PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

MANDATI I TRETË PARLAMENTAR-1998-2002

KAPITULLI I KATËRT

MANDATI I TRETË PARLAMENTAR-1998-2002

Kjo periudhë përfshinë:

    1. Zgjedhjet e treta parlamentare;
    2. Qeveria PDSH-VMRO-AD. Lufta e Kosovës dhe roli i PDSH;
    3. Rezultatet e pjesëmarrjes së PDSH në pushtetin qendror;
    4. Kongresi i Dytë i Partisë Demokratike Shqiptare;
    5. Zgjedhjet presidenciale dhe komunale në IRJM;
    6. Kryengritja shqiptare e vitit 2001 dhe arritja e paqes në IRJM

MANDATI I TRETË PARLAMENTAR

ZGJEDHJET E TRETA PARLAMENTARE

Zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM karakterizohen nga:

- relaksimi i marrëdhënieve ndërshqiptare;

- maksimalizimi i votës së shqiptarëve dhe ;

- heqja e strukturës së mendësisë së vjetër nga skena politike.

PDSH, që nga momenti i daljes në skenën politike të IRJM, sinjalizonte raportin e panatyrshëm në këtë shtet, ngritjen e shtetit nacional sllavo-maqedonas. Përpjekjet e PDSH për të kundërshtuar këto tendenca hasën në kundërshtimin brutal të sistemit shtetëror, i cili ishte i ngritur mbi parimet jodemokratike. Ky kundërshtim, gjatë vitit 1997 u përshkua me vrasje, rrahje brutale, “biseda informative”, burgosje të njerëzve të zgjedhur, marrje të mandatit të simbolit të politikës kontestuese maqedonase. Por, edhe përkundër goditjeve të rënda, PDSH nuk u gjunjëzua para atij sistemi, që në fakt ishte trashëgimia e mendësisë së vjetër sllavo-komuniste nën petkun “demokratik”.

Në periudhën mes viteve 1998-1999, pas përfundimit të “çështjes së Bosnjës”, Kosova hyri në agjendën e zgjidhjes ndërkombëtare. Çështja e Kosovës ishte çështje prioritare për tërë faktorin politik shqiptar. Andaj, PDSH duhej t’u përshtatej rrethanave të reja të politikës kombëtare dhe asaj ndërkombëtare, duhej të përgatitej për një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kombit shqiptar, për ndihmën që mund të jepte, si parti politike, për çlirimin e Kosovës. Atje, tash më kishte filluar lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shqiptarët jashtë Kosovës, sidomos në IRJM, kishin një përgjegjësi të madhe për ruajtjen e qetësisë. Gjëja më me rëndësi në këtë fazë historike ishte që populli të përgatitej psikologjikisht për luftën e ardhshme çlirimtare të Kosovës dhe fluksin e madh të bashkëkombasve nga Kosova që do të drejtoheshin në IRJM. Kjo do të ishte një nga detyrat parësore, kur dihej se krerët sllavo-maqedonas bënin plane për “korridore”, dhe për transportimin e shqiptarëve nëpër Maqedoni 1. Të gjitha këta aktivitete kërkonin koncensus brenda subjekteve politike shqiptare. Nisur nga arsyet e lartëpërmendura, në prag të zgjedhjeve të treta parlamentare, PDSH u bë nismëtare e marrëveshjes me PPD, për të parandaluar ngatërresat ndërshqiptare në kohën kur kriza

Nënshkrimi i marrëveshjes midis PDSH dhe PPD, në prag të zgjedhjeve të terta parlamentare të v. 1998, në IRJM

kosovare filloi të merrte përmasa shqetësuese. Marrëveshja ishte shumë e nevojshme, sepse çështja e Kosovës i tejkalonte të gjitha mosmarrëveshjet politike ndër shqiptarët e Maqedonisë.

Marrëveshja midis PDSH dhe PPD u mirëprit nga i tërë faktori politik shqiptar në IRJM dhe jashtë saj. Ajo ishte vazhdimësi e politikës së makroprojekteve kombëtare shqiptare. Marrëveshja ndikoi për qetësimin e raporteve ndërmjet shqiptarëve në Maqedoni dhe njëkohësisht sinajlizoi se populli shqiptar do t’i kundërpërgjigjet si një komb, ambicieve ekspansioniste serbe.

Marrëveshja u nënshkrua në prezencën e një numri të madh gazetarësh, në sallën e Komunën së Tetovës, më 9 shtator, 1998 nga dy liderët e subjekteve politike: Arbën Xhaferi dhe Abdurrahman Aliti 2.

Më poshtë do të japim në tërësi tekstin e marrëveshjes, në të cilën thuhet :

1. PPD dhe PDSH nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, duke shprehur vullnetin dhe konsensusin politik për konvergjencë demokratike, obligohen për të bashkëpunuar në realizimin e këtyre objektivave politike të përbashkëta:

a. garantimin e statusit të barabartë politik të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë;

b. arsimimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, sidomos zgjidhjen e çështjes së arsimimit superior në gjuhën shqipe dhe statusin e Universitetit të Tetovës;

c. zgjërimin e hapsirës për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal;

ç. përfshirje proporcionale (sipas përqindjes së prezencës së tyre demografike në këtë vend) të shqiptarëve në institucionet politike e shtetërore, në administratën publike në rrafsh qendror dhe lokal, në ndërmarrjet publike në rrafsh qendror dhe lokal dhe në qendrat e vendosjes ekonomike e financiare në rrafsh qendror dhe lokal;

d. decentralizimin dhe dekoncentrimin real të pushtetit qendror dhe forcimin e pozitës dhe të rolit të pushtetit lokal.

1.2.Partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje obligohen për veprime të përbashkëta dhe të harmonizuara në veprimin e mëtejmë politik, dhe veçanërisht në veprimin e ardhshëm parlamentar duke respektuar identitetet dhe subjektivitetin politik të tyre, duke respektuar moskufizimin e veprimit të tyre autonom, duke respektuar barazinë ndërmjet tyre, respektimin reciprok dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të definuara në këtë marrëveshje.

1.3.Për t’i kryer bashkërisht obligimet që dalin nga pika 1 e kësaj marrëveshjeje, partitë nënshkruese themelojnë:

1.3.1.Këshillin për harmonizimin e drejtimeve programore të partive nënshkruese dhe iniciativave ligjvënëse që kanë të bëjnë me realizimin e objektivave të përbashkëta e të definuara në këtë marrëveshje;

2.Partitë nëshkruese të kësaj marrëveshjeje obligohen për bashkëpunim dhe veprime të koordinuara para dhe gjatë zgjedhjeve parlamenatare të sivjetme;

2.1.Në bazë të kësaj marrëveshjeje partitë nëshkruese, dalin në zgjedhjet parlamentare ’98 me një listë të përbashkët, të udhëhequr nga kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, kurse pas numrit 1 lista vazhdon në mënyrë të njëpasnjëshme me kandidatin e PPD-së dhe të PDSH-së.

2.1.1.Në rast të tërheqjes së ndonjë kandidati nga cilado parti nënshkruese e kësaj marrëveshjeje, vendi plotësohet me kandidatë të asaj partie, nga e cila është tërhequr kandidati.

2.2.Ndarja e mandateve në 17 njësi zgjedhore me shanse reale për t’i fituar zgjedhjet një kandidat shqiptar, bëhet sipas raportit 10 për PPD-në,7 për PDSH-në 3.

PPD-ja do të nxjerrë kandidatë në këto njësi zgjedhore:

- njësia zgjedhore nr. 21-Likovë

- njësia zgjedhore nr. 44-Strugë,Dollogozhdë,Llabunisht,Veleshtë.

- njësia zgjedhore nr. 52-Gostivar,Çegran,Negotinë,Vrapçisht.

- njësia zgjedhore nr. 53-Gostivar,Vrutok,Negotinë dhe Vrapçisht.

- njësia zgjedhore nr. 55-Kamjan,Bogovinë,Bërvenicë.

- njësia zgjedhore nr. 56-Tetovë,Kamjan,Bogovinë dhe Shipkovicë.

- njësia zgjedhore nr. 60-Zhelinë,Jegunovcë,Bërvenicë.

- njësia zgjedhore nr. 64-Haraçinë,Hasan-beg,Gazi-babë.

- njësia zgjedhore nr. 75-Qendër

- njësia zgjedhore nr. 81-Saraj,Kondovë

PDSH-ja do të nxjerrë kandidatë në këto njësi zgjedhore:

- njësia zgjedhore nr. 42- Kërçovë, Osllomej, Zajas, Sërmnovë

- njësia zgjedhore nr. 43-Dibër,Zhupë

- njësia zgjedhore nr. 54-Gostivar,Banjicë e Poshtme.

- njësia zgjedhore nr. 58-Tetovë.

- njësia zgjedhore nr. 59-Xhepçisht,Tearcë.

- njësia zgjedhore nr. 66-Karshiakë.

- njësia zgjedhore nr. 84-Çair,Qendër.

2.3.Partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje dhe elektoratet e tyre nuk do të përkrahin kandidatura të kandidatëve të pavarur.

2.4.Për t’i kryer obligimet që dalin nga pika 2 e kësaj marrëveshjeje, partitë nënshkruese themelojnë:

2.4.1.Komisionin e përhershëm koordinues.

Duke nënshkruar këtë marrëveshje si garancë për unitetin politik shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare besonin se kjo reflektonte dhe mishëronte në mënyrë konkrete aspiratat e ligjshme dhe reale të shqiptarëve në Maqedoni për status të barabartë në tërësinë politike e shtetërore të saj dhe u bëjnë apel anëtarëve dhe elektoratit të tyre që ta respektojnë atë.

Tetovë, më 11.09.1998

Abdurrahman Aliti

Arbën Xhaferi 4.

Në përfundim të nënshkrimit liderët shqiptarë deklaruan :

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, A. Xhaferi deklaroi:

Së pari falënderoj për këtë interesim kaq të madh të mjeteve të informacionit. Me të vërtetë kjo ngjarje që ndodhi sot është e jashtëzakonshme. Ajo do të shënojë një kthesë në integrimet e reja, jo vetëm të shqiptarëve këtu, por edhe në gjithë hapsirën shqiptare. Politika është e vërtetë e prioriteteve dhe emergjencave. Në hapësirat shqiptare asgjë nuk është më emergjente, asgjë nuk është më prioritare sesa uniteti kombëtar në këtë fazë të rreziqeve të mëdha, jo vetëm për shqiptarët por edhe për paqen në Ballkan. Me këto ne tregojmë se ka nisur faza e një pjekurie të një racionaliteti të konsiderueshëm të shqiptarëve ne përgjithësi dhe se në të ardhmen mund të priten edhe procese që do të jenë më produktive në të gjitha hapsirat shqiptare. Ky akt i sotëm i koalicionit ndërmjet dy partive kryesore me peshë kaq të madhe për Maqedoninë, mendoj se është një ngjarje demokratike për shkak se ne synojmë që me mjete demokratike të arrijmë disa objektiva që i takojnë spektrit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve, por edhe të tjerëve. Mendoj se akti i nënshkrimit të marrëveshjes do të hapë shteg konsolidimi të rradhëve të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe paqes në përgjithësi. Ne me këtë kontribuojmë edhe për instalimin e raporteve më të thella midis partive politike, por mendoj se do të jemi edhe garantues të paqes në Maqedoni dhe me gjërë. Ky akt i nënshkrimit të marrëveshjes midis dy partive, është në esencë edhe një mesazh i të gjitha partive politike shqiptare se në këtë fazë të rreziqeve të mëdha asgjë nuk është më prioritare, asgjë nuk është më emergjente se uniteti kombëtar, për shkak të mosunitetit të partive politike mund të pësojë edhe vetë populli shqiptar. Në emër të kësaj, unë u uroj të gjithë anëtarëve të dy partive politike këtë unitet dhe mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do të dalim me një numër gjithnjë e më të madh të votuesve, për shkak se nga vota e tyre do të varen shumë procese politike në të ardhmen5.

Promovimi i kandidatëve të PDSH për deputet me moton “ BESIMIN UNITETIT KOMBETAR”

Ndërsa, kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik tha :

Siç e dini sot nënshkruam një marrëveshje për bashkëpunim zgjedhor parlamentar. Në këtë mënyrë iu përgjigjëm vullnetit të shprehur qëmoti të elektoratit shqiptar, manifestuar në stilin >>pse nuk jeni së bashku, pse nuk bashkëpunoni<< e kështu me rradhë. E kishim në borxh moral ndaj elektoratit, së paku në këto zgjedhje parlamentare, të dalim me një marrëveshje, brendinë e së cilës j’ua ofrojmë sot për mjetet e informacionit. Me këtë ne japim edhe një mesazh për parti tjera politike në hapsirat shqiptare, se me vullnet të mirë e me përkushtim të sinqertë mund të bashkëpunohet dhe të gjenden forma bashkëpunimi të cilat do të mundësojnë që çështjet për të cilat partitë politike angazhohen t’i çojnë përpara, të gjejnë zgjidhje të domosdoshme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin jo vetëm në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe në rajonin më të gjërë. Këtë mesazh kemi shpresë se do ta kuptojnë mirë dhe drejt edhe forcat tjera. Në këtë mënyrë ne do të kontribuojmë që >>vjeshta politike<< këtu në Maqedoni mos të >>nxehet<< tejmase dhe ne si parti politike mendojmë se në këtë fazë neve nuk na duhen të kontribuojmë në ashpërsimin e raporteve të përgjithëshme në RM. që mund të kenë reflekse të drejtëpërdrejta edhe jashtë nesh dhe nuk duam të jemi pjesëmarrës ose bashkëpjesëmarrës në tendosjen e raporteve të përgjithëshme politike në Maqedoni dhe në veçanti nuk duam të kontribuojmë në keqsimin e raporteve ndëretnike. Kam shpresë se edhe partitë tjera politike që veprojnë akoma në hapsirën tonë me kohë do të na bashkëngjiten dhe përfundimisht do të profilohet veprimi politik i shqiptarëve këtu në dy grupime politike, të cilat kanë objektiva të përbashkëta me synime identike 6.

Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën më 18 tetor 1998 7. Marrëveshja PDSH-PPD i dha rezultatet maksimale : u parandaluan konfliktet e brendshme ndërshqiptare, u relaksuan marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe politike, si dhe u maksimalizua pesha e votës shqiptare, duke fituar 25 deputetë 8.

Nga ana tjetër, përveç maksimalizimit të votës shqiptare, zgjedhjet e treta parlamentare larguan nga pushteti një strukturë politike që ishte trashëgimtare e qarqeve të vjetra të Lidhjes famëkeqe të Komunistëve, socialdemokratët e Branko Cërvenkovskit 9. Në tetë vitet e qeverisjes “demokratike”, ajo strukturë politike kishte ndërtuar filozofinë e shtetit nacional sllavo-maqedonas. Me politikën të saj të premtimeve boshe, në vazhdimësi e kishte mashtruar subjektin politik shqiptar, duke e anashkaluar barazinë e shqiptarëve në sistem. Raportet shoqërore që kishte instaluar në sistem, as për së afërmi nuk përputheshin me realitetin etnik të IRJM. Pra, në zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM u hoq nga pushteti një strukturë politike , e cila zhvillonte politikë identike diskriminuese kundrejt shqiptarëve, sikurse regjimi serb i Millosheviqit. Përveç kësaj, zgjedhjet e vitit 1998, e ndërprenë hallkën e fortë të politikës Shkup-Beograd. Ëndrra famëkeqe e Kiro Gligorovit për “Korridorin” dhe transportimin e kosovarëve nëpër Maqedoni, tani më nuk mund të realizohej. Mori fund edhe politika e skenareve dhe skandaleve antishqiptare … Ladorishta, Bit Pazari, afera e armëve, Universiteti, 9 korriku, etj.

Me disfatën e strukturave Socialdemokrate, që ishin bartëse të mendësisë së vjetër, u krijua mundësia për pjesëmarrjen e PDSH në pushtetin qendror, si partner i barabartë qeveritar dhe platformë që ngërthente interesat kombëtare shqiptare.

Kandidatët e PDSH që fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet e treta shumëpartiake ishin:

1. Arbën Xhaferi

2. Iljaz Halimi

3. Bilal Lutfiu

4. Jonuz Abdullahu

5. Fadil Bajrami

6. Muhamet Tahiri

7. Hysni Shaqiri

8. Zamir Dika

9. Aliriza Lloga

10. Nazmi Kadriu

11. Fatmir Etemi 10

NATO NE KOSOVE – Shkup, tubim në prag të Luftës së Kosovës

KOSOVA E KOSOVAREVE – Shkup, 1998

Struktura partiake e PDSH iu përmbajt me përpikmëri marrëveshjes edhepse pati disa vërejtje ndaj disa kandidatëve të propozuar nga PPD. Në saje të kësaj marrëveshjeje, kandidatët e PPD fituan pa ndonjë problem të madh, megjithëse në shumë raste kjo parti e prishi marrëveshjen e nënshkruar.

ME JU JEMI UÇK – Shkup, 1998

Rasti më flagrant që e dëshmonte një gjë të këtillë ndodhi në njësinë zgjedhore nr.66 ( Karshiaka e Shkupit). Kjo njësi, sipas marrëveshjes i takoi PDSH-së dhe si kandidat u caktua Nazmi Kadriu, nga fshati Moranë i Shkupit. Por ndërkohë ç’ndodhi ? Struktura të caktuara të PPD në Shkup, nuk e respektuan marrëveshjen dhe nxorën kandidatin e tyre, gjoja “të pavarur” Nazmi Maliqin, i cili njëkohësisht ishte edhe anëtar i kryesisë qendrore të PPD. Ishte shumë e qartë se prapa tij qëndronin strukturat drejtuese të asaj partie. Për të realizuar marrëveshjen deri në fund, u desh që degët e PDSH në Shkup të angazhohen me të gjitha forcat e tyre.

Kjo thyerje e rëndë që PPD i bënte marrëveshjes së firmosur në mes liderëve të dy partive, përfundimisht i varrosi shpresat e anëtarësisë së gjërë për besim të ndërsjellë në mes të këtyre dy subjekteve rivale shqiptare në IRJM dhe do të lë pasoja të rënda për mosbesim në periudhën vijuese..



1 >>Rilindja<<, “ Oferta e Gligorovit për korridorin nëpër IRJM është fashizoide “, Tiranë, 30 janar, 1998.

2 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare përfunduan këtë marrëveshje “, 10 shtator, 1998.

3 Po aty.

4 Po aty.

5 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Marrëveshja – shteg i hapur për konsolidimin e rradhëve tona “, 10 shtator, 1998.

6 Po aty.

7 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 40, 8 avgust, 1998 “ Reshenie na izbori za pratenici vo Sobranieto na Republika Makedonija “, br. 08-3073/1, 6 avgust, 1998.

8 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Fitoi koalicioni Për ndryshime, 3 nëntor, 1998.

9 Po aty, “ Socialdemokratët fituan 29 deputetë “.

10 Drzhavna izborna komisija, Parlamentarni izbori ’98 – Koneçni rezultati od “ Parlamentarnite izbori ’98 “, Skopje, fevruari 1999 g. 115.