PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

MANDATI I DYTË PARLAMENTAR

MANDATI I DYTË PARLAMENTAR

ZGJEDHJET E DYTA PARLAMENTARE NË I R J M

Tetor 1994

Zgjedhjet e dyta parlamentare filluan më 16 tetor 1994 dhe përfunduan në rrethin e dytë zgjedhor, më 13 nëntor 1994 1. Në këto zgjedhje morën pjesë këto parti shqiptare: Rryma e re, e ndaluar e PPD, rryma e vjetër e PPD dhe Partia Demokratike Popullore.

Partia për Prosperitet Demokratik, e ndarë në dyshe në Kongresin e dytë të parakohshëm: rryma e vjetër që ishte partnere e koalicionit dhe rryma e re politike e legjitmuar në Kongres, që kishte marë epitetin “e ndaluar”. Rryma e vjetër, e mbështetur nga organet shtetërore të IRJM arriti të uzurpojë legalitetin formal juridik dhe kështu mundi të marrë pjesë si parti në zgjedhjet e dyta parlamentare, me emrin e vjetër. Ndërsa, rryma e re që kërkonte reforma në kursin e politikës shqiptare dhe që nuk i vinte për shtat pushtetit ekzistues sllavo-maqedonas, nuk u legalizua nga organet shtetërore dhe si e këtillë ishte e detyruar që të marrë pjesë në këto zgjedhje me kandidatë “të pavarur”.

“ PPD e ndaluar ” 2, përmes formës së kandidimit të “kandidatëve të pavarur” manifestoi forcën dhe mbështetjen e madhe politike në masat popullore shqiptare. Moto e saj ishte “ Votën atdhetarëve “. Ndërsa, platforma zgjedhore ishte e përfshirë në dhjetë pika që emërtoheshin si D e k a l o g u i P P D-së:

1. Maqedonia multietnike, multikonfesionale, multikulturore me garanca sistemore ( konstituent, Parlamenti dydhomësh );

2. Institucione të pavarura dhe autonome në funksion të kultivimit të specifikave:

3. Decentralizimi dhe ekonomia e tregut të lirë, nxitja e prodhimtarisë dhe investimeve në shoqërinë shqiptare;

4. Rinia : krijimi i hapësirave politike, arsimore, kulturore, sociale në përgjithësi;

5. Arsimimi në të gjitha nivelet, pra edhe Universiteti shqiptar;

6. Informimi i tërësishëm dhe formimi i një Agjencie informative shqiptare;

7. Zhvillimi harmonik ekonomik, kulturor, social i rajonit;

8. Stimulimi i kthimit të migracionit ekonomik dhe politik nga diaspora, inkorporimi i tyre në shoqërinë shqiptare;

Zgjedhjet e Dyta parlamentare të v. 1994 në IRJM. Nga mitingu i “PPD së ndaluar

“VOTEN ATDHETAREVE” – MOTO E “PPD SE NDALUAR”

9. Integrimi në hapësirën globale shqiptare;

10. Ruajtja e ambientit jetësor 3.

“ PPD e ndaluar” kandidoi 32 emra për deputetë, prej të cilëve në roundin e parë u kualifikuan 19 kandidatë, 9 prej tyre zunë pozitën e parë, 6 të dytin dhe 4 të tretin. Në roundin e dytë fituan garën 4 kandidatë. Duke pasur parasysh bllokadat që u bëheshin nga mjetet e informimit dhe pengesat e shumta institucionale, fitorja e 4 kandidatëve në zonat urbane shqiptare ishte një arritje. Kështu u krijuan kushte të mirëfillta që në skenën politike të formohet opozita politike shqiptare, në IRJM. Në këto zgjedhje u bënë manipulime të mëdha nëpër shumë njësi zgjedhore, në favor të kandidatëve të PPD të rrymës së vjetër, të cilët përpiqeshin të kalonin zgjedhjet me çdo kusht. Por edhe përkundër këtyre manipulimeve të panumërta të strukturave të pushtetit të ndihmuar reciprokisht, “PPD e ndaluar” fitoi 4 deputetë në katër qytete të IRJM:

Arbën Xhaferi në njësinë zgjedhore nr. 73, në Tetovë 4;

Hysni Shaqiri në njësinë zgjedhore nr. 44, në Kumanovë 5;

Rufi Osmani në njësinë zgjedhore nr. 17, në Gostivar dhe 6

Sali Ramadani në njësinë zgjedhore nr. 31, në Kërçovë 7.

Mitingu madhështor i “PPD së ndalauar” në Tetovë

Histori më vete janë zgjedhjet në njësinë nr. 74 në Tetovë. Në këtë njësi zgjedhore ishte kandiduar nënkryetari i “PPD së ndaluar”, M. Thaçi. Ai, fillimisht i fitoi zgjedhjet. Por, si rezultat i makinaconeve të shumta që ndodhën në këtë njësi zgjedhore, duke i përsëritur zgjedhjet tri herë me radhë, ku u shfrytëzuan të gjitha mundësitë makiaveliste, u arrit që të rrëzohet kandidati më i devotshëm i “PPD së ndaluar”. Në roundin e parë zgjedhor rezultatet zyrtare ishin si vijojnë:

Menduh Thaçi (PPD- e ndaluar) - 1 368 vota

Dushko Tërpçevski (VMRO-DPMNE) - 1 246

Abdylhadi Vejseli (PDP) - 931 dhe

Zoran Tomiq (LSDM) - 875

Ilir Luma (PPD-rryma e vjetër) - 450 8.

Në roundin e dytë edhe përkundër fitores së M. Thaçit, zgjedhjet u anuluan dy herë, derisa përfundimisht sollën rezultatin që ishte i përgatitur në prapaskenë të strukturave të caktuara për të kaluar kandidati i Partisë Demokratike Popullore, A. Vejseli, i cili siç dihet pak më vonë kaloi në radhët e PPD. U blenë haptas votat e romëve, turqve, shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve, që i takonin njësisë zgjedhore nr.74. Qëllimi përfundimtar ishte që të humbiste njëri prej kandidatëve që kontestonte zëshëm kursin e vjetër politik të subjektit politik shqiptar. Edhe përkundër makinacioneve të shumta, kur u vërejt se kandidati, M. Thaçi do të fitojë, në përsëritjen e tretë me rradhë, iu mor e drejta e votimit afro 300 votuesve të lagjes Drenoc të Tetovës që kishin votuar në dy roundet e para. Kështu i tërë aparti shtetëror ishte i angazhuar për të arritur humbjen e z. Thaçi në zgjedhje. Rezultati përfundimtar ishte:

Menduh Thaçi (PPD-e ndaluar) - 1 849 dhe

Abdylhadi Vejseli (PDP) - 1 859 9.

Ç’ndodhi në njësitë e tjera zgjedhore ?

Në njësinë nr. 79, kandidati i “PPD së ndaluar”, Xh. Xhemaili e humbi garën për 176 vota më pak se kundërkandidati H. Ramadani, një politikan i vjetër i ndihmuar nga

Arbën Xhaferi – kandidat për deputet në zgjedhjet e v. 1994.

Menduh Thaçi – kandidat për deputet në zgjedhjet e v. 1994.

një makineri e tërë bashkëmendimtarësh, të regjur për këto punë. Grupi i tij arriti që të merr edhe shumë vota nga zonat sllave për të arritur në fitore 10.

Në njësinë nr. 81, kandidati B. Lutfiu, fitoi numrin absolut të votave në 6 fshatra, por ato nuk mjaftuan kundrejt votave të kurdisura të kandidatit të PPD – rryma e vjetër, Z. R. 11.

Nga ana tjetër “PPD e ndaluar” iu përmbajt me përpikmëri parimit, se nëse kundërkandidati shqiptar ka “një votë më tepër”, në roundin e dytë do të tërheqë kandidatin e vet. Kështu ndodhi në njësinë zgjedhore nr. 80, ku u tërhoq I. Musa, në mënyrë që të fitonte kandidati i PDP-së, Z. Kadriu; në Strugë iu sugjerua elektoratit të votojë poashtu kandidatin e PDP-së, R. Tuda; në Dibër, G. Ajdaragën; në Shkup, kandidatin e PPD-rryma e vjetër 12.

Zgjedhjet e vitit 1994 nuk sollën asgjë të re në politikën e ndjekur në IRJM. Edhe në mandatin e ardhshëm vazhdoi agonia e interesave kombëtare të shqiptarëve. Zgjedhjet treguan qartë se në kushtet e pluralizmit politik duhej punuar me një intensitet të shtuar me anëtarësinë partiake dhe popullatën në përgjithësi.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të dyta parlamentare u themelua Universiteti në gjuhën shqipe 13. Qeveria e IRJM ndërmori masa të ashpra për pengimin e punës së këtij institucioni. Në këto momente, logjikisht pritej që subjekti politik, “PPD-rryma e vjetër” të kushtëzojë pjesëmarrjen e saj në qeverinë e re. Por, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Kryetari i saj z. A. Aliti deklaroi se PPD do të marrë pjesë në qeverinë e Cërvenkovskit 14.

Presidenti i IRJM, K. Gligorovi, në kujtimet personale shkruan: “e kishte siguruar PPD se do të ishte pjesë e koalicionit qeveritar, pavarësisht se sa deputetë do të kishte ajo” 15.

PPD – krahu i Arbën Xhaferit kërkon lirimin e të burgosurve në të ashtuquajturën “aferë e armëve”



1 Republiçka izborna komisija, Izbori 1994, Koneçni rezultati od izborite za pratenici vo Sobranieto na Republika Makedonija, Skopje, dekemvri 1994 g. 6.

Sqarim: në mandatin e dytë krahas zgjedhjeve të dyta parlamentare në IRJM u zhvilluan edhe zgjedhjet presidenciale, “Ukaz za proglasuvanje na zakon za izbor na pretsedatel na Republika Makedonija “, br. 08-1330/1, 12 april, 1994 - Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 20, 21 prill, 1994

2 >>Rilindja<<, 12 tetor, 1994.

3 Pllakati i botuar në gazetën >>Rilindja<<, “ Votoni për PPD-në e ndaluar “, 12 tetor, 1994

4 Republiçka izborna komisija, Izbori 1994, Pregled na pratenici vo Sobranieto na Republika Makedonija po izborni edinici, Skopje, dekemvri 1994 g. 27.

5 Po aty, 24.

6 Po aty, 20.

7 Po aty, 22.

8 Po aty, 158.

9 Po aty, 159.

10 Informatë mbi zgjedhjet e dyta parlamentare në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

11 Po aty.

12 Po aty.

13 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Mbrëmë vonë u themelua Universiteti shqip “, 17 dhjetor, 1994.

14 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Kryesia e PPD zgjidhi dilemat – PPD participon në Qeverinë e Cërvenkovskit “, 16 dhjetor, 1994.

15 Kryetari i IRJM, K. Gligorov, menjëherë pas zgjedhjeve të dyta parlamentare, kur ai përsëri u zgjodh kryetar, në një intervistë dhënë gazetës autoritative të Zagrebit >>Vjesnik<<, i pyetur se si ndodhi që shqiptarët të marrin pjesë në qeverinë e re pa ndonjë kushtëzim paraprak, pas tërë asaj zhurme që bënë, se janë mashtruar duke marrë pjesë në qeverinë e parë, ai u përgjigj: “PPD, e cila fitoi më shumë deputetë nga partitë e tjera shqiptare, që para zgjedhjeve kishte kërkuar që të marrë pjesë në qeveri, madje, këtë pjesëmarrje unë ua sigurova pavarësisht se sa deputetë do të fitojnë. Pra, pavarësisht se a do të kenë më pak apo më shumë deputetë në parlamentin e Maqedonisë se sa partitë e tjera politike shqiptare. Kërkuan vende në qeveri dhe unë ua dhashë”. (Përcjellë nga “Rilindja”, Tiranë, 31 mars 1995, 4.