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase këta mekanizma janë qartë të natyrës koloniale:

- mekanizmi i sistemit zgjedhor. Insistohet në sistemin e shumicës ngaqë përmes mundësisë së komponimit të njësive zgjedhore arrihet të zbritet pesha e votës shqiptare, kështu që mesatarisht një deputet shqiptar ka dyfish më shumë votues sesa ai maqedonas;

- mekanizmi i dhënies së pëlqimit dhe i mendimit. Kjo shihet kryesisht në sferën e kompetencave të pushtetit lokal të cilin shqiptarët në sajë të votës së lirë e fitojnë. Në Maqedoni në esencë pushteti ekzekutiv, kryesisht maqedonas jep pëlqim për vendimet e pushtetit lokal, ndërkaq pushteti lokal jep mendim për vendimet e pushtetit ekzekutiv, të minstrive rajonale. Në këtë mënyrë legalisht kontrollohet pushteti lokal dhe rrënohet autonomia e tij;

- mekanizmi i dromcimit, i divizionit të drejtave dhe të kompetencave. Bie fjala, neni 115 i Kushtetutës sanksionon korpusin e të drejtave dhe të kompetencave të pushtetit lokal. Ligji për vetëadministrim lokal këto të drejta i ndanë, i dromcon në tri kategori: në të drejta të drejtpërdrejta të komunës, në të drejta që mund t’i realizojë përmes pëlqimit të pushtetit ekzekutiv, që është kryesisht maqedonas dhe në të drejta që republika mund t’ua bartë komunave, disave prej tyre sipas vlerësimit intern.

Madje, as kategoria e parë e të drejtave nuk mund të zbatohet pa mekanizmin tjetër kontrollues- ligjin, kështu që ajo që parashikohet me kushtetutë nuk përfshihet në ligj;

- mekanizmi i centralizmit. Gjithëçka vendoset nga qendra, madje edhe emërimi i drejtorëve të shkollave nëpër fshatra.

Në kuadër të këtij mekanizmi pushteti qendror, Qeveria mund ta suspendojë pushtetin lokal që në Maqedoninë Perëndimore është plotësisht në duart e shqiptarëve.

Këta relacione, mekanizma dhe metoda që u zbatuan në Maqedoni gjatë secesionit dhe ndërtimit të shtetit ngërthejnë në vete atë intencë primordiale të ekskluzivizmit nacionalist që tjetrin e përthan, e margjinalizon, e eksploaton, e vë në pozitë të pabarabartë, segreguese. Statistika, në mënyrë të pamëshirshme flet, fatkeqësisht, në të mirë të këtij pohimi. Shqiptarët që e përbëjnë 1/3 e strukturës së popullsisë, në jetën publike, në administratë, gjyqe, polici, ushtri, në institucione kulturore, shkencore, informative janë të përfaqësuar me proporcionin 1/30.

Variantet e shfrytëzimit të potencialeve të shqiptarëve në funksion të zhvillimit të shoqërisë, të institucioneve, të vlerave dhe të mirëqenies maqedonase janë tipike koloniale, ngaqë spikasin mekanizmin e shfrytëzimit të potencialeve të një hapësire dhe të një etnikumi në të mirë të etnikumit tjetër. Përqindja e investimeve në hapësirat shqiptare, prej infrastrukturës, institucioneve kulturore-arsimore e deri te sfera e punësimit është dhjetëfish më e ulët se kontributi i tyre.

Në vijë të këtyre konstatimeve mund të pohohet me plot gojë se në Maqedoni kemi të bëjmë me fenomenin e keqpërdorimit të sistemit që vihet në funksion të plotë të një etnikumi dhe në disfunksion të etnikumit tjetër. Kjo nuk mund të zhbëhet as me emërimin e shqiptarëve në poste ministrash, as me insistim të legalitetit që konstruktohet me procedura të stërkequar demokratike e as me apele për një analizë komparative për statusin e pakicave në Ballkan ngaqë e prezumon statusin e shqiptarëve si pakicë, përkundër faktit se ata janë një pjesë shumicë e një populli të ndarë, me autoktoni të lashtë në këto troje.

Shqiptarët tashmë janë ndërgjegjësuar për pozitën e vet në sistem, për këta projekte, për këto tendenca që synojnë, në mënyrë brutale apo sofistike, margjinalizimin e tyre, përtharjen e energjive të tyre krijuese.

PDSH-ja ka marrë përsipër ta artikulojë këtë pakënaqësi, këta interesa të thellë, reale dhe të drejta të popullit shqiptar.

PDSH-ja nis nga fakti se në Maqedoni reciklohen në mënyrë më joproduktive antagonizmat që e shkatërruan Jugosllavinë.

Në Maqedoni, në mënyrë të rrezikshme, konfrontohen vullnetet e dy kombeve që kanë potenciale ndërtuese dhe rrënuese, të atij maqedonas dhe të atij shqiptar.

Ky konfrontim duhet të ndërpritet, të zgjidhet me mjete paqësore, qytetëruese, me dialog dhe marrëveshje paraprake.

PDSH gjithashtu ofronte projektin për zgjidhjen e krizës në marrëdhëniet ndëretnike në IRJM.Ky projekt ishte operacionalizim i programit të saj, në të cilën thuhet:

1. Vetëvendosja. Insistimi në këtë kategori ka mbështetje në:

- Rezolutën e OKB nr. 637 A (VII) të vitit 1952;

- Rezolutën e OKB nr. 1514 të vitit 1960;

- Deklaratën për arritje të pavarësisë ( “ të gjithë popujt kanë të drejtë për vetëvendosje dhe të gjitha mjetet represive duhet të suspendohen që të lejohet në paqë dhe lirshëm ta realizojnë të drejtën për pavarësi të plotë “ );

- Deklarat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB e vitit 1970 për marrëdhënie miqësore në mes të shteteve;

- Paktin e OKB për të drejta qytetare dhe politike, në Paktin për të drejta ekonomike sociale dhe kulturore të vitit 1966 ku në nenin 1.1 thuhet: “ të gjithë popujt kanë të drejtë për vetëvendosje. Në bazë të kësaj të drejte ata lirshëm e përcaktojnë pozitën e tyre politike …”

- Konstatimin se Jugosllavia ishte produkt i një kontrate, i një marrëveshje e cila u prish dhe të gjithë popujt e fituan të drejtën për vetëvendosje:

- Konstatimin se në Maqedoni kundër shqiptarëve zbatohet sistemi i margjinalizimit, mekanizmi i kontrollit dhe i pengimit të zhvillimit të tyre;

- Konstatimin se pushteti në Maqedoni nuk i përfaqëson interesat e të gjithë qyetetarëve;

- Ekzistimin e një subjekti juridik, politik që legalisht i shtron këto kërkesa.

2. Vetëvendosja e brendshme mbështetet në këta dokumente dhe përcaktime:

- Referendumin për autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë;

- Bojkotimin e Referendumit maqedonas;

- Dokumentin e Lordit Kerington (kreu i dytë);

- Ekzistimin e subjektit, subjekteve që do të jenë bartës të realizmit të kësaj të drejte;

- Përcaktimit për bashkëjetesë, interesin dhe të drejtën e Tjetrit, në këtë rast të maqedonasve;

3. Marrëveshja paraprake, për harmonizimin e të drejatve për vetëvendosje që u fituan me shthurrjen e Jugosllavisë, të kontratës paraprake, pra për ndërrimin e sistemit nacional në atë binacional dhe multikulturor.

Konteksti historik imponon marrëveshjen ngaqë ajo e mëparshmja është prishur, nismat dhe vullnetet nacionale janë të kundërta dhe akordimi është i domosdoshëm.

Marrëveshja duhet të mbështetet në këto kategori:

a. të drejtat e trashëguara:

1. Shtetformësia, gjuha, flamuri;

2. Dokumenti i Lordit Karington;

3. Referendumi për autonomi politiko-territoriale;

4. Të drejtat që shqiptarët i gëzonin jashtë Maqedonisë:

- institucionet kombëtare në Kosovë dhe

- qarkullimin e lehtësuar në hapësirat shqiptare, të njerëzve, ideve dhe të mallrave.

b. të drejtat demokratike:

1. Pluralizmi;

2. Zgjedhje të lira;

3. Decentralizimi;

4. Barazimi i peshës së votës, sistemi proporcional i zgjedhjeve;

5. Demokracia konsensuale, parlamenti dydhomësh;

6. Ekonomia e tregut.

c. të drejtat e njeriut, sipas standardeve evropiane

ç. Përcaktimi për standarde perëndimore, rrjedhimisht për inkuadrim të Maqedonisë në institucione perëndimore.

Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet, atëherë Maqedonia do të hyjë në spiralen e krizës, të ngjajshme, me atë të Jugosllavisë, ngaqë projekti i tashëm i saj është inkopatibil me strukturën e brendshme të popullsisë dhe me tendencën globale historike që afirmon shumësinë, nxit decentralizimin dhe interaksionin mbi baza të interesave të pastra të ndërsjella.

PDSH nisur nga vërejtjet hyrëse, analizat shkencore për funksionimin e sistemeve multietnike, dokumentet ndërkombëtare, realiteti i hidhur si pasojë e manipulimeve tashmë transparente, vullnetit të popullit shqiptar për liri, barazi dhe zhvillim, tërë veprimtarinë e vet do t’ia kushtojë realizimit të këtyre objektivave.

PREJARDHJA E PLATFORMËS SË PDSH-së

Në Maqedoni, me qindra vjet jetojnë paralelisht dy bashkësi të mëdha etnike, me veçori të përcaktuara që eliminojnë mundësinë e asimilimit : ajo shqiptare, autoktone dhe pasardhës të ilirëve të lashtë dhe ajo sllave që sot identifikohet me emrin maqedon.

Të dy bashkësitë kanë historinë e vet kombëtare, politike, trashëgiminë kulturore, fetare, aspiratat e ngjajshme për t’i takuar trungut kombëtar apo për të krijuar një trung të ri.

Konflikte të mëdha në mes këtyre dy bashkësive nuk ka pasur, pos në situata të krizës kur duhej në këto hapësira të instalohej interesi sllav dhe kodi i tyre qytetërues.

Në situata të krizës së jashtme, duke filluar nga invazioni turk, nga beteja e mitizuar e Kosovës e deri te Lufta e Dytë Botërore bashkësia sllave, serbe apo sot maqedone dërgonte sinjale për luftë të përbashkët në emër të interesave të përbashkëta dhe jetës së përbashkët.

Shqiptarët, thuajse rregullisht e përkrahën këtë ftesë, që nga Beteja e Kosovës, e deri te Republika e Krushevës dhe lufta kundër fashizmit.

Në Maqedoni luftoi brigada kosovaro-maqedonase si dhe shumë njësi ushtarake partizane të Shqipërisë që me flamur shqiptar i çliruan qytetet në Maqedoninë e sotme, në Kosovë dhe Sanxhak.

Kontesti në mes të bashkësive sllave: serbo-maqedonase dhe atyre shqiptare ndodhte rëndom kur duhej të merren frytet e fitores së përbashkët.

Shqiptarët, kryesisht për shkak të mungesës së protektorit, të aleatit të madh, përkundër kompaktësisë etnike, gjeografike, autoktonisë, autonomisë ekonomike, kulturore etj. nuk arrinin që t’i realizojnë aspiratat historike, por detyroheshin qoftë nga dhuna ose ofertat joshëse të bashkëjetojnë me sllavët.

Në fillim, kur ofertat dhe marrëveshjet ishin ende të freskëta ata kishin të drejta parimore, për t’i humbur ato gradualisht. Në Kushtetutën e vitit 1946 ata përkufizohen si komb, në atë të vitit 1974 si kombësi, ndërkaq me amendamentet e vitit 1989, si pakicë.

Në Kushtetutën e vitit 1974 të RSM, në preambulë, Maqedonia përkufizohet si shtet nacional i popullit maqedonas dhe kombësisë shqiptare, ndërkaq në “Kushtetutën demokratike” të 17 nëntorit 1991, në përfundim të kësaj tendence redukcioniste, Maqedonia përkufizohet si shtet nacional i maqedonasve ku u garantohen të drejtat qytetare shqiptarëve dhe të tjerëve, ashtu si shumëkund në botë.

Ky përvetësim i shtetit bëhet në emër të trashëgimisë historike, kulturore, shpirtërore të popullit maqedonas për ta ndrydhur kështu edhe me represion trashëgiminë paralele të popullit shqiptar.

Në nenin 7 të po kësaj kushtetute, në vijë të përkufizimit nacional të sistemit, gjuha maqedone dhe alfabeti qirilik shpallen zyrtare për të krijuar bariera konkrete për zhvillimin e veçantë të shqiptarëve.

Të përkujtojmë se, nenet: 177, 178, 179, 180, 181, 182, 183 të kushtetutës së RS të Maqedonisë të vitit 1974, në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më gjerë përkufizojnë të drejtat e shqiptarëve për barazi me maqedonasit në sferën e gjuhës, përfaqësimi proporcional në pushtetin prezantues dhe ekzekutiv, të shkollimit, të përdorimit të simboleve kombëtare, etj.

Kushtetuta e vitit 1991 jo vetëm që nuk përfill të drejtat e trashëguara nga ish sistemi, por në vete nuk ngërthen frymën e vlerave demokratike që duhet të afirmojë të drejtën për kultivim të diversiteteve, të interesave plurale, në sferën politike, nacionale, ekonomike, kulturore, religjioze etj. që vetëvetiu nënkupton decentralizimin.

Së këndejmi, gjithnjë në vijë të mendimit se kjo është kohë historike, kohë parimesh e jo procedurash, kohë marrëveshjesh historike, shanse të papërsëritshme për realizim interesash historikë, kohë standardizimesh, mendojmë se pa ndërrim të Kushtetutës së R. së Maqedonisë, pra të konceptit të një formacioni shoqëror që mundëson dominimin sistemor të një kolektiviteti mbi tjetrin nuk mund të ketë harmonizim afatgjatë të interesave në mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Çka duhet të ngërthejë në vete kushtetuta demokratike e Maqedonisë

Shqiptarët patjetër duhet të trajtohen si bashkësi e barabartë me maqedonasit. Me shkatërrimin e Jugosllavisë çdo popull fiton automatikisht të drejtën për vetëvendosje që fundja u materializua me referendumet që u shpallën dhe u mbajtën anekënd Jugosllavisë, pra edhe këtu në Maqedoni.

Ky vullnet nuk mund të shkilet me represion por me afirmim të barazisë së plotë.

Shqiptarët, në ish Jugosllavi jetojnë në territore kompakte etnike dhe gjeografike të lidhura me shtetin amë që u ndanë padrejtësisht në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Ata, për shkak se janë shumicë dhe popull autokton, me histori, kulturë dhe veçori etnike, nuk mund të trajtohen në asnjë mënyrë si pakicë, por si popull i ndarë.

Në Maqedoni duhet të fitojnë statusin e popullit shtetformues jo për të krijuar një kundërpozicion ndaj represionit të establishmentit maqedonas, por për shkak se ata, duke filluar nga Republika e Krushevës gjithmonë janë si shtetformues.

Vetëm rinjohja e këtij statusi mund të jetë bazë për një referendum për autonomi-territoriale politike të shqiptarëve në Maqedoni

Kërkesa që shqiptarët të jenë bartës të sovranitetit në Maqedoni ka mbështetje:

- parimore, për shkak të së drejtës së tyre mbi trojet etnike ku kanë jetuar nga periudhat më të hershme, ku kanë formësuar etnitetin, identitetin kombëtar dhe ku aktualisht vazhdojnë të jetojnë;

- historike, për shkak se këtë të drejtë e kanë fituar më 1903, me shpalljen e Republikës së Krushevës, më 1944 (ASNOM) dhe në Kushtetutën e vitit 1974 të RS të Maqedonisë dhe

- aktuale, për shkak të proceseve demokratike që zhvillohen në Evropë që riafirmojnë aktet e së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës për vetëvendosje të kombeve, Akti final i Helsinkit (1975), Karta e Parisit për një Evropë të re (1990).

Mbi këto baza historike dhe shkencore që konstatojnë ekzistimin objektiv të diversitetit etnik, kulturor, vullnetit këmbëngulës që edhe më tej të kultivohet dhe tendencës globale që të standardizohen këto hapësira të shthurura në kuadër të sistemit të vlerave perëndimore, mund të arrihet marrëveshje për eliminimin e antagonizmave të bashkësive etnike kryesore në Maqedoni, të maqedonasve dhe të shqiptarëve.

Marrëveshja që përfill këta realitete, tendencën e brendshme dhe të jashtme, duhet të jetë hapi i parë, ndërsa hapi i dytë është hartimi i kushtetutës që ngërthen në vete premisat e marrëveshjes dhe hapi i tretë është lojaliteti ndaj shtetit të përbashkët, formacionit të ri me legjitimitet të brendshëm dhe të jashtëm që do t’ia japë Konferenca për ish Jugosllavinë.

Metodologjia e deritashme, imponimi i një kushtetute, një koncepti që nuk përfill realitetin e brendshëm, atë të jashtëm, të drejtat e trashëguara, pastaj kërkesa për lojalitet nga një pjesë e madhe e popullatës, thellësisht të pakënaqur me statusin e vet në te dhe në fund, ofrimi i dialogut, marrëveshjes në kuadër të institucioneve të sistemit që në esencë e pamundësojnë atë është gjeneratori i vërtetë i krizës që gjithnjë e më tepër do të deformohet.

Maqedonia do të jetë shtet stabil po qe se, në këtë kohë të oportunitetit historik ndërtohet mbi marrëveshjen e dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonase dhe shqiptare që bashkërisht, pastaj garantojnë të drejtat qytetare të tjerëve që bashkëjetojnë me ta.

Pra, pa u ballafaquar me çështjet elementare, parimore, do të jemi të shtrënguar të veprojmë në dimensionin e pasojave që do të shtohen gjithnjë e më tepër ngaqë:

- shqiptarët nuk do të pajtohen me statusin e tyre dhe do të bëjnë orvatje gjithnjë e më të mëdha e më të suksesshme që ta përmirësojnë atë dhe ;

- establishmenti maqedonas që instaloi një raport të panatyrshëm në sistem në mes dy bashkësive do të përpiqet t’i pengojë këto orvatje me mjete represive dhe në këtë mënyrë relacionet ndëretnike do të satanizohen, sistemi do të deformohet dhe Maqedonia do të shndërrohet në një vatër permanente të krizës, të konfrontimit joproduktiv, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të shkeljes së vlerave dhe të standardeve evropiane.

E vetmja rrugëdalje, pa marrë parasysh raportin konjuktural politik është përfillja e interesit shqiptar në sistem, duke mos cënuar në asnjë mënyrë atë maqedonas.

Në këtë Kongres u hartuan edhe projekt-amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë 30.

Tetovë, 6 korrik 1997 Kongresi i PDSH



30 Këto Projekt-amendamente ishin punuar nga Grupi profesional i PPDSH në bashkëpunim me Shoqatën e Juristëve të pavarur të Kosovës në vitin 1995. ( Shih revistën >>Koha<<, “ Shqiptarët si bashkësi e barabartë me maqedonasit<<, 4 tetor, 1995.