PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

KONGRESI I BASHKIMIT, Tetovë, 5-7 Korrik 1997

K O N G R E S I I B A S H K I M I T

5-7 korrik 1997

Pas përfundimit të zgjedhjeve komunale të vitit 1996 përfundoi etapa e përçarjeve të faktorit politik shqiptar dhe filloi një etapë e re, procesi i bashkimit të më shumë subjeketeve politike dhe jopolitike. U krijuan rrethanat për bashkimin e faktorit politik shqiptar në IRJM. Ky proces duhej të sillte ndërrimin e politikës së pushtetit qendror ndaj shqiptarëve. PPDSH ishte bërthamë e këtij procesi progresiv të politikës shqiptare. Hapi i parë në këtë drejtim u bë me bashkimin e dy subjekteve, PPDSH dhe PDP, që u kurorëzua me sukses në Kongresin e Bashkimit 24.

Viti 1997 e më vonë ishte momenti historik kur vendosej fati i ardhshëm i Kosovës, që akoma ishte nën okupimin serb. Makrostrukturimi i faktorit politik shqiptar ishte nevojë e momentit historik. Nga ana tjetër, procesi i unifikimit të subjektit politik tek shqiptarët e IRJM, duhej të ishte shembull edhe për hapësirat e tjera shqiptare, ku antagonizmat shkonin në dëm të kauzës kombëtare. Të vetëdijshëm për këtë moment historik, krerët e dy partive politike shqiptare, PPDSH dhe PDP, hartuan një dokument 25, në të cilin thuhet:

Duke pasur parasysh rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme,

- bllokimin tashmë të padurueshëm dhe të rrezikshëm të kërkesave të shqiptarëve;

- tendencën e dromcimit të organizimit të tyre politik në këto momente vendimtare historike;

- nevojën e ngutshme për ngritjen e nivelit të kërkesave, të cilësisë së prezantimit të tyre;

- kërkesën e pakontestueshme për unitet, për përmirësim të klimës së mirëkuptimit, të bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit kombëtar në funksion të evitimit të alternativave shterpe;

- domosdoshmërinë për një pozicionim të paluhatshëm dhe konsekuent kombëtar në vijë të përshpejtimit të procesit të realizimit të kërkesave tashmë të njohura dhe

- imperativin për krijim të një subjekti të fortë që do të marrë përsipër realizimin e këtyre objektivave

KRYESIA E P D P DHE E P P D SH D A K O R D O H E N

1. Të bëhet bashkimi i dy subjekteve të pavarura politike shqiptare, i Partisë Demokratike Popullore dhe i Partisë së Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve në një parti politike shqiptare.

2. Partia e bashkuar në skenën politike në vend dhe jashtë do të veprojë me emrin PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE 26

3. Selia e Partisë Demokratike Shqiptare do të jetë në Tetovë.

KONGRESI I BASHKIMIT, Tetovë, 5-7 Korrik 1997

4. Partia Demokratike Shqiptare paraqet një parti të kontinuitetit të dy partive, e cila aktivitetin do ta bazojë në Programin e Partisë Demokratike Popullore.

Në Kongresin e përbashkët unik të PDP dhe PPDSH, respektivisht në Kongresin e Partisë Demokratike Shqiptare në përputhje me platformën politike të PPDSH dhe me platformën e PDP-së për barazi nacionale në Maqedoni të miratohet dokument politik, me të cilin do të riafirmohet dhe operacionalizohet realizimi i të drejtave kolektive nacionale të shqiptarëve në Maqedoni.

5. Emblema e Partisë së bashkuar, respektivisht e PDSH do ta ketë pamjen e emblemës së PPDSH me modifikime të cilat do ta paraqesin edhe subjektivitetin e PDP.

Mbi simbolin e emblemës do të qëndrojë viti 1990, viti i themelimit dhe kontinuitetit të të dy partive, kurse nën simbolin do të qëndrojë viti 1997 viti i bashkimit të dy partive.

6. Përfaqësimi i PDP dhe të PPDSH në organet e Partisë Demokratike Shqiptare do të jetë si vijon:

1 kryetar

3 nënkryetarë

1 sekretar

7. U ra dakord që posti i kryetarit t’i takojë PPDSH, kurse katër postet tjera do t’i takojnë: dy poste PDP-së dhe dy poste PPDSH.

8. Funksionarët partiakë funksionet në PDSH do t’i kryejnë në mënyrë profesionale me të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga angazhimi profesional.

Funksionarët partiak do t’i zgjedhë Kongresi i PDSH

9. Obligohen Kuvendet e degëve të PDP dhe Kuevendet e degëve të PPDSH-së të deklarohen për këtë marrëveshje dhe të bëjnë zgjedhjet në pajtim me pikën 6 të kësaj marrëveshje.

10. Kryesitë e të dy partive politike konstatojnë se bashkimi do të jetë i plotë dhe i suksesshëm, nëse për te pozitivisht deklarohen të gjitha degët e të dy partive.

Obstruksionet eventuale në këtë drejtim do të kenë pasoja negative për organizimin dhe veprimin e ardhshëm politik të shqiptarëve në Maqedoni.

11. Të gjithë personat e zgjedhur në pushtetin legjislativ dhe atë lokal, anëtarë të PDP-së apo të PPDSH, konsiderohen deputetë, kryetarë komunash dhe këshilltarë të Partisë Demokratike Shqiptare.

Obligohen personat e zgjedhur që në formë të përshtashme në organet gjegjëse të bëjnë deklarimin e përkatësisë së tyre në PDSH.

12. Pasuria e tundshme dhe e patundshme e PDP dhe e PPDSH, do t’i takon PDSH.

Mjetet financiare në xhirollogarinë e njërës dhe tjetrës parti si dhe të gjitha mjetet që do të arrijnë në këto xhirollogari, të derdhen në llogarinë e PDSH, e cila enkas do të hapet.

Anëtarësia e paguar vjetore në njërën ose partinë tjetër, konsiderohet si anëtarësi vjetore e paguar e PDSH.

13. PDP dhe PPDSH e lënë të hapur mundësinë që Partisë Demokratike Shqiptare t’i bashkangjiten edhe partitë e tjera politike shqiptare që aktualisht veprojnë në Maqedoni.

14. PDP dhe PPDSH të bashkuara në Partinë Demokratike Shqiptare marrin mbi vete përgjegjësinë e përshpejtimit të realizimit të përcaktimeve programore, me kusht që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të merr besimin dhe mandatin e elektoratit shqiptar.

Dy Kryesitë e Partive konstatojnë se mandati politik nga elektorati mund të merret me punë dhe angazhim vetëmohues të anëtarëve dhe strukturave të dy partive të ngjeshura në Partinë e bashkuar, në Partinë Demokratike Shqiptare.

Nënshkruar në Gostivar më 11.06.1997, nga:

Kryetari i PDP, Iljaz HALIMI dhe

Kryetari i PPDSH, Arbën XHAFERI 27.



24 Kështu u quajt Kongresi i përbashkët i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve dhe Partisë Demokratike Popullore.

25 Dokumenti është i nënshkruar nga të dy kryetarët e partive shqiptare, PPDSH, z. Arbën Xhaferi dhe PDP, z. Iljaz Halimi, 11 qershor, 1997, Gostivar.

26 Po aty.

27 Po aty.