PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

P A R A T H Ë N I E

Libri që keni në dorë synon të pasqyrojë zhvillimet politiko-shoqërore në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në veçanti veprimtarinë e Partisë Demokratike Shqiptare. Duke qenë pjesëmarrës aktiv dhe i drejtpërdrejtë i zhvillimeve politike që kanë ndodhur, jam përpjekur të trajtoj një varg analizash rreth çështjeve të ndryshme, të karakterit politik.

Dalja në dritë e këtij libri ka tre qëllime kryesore:

1. Të pasqyrojë ngjarjet politike të kohës, duke përfshirë raportet brenda faktorit politik shqiptar dhe raportet politike shqiptaro-maqedonase, që nga momenti i përpjekjes për formimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë;

2. Të nxisë kritikën e mirëfilltë intelektuale brenda klasës politike shqiptare, për çështjet politike të kohës, me qëllim të unifikimit të premisave fundamentale të politikës shqiptare në IRJM, ku mbi të gjitha do të vijë në shprehje interesi kombëtar dhe ;

3. Të pasqyrojë veprimtarinë e Partisë Demokratike Shqiptare, në kontekst të zhvillimeve politike të kohës, faktografinë për avansimin e pozitës së shqiptarëve në sistem dhe rolin historik të saj në kohën e “Krizës së Kosovës”.

Në këtë libër është analizuar edhe periudha e kryengritjes së armatosur shqiptare të vitit 2001, si dhe zhvillimet e kombinuara politiko-diplomatike dhe ushtarake të faktorit shqiptar, duke e përmbyllur atë me marrëveshjen shqiptaro-maqedonase në Ohër.

Jam i vetëdijshëm se mund të ketë edhe mjaft ngjarje të rëndësishme pa u përmendur, të cilat mund të plotësohen në periudhën e ardhshme. Megjithatë, dalja në dritë e këtij libri është një përpjekje dhe nxitje për shkrime të temave të këtilla, të cilat do ta pasuronin kritikën intelektuale shqiptare për çështjet politike.

Autori

H Y R J E

Procesi i shthurrjes së Jugosllavisë socialiste u përshkrua me “orekse” për territore nga popujt më të fuqishëm brenda kësaj federate. Serbët shfaqën “orekset” territoriale për Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Ndërsa, maqedonasit * nuk kishin potencial ushtarak për të plotësuar “orekset”, por ata përpiqeshin të krijojnë shtetin e tyre nacional edhe në hapësirat e banuara me shumicë shqiptare.

Në vitet 90-të shekullit XX, Evropën Lindore dhe Juglindore e kaploi kriza më e thellë pas Luftës së Dytë Botërore. Ra sistemi komunist e me këtë edhe Pakti i Varshavës, si mekanizëm që mbante me forcë aleancën politike dhe ushtarake në mes Evropës Lindore dhe BRSS. Ndryshimet e mëdha politiko-shoqërore në vendet e Evropës Lindore u reflektuan edhe në Jugosllavi, në të cilën krahas reformave në sistem, ndodhi edhe shthurja e shtetit.

Çështja shqiptare asnjëherë nuk ishte shtruar për t’u zgjidhur, si problem i veçantë në Jugosllavinë socialiste. Ndryshimet “kozmetike” që kishin ndodhur kohë pas kohe, përfshinin vetëm Kosovën. Hapësirat e banuara me shqiptarë, në ish Jugosllavi, ishin ndarë në katër njësi administrative, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Propaganda jugosllave, zhurmshëm, afirmonte idenë e barazisë nacionale dhe të vëllazërim-bashkimit, edhe për kundër faktit se shqiptarët si popull as për së afërmi nuk gëzonin të drejtat e shpallura kombëtare, edhe pse sipas numrit të përgjithshëm përbënin popullin e tretë, pas serbëve dhe kroatëve. Rrënia e sistemit komunist dhe shthurja e Jugosllavisë, u përshëndet pothuajse nga të gjithë shqiptarët e atij shteti si një “e keqe” që duhej flakur. Ishte ky një moment i shumëpritur për çlirimin nacional nga shtypjet aventuriere të aparateve shtetërore sllave: serbe, malaziase dhe maqedonase.

Në këtë proces, Maqedonia ishte një problem në vete. Në kuadër të Jugosllavisë, në Maqedoni ishte eksperimentuar politika diskriminuese serbe kundër shqiptarëve, e cila do të gjente zbatim edhe në hapësirat e tjera shqiptare. Vështruar nga aspekti historik, në sikurse shqiptarët edhe maqedonasit, ishin të shtypur njësoj nga pushtues të huaj, si edhe nga vetë politika serbe, gjatë kohës së Mbretërisë së Jugosllavisë. Ndërkaq, gjatë luftërave për çlirim nacional, maqedonasit qenë ndihmuar nga shqiptarët (në kohën e kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës). Gjatë Luftës së Dytë Botërore sllavo-komunistët u përpoqën që përmes frymës së luftës së përbashkët antifashiste dhe “vëllazërim-bashkimit”, të përçajnë popullatën shqiptare, duke iu kundërvënë kështu përpjekjeve për çlirimin nacional të shqiptarëve. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë, politika sllavo-komuniste shumë shpejt u demaskua përmes diskriminimit të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës. Marrëdhëniet u ashpërsuan, sidomos pas ngjarjeve revolucionare të pranverës së vitit 1981, në Kosovë dhe në hapsirat tjera shqiptare. Gjatë kësaj periudhe politika maqedonase hidhte vallen e njëjtë me politikën naciste serbe. Maqedonia dhe strukturat e saj politike paraprinin në proceset e diferencimit ndaj shqiptarëve. Në Maqedoni zhvilloheshin format eksperimentale të politikës antishqiptare, ku diskriminimi i shqiptarëve mund të vërehej në çdo fushë të zhvillimit të shoqërisë. Rruga e vetme e mbijetesës, për shqiptarët e Maqedonisë ishte kurbeti. Diferencimet ideo-politike të atyre pak shqiptarëve të arsimuar zhvilloheshin në përmasa shqetësuese.Të gjithë këta procese antishqiptare zhvilloheshin nga një strukturë politike e quajtur-Partia Komuniste Jugosllave, nën zhurmën e fuqishme të propagandës së “vëllazërim-bashkimit” të popujve.

Maqedonia, në prag të shpalljes së pavarësisë, ndeshej me dy probleme: problemi i parë ishte raporti i jashtëm ndaj republikave të tjera të Jugosllavisë dhe shteteve fqinje, Bullgarisë dhe Greqisë dhe i dyti ishte problemi i brendshëm, raportet ndëretnike në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për problemin e brendshëm zyrtarët maqedonas vinin në pah parimet evropiane, ndërsa në praktikë zbatonin mënyrat ballkanike të zgjidhjes së problemit.

Në Maqedoni zhvillohej luftë permanente në mes dy koncepteve politike për shtetin : konceptit unitarist-etnocentrik, i ngjashëm me atë serb dhe atij multietnik. Konceptin e parë e përfaqësonin strukturat politike maqedonase të ish-Lidhjes Komuniste të kryesuar nga Gligorovi, ndërsa të dytin e përfaqësonin subjektet politike shqiptare, por pa ndonjë ofertë konkrete të koordinuar dhe të qartë.

Në hapësirën gjeografike të Maqedonisë gati gjysma e popullatës është jo-sllave dhe jo-maqedonase, ndër të cilët bindshëm numerikisht shumicë janë shqiptarët. Në fakt, Maqedonia, për nga përbërja nacionale është një “mini Jugosllavi” multietnike. Por, edhe përkundër këtij fakti, struktura politike maqedonase përpiqej që përmes proceseve të reja pluraliste, që lindën në vitin 1990, të ndërtojë konceptin e shtetit nacional sipas parimit serb, >>një njeri - një votë<<. Protagonistët kryesorë të këtij koncepti të shtetit ishin grumbulluar rreth platformës së ish-Lidhjes Komuniste, të reformuar nën emrin e ri, Lidhja Komuniste – Partia për Transformim Demokratik dhe udhëhiqeshin nga Presidenti Kiro Gligorov. Ideologët e këtij koncepti në vazhdimësi injoruan të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe kështu artificialisht krijuan antagonizma politike dhe ndëretnike. Koncepti i tillë i shtetit unitarist dhe etnocentrik mbolli farën e kundërthënieve ndëretnike dhe shpërthimin e konfliktit shqiptaro-maqedonas.

Dalja në skenë e pluralizmit politik imponoi nevojën e transformimit të ish- Lidhjes komuniste, e cila në IRJM ndërtoi doktrinën politike që mbështetej mbi konceptin e “Oazës së paqes” dhe të “bashkëjetesës” (Sozhitelstvo)* në shtetin e posaformuar. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ofrohej si model në gjithë botën për zgjidhjen e çështjeve ndëretnike. Në të vërtetë, praktika dëshmoi se refrenet e këtilla fshihnin në vete regjimin e egër, policor dhe nacionalist maqedonas. Makineria propagandistike që ishte në shërbim të nacionalizmit “gligorovian”, arriti të përcjellë në arenën ndërkombëtare të “vërtetën” e njëanëshme, duke lënë nën hije çështjen shqiptare, me retorikën e bukur të “bashkëjetesës”, në Maqedoni.

Se sa radikale ishte politika nacionaliste dhe etnocentrike e Gligorovit, mund të vërtetohet edhe nga fakti se, në momentin kur Bashkësia ndërkombëtare ishte e përqëndruar tek luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, atëherë , nën maskën e “oazës së paqes”, në Maqedoni përgatiteshin kurthe sipas nevojës momentale të politikës ditore, për të krijuar imazhin negativ ndaj shqiptarëve si kriminelë, klandestinë, destabilizues të rajonit apo fundamentalistë islamikë. Pra, kjo politikë antishqiptare ishte në funksion të krijimit të imazhit të keq për shqiptarët në tërësi dhe në veçanti për shqiptarët etnik të Maqedonisë.

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, më 17 Nëntor 1991, mënyra tradicionale e mospërfilljes së skajshme të kërkesave të shqiptarëve, kundërthëniet ndëretnike, sjelljet brutale të organeve policore, diskriminimi në arsimim, kulturë, art, punësim, etj. pak nga pak i keqësoi edhe më tepër marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara ndëretnike duke prodhuar konfliktin e armatosur, të vitit 2001.



* Sqarim : kur përmenden maqedonasit, duhet të kuptohet popullata sllavo-maqedonase, e cila synon në vazhdimësi të maqedonasve antik.

* “Sozhitelstvo” (bashkëjetesë) ishte refreni që është dëgjuar më së shumti nga Kiro Gligorovi, përderisa ai ishte president i Maqedonisë në vitet 1991-1998.

KAPITULLI I PARË

HISTORIKU I MAQEDONISË
( MAQEDONIA NGA E KALUARA HISTORIKE E DERI NË KOHËN MË TË RE )

Harta për shtrirjen e fiseve dhe shteteve Ilire në Ballkan

Duke iu referuar studiuesve të ndryshëm Maqedonia si shprehje daton që nga koha Antike. Për të kanë shkruar historianë grekë e romakë, por edhe ato të kohës re. Fama e Maqedonisë Antike si shtet u rrit në kohën e dy sundimtarëve të kohës antike, Filipit II dhe Aleksandrit të Madh – Lekës, në shekullin IV p. e. së re. Në kohën e të parit Maqedonia u ngritë si shtet dhe u forcua nga pikëpamje ushtarake, ndërsa në kohën e Aleksandrit, i cili nga e ëma, Olimbia, ishte nip i ilirëve, Maqedonia u zgjerua duke përfshirë hapsirën më të madhe të Ballkanit, Azinë e Vogël, Egjiptin, Mesopotaminë, rrafshnaltën e Iranit dhe Afganistanit për t’u shtrirë deri te lumi Ind. Kjo ishte Perandoria më madhe e krijuar në kohërat antike para-romake.

Autorët e ndryshëm duke u bazuar në të dhënat e burimeve nga antika na ofrojnë shënime pak a shumë reale për Maqedoninë. Kështu, Georges Castellan, në librin e tij “Histori e Ballkanit1 thekson se:

Maqedonia si emër daton që nga kohërat antike. Ajo përmendet në veprat e autorëve antikë…

Por, prejardhja e emrit >>Maqedoni<< është e errët. Në lashtësi, diskutohej nëse banorët e kësaj krahine që shtrihej në veri të Heladës, ishin grekë apo thrakas të helenizuar. Nën udhëheqjen e Filipit II dhe Aleksandrit, Maqedonia fitoi emër, i cili do të përmendet edhe gjatë periudhave të mëvonshme historike, si provincë apo si shprehje gjeografike. Ai gjithashtu thotë se: Aleksandri, i quajtur i Madh, u bë kampion i një panhelenizmi që sundoi Azinë e Vogël , Egjiptin, Azinë Jugperëndimore dhe zotëroi krahinat deri në Indi. Por, perandoria e tij nuk mundi të qëndrojë unike pas vdekjes së tij. Ajo u coptua midis ushtarakëve të Aleksandrit. Ndërkaq, Maqedonia “origjinale” (ajo Ballkanike), u përpoq të mbajë kontrollin mbi Greqinë, por u përfshi në luftëra të shumta në mes qyteteve të Heladës. Grindjet midis pasardhësve të Aleksandrit, i dhanë rastin Senatit romak të ndërhyjë në gadishull. Gjatë shekullit III e II para e. së re, legjionet romake u dukën në bregun lindor të Adriatikut dhe pasi i mundën ilirët, i nënshtruan maqedonasit dhe grekët. Kështu i gjithë gadishulli u gjend nën një pushtet të vetëm, nën atë romak 2.

Autori tjetër Edwin E. Jacques 3 në librin “Shqiptarët”, vëllimi I, thotë:

Kur Filipi II u lirua si peng që ishte në Tebë dhe u kthye në atdhe, në Maqedoni, në v.359 para e. së re hypi në fronin mbretëror duke caktuar rezidencën dhe kryeqytetin e monarkisë maqedonase në Pela, afër Selanikut. Në fazën e parë të strategjisë së tij kombëtare ishte bashkimi i vetë Maqedonisë. Pasi Filipi u shqua si një udhëheqës i fuqishëm, kjo bëri që të fitonte besnikërinë e krerëve të fiseve dhe të krijonte ndërgjegjen kombëtare maqedonase. Sa me bindje e sa me forcë ai krijoi aleancën e fiseve të pavarura në malësinë perëndimore. Duke u martuar me Olimbinë, krijoi një aleancë të ngushtë me Molosët e Epirit. Gjithashtu, Filipi arriti t’u shkëpuste atinasve disa prej kolonive të tyre tregtare përgjatë bregut të Egjeut. Kështu për herë të parë në histori të tri mbretëritë pellazge: Maqedonia, Epiri dhe Iliria, dmth. Shqiptarët e hershëm, u vunë nën një prijës, nën mbretin Filip II. … Aleksandri III, biri i Filipit, i njohur edhe me emrin Leka, lindi në korrik të vitit 356 para e. së re, në Pela” 4.

Ndërkaq, historianët e sotëm maqedonas përpiqen që Maqedoninë Antike ta shpjegojnë si atdhe të parë të tyre, duke u përpjekur të argumentojnë se populli i sotëm maqedonas është pasardhës i maqedonasve antik. Në librin “Historia e popullit maqedonas” thuhet, se:

Filipi II ( 359-336 para e. së re ) pasi formoi ushtrinë e vet, falangën, krijoi një shtet të fortë e të centralizuar. Ai ndërhynte në ngatërresat e qytet-shteteve greke dhe arriti t’i mund ato. Në kuadër të shtetit të tij hynin fiset maqedonase: Brigët, Pellagonët, Eordët, Botijakët, Edonët, Peonët etj. Mbreti Filipi II u martua me Olimbinë, vajzën e sundimtarit të fisit ilir Neoptolemit, e cila në verë të vitit 356 para e. së re e solli në botë trashëgimtarin e shtetit, Aleksandrin 5.

Në të gjithashtu thuhet, se:

me bashkimin e fiseve të ndryshme në kuadër të shtetit të centralizuar maqedonas, në krye me Filipin e II, u rrumbullaksua procesi i formimit të popullit maqedonas 6.

Kjo historiografi nuk merr parasysh faktin se shumica e fiseve që përmenden janë fise ilire, ndërsa nga ana tjetër në kohërat antike nuk kanë ekzistuar popujt në kuptimin e sotëm, por vetëm fise të ndryshme apo territore të caktuara që kanë rënë nën sundimin e ndonjë sundimtari të fuqishëm.

Në vitin 168 p. e. së re Maqedonia ra nën sundimin romak, ndërsa në vitin 148 p. e. së re ajo u bë provincë e thjeshtë romake. Me ndarjen e Perandorisë romake më 395, Gadishulli ballkanik u bë pjesë e Perandorisë Lindore romake – Bizanti, e me këtë provinca e dikurshme e Maqedonisë u bë pjesë përbërëse e saj. Në shekullin XIV dhe XV hapësirat e Ballkanit ranë nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe ngelën aty gjer në prag të Luftës së Parë Botërore. Rajoni i dikurshëm i Maqedonisë antike me Traktatin e Bukureshtit, të vitit 1913 u nda midis Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë 7.

Në fakt, duhet thënë se Maqedonia nuk u përmend për afro dymijë vjet, që nga rrënia e saj nën Perandorinë romake e deri në fillim të shekullit XX. Poashtu, gjatë tërë historisë nuk ka ekzistuar asnjë përpjekje e ndonjë populli për të ringjallur shtetin me emrin Maqedoni.

Ideja për një Maqedoni si shtet lindi nga fundi i shekullit XIX. Atëherë doli në skenë një lëvizje e fuqishme, që njihet me emrin VMRO. Sipas platformës politike të saj Maqedonia do të duhej të ishte një “Zvicër ballkanike” ku do të jetonin në barazi të plotë bullgarët, shqiptarët, turqit, vllehët, grekët etj. Duke u nisur nga parimet e lartpërmendura, edhe përkundër kundërthënieve, më 1903 shpërtheu kryengritja, e cila njihet me emrin kryengritja e Ilindenit. Ngjarjet kryesore të kësaj kryengritje u zhvilluan në hapësirat, ku jetonin shumica shqiptare. Për shkak të karakterit çlirimtar të kryengritjes së Ilindenit, shqiptarët morën pjesë aktive në të. Këtë e dëshmojnë edhe shumë autorë sllavo-maqedonas, të cilët kanë shkruar për këto ngjarje.

Kështu, Todor Simovski 8, një autor maqedonas, në punimin e tij “Për pjesëmarrjen e kombësive në kryengritjen e Ilindenit”, thotë:

- “…përpjekjet e para për një shtet maqedonas filluan aty kah fundi i shekullit XIX, nën ndikimin

e lëvizjeve çlirimtare të popujve fqinj, të cilët tentonin të çlirohen nga sundimi shekullor osman. Kështu nën ndikimin e këtyre lëvizjeve, edhe tek sllavo-maqedonasit u formua organizata “VMRO”, nën ndikimin e së cilës, në vitin 1903, shpërtheu kryengritja e Ilindenit. Kryengritja kryesisht kishte karakter antiosman. Prandaj, asaj iu bashkëngjitën dhe e ndihmuan edhe shqiptarët. Pa ndihmën e shqiptarëve ajo vështirë se do të kishte sukses, kur dihet se ajo u zhvillua kryesisht në viset e banuara më tepër me shqiptarë. Ai thotë se: “Shqiptarët kishin merita të veçanta për Komitetin dhe kryengritjen e Ilindenit, që ishin bartës të sigurtë dhe të mirë të armëve, barutit dhe materialit tjetër ushtarak” .

Në lidhje me çështjen e kryengritjes së Ilindenit dhe luftën e shqiptarëve në këtë periudhë kanë shkruar edhe historian tjerë maqedonas, si: Aleksandër Hristovi 9, Orde Ivanovski 10, po ashtu për këtë flitet edhe në “Historinë e popullit maqedonas” 11, që tregojnë për pjesëmarrjen e shqiptarëve në ate kryengritje.

Edhe pse kryengritja e Ilindenit për disa ditë u shua nga forcat ushtarake osmane, kjo ishte ngjarja e parë me rëndësi historike për popujt që jetonin në Maqedoni. Këto ngjarje shënuan zanafillën historike të bashkëpunimit në mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe gatishmërinë e këtyre dy popujve të robëruar, për t’u çliruar nga zgjedha osmane.

Shteti i sotëm, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë shtrihet midis Bullgarisë, Greqisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës. Sipas pozitës gjeografike, ajo përfshin hapësirën, ku kryqëzohen rrugët dhe hekurudhat në drejtimin Veri-Jug, që lidhin Greqinë dhe Kosovën e Sërbinë dhe vijat komunikative Lindje-Perëndim, që lidhin Shqipërinë dhe Bullgarinë. Shkupi është një nga nyjet kryesore komunikative në Maqedoni dhe në Ballkan. Popullsia që jeton brenda kufijve të Republikës së Maqedonisë, sipas statistikës zyrtare përbëhet kryesisht nga : sllavo-maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllehët, romët, serbët, bullgarët etj. Përbërja e larmishme e popullatës në Republikën e Maqedonisë është rrjedhojë e së kaluarës historike. Dyndjet apo kalimet e popujve të ndryshëm nëpër gadishullin Ballkanik si dhe pushtuesit e shumtë të këtyre trojeve kanë lënë gjurmët e tyre edhe në Maqedoni, sikurse në vendet tjera fqinje.

Banorët më të lashtë të Maqedonisë së sotme, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, që përmenden tek autorët antikë grekë e romakë, janë fiset ilire, trakase dhe helene. Këto të dhëna na lënë të kuptojmë se sot, trashëgimtarët e banorëve më të vjetër të këtij shteti, janë shqiptarët që jetojnë këtu. Kjo për shkak të një fakti shumë të qartë, se pasardhësit e ilirëve janë shqiptarët, pasardhësit e helenëve janë grekët, ndërsa si pasardhës të trakëve të vjetër nuk përmendet ndonjë popull i sotëm, përpos hapësirës gjeografike “Trakia”, që shtrihet në Bullgarinë e sotme. Historianët sllavë përpiqen që të dëshmojnë se populli i sotëm maqedonas është pasardhës i maqedonasëve antikë. Tërë kjo bëhet për shkak të politikës ditore maqedonase, për të arsyetuar krijesën dhe ekzistimin e shtetit të sotëm “Republika e Maqedonisë”, si vazhdimësi historike e Maqedonisë antike. Por, për saktësinë e kësaj teorie sllave nuk ekzistojnë fakte shkencore relevante të historiografisë së huaj, prandaj përpjekje në këtë drejtim është jo shkencor.

Fiset sllave që erdhën më vonë në hapësirat gjeografike të Ballkanit, u vendosën këtu përgjithmonë. Ky proces i vendosjes dhe kolonizimit të gadishullit Ballkanik pati reperkusione të mëdha për popullatën autoktone ilire në Ballkan.

Grupe të ndryshme sllave, që në shekullin VI u vendosën në rrethinat e Selanikut (qendër e rëndësishme Ballkanike). Kolonizimi sllav mori përmasa të mëdha në shekullin VII. Perandoria bizantine në këtë periudhë ishte në luftë me Persinë dhe nuk ishte në gjendje të ndalë procesin e depërtimit të sllavëve. Si rezultat i kolonizimit sllav, u ndërrua struktura etnike e hapësirave Ballkanike. Në “historinë e popullit maqedonas” thuhet:

me shndërrimin e Maqedonisë në tokë sllave u krijua simbioza midis sllavëve të ardhur dhe popullsisë vendase maqedonase (që ishte pakësuar) 12. Si rezultat i simbiozës midis sllavëve dhe popullsisë së vjetër vendase maqedonase, pak nga pak tek sllavët u imponua emri i vjetër i vendit >>Maqedoni<< . Në këtë mënyrë, pas asimilimit definitiv të popullatës së vjetër maqedonase, nga etnosi sllav, erdhi në shprehje “ populli-etnosi13.

Është më se e vërtetë se elementi “shumicë” i sllavëve të vendosur në hapësirat Ballkanike, ka pasur ndikim të madh, jo vetëm në ndërrimin e strukturës etnike, por edhe në ndërrimin e toponimisë (emrave të vendbanimeve, lumenjve, maleve, ultësirave dhe krahinave të tëra). Por, assesi nuk mund të jetë e vërtetë se etnosi i vjetër maqedonas është asimiluar tërësisht, ashtu siç synojnë të vërtetojnë historianët e sotëm sllavë sepse shtrohet pyetja dhe dilema tjetër: Pse nuk u asimiluan tërësisht helenët apo ilirët ? Në fakt, procesi i asimilimit të tërësishëm ka mundur të ndodhë në ato hapësira gjeografike, ku presioni i sllavëve ka qenë më i madh, sidomos në luginën e Vardarit, Moravës apo në rrafshirat pjellore Trakase. Por një proces i tillë s’ka mundur të ketë ndikim të madh në viset kodrinoro-malore të Maqedonisë së sotme apo të Shqipërisë.

Konferenca e Londrës ( 1913 ), e njohu pavarësinë e Shqipërisë, por e sanksionoi ndarjen e hapësirave gjeografike dhe të popullit shqiptar si tërësi, në dy pjesë gati të barabarta. Gjysma e kombit shqiptar mbeti në përbërje të Shqipërisë së pavarur, ndërsa gjysma tjetër hyri në përbërje të Mbretësisë Serbe.

Pas Luftës së Parë Botërore, Shqiptarët etnikë që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, u futën në përbërje të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, që pak më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe përkundër propagandës komuniste për “vetëvendosjen e popujve”, ajo jo që nuk ndodhi me shqiptarët, por hapsirat e tyre etnike u coptuan në shumë shtete. Komunistët u ofronin shqiptarëve të drejta dhe barazi “fiktive”, siç ishte rasti me Mbledhjen e ASNOM, më 2 gusht 1944, në Prohor Pçinski. Lidhur me këtë Prof. Dr. Gjorgji Caca thotë:

“Republika Socialiste e Maqedonisë, sot është ajo që asnjëherë nuk ka qenë. Ajo është kështu, sepse është formuar në Luftën e përbashkët të popullit maqedonas së bashku me kombësinë shqiptare dhe turke … “ 14.

Në Kuvendin e ASNOM-it, ku u themelua Maqedonia si republikë në kuadër të Jugosllavisë Federale, u miratua “Deklarata e ASNOM 15 për të drejtat themelore të qytetarëve të Maqedonisë demokratike …” Me këtë deklaratë, vërtetohet barazia e të gjithë qytetarëve të shtetit federal maqedonas para ligjit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, gjinore, racore dhe fetare dhe garantohen të gjitha të drejtat dhe liritë kombëtare të kombësive. Në këtë dokument shumë të rëndësishëm historik për popujt e Maqedonisë nuk flitet askund, në veçanti për popullin maqedonas, por flitet për të gjithë popujt që kontribuan për çlirimin dhe shpalljen e Republikës së Maqedonisë, që ishte bërthama e shtetit të ardhshëm sovran të Maqedonisë.

Këtë e vërteton edhe Kiro Gligorov në librin e tij, ku shkruan:

” Në vendin ku u mbajt mbledhja e ASNOM-it, mbahej llogari se në Maqedoni, së bashku me maqedonasit, jetojnë edhe kombësi tjera, ndërsa përfaqësues të tyre kishte në njësitë partizane, në këshilla. Për këtë arsye ishte e natyrshme që edhe në Kuvendin e ASNOM-it dhe trupat e tij u përfshinë njerëz nga të gjitha kombësitë – Turq, Shqiptarë dhe Vlleh ” 16.

Në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore Maqedonia, e cila njihej si subjekt vetëm brenda Jugosllavisë socialiste ka kaluar nëpër disa faza juridiko-kushtetuese:

Në fazën e parë, me Ligjin kushtetues të Maqedonisë, u bënë ndryshime në përkufizimin e Republikës. Ajo u definua kështu :

“ Republika Popullore e Maqedonisë është shtet socialist demokratik i popullit punonjës të Maqedonisë, vullnetarisht të bashkuar me popullin punonjës të Republikave tjera popullore në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë, si shtet federal i popujve sovranë dhe të barabartë ” 17.

Faza e dytë e ndryshimeve kushtetuese, të aprovuara nga Kuvendi i Republikës Popullore të Maqedonisë, më 12 prill 1963, vazhdoi deri në shpalljen e Kushtetutës së vitit 1974 18. Me këtë kushtetutë Maqedonia quhej “ Republika Socialiste e Maqedonisë”, dhe ajo definohet si :

“ Bashkësi shtetërore socialiste demokratike e popullit në Maqedoni, e themeluar në bazë të pushtetit të popullit punonjës dhe vetëqeverisjes ” 19.

As në fazën e parë dhe as në të dytën, Maqedonia nuk përkufizohet si shtet nacional i maqedonasëve.

Në fazën e tretë Kushtetuta e re e qartësoi përbërjen e popujve të Republikës së Maqedonisë. Kjo ishte kushtetuta e vitit 1974, e cila e definon Maqedoninë kështu:

“ Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të, bazuar në sovranitetin e popullit, pushtetit dhe vetëqeverisjes së klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punonjës dhe bashkësi socialiste demokratike vetëqeverisëse të popujve punonjës dhe qytetarëve, të popullit maqedonas dhe me të të barabartë të kombësisë shqiptare dhe turke ” 20.

Nga definicioni i aktit më të lartë juridik për Maqedoninë si shtet i maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve mund të konstatohet se kjo i përgjigjej realitetit historik për kontributin e dhënë të popujve të saj dhe përbërjes etnike të kësaj republike multinacionale.

Periudha e mëvonshme, sidomos ajo pas vitit 1981, shënoi fillimin e proceseve retrograde në të gjitha hapësirat shqiptare të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ngjarjet e “ Pranverës studentore” të vitit 1981, në Prishtinë dhe qendrat e tjera, u cilësuan nga pushteti sllavo-komunist si “kundërrevolucion “ 21. Në kuadër të kësaj platforme filloi procesi i marrjes me dhunë edhe atyre pak të drejtave kombëtare të shqiptarëve, të fituara në Jugosllavi. Persekutimet, ndjekjet, vrasjet, burgimet, dënimet drakonike, shpifjet nga shërbimet e fshehta jugosllave, u bënë përditshmëri dhe pas tyre u arritën edhe ndryshime juridiko-kushtetuese. Në Kosovë, këto ndryshime u bënë me anë të dhunës ushtarako-policore, ndërsa, në Maqedoni, ata u bënë me elegancë, pa ndonjë konflikt me përmasa të gjëra.



1 Georges Castellan, “ Histori e Ballkanit “, Çabej, Tiranë, 1996.

2 Po aty, 30, 31-32.

3 Edwin E. Jacques, “ Shqiptarët ”- vëllimi I, Kartë e Pendë,1996, 132-133 dhe 137.

4 Po aty, 132-139.

5 Institut za nacionalna istorija, “ Istorija na makedonskiot narod ”, II, Skopje, 2000, 33.

6 Po aty, 233.

7 Fjalori enciklopedik, Shtëpia botuese BACCHUS, Tiranë, 2002, 450.

8 Institut za nacionalna istorija, “Knjiga za Ilinden”, Skopje, 1969, 200. ( Punim i autorit Todor Simovski “Për pjesëmarrjen e kombësive në kryengritjen e Ilindenit”).

9 Institut za nacionalna istorija, “Knjiga za Ilinden”, Skopje, 1969, 118. ( Punim i autorit Aleksandar Hristov “Organizimi i pushtetit në teritorin kryengritës në kohën e kryengritjes së Ilindenit”).

10 Po aty, f. 160.

11Historia e popullit maqedonas ”, >>Flaka e vëllazërimit<<, Shkup, 1983, 154.

12 Institut za nacionalna istorija, “ Istorija na makedonskiot narod ”, II, Shkup, 2000, 287.

13 Po aty, 291.

14 Prof. Dr. Gjorgji Caca, “Ustavniot razvitok na SRM”, Slluzhben vesnik na SRM, Skopje, 1983 (Parathënie e librit në fjalë, 8.

15 Prof. Dr. Gjorgji Caca, “ Ustavniot razvitok na SRM ”, Slluzhben vesnik na SRM, Skopje, 1983, 39.

16 Kiro Gligorov, “Makedonija e se shto imamo”, vtoro izdanie, Skopje, 60.

17 Prof. Dr. Gjorgji Caca, “ Ustavniot razvitok na SRM “ , Slluzhben vesnik na SRM, Skopje,1983, 58.

18 Po aty, 63.

19 Po aty, 65.

20 Po aty, 78.

21 Shih: E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, 474-475.

KAPITULLI I DYTË

MANDATI I PARË PARLAMENTAR – 1990-1994


Kjo periudhë përfshinë :

1. Fillet e sistemit shumëpartiak;
2. Zgjedhjet e para parlamentare;
3. Qeveria e ekspertëve;
4. Autonomia politike territoriale e shqiptarëve në IRJM;
5. Kongresi i Parë i Partisë për Prosperitet Demokratik;
6. Kundërthëniet brenda faktorit politik shqiptar;
7. Kongresi i ndarjes, i Partisë për Prosperitet Demokratik.

VITI 1990 – FILLET E SISTEMIT SHUMËPARTIAK

Rrënia e komunizmit dhe fillimi i proceseve të reja politike, që nisën nga viti 1990 e këndej, u pritën me entuziazëm edhe nga shqiptarët e Maqedonisë. Shpresohej se në rrethanat e reja të demokracisë parlamentare interesat kombëtare shqiptare do të marrin të mbarën dhe se shqiptarët do të zënë vendin e merituar në shoqëri.

Viti 1990 ishte shpresë e madhe. Në këtë vit, në Maqedoni u formuan shumë parti politike, ndër to edhe ato shqiptare. Partitë e para të shqiptarëve ishin: Partia për Prosperitet Demokratik 1 dhe Partia Demokratike Popullore.

Partia për Prosperitetit Demokratik ishte partia e parë shqiptare, e cila u regjistrua nga Sekretariati i Punëve të Brendshme, në Tetovë. Në këtë parti aderoi pjesa më e madhe e shqiptarëve, që dëshironin të merren me çështjet politiko-shoqërore të kohës. Por, kjo eufori bëri që në këtë subjekt politik të hyjnë grupe me bindje të ndryshme politike. Njohësit e rrethanave të asaj kohe mund të dallonin qartë tre grupe:

- grupin e parë e përbënin elementet që braktisën Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, të cilët në rrethana të reja pluraliste kërkonin strehim në ndonjë subjekt të ri politik. Këta ishin të ashtuquajturit “Titistë”, që i kishin shërbyer atij sistemi;

- grupin tjetër e përbënin intelektualët e rinj, me vizione të reja për proceset shoqërore dhe interesat nacionale, pa ngarkesa nga ish-LKJ; dhe

- grupin e tretë e përbënin ish-të burgosurit politikë, anti-Titistë ose siç i quanin në atë kohë, marksistë-leninistë apo enveristë.

Të gjithë grupet me vizione të ndryshme shiheshin me dyshim nga njëra-tjetra. Por, këto dallime në fillim u amortizuan përmes mekanizmave strukturalë të partisë. Me kalimin e kohës, erdhën në shprehje voluntarizmat dhe interesa të caktuar të grupeve politike, të cilat e dëmtuan rëndë strukturën monolite të partisë më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë.

EMBLEMA E PPD

EMBLEMA E PDP



1 Reshenie – Politiçkata partia “Partija za Demokkratski Prosperitet vo Makedonija” so sedishte vo Tetovo i podraçje na dejnost vo Tetovo, Socijalistiçka Republika Makedonija i Socijalistiçka Federativna Republika Jugosllavija, od 25. 05, 1990 g. se zapishuva vo registarot na opshtestvenite organizacii i zdruzhenija na gragjani pod reden broj 337... br. 1535/1, 25.5. 1990, Tetovo.

ZGJEDHJET E PARA PARLAMENTARE Nëntor 1990

ZGJEDHJET E PARA PARLAMENTARE

Nëntor 1990

Viti 1990 erdhi si vit i kthesave të mëdha në jetën politike shoqërore në Maqedoni. Gjatë këtij viti, përfundimisht, ra sistemi i vjetër monist njëpartiak dhe në skenë dolën shumë parti politike. Po këtë vit u mbajtën edhe zgjedhjet e para parlamentare, nga të cilat në skenën politike u legjitimuan strukturat e ardhshme që qeverisën vendin. Maqedonia ishte njëra nga njësitë federale të Jugosllavisë Federative. Zgjedhjet shumëpartiake u zhvilluan edhe nëpër republikat tjera. Ato synonin shkëputjen nga Jugosllavia Federative.

Zgjedhjet e para parlamentare në Maqedoni filluan më 11 nëntor, 1990 dhe përfunduan në rrethin e dytë zgjedhor, më 25 nëntor 1990 2. Në 120 njësi zgjedhore u zgjodhën 120 deputetë për parlamentin republikan. Zgjedhjet parlamentare të këtij viti ishin në qendër të vëmendjes së diplomatëve dhe analistëve të huaj. Shqiptarët ishin të përfaqësuar nga dy parti politike: Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, të cilat bashkëvepronin përmes një koalicioni. Atmosfera paraelektorale ishte euforike dhe në të vërehej një çlirim i madh i energjisë së popullit të shtypur nga diktatura e egër sllavo-komuniste. Një numër i madh bashkëatdhetarësh shqiptarë që punonin në diasporën shqiptare, si: Gjermani, Zvicër, Itali e gjetiu, duke udhëtuar me mijëra kilometra, iu përgjigjën thirrjes së subjekteve politike për të marrë pjesë në votime. Rezultatet e para treguan se shqiptarët fituan shumë deputetë për parlamentin republikan, por, siç dukej, rezultatet nuk u vinin për shtati qarqeve të caktuara antishqiptare, pra atyre maqedonase. Të mësuar me logjikën e vjetër të të menduarit monist, të nxitur edhe nga qarqe të caktuara politike shkaktuan revoltën e një mase të madhe të sllavo-maqedonasve. Ata, në emër të pakënaqësisë nga rezultatet e zgjedhjeve, filluan protestat e pakuptimta, në rrugët e Gostivarit e më pas edhe në Tetovë. Protestat nxorrën në shesh frymën anti-shqiptare të maqedonasve, të mbjellur nga sistemi sllavo-komunist, nën maskën e “vëllazërim-bashkimit”. Parrullat dhe brohoritjet që u dëgjuan në këto protesta ishin tërësisht antishqiptare: “Vdekje për shqiptarët” “Vdekje për PPD”, “ Shqiptarët të shkojnë e të votojnë në Shqipëri”, “Duam zgjedhje të reja”, “Mjaft kemi pritur”, “Kjo s’është Kosovë”, “Çohuni maqedonas”, “Ku jeni shqiptarë”, “Maqedonia e pastër”, “Maqedonia është vetëm e maqedonasve”, “Maqedoninë dhe sovranitetin e saj nuk e ndajmë me askend”, “Ruaje qenin të të hajë”…3

Zgjedhjet e para parlamentare, në Maqedoni, legjitimuan disa forca politike shqiptare dhe sllavo-maqedonase. Partitë shqiptare, PPD dhe PDP fituan gjithsejt 23 deputetë në parlamentin republikan 4, ndërsa nga forcat politike sllavo-maqedonase më shumë deputetë fitoi VMRO-DPMNE, 38; LKM-PTD ( e cila më vonë u konvertuan në LSDM ), 31 deputetë; Lidhja e Forcave Reformiste, 11 deputetë, si dhe disa parti më të vogla maqedonase.

Me të përfunduar zgjedhjet në Maqedoni, më 8 janar 1991, u themelua parlamenti i parë pluralist 5, para të cilit u shtruan shumë detyra me rëndësi jetike për ardhmërinë e Maqedonisë si shtet dhe për popujt e saj. Populli shqiptar në Maqedoni, me të drejtë priste shumë nga ky parlament, i cili duhej të përcaktonte statusin politik dhe juridik si popull shtetformues. Por, rrjedhat zhvillimore politike në Maqedoni do të përpiqen të varrosin shpresën e popullit shqiptar për barazi të plotë.

Akti i parë që u vu në rend dite (pas konstituimit), në parlamentin shumëpartiak ishte Deklarata e pavarësisë për sovranitetin e Republikës së Maqedonisë. Deklarata u miratua më 25 janar 1991 6 dhe ishte akti më i rëndësishëm politik. Me këtë, që në fillim u përcaktua përkatësia e shtetit të ri.

Në nenin 1 të saj thuhet:

“ Me këtë deklaratë shprehet sovraniteti i Republikës Socialiste të Maqedonisë në pajtim me përcaktimet kushtetuese për pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit maqedonas, si dhe të drejtën e popullit maqedonas për vetëpërcaktim, duke e inkuadruar edhe të drejtën për shkëputje”.

Ndërsa në nenin 6 thuhet:

Kuvendi i RSM dhe organet kompetente të Republikës, për sjelljen e Kushtetutës së re, munden edhe në mënyrë të pavarur të ndërmarrin masa për mbrojten dhe përparimin e pozitës dhe të drejtave të pjesëve të popullit maqedonas të cilët si pakica jetojnë në vendet fqinje, për maqedonasit në vendet tjera, për mërgimtarët nga Maqedonia dhe për qytetarët me punë të përkohshme në botë “ 7.

Deklarata shkaktoi shqetësim të madh në rradhët e anëtarësisë së subjektit politik shqiptar. Nga teksti i Deklaratës mund të shihet qartë se në të përmendet populli maqedonas (neni 1), dhe pjesët e popullit maqedonas, të cilat si pakica jetojnë në vendet fqinje (neni 6 ) dhe se askund nuk përmendet populli shqiptar apo shqiptarët në Maqedoni. Duke analizuar këtë deklaratë filluan të dalin në shesh synimet e strukturës maqedonase dhe karakteri shtetëror që ata dëshironin t’i jepnin Maqedonisë së pavarur.

Deklarata kishte një rëndësi të madhe politike për Maqedoninë si shtet dhe popujt që jetonin në të. Mbi parimet themelore të saj u hartua edhe kushtetuta e Republikës së Maqedonisë. Sipas neneve të hartuara në të, ajo nuk shprehte realitetin multietnik të shtetit, por karakteristika të theksuara të shtetit nacional maqedonas.

Subjekti politik shqiptar i përfaqësuar me 23 deputetë në parlament, ishte forcë e madhe politike që përfaqësonte një popull të tërë, teritorialisht kompakt në Maqedoni. Por, i pavetëdijshëm për forcën e vet reale, po ky subjekt lejoi që të “kalojë” deklarata pa kushtëzim për interesin shqiptar. Ishte ky fillimi i një loje të madhe të një politike të ashpër të udhëhequr nga Kiro Gligorovi, një politikan dinak, që akoma qëndronte në prapaskenë. Politikanët shqiptarë të kohës, jo vetëm që nuk iu kundërvunë që në nismë këtij koncepti, por përpiqeshin ta arsyetojnë atë para anëtarësisë së gjerë. Në Koferencën e Dytë të Partisë për Prosperitet Demokratik, të mbajtur më 19 maj 1991, në Teatrin e Kombësive në Shkup, në raportin e kryesisë së kësaj partie, lidhur me Deklaratën për sovranitet dhe pavarësi të Maqedonisë thuhet:

ajo duhet të trajtohet si akt politik e kurrsesi si akt juridik dhe kushtetues. Sipas raportit, deklarata përmban thënie parimore dhe nuk është vendim. Kjo deklaratë, popullit maqedonas nuk i jep të drejtë të vendosë për popujt e tjerë të Maqedonisë, veçanërisht për shqiptarët” 8.

Megjithatë, aktet e mëvonshme juridiko-kushtetuese e dëshmuan të kundërtën !

Struktura politike shqiptare në vend të “rezervimit” të kontestit politik për shtetin e ri që krijohej, pak nga pak hapi kontradikta të thella brenda vetes, të cilat me kalimin e kohës u ashpërsuan, sidomos pas miratimit të kushtetutës së Maqedonisë.

Dy ditë pas miratimit të Deklaratës për pavarësi të Republikës së Maqedonisë në rend dite ishte zgjedhja e kryetarit të shtetit. Kryetar i parë i Maqedonisë së pavarur u zgjodh Kiro Gligorovi 9. Sipas dëshmisë së Gligorovit, propozimi i kandidaturës për kryetar shteti është biseduar vetëm midis partive politike maqedonase, LKM-PTD së Petar Goshevit, VMRO së Lupço Georgievskit dhe Lidhjes së Forcave Reformiste të Stojan Andovit.

Gligorovi kishte jetuar një kohë të gjatë në Beograd dhe qe kthyer këtu me mision të veçantë për të drejtuar shtetin e ri sllavo-maqedonas. Subjekti politik shqiptar me 23 deputetë, që përfaqësonin një popull të tërë, nuk është konsultuar fare për zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Edhe përkundër këtij fakti, sipas dëshmisë së gazetës “Flaka e vëllazërimit” të 30 janarit 1991, deputetët shqiptarë i dhanë mbështetje zgjedhjes së Kiro Gligorov-it për kryetar të Republikës së Maqedonisë. Por, pas zgjedhjes së tij dhe mbështetjes së përfaqësuesve shqiptarë, mbetën të pasqaruara disa çështje :

- Pse dhe me çka është kushtëzuar kjo mbështetje ?!

- Çka ofroi Gligorovi për këtë mbështetje ?

- Pse iu dha mbështetje “blanko” një personaliteti politik, i cili në platformën e tij parashikonte shtetin nacional maqedonas, ku shqiptarët do të trajtoheshin si pakicë ?

Në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të RSM-së, Kiro Gligorovi në mes tjerash tha:

Rezultatin e sotëm të votimit, ku të gjithë grupet parlamentare u deklaruan për zgjedhjen time, e shpjegoj si njohuri se kryetari i Republikës është kryetar i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parsysh përkatësinë kombëtare, fetare apo politike. Më gëzon edhe ajo që edhe përfaqësuesit e të gjitha nacionaliteteve shprehën përkrahje ndaj zgjedhjes sime …Këtë e vlerësoj si legjitimitet të fituar që të angazhohem për Republikën tonë dhe për interesat e saj, si përfaqësues i popullit maqedonas, të gjitha nacionaliteteve dhe të gjithë banorëve të Maqedonisë. Vetëm në një bazë të këtillë mund të ndërtojmë shtet sovran dhe modern juridik, të aftë që të marë edhe vendime më vendimtare për ardhmërinë e popullit maqedonas, për nacionalitetet e tjera që jetojnë në të, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë 10.

Politikani që kishte merita të mëdha për ngritjen dhe ndërtimin e shtetit nacional sllavo-maqedonas, politika e të cilit ishte vetëm “kopje” e politikës serbe ishte nacionalisti, Kiro Gligorovi dhe kampi i tij. Por lideri shqiptar, Nevzat Halili, gjatë vitit 1993 çudërisht dha një vlerësim tjetër:

Kemi fatin që për njeri të parë në shtet e kemi z. Kiro Gligorov, i cili është njeri me përvojë të madhe politike dhe është mjaft i kuptueshëm, i përgjegjshëm, me ndikim, diplomat i madh dhe i çmuar në tërë botën. Personalisht, e çmoj shumë, e çmojnë edhe shqiptarët, pa dallim a jetojnë në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri ose në botë. Mendim pozitiv kam edhe për z. Branko Cërvenkovski. Ndërsa, njëkohësisht, Nevzat Halili fajëson diasporën shqiptare të Gjermanisë dhe Zvicrës, të cilët nuk ia duan të mirën Republikës së Maqedonisë e as Partisë për Prosperitet Demokratik 11.

Nuk dihet se çfarë e shtynte Nevzat Halilin që të deklaronte kështu. Gligorovi kishte merita të mëdha për popullin maqedonas, ndërsa për popullin shqiptar që jetonte në Republikën e Maqedonisë nuk kishte asnjë meritë. Është shumë e vërtetë se në këtë periudhë, lideri shqiptar ishte zënë ngushtë me vlimet brenda subjektit politik shqiptar dhe sikur donte të tërhiqte vërejtjen serioze se është shumë i rrezikuar dhe nga çasti në çast duhej të shkonte nga skena politike për shkak të dështimeve të mëdha. Prandaj, përmes ngritjes në qiell të figurës së Gligorovit, ai në një farë mënyre kërkonte mbështetje nga oponenti kryesor politik i interesit të shqiptarëve të Maqedonisë.

Shtrohet pyetja: ç’të mira u kishte sjellë shqiptarëve deri në këtë moment Kiro Gligorov, që kryetari i Partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni të jepte këto vlerësime: Ladorishtën apo Bit Pazarin, burgosjet ose vrasjet e shqiptarëve …apo degradimin e pozitës juridiko-kushtetuese etj …?!

Politika e Kiro Gligorovit mbështetej tërësisht mbi platformën nacionale sllavo-maqedonase, e cila binte ndesh me interesat kombëtare të shqiptarëve. Platforma e politikës së Kiro Gligorovit ishte: Shteti nacional sllavo-maqedonas me “pakicat tjera. Ai, gjithashtu nuk nguroi të deklarojë hapur se Maqedonia ka edhe pretendime teritoriale në të ardhmen. Me rastin e zgjedhjes për kryetar të shtetit më 27 janar 1991, në fjalën e tij hyrëse në parlamentin e Republikës së Maqedonisë, ai thotë:

jetojmë në kohën kur populli maqedonas përsëri duhet të sjellë vendime vendimtare, jo më pak të rëndësishme prej atyre që solli më 1941 dhe më 1945. Përsëri punohet për të ardhmen tonë, ta ruajmë krejt atë që është fituar me viktima të panumërta, është ndërtuar me shumë punë para së gjithash, liria e popullit maqedonas dhe shtetit të tij, pas shtetit të Samoilit dhe Republikës së Krushevës. Edhepse vetëm në një pjesë të Maqedonisë dhe me një pjesë të popullit maqedonas, por në të të krijohet sovraniteti i popullit maqedonas dhe kjo është shpresë se populli maqedonas herët ose vonë do të mbijetojë në hapësirën kulturore dhe ekonomike dhe do të arrijë qëllimet legjitime nacionale 12.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë “sovrane”, i zgjedhur edhe me votën e përfaqësuesve shqiptarë, sy më sy, përpara deputetëve shqiptarë në Maqedoni, asnjëherë nuk i përmend shqiptarët. Që ironia të jetë edhe më e madhe, Gligorovi vajton për pjesët e Maqedonisë dhe të “popullit maqedonas” jashtë Republikës së Maqedonisë. Kur flet për pakicën sllave në Shqipëri, ai mundohet të baraspeshojë pakicën maqedonase në Shqipëri dhe popullin shqiptar në Maqedoni.

Kur në vitin 1995 u themelua Universiteti në gjuhën shqipe, në Tetovë, Gligorovi jo vetëm që e përbuz këtë institucion të lartë arsimor në gjuhën shqipe, por përpiqet që për këtë të gjejë aleatë edhe tek faktori shqiptar. Në lidhje me këtë, thotë:

Që kur Universiteti u formua në livadh në fund të vitit 1994, njëherë në një bisedë tek unë ishte kryetari i atëhershëm i PPD, Abdurrahman Aliti ( në takim ishte edhe Naser Zyberi dhe Ismet Ramadani). Sipas Gligorovit, Aliti ka thënë: “ Unë fëmiun tim nuk do ta dërgoj në atë Universitet në Reçicë të Vogël, do të bëj gjithçka që ai të mësojë në këto dy Universitete ( në Shkup dhe Manastir), ose jashtë vendit 13.

Ndërsa, kur bën krahasim në mes subjekteve politike shqiptare, ai shprehet:

Këta të PPD, nuk e kanë atë vokabular, nuk shfrytëzojnë kërcënime si Arbën Xhaferi, i cili më parë thotë se janë pajtuar me Maqedoninë, se ajo nuk rrezikohet, ndërsa pastaj flet për demokraci koncensuale, për shtet binacional, për shqiptarët si popull konstituiv në Maqedoni dhe gjëra të tjera të ngjajshme 14.

Gligorovi përhap tezën më të papërshtatshme për interesat kombëtare shqiptare, tezën e “ekuidistancës”. Ai thotë:

Politika që duhet të udhëheqim ndaj fqinjëve ballkanas duhet të jetë e njëjtë me të gjithë fqinjët (duke e llogaritur Kosovën si çështje të brendshme të Serbisë). Me të gjithë duhet të kemi marrëdhënie të mira, por asnjëri fqinj të mos ketë privilegj, me qëllim që të mos ndikojë në politikën e brendshme dhe të jashtme15.

Me anë të kësaj politike, me prapavijë djallëzore, ai punon natë e ditë për copëzimin e substancës kombëtare të shqiptarëve. Populli shqiptar i Maqedonisë nuk mund të qëndronte në distancë nga pjesa tjetër e kombit të ndarë. Politika e “ekuidistancës”, për shkak të çështjes së Kosovës, e cila priste zgjidhje, shkonte në favor të politikës serbe dhe qarqeve të tyre në Maqedoni. Sipas kësaj politike, në rast të luftës shqiptaro-serbe, shqiptarët e Maqedonisë duhej të qëndronin anash konfliktit. Gligorovi nuk ishte në gjendje të kuptojë zgjimin dhe ngritjen e vetëdijës kombëtare të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Ai kurrsesi nuk mund të pajtohej që Kosova të jetë shtet i pavarur, apo i bashkuar me Shqipërinë. Ai nuk e konsideron Kosovën si shtet fqinj, por si pjesë të Serbisë, ndërsa Shqipërinë përpiqet ta njohë sikurse fqinjët tjerë, duke harruar se në Maqedoni jeton pjesa e ndarë e popullit shqiptar.

Në fakt, Kosova, për z. Gligorovin nuk ekzitonte fare. Sipas tij ajo ishte çështje e brendshme e Serbisë. Kështu, me këtë tezë ai bëhet aleat i drejtpërdrejtë i Serbisë së Millosheviqit dhe njëkohësisht kundërshtar i Kosovës.

Gligorovi vajton për shpërnguljen e serbëve nga Kosova, duke fajësuar Kushtetutën e vitit 1974, kur Kosova u bë pjesë e Federatës Jugosllave. Por, ai nuk thotë asgjë për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova, për terrorin e dhunën shtetërore që ushtrohej ndaj tyre për t’i shpërngulur. Ai, bëhet i shurdhër dhe sikur nuk dinte asgjë për projektin e Vasa Çubriloviqit dhe kontratat e pas Luftës së Dytë Botërore për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Poashtu, nuk flet asgjë për uzurpimin e pronave të mëdha tokësore të shqiptarëve të Maqedonisë dhe shpërnguljet e tyre. Natyrisht, ai shtiret se nuk di gjë për këto fakte. Ai nuk din gjë, as për projektin më të ri për kolonizimin e Kosovës me serbë dhe malazezë, ( të periudhës së Millosheviqit ).

Në politikën e jashtme Gligorovi përpiqet të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për të degraduar çështjen e Kosovës dhe njëkohësisht për të ndihmuar tërthorazi politikën kolonialiste serbe. Ai pranon haptas se me diplomatë të huaj, amerikanë dhe evropianë ka biseduar se: >>nuk mund të luajnë me tezën “Kosova e pavarur” – kjo, sipas tij, mund të ketë implikime tragjike dhe të mëdha <<16. Mirëpo, Gligorovi nuk tregon arsyen pse Kosova e pavarur i pengon Maqedonisë dhe çfarë implikimesh tragjike dhe të mëdha mund të ketë pavarësia e saj ? Kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, ai shndërrohet në “avokat” dhe “ambasador” të Serbisë, sepse misioni i tij, ardhja nga Beogradi në Shkup, ishte pikërisht mbrojtja e politikës serbe.

Gligorovi nuk harron të japë leksione edhe pas Luftës së Kosovës dhe çlirimit të saj nga Serbia. Ai deklaron se nuk mund të pajtohet me rrethanat e reja në rajonin e trazuar të Ballkanit. Me këtë rast ai konstaton:

Vizita e Hashim Thaçit në Shkup dhe vizita e Georgievskit në Prishtinë, synimi i hapjes së përfaqësisë maqedone në Kosovë, është negative. Këto qëndrime e llogarisin Kosovën si fqinje të pestë të Maqedonisë. Në tërë politikën e Georgievskit ka një prapavijë të thellë, në të cilën ndikim të madh ka faktori shqiptar në qeveri përmes partisë së Arbën Xhaferit, e cila haptas insiston për Kosovën e pavarur 17.

Pikëpamjet e këtilla të presidentit të Maqedonisë, z. Kiro Gligorov, nxjerrin një përfundim logjik, se bëhej fjalë për një personalitet dinak, i cili përpiqej, duke shfrytëzuar tërë përvojën e tij komuniste, për ngritjen e një shteti të ri sllav në Ballkan, që do të mund të shërbente në planet e ardhshme ekspansioniste serbe. Por, habit fakti pse nuk është kundërshtuar zgjedhja e tij për kryetar shteti, nga faktori politik shqiptar, kur në mënyrë shumë të qartë është njohur platforma politike dhe qëndrimi i tij ndaj çështjes shqiptare !



2 Republiçka izborna komisija, Izbori ’90 – Koneçni rezultati od izborite za pratenici vo Sobranieto na SR Makedonija, Hronoloshki pregled na tekot na rezultatite od izborite, Skopje, 27 dekemvri 1990, 1

3 >>Flaka e Vëllazërimit<<, “Eufori e revoltë iracionale”, Shkup, 14 nëntor, 1990, 5

4 PPD kishte 22 deputetë : Abdurrahman Aliti, Agim Fazliu, Eshref Aliu, Ferit Sadiku, azmend Hajdaraga, Hamit Aliu, Hysni Shaqiri, Ismet Ramadani, Muhamet Halili, Mersin Pollozhani, Naif Mustafa, Naim Sallmani, Naser Zyberi, Nexhati Xhaferi, Olloman Sulejmani, efedin Haruni, Shaban Prevalla, Shukri Rahimi, Vebi Xhemaili, Xheladin Murati, Xhelil Tahiri dhe Zudi Emini. Partia Demokratike Popullore kishte një deputet, Avdi Murtezani.

5 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje, 166.

6 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Maqedonia-shtet sovran”, 27 janar, 1991.

7 Po aty, Neni nr. 1 dhe 6.

8 >>Koha<<, Konferenca e Dytë e Partisë për Prosperitet Demokratik, 22 maj, 1991.

9 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Kiro Gligorov – kryetar i Republikës së Maqedonisë”, 30 janar, 1991.

10 Po aty, “ Maqedonia shtet i qytetarëve të barabartë “, 30 janar, 1991.

11 >>Nova Makedonija<<, “ Raskollot vo PDP e dirigiran od nadvor “, 8 shtator, 1993, ( bisedë e gazetarit Panta Xhambazovski me Nevzat Halilin ).

12 K.Gligorov, Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje, 2002, 170.

13 Po aty, 552.

14 Po aty, 552.

15 Po aty, 431-432.

16 Po aty, 462.

17 Po aty, 463.