PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

P E R F U N D I M E

Partia Demokratike Shqiptare ishte rrjedhojë e një substance politike të shqiptarëve të Maqedonisë, të inkuadruar në Partinë për Prosperitet Demokratik dhe Partinë Demokratike Popullore. Ajo në ecurinë e zhvilllimit historik kaloi nëpër disa faza:
Faza e afirmimit të idesë politike
Faza e shkëlqimit të saj dhe
Faza e përpjekjeve të qarqeve të ndryshme për zhdukjen e saj.

Në fazën e parë PDSH (PPDSH) përpiqej për identitetin e saj politik në IRJM. Ajo doli në skenë përmes procesit të reformave brenda Partisë për Prosperitet Demokratik, pas një sërë gabimesh politike të kreut të saj. Mirëpo, në këtë fazë PDSH ( PPD – rryma e re politike ) kalonte përmes një periudhe shumë të rëndë, duke pasur kundër vetes pjesën tjetër të PPD ( rrymën e vjetër ) dhe tërë apartin shtetëror sllavo-maqedonas. Qëndresa e patundur e PDSH (PPDSH) dhe fitorja e saj në zgjedhjet vendore të vitit 1996 shkaktoi bashkimin e subjekteve me pikëpamje të ngjajshme politike, PPDSH dhe PDP. Bashkimi i subjektit politik shqiptar e rriti dukshëm relevancën e këtij subjekti, të quajtur Partia Demokratike Shqiptare.

Në fazën e dytë PDSH u bë faktor i rëndësishëm rreth të cilës sillej politika shqiptare në IRJM. Me gjithë autoritetin e pakontestueshëm të saj PDSH-ja bëri një marrëveshje xhentelmene me ish pjesën e PPD-rryma e vjetër. Kjo marrëveshje ndikoi që në zgjedhjet e treta parlamentare të maksimalizohet vota shqiptare.
Fitorja e forcave antikomuniste në taborin sllavo-maqedonas në zgjedhjet e treta parlamentare hapi rrugë për pjesëmarrje edhe të PDSH në pushtetin qendror dhe me këtë edhe instalimin e interesit kombëtar shqiptar në IRJM.
Menaxhimi i krizës gjatë luftës së Kosovës ishte periudha më e lavdishme e PDSH. Faktori ndërkombëtar ishte i befasuar me organizmin perfekt të strukturës së Partisë Demokratrike Shqiptare. Por PDSH nuk e haroi as interesin kombëtar shqiptar në IRJM. Faktet flasin se sukseset e PDSH gjatë viteve 1999-2000, është vështirë se do të mund t’i arrijë ndonjë subjekt politik shqiptar. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët ndiheshin më të sigurt se kurrë më parë në të gjitha pjesët e IRJM.

Në fazën e tretë, grupet e ndryshme politike legale dhe ilegale sikur u pengonin sukseset e PDSH. Andaj ata sikur punonin me të gjitha mjetet për të njollosur PDSH. Deklaratat e tyre ishin shumë të papërgjegjshme, duke u përpjekur ta nxjerrnin PDSH në taborin antikombëtar. Por, duke pasur parasysh se ky subjekt politik kishte në ballë një strateg vizionar ishte shumë vështirë të arrihej kjo. Në fillim të krizës në IRJM aktivistët e PDSH, atdhetarë të devotshëm, u ndeshën me sulme dhe shantazhe brutale, deri në kërcnime për likuidime fizike. Kësaj stuhie PDSH i qëndroi stoikisht duke u përpjekur që ta kanalizojë energjinë e shfrenuar shqiptare, me çka jo vetëm që i iku vëllavrasjes, por edhe e kapitalizoi kryengritjen e armatosur shqiptare, duke e përfunduar atë nga një humbje e sigurtë në një fitore të shkëlqyeshme diplomatike. Ata që dëshironin varrin e PDSH harruan se ky subjekt politik kishte në krye Arbën Xhaferin, një vizionar të kalibrit me përmasa kombëtare.