PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

PARTIA PËR PROSPERITET DEMOKRATIK E SHQIPTARËVE P P D SH 16

PARTIA PËR PROSPERITET DEMOKRATIK E SHQIPTARËVE

P P D SH 16

PPD që doli në skenën politike të IRJM pas Kongresit të dytë të parakohshëm, e quajtur “e n d a l u a r” ishte vazhdimësi e pjesës dërrmuese të strukturës partiake të PPD që u krijua më 1990 në hapësirat shqiptare të IRJM. Filozofia e veprimit dhe aktivitetit intenziv me masat e gjëra shqiptare dhe platforma e qartë kombëtare e PPD së reformuar, u pengonte strukturave të mendësisë së vjetër sllavo-maqedonase dhe konceptit të K. Gligorovit, që e ëndërronin Maqedoninë si shtet nacional të sllavo-maqedonasve. Prandaj, makineria propaganduese e tyre, duke shfrytëzuar edhe shqiptarët nëpër struktura të pushtetit, ndërmorrën masat parandaluese që të pengojnë veprimin e PPD së reformuar. Si pengesë prioritare ishte ndërhyrja e gjyqit dhe organeve policore ( që vepronin nën direktivën e LSDM ), në punët e brendshme të një partie legale politike, duke mohuar legjitimitetin e PPD që mbajti Kongresin në Pallatin e kulturës në Tetovë, aty ku edhe ishte caktuar të mbahet. Ky fakt historik nuk mund të mohohet. Por, strukturat e pushtetit ia dhuruan pjesës tjetër të “ PPD ” legjitimitetin, e cila u largua nga Pallati, ku sipas vendimit të Këshillit të përbashkët, duhej të mbahej Kongresi i përbashkët !?

PPD e udhëhequr nga Arbën Xhaferi, sipas vendimit të organeve juridike-dhe policore sllavo-maqedonase, mbeti pa legjitimitet. Vazhdimi i veprimtarisë politike si parti e paregjistruar shkaktonte një varg pengesash, sidomos gjatë procesit të zgjedhjeve. Prandaj, gjatë vitit 1995, pas shumë peripecive PPD e reformuar u regjistrua me emrin:

PARTIA PËR PROSPERITET DEMOKRATIK TË SHQIPTARËVE ose shkurt PPDSH.

Ngjyra e flamurit partiak dhe emblema e PPDSH me shqiponjën dykrerëshe pasqyronin qartë një parti nacionale shqiptare, në IRJM. Por kjo emblemë do të jetë pengesë në zgjedhjet lokale, PPDSH u hoq nga listat zgjedhore, edhepse sipas ligjit duhej të figuronte aty.

Emblema e PPDSH

PPDSH, e regjistruar në vitin 1995 si parti politike që artikulonte interesat kombëtare të shqiptarëve në IRJM, paraqiti propozim-projektin e saj për rregullimin e Kushtetutës së IRJM dhe përshtatjen e saj sipas realitetit politik dhe historik të popujve që jetojnë në këtë republikë. Ekspertët e PPDSH së bashku me Shoqatën e Juristëve të Pavarur të Kosovës shpallën:

Ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe të alfabeteve në Republikën e Maqedonisë dhe ,

Projektin lidhur me amendamentet I-VII të kushtetutës së IRJM.

PPDSH e paraqiti këtë projekt si kërkesë të shqiptarëve në Maqedoni në kuadër të konferencës për ish-Jugosllavinë, ku mendohej se do të shqyrtohet edhe problemi i IRJM. Sipas këtij projekti shqiptarët synojnë që të jenë bartës të sovranitetit në këtë shtet 17.

Në Ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe të alfabeteve në IRJM, thuhet:

Dispozitat themelore

Neni 1

Ne Republikën e Maqedonisë janë në përdorim zyrtar dhe të barabarta gjuha maqedone dhe gjuha shqipe dhe shkrimet e tyre.

Barazia e përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve në vëshrtim të këtij Ligji nënkupton komunikimin zyrtar në njërën ose në tjetrën gjuhë dhe në shkrimet e tyre.

Neni 2

Me përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve në vëshrtim të këtij Ligji, nënkuptohet përdorimi i gjuhëve dhe i shkrimeve në punën dhe komunikimin e organeve të pushtetit të republikës, të rretheve, të qyteteve dhe të komunave, të organizatave, ndërmarrjeve dhe institucioneve të cilat kryejnë shërbime publike për qytetarët e republikës.

Zbatimi praktik i barazisë së gjuhëve dhe shkrimeve

Neni 3

Barazia e përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve maqedone dhe shqipe zbatohet dhe realizohet në praktikë :

- në komunikimin gojor dhe me shkrim të organeve, organizatave, ndërmarrjeve dhe institucioneve midis tyre dhe me qytetarët;

- në procedurat e mbrojtjes dhe realizimit të të drejtave, interesave, detyrave dhe përgjegjësisë së qytetarëve dhe të personave juridikë;

- në mbajtjen e evidencës së organeve dhe të subjekteve tjera;

- në dhënien e dokumenteve personale dhe të dokumenteve të tjera publike punëtorëve e qytetarëve;

- në shkrimin e emrave, toponimeve, firmave, vulave, mbishkrimeve, emërtimin e rrugëve, shesheve, shenjave të komunikacionit, lajmërimeve publike etj.

Neni 4

Formularët e dokumenteve publike dhe ato të evidencës duhet të jenë të shtypura në gjuhët dhe shkrimet maqedone dhe shqipe, kurse qytetarëve u jepen dokumentet në njërën nga këto gjuhë, sipas përkatësisë, respektivisht sipas kërkesës së palës;

Neni 5

Tekstet e ligjeve dhe të akteve të tjera të organeve të pushtetit të Republikës dhe të niveleve të tjera, të cilat publikohen në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, botohen në gjuhët dhe shkrimet maqedone dhe shqipe si tekste autentike.

Neni 6

Barazia e përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve maqeone dhe shqipe aplikohet edhe në ushtri dhe në komunikimin me poërfaqësitë diplomatike dhe konsullare të Maqedonisë.

Neni 7

Organet, organizatat dhe subjektet e tjera nga neni 2 dhe 6 të këtij Ligji, janë të detyruara që emërtimin, vulat dhe mbishkrimet e tyre t’i bëjnë në gjuhën maqedone dhe në gjuhën shqipe dhe me shkrimet e këtyre gjuhëve.

Neni 8

Gjuha dhe shkrimet maqedone dhe shqipe janë të barabarta në procedurat gjyqësore, administrative dhe në çdo procedurë tjetër që zhvillojnë organet e pushtetit, organizatat dhe subjektet e tjera në të gjitha nivelet dhe shkallët e vendosjes.

Në procedurat në të cilat marrin pjesë më shumë palë të përkatësive të ndryshme nacionale, procedura zhvillohet në gjuhën zyrtare të palëve shumicë, kurse palëve të tjera iu mundësohet komunikimi në gjuhën e tyre përmes interpretëve si dhe vendimet iu dërgohen në gjuhën e tyre.

Palët në procedurë kanë të drejtë t’iu paraqesin organeve kërkesa, lutje, ankesa e parashtresa në gjuhën e vet. Deklaratat e palëve, dëshmitarëve, ekspertëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë jepen në njërën nga gjuhët zyrtare të caktuar me këtë ligj. Po qe se personi që merr pjesë në procedurë nuk e njeh asnjërën nga gjuhët zyrtare, deklarata e tij përkthehet dhe shkruhet në gjuhën në të cilën zhvillohet procedura.

Shpenzimet e përkthimit i paguan organi i cili e zhvillon procedurën.

Mjetet për zbatimin e ligjit

Neni 9

Moment nga nënshkrimi i akteve për themelimin e Universitetit të Tetovës

Mjetet materiale dhe financiare për zbatimin e këtij Ligji i sigurojnë organet përkatëse dhe ato shpenzime bien në ngarkim të buxhetit të shtetit.

Dispozitat ndëshkuese

Neni 10

Për shkeljen e dispozitave të këtij Ligji, organet, organizatat, ndërmarrjet dhe subjektet e tjera si dhe personat përgjegjës të tyre, dënohen:

-3000 deri më 5000 denarë, dënohet për kundërvajtje organi, organizata a subjekti tjetër, në rast se ai mohon aose nuk ia mundëson palës të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës a të shkrimit të garantuar me këtë ligj, apo nëse nuk ia jep dokumentin tjetër publik në njërën nga këto gjuhë, sipas përkatësisë respektivisht sipas kërkesës së palës:

- për kundërvajtjet nga alineja e mësipërme, dënohet edhe personi përgjegjës me 700-1000 denarë;

- 5.000-10.000 denarë, dënohet për kundërvajtje ose delikt ekonomik organi, organizata, ndërmarrja apo institucioni i cili shkel dispozitat e këtij ligji që kanë të bëjnë me mbishkrimet, emërtimet, firmat, vulat, shenjat e komunikimit, publikimin e teksteve të ligjeve e akteve të tjera ;

- për kundërvajtjet apo deliktet nga alineja e mësipërme, dënohet edhe personi përgjegjës i subjektit, në shumë prej 1.000 deri 2.000 denarë;

- poqese kundërvajtja apo delikti i shkeljes së këtij ligji përsëritet, dënimet e parapara në alinenë e mësipërme trefishohen për çdo përsëritje.

Dispozitat kalimtare dhe të fundit.

Neni 11

Evidenca, formularët, emërtimet, vulat, mbishkrimet dhe shkrimet e tjera publike duhet të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji në afat prej 12 muajve nga dita kur ky ligj hynë në fuqi.

Prej ditës kur ky ligj hynë në fuqi, në çdo procedurë të re do të zbatohen dispozitat e këtij ligji përsa i përket përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe të shkrimeve.

Procedura gjyqësore, administrative e të tjera të cilat janë filluar më herët e që nuk janë përfunduar deri në ditën e skadimit të afatit nga paragrafi i këtij neni, do të përfundohen sipas dispozitave të këtij ligji përsa i përket përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe të shkrimeve.

Neni 12

Ky ligj hynë në fuqi ditën e tetë pas publikimit në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

Neni 13

Në njësitë e qeverisjes lokale, ku në numër të konsiderueshëm jetojnë pjesëtarët e nacionaliteteve tjera, në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedone dhe gjuhës shqipe, është edhe gjuha e atij nacionaliteti 18.

Ndërsa në projektin lidhur me Amendamentet I-VII të Kushtetutës së IRJM, të cilët janë pjesë përbërëse e Kushtetutës shkruan :

AMENDAMENTI I

1. Republika e Maqedonisë është shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social i popullit maqedonas dhe i popullit shqiptar, si dhe i nacionaliteteve të cilët jetojnë në të.

2. Me këtë amendament zëvendësohet paragrafi 1 i nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

AMENDAMENTI II

1. Në Republikën e Maqedonisë janë në përdorim zyrtar dhe të barabarta gjuha maqedone me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin shqip.

2. Në komunat në të cilat nacionalitetet e tjera jetojnë me numër të konsiderueshëm në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedone dhe gjuhës shqipe, në përdorim zyrtar janë edhe gjuhët dhe shkrimet e atyre nacionaliteteve në pajtim me ligjin dhe statutin e komunës.

3. Liria dhe barazia e përdorimit të gjuhës dhe shkrimit nënkupton komunikimin privat ose zyrtar në njërën ose në tjetrën gjuhë dhe në shkrimet e tyre.

4. Ligjet, interpretimet e tyre autentike, dispozitat dhe aktet e tjera publikohen si tekste autentike në gjuhën maqedone dhe në gjuhën shqipe.

5. Me ligj të veçantë përcaktohet mënyra dhe kushtet e realizimit të barazisë së përdorimit zyrtar të gjuhëve e të shkrimeve të tyre.

6. Në realizimin e të drejtave, interesave dhe obligimeve të tyre, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë kanë të drejtë të përdorin gjuhën e vet para organeve apo organizatave të cilat kryejnë autorizime publike. Mosnjohja e gjuhës në të cilën zhvillohet procedura e caktuar, nuk mund të jetë pengesë për realizimin e të drejtave ose interesave të qytetarëve apo të personave juridikë.

7. Me këtë amendament zëvendësohet neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

AMENDAMENTI III

1. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë mund të shkollohen në gjuhën maqedone dhe në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e arsimit.

2. Pjesëtarët e nacionaliteteve kanë të drejtë të shkollohen në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm si dhe në arsimin e lartë, në pajtim me ligjin.

3. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë mund të shkollohen në arsimin e mesëm dhe të lartë dhe në gjuhë të huaja në mënyrën dhe kushtet e përcaktuara me ligj.

4. Me këtë amendament zëvendësohet paragrafi 4 i nenit 48 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

AMENADMENTI IV

1. Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera, në afatin prej shtatë ditësh nga dita e miratimit të tyre, publikohen në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë” në tekstin autentik në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.

2. Me këtë amendament zëvendësohet paragrafi 2 i nenit 52 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

AMENDAMENTI V

( Ky amendament me përmbajtjen e vet do të zëvendësonte nenin 62, paragrafi 1 të Kushtetutës së Maqedonisë duke përcaktuar strukturën dydhomëshe të Parlamentit, me numër të caktuar të deputetëve. Gjithashtu me këtë amendament duhet rregulluar mënyrën e vendosjes me koncenzus për çështjet e caktuara në dhomën e popujve e të nacionaliteteve).

AMENDAMENTI VI

1. Komuna nëpërmjet organeve të veta në pajtim me ligjin:

- miraton programin e zhvillimit, planin urbanistik, buxhetin dhe llogarinë përfundimtare;

- rregullon dhe siguron ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarive komunale;

- rregullon dhe siguron shfrytëzimin e tokës ndërtimore dhe hapësirës afariste;

- jep mendim në planin e përgjithshëm hapësiror dhe urbanistik të Republikës;

- kujdeset për ndërtimin, mirëmbajtjen e rrugëve lokale, rrugëve të vendbanimeve dhe të objekteve të tjera publike me rëndësi komunale;

- kujdeset për plotësimin e nevojave të caktuara të qytetarëve në lëmenjtë: e kulturës, arsimit, mbrojtjes shëndetësore dhe sociale, mbrojtjes së fëmijëve, kulturës fizike, informimit publik, zejtarisë, turizmit dhe hotelierisë, mbrojtjes dhe përparimit të ambientit të njeriut dhe në lëmenjtë e tjerë me interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve;

- zbaton ligjet dhe aktet e tjera të Republikës, zbatimi i të cilëve me ligj i është dhënë komunës dhe siguron zbatimin e akteve të përgjithshme dhe dispozitave të tjera të komunës;

- themelon organe, organizata dhe shërbime për nevojat e komunës dhe rregullon organizimin dhe punën e tyre;

- jep pëlqim për themelimin e degëve dhe njësive të tjera të ministrive dhe organeve të tjera shtetërore të Republikës me seli në teritorin e komunës, si dhe propozon themelimin e këtyre organeve shtetërore me qëllim të realizimit më efikas dhe më racional të të drejtave dhe obligimeve të qytetarëve në teritorin e komunës;

- jep pëlqim në aktet e organeve qendrore të Republikës për emërimin e funksionarëve, punëtorëve udhëheqës dhe të personave me autorizime të veçanta në organet e degëve apo të njësive rajonale të ministrive dhe organeve të tjera shtetërore, institucioneve dhe enteve të tjera publike që i themelojnë organet apo organizatat e Republikës me seli në territorin e komunës;

- jep pëlqim në aktet për zgjedhjen apo emërimin e bartësve të funksioneve gjyqësore, të funksioneve të tjera të organeve të judikaturës dhe të kundërvajtjes si dhe të institucioneve për ekzekutimin e sanksioneve penale që selinë e kanë në territorin e komunës;

- shqyrton raportet e punës vjetore të organeve rajonale dhe të degëve të organeve shtetërore si dhe të institucioneve dhe enteve të tjera publike që selinë e kanë në territorin e komunës dhe jep mendim për punën e këtyre organeve institucionale dhe enteve;

- kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me kushtetutë dhe ligj si dhe me statutin e komunës.

2. Me këtë amendament zëvendësohet paragrafi 1 i nenit 115 të Kushtetutës së Maqedonisë.

AMENDAMENTI VII

1. Propozimin për t’u hyrë ndryshimeve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë mund ta paraqesin kryetari i Republikës, Qeveria, së paku 15 deputetë ose 50.000 qytetarë.

2. Me këtë amendament zëvendësohet neni 130 i Kushtetutës së republikës së Maqedonisë 19.



16 Reshenie PP. br. 2 / 95, se zapishuva vo sudskiot registar na politiçki partii : “ Partija za demokratski prosperitet na Albancite vo Makedonija “ so skrateno ime PDPA, so sedishte vo Tetovo.

17 >>Koha<<, “ Shqiptarët si bashkësi e barabartë me maqedonasit “, 4 tetor, 1995.

18 Po aty.

19 Po aty.