PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

KONGRESI II i PARTISË DEMOKRATIKE SHQIPTARE

KONGRESI II

i

PARTISË DEMOKRATIKE SHQIPTARE

Pas përfundimit të Luftës së Kosovës dhe kthimit të kosovarëve në shtëpitë e tyre, më 30-31 korrik 1999, në Pallatin e kulturës në Tetovë u mbajt Kongresi II i Partisë Demokratike Shqiptare 45. Në të morën pjesë 388 delegatë që përfaqësuan 17 degë të PDSH 46.

Në dokumentet e Kongresit të Dytë të PDSH jepet arsyetimi pse mbahet ai:

Çdo Kongres duhet ta ketë mëvetësinë e vet, veçmas arsyet pse mbahet.

Kongresi i dytë i PDSH nuk mbahet për shkaqe formale, por më tepër për shkaqe politike dhe strukturale.

Kriza në Kosovë tashmë ka mbaruar gjithsesi në favor të së drejtës historike, pra në favor të kërkesave historikisht të drejta të shqiptarëve që dolën në skenën politike me fillimin e procesit të shthurjes së Jugosllavisë.

PDSH ishte thellësisht e interesuar, e angazhuar dhe pa ekuivoke e përcaktuar në krizën e Kosovës, kështu që të gjitha potencialet e veta i vuri në funksion të realizimit të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Ajo, në vijë të këtij përcaktimi u angazhua në disa dimensione, në atë teorik, politik, diplomatik, organizativ, etj.

PDSH nuk qe vetëm një tifoze e zhurmshme që deklarativisht, kuturu dhe me simpati transparente nacionaliste e mbron interesin shqiptar, por imponoi qasjen e vet teorike sa i përket fenomenit të shthurjes së Jugosllavisë, Sipas saj, Jugosllavina duhet konsideruar si një sistem në shthurje e sipër, që praktikisht ishte fryt i marrëveshjes së popujve të ndryshëm që e krijuan atë. Politika e udhëhequr nga kreu serb, me Millosheviqin si eksponent të tij e prishi mekanizmin kryesor të kësaj marrëveshjeje, principin e koncensusit duke tentuar ta imponojë principin e majorizimit. Etnitetet tjera që e formuan Jugosllavinë, që ishin nënshkrues të kësaj marrëveshjeje, pra edhe Kosova, nuk u pajtuan me këtë prishje të frymës së marrëveshjes dhe organizuan referendume si forma më demokratike e shprehjes së vullnetit të popullit për tërheqje ose mbrojtjes së hises që tentohej të uzurpohej nga hegjemonistët serbë. Sipas PDSH të gjitha etnitetet konstituive të ish Jugosllavisë, pra edhe Kosova, me vetë aktin e prishjes së marrëveshjes, pra të mekanizmit të koncenzusit e fituan të drejtën për vetëvendosje. Me këtë nuk prishet principi i së drejtës ndërkombëtare për mosndryshueshmërinë e kufijve, ngaqë Kosova i kishte kufijtë e vet, por afirmohej në mënyrë shumë konstruktive principi i dytë i së drejtës ndërkombëtare, ai i së drejtës së patjetërsueshme për çlirim, dekolonizim, të mbrojtjes së mëvetësisë kombëtare, kulturore, politike etj.

PDSH në kontakte me faktorët ndërkombëtarë gjithnjë insistonte në tezën se Jugosllavia është një sistem që pësoi implozion të brendshëm, u shthur nga antagonizmat e brendshëm, nga tendenca e pandalshme e nacionalizmit serb për hegjemoni dhe se fajësia duhet të bjerë mbi regjimin serb.

Gjatë këtij procesi të shthurrjes në skenën politike që u kaplua nga kriza u manifestuan dy teori politike, ajo e regjimit serb dhe ajo e politikës shqiptare në përgjithësi. Regjimi serb insistonte për parimin e vetëvendosjes për bashkësitë etnike, përkatësisht vetëm për serbët, ndërkaq politika shqiptare, gjithnjë në vijë të krijimit të përputhjes me politikën ndërkombëtare dhe parimit të së drejtës ndërkombëtare, insistonte në vetëvendosjen e etniteteve administrative, njësive konstituive të ish-Jugosllavisë, pra edhe të Kosovës.

Qasja serbe shkaktoi luftën në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë, ndërkaq qasja shqiptare parandaloi luftën në Mal të Zi, në Maqedoni etj.

Në vija të përgjithshme kjo ishte vija politike që PDSH ia impononte, jo vetëm faktorit ndërkombëtar politik, por edhe qarqeve të ndryshme shkencore, që merreshin me analizën e krizës jugosllave.

Jo vetëm PDSH, por edhe analitikë të tjerë vlerësojnë se ky interpretim ka qenë i drejtë dhe ka ndikuar thellë në ndryshimin e qëndrimeve të shumë faktorëve ndërkombëtarë që kishin konfuzion dhe dilema të ndryshme sa i përket krizës jugosllave e veçmas kauzës së Kosovës.

Aktiviteti diplomatik i PDSH ka ndihmuar që NATO të ndërhyjë në Kosovë.

Këto parime të PDSH u afirmuan në disa nivele: diplomatike, shkencore, mediume etj. Në kontekstin e Republikës së Maqedonisë, lidhur me krizën kosovare PDSH u ballafaqua me interpretimin anakronik joshkencor, tendencioz dhe mbi të gjitha antishqiptar të LSDM dhe të vetë presidentit Gligorov, që i takonin mendësisë së dikurshme komuniste që e prodhuan përfundimisht edhe burokratin Millosheviq si zëdhënës të tyre.

LSDM-ja dhe vetë presidenti Gligorovi në mënyrë tejet arrogante, shpeshherë mospërfillëse, jo vetëm ndaj shqiptarëve por edhe parimeve etike, afirmonin tezën serbe se Kosova është pjesë e Serbisë dhe e Jugosllavisë dhe se përfundimisht duhet të kënaqet me një status të përtharë të autonomisë kulturore. Këto argumente buronin nga mendësia e dikurshme që shqiptarët i trajtonin si ardhacakë në trojet e sllavëve të jugut dhe si të tillë duhet të pajtohen me statusin dytësor në këtë shoqëri. LSDM ndonëse e paraqitur si parti e reformuar, në esencë u mbeti besnike strukturave të vjetra të pushtetit, të asaj politike dhe strategjie që shqiptarët i trajtonin si rrezik që duhej mbikqyrur dhe parandaluar. Kjo politikë ishte në vijë të strategjisë shekullore serbe që përpiqej ta eliminojë “rrezikun shqiptar” nga hapësirat e tyre. Në kohën e sundimit të LSDM, në Maqedoni ndodhën fenomene të ngjashme si me shqiptarët e Kosovës. Sa për freskim të kujtesës po përmendim paralelet e përziera, vitin 1989, ndërrimin e amendamenteve të kushtetutës së Maqedonisë, me të cilët u arrit të zbritet statusi politik i shqiptarëve të Maqedonisë, ngjajshëm me abrogimin e dhunshëm të kushtetutës së Kosovës, pastaj Bit Pazari, afera e armëve, sulmi mbi Universitetin e Tetovës, ngjarjet e Gostivarit etj. Strategjia e LSDM ishte vazhdimësia e asaj politike joparimore të përfaqësuesve maqedonas në federatën jugosllave, që cilësoheshin si bartës të antishqiptarizmit të skajshëm. T’i përkujtojmë deklaratat e Llazar Mojsovit për “shtabski dokumentin” ose deklaratën e Lazar Kolishevskit, “duhet luftuar tezën se Serbia e dobët nënkupton Jugosllavinë e fortë dhe ta afirmojmë tezën se Serbia e fortë paraqet Jugosllavinë e fortë”, që krijoi tabanin për shkarjen nga kursi i mëparshëm, duke nxitur, nisi ortekun e konflikteve ndëretnike në Jugosllavi. Tezat e përfaqësuesve të LSDM dhe të vetë presidentit Gligorov si për statusin politik të Kosovës ashtu edhe për kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, bie fjala për Universitetin e Tetovës, buron nga kjo shkollë politike e vigjilitetit antishqiptar.

Krahas afirmimit të tezës për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës në qarqe ndërkombëtare diplomatike, shkencore dhe informative, të kundërvënies ndaj tezave anakronike të rrezikshme ndaj LSDM dhe të presidentit Gligorov, PDSH u angazhua edhe në disenjimin e vetë politikës dhe të strategjisë shqiptare, si në kohë të paqes ashtu edhe të luftës. PDSH gjithnjë ka insistuar që politika shqiptare të jetë e përputhshme me politikën e botës së qytetëruar demokratike perëndimore, të evitohet çfarëdo mundësie e shkarjes nga kursi demokratik ose zhytja në forma ekstremiste, terroriste që do t’i jepnin hapësirë veprimi regjimit të Millosheviqit në qarqe diplomatike. Siç dihet lëvizja politike shqiptare nuk u degjenerua dhe shqiptarit përkundër mundësive dhe hapësirës tepër të ngushtë arriti t’i ofrojë pretekst të fuqishëm faktori determinues , NATO-s dhe shteteve tjera demokratike për intervenim ushtarak në Kosovë. Në disenjimin e kësaj arqitekture, që krijoi preteksin për intervenim mori pjesë aktive edhe PDSH.

Tashmë kriza kosovare përfundoi në favor të së drejtës, pra edhe në favor të shqiptarëve dhe PDSH lirohet nga një angazhim i madh që i shteronte objektivisht energjitë e saj dhe tash është më e lirë, që më fuqimisht të merret me avancimin e pozitës së shqiptarëve në sistem për krijimin e kushteve të një barazie të plotë në mes të qytetarëve dhe bashkësive etnike.

Ky Kongres duhet të shënojë këtë kthesë në angazhimin e PDSH në periudhën e ardhshme, të ravijëzojë atë rrugë, që duhet të ndiqet në të ardhmen. Pra ky Kongres duhet të jetë Kongres pune.

Preteksti i dytë është strukturimi sa më profesional i partisë për të qenë e zonja të ballafaqohet me sfidat politike dhe me problemet e hapura.

PDSH, duke ndjekur vijën e partive moderne në shtetet demokratike perëndimore pas këtij Kongresi duhet të shndërrohet në një strukturë profesionale politike, në një institucion strategjik që do t’i hulumtojë të gjitha proceset relevante në shoqëri dhe të gjejë rrugë më efikase për parandalimin e disa proceseve ose për afirmimin e të tjerave. Pra, synohet që t’i vihet pikë voluntarizmit që është i natyrshëm në fazën e mëkëmbjes së partive politike dhe t’i hapë shtegun profesionalizmit, kompetencës dhe përparimit.

Preteksti i tretë për mbajtjen e këtij Kongresi të punës janë ndryshimet në makroplan. Pas përfundimit të krizës kosovare ka sinjale të sigurta se do të ndodhin ndryshime cilësore të favorshme për të gjithë, por sidomos për shqiptarët në të ashtuquajturin rajon të Evropës juglindore përmes projektit të ashtuquajtur Pakti për Stabilitet.

Së pari ta definojmë nocionin Evropë Juglindore. Me këtë nocion, sipas këtij Pakti nënkuptohet Kroacia, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Parashikohet që të përfshihet këtu në disa aspekte edhe Mali i Zi dhe Serbia po qe se pranojnë projektin për denacifikim të Serbisë.

Pakti për Stabilitet ka tri fusha të angazhimit : politike, ekonomike dhe e sigurisë.PDSH insiston që të vendoset drejtëpeshimi në mes këtyre tri dimensioneve, gjithnjë duke theksuar se çështjet politike janë tepër të ndjeshme dhe çështjet që janë ende të hapura duhet të mbyllen me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar perëndimor. Në këtë aspekt, PDSH insiston që në Maqedoni të rikthehet misioni i ndërmjetësimit ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë të mbyllen çështjet e hapura dhe të ndërpriten proceset që reciklojnë garën e rrezikshme etnike. Kjo kërkesë herën e fundit iu shtrua kancelarit gjerman z. Shreder në prezencë të drejtuesit të Paktit të Stabilitetit, z. Bodo Hombah.

Sa i përket dimensionit ekonomik, sipas këtij Pakti parashikohen katër burime të financimit të projektit për ripërtërirje ekonomike të rajonit. Burimi i parë i mjeteve financiare do të sigurohet nga bankat botërore, fondi monetar ndërkombëtar, i dyti nga donatorët, i treti nga marrëdhëniet bilaterale dhe i katërti nga kompanitë multinacionale që do të shfaqin interes për investime në rajon.

PDSH vlerëson se Pakti për Stabilitet është një mundësi e madhe për rajonin dhe se ajo duhet të jetë pjesë aktive në shfrytëzimin e oportuniteteve që do të sjellë vetë koha. Vlerëson se me këtë Pakt krijohen parakushte shumë reale, së pari për integrim të brendshëm të rajonit, që do të jetë gjithsesi në favor të shqiptarëve, por edhe në vijë të integrimit të rajonit në Evropën Perëndimore.

Preteksti i fundit, nga ata kryesorët për mbajtjen e këtij Kongresi është edhe analiza e punës së deritashme, pikërisht në momentin kur sukseset e partisë janë evidente si në rrafshin ndërkombëtar dhe në atë të brendshëm. Siç thamë më lart, ne synojmë që ky Kongres të jetë Kongres pune, analizash, projektesh dhe ristrukturimesh, për të qenë sa më të përgatitur për shanset që ofron konteksti i ri historik, përmes Paktit të Stabilitetit dhe proceseve të reja që do të ndodhin në makroplan. Në këtë Kongres para jush do të prezantohen deputetë, ministra, zëvendësministra, ndihmësministra, sekretarë të ndryshëm, drejtorë sipërmarrjesh, me një qëllim të thjeshtë që para jush të japin raport si e gjetën ata pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e trashëguar nga ish-koalicioni, çfarë relacionesh janë vendosur paraprakisht, ç’bëjnë ata për t’i tejkaluar barrierat e vendosura që më parë, ku janë sukseset dhe mossukseset e tyre e kështu me radhë. Nga punimet e këtij Kongresi, ku do të mpleksen analiza, raporte, anticipime të ndryshme do të botohet libri i bardhë i PDSH për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Me këtë ne synojmë që ta objektivizojmë politikën tonë, t’i bëjmë sa më transparente informatat që i posedojmë dhe të ngremë vetëdijen politike të opinionit shqiptar.

Në këtë Kongres pas analizave që do të shtrohen do të merren hapa për rikonstruktim të partisë në përputhje me tendencën që PDSH në çdo kohë të funksionojë si një institucion profesional, një qeveri në hije ashtu si punohet në shtetet e përparuara demokratike.

Më tej analizohet retrospektiva e ngjarjeve të zhvilluara në periudhën e kaluar:

Duke analizuar fenomenin e fragmentarizimit politik në të gjitha hapësirat shqiptare, pikërisht në momentin vendimtar historik kur do vendosej fati i ardhshëm i popullit shqiptar, përfaqësuesit e dy partive opozitare të asaj kohe të PPDSH dhe PDP vendosën që të bashkohen, vetëm e vetëm që të makrostrukturohet politika shqiptare në Maqedoni, për të luajtur një rol sa më vendimtar në artikulimin e interesave të shqiptarëve në Maqedoni dhe për t’i korrigjuar gabimet strategjike të bëra deri më atëherë. Siç dihet në saje të tolerancës, vetëdijes së thellë për nevojën e ngutshme të tejkalimit të keqkuptimeve, përcaktimit për krijim të një partie të madhe, si bartëse kryesore të fenomenit politik të shqiptarëve në të ardhmen, më 4 korrik 1997 u mbajt Kongresi i Bashkimit të dy partive të PPDSH dhe PDP, që pastaj u quajt PDSH.

Ky unifikim u përshëndet nga të gjitha forcat politike në vend dhe jashtë që këtë energji konstruktive të shqiptarëve të Maqedonisë e merrnin si shembull për viset tjera ku antagonizmat dhe fragmentarizimi bënin dëm të pariparueshëm kauzës sonë kombëtare. Pushteti i atëhershëm maqedonas, që e trashëgonte atë mendësi ksenofobike antishqiptare nga koha e komunizmit, e vërejti menjëherë rrezikun nga krijimi i një partie të madhe shqiptare opozitare. Kundërpërgjigja nuk vonoi shumë. E inskenoi rastin e Gostivarit, manifestoi brutalitet të paparë sipas modelit serb me qëllim që ta fusë PDSH në ngatërresa që do të përfundonin me eliminimin e kësaj partie nga skena politike dhe përfundimisht me shterjen e energjive mobilizuese të shqiptarëve duke nxitur kështu apatinë masive, dëshpërimin nga aktiviteti politik në rrafshin kombëtar. Ky intervenim policor mbi Komunën e Gostivarit dhe të Tetovës ishte i ngjajshëm me intervenimin e policisë serbe mbi Komunën e Tutinit dhe Novi Pazarit, që flet haptazi, jo vetëm për afrinë e mentaliteteve të pushteteve serbo-maqedonase të asaj kohe, por edhe për komunikimin e ndërsjellë të pandërprerë që nga koha e paraçthurrjes së Jugosllavisë.

Intervenimi brutal i policisë kishte këta qëllime:

- të detyrojë PDSH që të dalë nga kursi politik që e ndiqte dhe që kishte gjithnjë e më shumë përkrahës si në opinionin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm;

- të hapë polemika shterruese në mes të partive politike shqiptare brenda dhe jashtë që do të përfundonin me bipolarizime shterpe ( t’ju përkujtojmë deklaratat e atëhershme të përfaqësuesve të PPD, ku faji për intervenim brutal të policisë maqedone hidhej mbi shqiptarët, mbi aktivistë të paemër të PDSH, që gjoja e paskan nxitur policinë të intervenojë me çka ata e amnestonin veten dhe partnerët e tyre të koalicionit për vrasje, për krimin e paramenduar që ndodhi në Gostivar);

- të kompromentojë çështjen shqiptare si kanosje për rendin, për paqen jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin.

PDSH qe e shtyrë të luftojë në disa fronte, së pari të gjejë shpjegime se çka dhe pse ndodhi në Gostivar, t’i shërojë plagët e hapura, ta qetësojë situatën, të parandalojë polemikat e brendshme shteruese dhe të përqëndrohet kryekëput në demaskimin e politikës antishqiptare dhe regjimit të koalicionit që vazhdonte t’i kultivojë traditat antishqiptare të strukturave të mëparshme komuniste.

Në vend që të merrej me veten, të mbyllej në vetvete, të futet në polemika të kota interne, të ngatërrohet në rrjetin tash më të vendosur të spiunazhit nga ana e regjimit, PDSH kaloi në aksion. Organizoi me dhjetra marshime e demonstrata, kaloi në aksion diplomatik, prej ambasadave të vendosura në Shkup e deri në Bruksel. Me këta veprime ajo arriti nga pozita pasive të kalojë në pozitë aktive, t’i shpjegojë faktorit ndërkombëtar çka ndodhur në esencë dhe ta demaskojë politikën shoviniste të regjimit të Cërvenkovskit. Ky aktivitet i PDSH nuk ishte kampanjë që zgjati vetëm një hov, por një punë sistematike e vazhdueshme saqë në fund të këtij aksioni u arrit që Parlamenti Evropian të nxjerrë një Rezolutë për lirimin e të burgosurve politikë.

Ngjarjet e Gostivarit qenë kurth perfid për PDSH, ku disa ranë me naivitet. Regjimi maqedonas haptazi synonte t’i ngatërrojë penjtë, disa shqiptarë haptazi u inkuadruan në fushatën e tyre dhe kërkuan fajin te shqiptarët e jo te regjimi, ndërkaq disa të tjerë pa dilema morale, e latonin figurën e tyre të heronjve të rinj të hapësirës politike shqiptare, duke u turrur t’i rrënojnë dishepujt e imagjinuar partiakë, të pavetëdijshëm se me këtë rrënojnë jo vetëm partinë por edhe dobësojnë hovin politik të shqiptarëve të motivuar jasht mase. Koha ishte konfuze, e mpleksur me perfiditete të ndryshme dhe duhej gjetur varianti më i padhimbshëm për ta zotëruar krizën.

Pas Gostivarit, pas aktivitetit politik të PDSH, Maqedonia më nuk ishte” oazë e paqes”, por ishte një shtet që vuante nga ethet jugosllave. Në shumë tubime ndërkombëtare flitej për Gostivarin, për efektin domino që do ta përfshijë edhe Maqedoninë, që ndikoi në ardhjen masive të hulumtuesve të ndryshëm të krizave ndëretnike në botë. Regjimi ra vetë në kurthin që ia vendosi PDSH. Maqedonia nuk ishte më oaza e paqes, por një vend problematik që duhej survejuar. Në këtë vijë u ngrit tej mase autoriteti i PDSH, që filloi të konsiderohej si një nga faktorët kyç për stabilitetin e Maqedonisë. PDSH u bë ekuivalente e qeverisë.

Problemi i dytë nga ato kryesorët që duhet nënvizuar në këtë retrospektivë janë zgjedhjet. PDSH e tronditur thellë nga nisja e luftës në Drenicë, nga tragjedia e popullit atje, të zhdukjes të familjeve të tëra, nga heroizmi mitik i Jasharajve dhe të tjerëve, nga ndasitë politike të pakuptimta në Kosovë dhe Shqipëri, vendosi që të vazhdojë me politikën e afrimit me subjektet e tjera politike, duke lënë anash keqkuptimet, interesat individuale, grupore dhe partiake për t’u ballafaquar më realisht me problemin esencial të shqiptarëve – Statusin e Kosovës dhe pozitën e shqiptarëve në sistem në Maqedoni. Që në janar të vitit 1998 u përgatit një propozim për bashkëpunim dhe bashkëveprim në mes të partive politike shqiptare në Maqedoni që iu dorëzua PPD, por edhe në dijeninë e faktorëve të tjerë relevantë shqiptarë në përgjithësi. Fryt i këtij propozimi ishte marrëveshja në mes të PDSH dhe PPD, për dalje të përbashkët në zgjedhjet e treta parlamentare në Maqedoni. Kjo marrëveshje kishte rëndësi të trefishtë: ndërkombëtar, ndërshqiptar dhe rëndësi të drejtpërdrejtë për pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë.

Në dimensionin ndërkombëtar u hodh mesazhi për pjekurinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë, për aftësitë e tyre organizative, për peshën e tyre politike, për rolin që mund ta luajnë me sukses brenda për brenda në Maqedoni, por edhe lidhur me Kosovën. Vlerësojmë se kjo marrëveshje u ndoq dhe u analizua me përkushtim të jashtëzakonshëm nga faktorët ndërkombëtarë që e cilësuan këtë unitet të shqiptarëve të Maqeodonisë si përgatitje për t’i dhënë krah sa më të fuqishëm kauzës kosovare. Edhe demonstratat që u organizuan në favor të Kosovës, që ishin më madhështore se kudo tjetër i mbështetën këta analiza, këto vlerësime, por do thoshim edhe frikën nga bartja e krizës kosovare në Maqedoni. Tashmë faktori ndërkombëtar filloi të mendojë se si të intervenohet në Kosovë për ta parandaluar keqësimin e krizës atje dhe destabilizimin e rajonit. Në këtë kohë u hodhën mesazhet “NATO në Kosovë”, “ Në mos NATO atëherë ne do të shkojmë në Kosovë” etj. Me kënaqësi mund të konstatojmë se këto aktivitete ishin një punë filigraniste politike që e sensibilizuan tejmase faktorin ndërkombëtar sa i përket kauzës shqiptare.

Në planin ndërshqiptar, marrëveshja në mes PDSH dhe PPD merrej si shembull që duhej të ndiqej. Në Kosovë shumë shpejt u bashkuan disa parti politike për t’i krijuar një opozitë sa më të fuqishme LDK së molisur. Efekte të ngjashme pati edhe në Shqipëri dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë.

Në planin e brendshëm, pra në atë shqiptar të Maqedonisë ky unitet dha rezultate maksimale. U parandaluan konfliktet e brendshme, u relaksuan marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe politike dhe u maksimalizua pesha e votës shqiptare. Shqiptarët fituan 25 vende në parlament, si kurrë më parë.

Duhet theksuar në këtë rast se, PDSH në këto marrëveshje tregoi një tolerancë maksimale dhe përgjegjësi për idetë politike dhe kombëtare e jo për interesat e ngushta individuale, grupore dhe partiake. Përkundër rejtingut të lartë, sipas analizave të institucioneve që merren me sondazhe të opinionit, dyfish më të lartë se PPD, PDSH u pajtua që të ketë tre deputetë më pak sesa PPD. Ndaj këtij vendimi të organeve të partisë pati shumë reagime nervoze, ndoshta të arsyeshme te anëtarët dhe aktivistët e partisë, mirëpo kryesia e partisë fuqimisht e ndoqi rrugën e arritjes së marrëveshjes, pikërisht për shkak të interesave globale. Nga prizmi i sotëm del qartë se ky përcaktim i kryesisë së PDSH dhe organeve të tjera të partisë ishte me vend.

Mosmarrëveshjet me PPD, duhen patjetër shpjeguar. Ato ndodhën në raundin e dytë kur duheshin orientuar votat e lira të shqiptarëve për kandidatët maqedonas. PPD sheshazi agjitonte për partnerët e tyre të dikurshëm të koalicionit, për kandidatët e LSDM, për ata që kishin dosje të thella të angazhimit të tyre kundër interesave të shqiptarëve, ndërkaq PDSH ishte përcaktuar që ta heqë nga skena historike këtë strukturë të vjetër, komuniste dhe neokomuniste, bastion të vazhdueshëm të antishqiptarizmit. Kjo ishte një mosmarrëveshje objektive në vlerësimet politike. Ne vlerësonim se është thellësisht kundër interesave tona që të lejojmë vazhdimësinë e politikës së dikurshme të strukturave të pjekura në punën e tyre bllokuese për zhvillimin e shqiptarëve, ndërkaq PPD e shihte veten komode në bashkëpunim me ta, për shkak se mes tyre, gjatë koalicionit të mëparshëm ishte krijuar një aleancë e natyrshme. Në këtë kohë, kur duhej të merreshin vendime strategjike, me keqardhje mund të konstatojmë se PPD më shumë qe e angazhuar me propagandën e vet për kandidatët e LSDM se sa për kandidatët e marrëveshjes siç ishte rasti me Karshiakën, ku ata në mënyrë të nëndheshme agjitonin për kandidatin e pavarur, Nazmi Maliqin, anëtarin e partisë së tyre, sot nënkryetar i kësaj partie. Nga ana tjetër mund të konstatojmë me kënaqësi se vlerësimet tona ishin më të drejta dhe përcaktimet tona më parimore. Ne, fuqimisht u ballafaquam me reagimet brenda partisë sonë që nuk pajtoheshin me marrëveshjen saqë u krijua për një çast krizë brenda strukturës së partisë.

Me fitoren e VMRO-DPMNE u krijuan kushte objektive për largimin e strukturave komuniste dhe frymës së tyre politike nga pushteti. Me këtë u krijuan parakushtet e nevojshme për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe për sensibilitetin më produktiv ndaj kërkesave të shqiptarëve.

Koalicioni ynë me VMRO ishte i natyrshëm. Ndërkaq koalicioni i tyre me PPD ishte po aq i panatyrshëm për shkak se PPD agjitonte për LSDM.

Pas fitores në zgjedhje, ofertën për të hyrë në koalicion me ta e mori PDSH e jo PPD. PDSH, duke tentuar ta vazhdojë frymën e afrimit, ndonëse pa kurrfarë obligimi që mund të dilte nga marrëveshja paraprake, i ofroi edhe PPD ftesën që edhe ajo të hyjë në qeveri. Mirëpo, në këtë mes ishte një keqkuptim naiv. PPD, rezultatet e zgjedhjeve i vlerësoi si fitore të tyre e jo si fitore të marrëveshjes, që me një konvencë përcakton se sa deputetë do të ketë. Në vazhdë të këtij interpretimi të gabueshëm të frymës së marrëveshjes dhe të rezultateve që dolën nga zgjedhjet ata kërkonin pa dilema që të kenë rol dominant në qeveri, dyert e së cilës hapeshin me çelësin e PDSH. Po të lejohej kjo atëherë, PDSH automatikisht do të shndërrohej në parti dytësore që do të mbetej gjithmonë në hije, jo vetëm të politikës së PPD por edhe të metodologjisë së tyre, të raporteve të tyre joproduktive me partitë politike maqedonase. U bënë shumë përpjekje që të shpjegohet se ata mund të hyjnë në qeveri vetëm përmes PDSH, jo PDSH përmes tyre. Ata tentuan disa herë që të hyjnë në marrëveshje me VMRO dhe Alternativën Demokratike, mirëpo të gjitha përfunduan pa sukses. PDSH nuk i pengoi fare në këto bisedime, në këtë pazar politik, ngaqë ishte e sigurt në vlerësimet e veta se nuk mund të bëhet një koalicion i panatyrshëm në mes të dy partnerëve që i takojnë drejtimeve të kundërta.

Duke i ikur praktikës së deritashme të koalicioneve pa platforma, PDSH në këtë koalicion hyri me bisedime paraprake për kërkesat e shqiptarëve, bie fjala për lirimin e të burgosurve politik, për rritjen e përqindjes së të punësuarve në administratën shtetërore, pastaj për Universitet në gjuhën shqipe, për përmirësimin e cilësisë së përdorimit të gjuhës shqipe etj. Të gjitha këto marrëveshje janë në realizim e sipër. LSDM disa herë, duke tentuar ta zhvlerësojë oponentin e tyre politik VMRO deklaruan se PDSH brenda gjashtë muajve ka arritur më shumë se PPD për gjashtë vjetët e kaluara sa ishte në koalicion me ta. E tërë veprimtaria paszgjedhore e LSDM është në vijë të këtij sqarmi, ku del sheshazi se sa vigjilie ka qenë politika e tyre antishqiptare dhe sa i verbër ka qenë kooperimi joparimor i shqiptarëve me të.

Çështja e tretë që duhet spikatur në këtë raport të punës së PDSH në mes të dy Kongreseve është kriza e Kosovës.

PDSH që në janar të vitit 1998, pas sinjaleve të para të keqësimit të situatës në Drenicë filloi të përgatitej për tendosjen e re që do të ketë pasoja shumë të rënda për popullin shqiptar. Që në atë kohë iu dha urdhër degëve dhe nëndegëve të partisë që të organizojnë shtabet e emergjencës që do të ishin në funksion të lehtësimit të pasojave të luftës, që sapo filloi në Kosovë. Kur pas një viti filloi të rritej fluksi i refugjatëve në Maqedoni, shqiptarët e Maqedonisë ishin të gatshëm që t’i pranojnë ata. Ky organizim, kjo gatishmëri morale dhe kombëtare, ky solidaritet dha efekte më të mëdha se sa puna e organizatave të ndryshme humanitare botërore. Të gjithë janë të befasuar nga niveli i organizimit, nga niveli i solidaritetit dhe nga pjekuria politike e shqiptarëve të Maqedonisë që u manifestua me këtë rast. Meritë parësore për këtë ka pasur PDSH, dorëshkrimi i së cilës vërehej në çdo nivel.

Refugjatët dhe të depërtuarit në esencë ishin arma sekrete e regjimit të Millosheviqit. Ai e kishte të qartë se do ta humb luftën me NATO, prandaj u përcaktua për krijimin e konfuzionit në kontekstin rajonal. Regjimi i Millosheviqit përmes infrastrukturave që i ka mbjellë në institucione të ndryshme të Maqedonisë, arriti t’i paraqesë shqiptarët jo si refugjatë, por si invadues të Maqedonisë që vijnë aty jo nga frika për mbijetesë, por me një qëllim sekret për ta ndëruar strukturën etnike të shtetit. Qytetarët e Maqedonisë që nga e kaluara kishin trashëguar këtë mendësi ksenofobike, ranë shumë lehtë në këtë kurth. Imazhet që u panë në Bllacë ishin materializime të këtij shpirti ksenofobik dhe të veprimit të infrastrukturave proserbe në Maqedoni, që synonin të krijonin disponim anti-NATO përmes disponimit antishqiptar. Silogjizmi i tyre kishte për qëllim: shqiptarët të perceptohen si antimaqedonas, NATO si proshqiptare për të ardhur kështu deri te përfundimi i natyrshëm se maqedonasit, ashtu si serbët që janë antishqiptarë duhet të jenë anti-NATO. Në vijë të kësaj, infrastrukturat serbe organizuan demonstrata kundër misionit verifikues OSBE që sapo u larguan nga Kosova, kundër ambasadës amerikane dhe akcione të tjera terroriste kundër forcave të NATO. Qëllimi i tyre përfundimtar, me këta keqtrajtime në Bllacë, me këto protesta jocivilizuese e me këto sulmne terroriste ishte që të provokohen shqiptarët, së pari të krijojnë krizë politike duke braktisur qeverinë, pastaj për të hyrë në konflikte ndëretnike, ku forcat e NATO do të zhyteshin në pellgun e antagonizmave ballkanike dhe nuk do të arrinin ta kryenin misionin në Kosovë. Në këtë situatë konfuze, krijuar nga veprimi i pandashëm, thuaja edhe i papenguar i agjenturave serbe në Maqedoni, PDSH u përcaktua për prioritete:

- të eliminojë pengesat politike për hyrjen e refugjatëve;

- të merrej praktikisht me vendosjen e refugjatëve;

- të parandalojë çfarëdo tendence të ngatërrimit të shqiptarëve në rrjetin e kurthit serb dhe të infrastrukturave proserbe në Maqedoni dhe

- përfundimisht t’ia lërë duart e lira NATO që ta përfundojë misionin e vet në Kosovë.

PDSH arriti sukses në mbarështrimin e katër prioriteteve që ia parashtroi vetes. Ajo nuk u bë viktimë e projekteve të shtabeve të ndryshme informative serbe dhe atyre të ngjajshme ashtu si edhe me rastin e Gostivarit. Ajo nuk u bë viktimë as e emocioneve, as e projekteve, as e grepave të ndryshme që hidheshin dhe e ndoqi një linjë konzistente racionale. Ky ishte provimi më i vështirë që e dha PDSH në këtë moment historik. Por, nuk ishte vetëm ky dimension ku angazhohej PDSH. Ajo punoi shumë ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar, NATO, dhe strukturat e tjera në afirmimin e kauzës shqiptare, të imazhit pozitiv të UÇK si faktori kryesor i kësaj kauze. Krahas kësaj, ajo hyri edhe në mbledhjen e mjeteve financiare për kauzën e Kosovës.

Në këtë kontekst, gjithsesi duhet analizuar roli karakteristik i presidentit Gligorov dhe ai i bazës së tij politike, LSDM.

Në kulminacionin e krizës së refugjatëve, presidenti Gligorov e mblodhi këshillin për siguri nacionale dhe mori vendim në emër të sigurisë dhe të gjithë qytetarëve që t’i mbyllë hermetikisht kufijtë. A thua kishte shqiptar në këtë takim ? Me siguri, nëse ka pasur ai duhet të ketë qenë shqiptar i tij personal. Ky vendim, siç dihet e prodhoi Bllacën dhe keqtrajtimet e ngjashme të refugjatëve kosovarë në kufij. Nga ana tjetër, në organizimet e protestave vërehej edhe dorëshkrimi i LSDM, ashtu si edhe në ndërtimin e argumentit se NATO duhet ta ndërpresë fushatën ajrore kundër Jugosllavisë. Në këtë kohë, poashtu zëshëm kritikohej edhe qeveria pse ka lejuar prezencën e forcave të NATO në Maqedoni, pse ka lejuar shfrytëzimin e hapësirës ajrore, ndërkaq presidenti Gligorov krahas përsëritjes bajate të tezës se Kosova është pjesë e Serbisë, e përsëriste, pa u pyetur fare, përcaktimin që Maqedonia të mos lejojë hyrjen e trupave të NATO në Kosovë nga trualli i Maqedonisë.

LSDM poashtu ngriti kritika shumë të mëdha për qeverinë e re, e cila në seancën e parë dha pëlqimin për instalimin e forcave të NATO në Maqedoni.

Të gjitha këto përmenden për të pasur një pasqyrë për linjën strategjike në mes të dy opcioneve kryesore në Maqedoni: linjës proserbe që artikulohet përmes LSDM dhe tjetrës pro-maqedonase, pra për mëvetësinë e vërtetë të Maqedonisë nga influenca serbe, që përfaqësohet nga VMRO. Në këtë mes PDSH duke i ikur rolit minor dhe duke u përcaktuar për një rol më global regjional mori anën e idesë që Maqedonia duhet të funksionojë si shtet i pavarur, e liruar nga ndikimi, nga aleanca antishqiptare me infrastruktura të ndryshme proserbe. Në kuadër të kësaj ajo fuqimisht mbështeste normalizimin e marrëdhënieve në mes Maqedonisë dhe shteteve fqinje. Në vijë të këtij përcaktimi PDSH , duke mos pasur asnjë kompleks për marrëdhëniet në mes të Maqedonisë dhe Bullgarisë e dërgoi kryetarin e saj në një vizitë zyrtare në Bullgari, ku ai u takua edhe me kryeministrin Kostov për të vendosur një gjuhë të një mirëkuptimi më të thellë në mes Maqedonisë dhe fqinjit të saj Bullgarisë të satanizuar me dekada nga infrastrukturat serbe në Maqedoni. PDSH kuptoi drejtë se antibullgarizmi në Maqedoni paraqet në esencë një paravan, që dëshiron të fshehë kultivimin e proserbizmit, që dëshiron ta dëmtojë identitetin kombëtar të maqedonasve. Me këtë vizitë PDSH tregoi se ka kapacitet edhe për rol regjional duke i zbërthyer në mënyrë kompetente fenomenet politike kulturore dhe shtetërore.

Koalicioni në mes PDSH, VMRO dhe Alternativës Demokratike u tregua si vendim i mirë për disa arsye:

- të tri partitë ishin opozitare dhe vetvetiu nuk mund të ishin peng i vazhdimësisë së politikës së mëparshme;

- të tri partitë ishin të interesuara për ndërrime në strukturën administrative, që ishin bastione të mentalitetit, pra edhe politikës së vjetër, çerdhe keqpërdorimesh për interesa të ngushta;

- të tri partitë ishin të përcaktuara për ndryshime të koncepteve politike, por edhe strategjike, dhe;

- të tri partitë ishin të vendosura për relaksimin e marrëdhënive ndëretnike, kundruall përcaktimit të regjimit të vjetër, që në mënyrë sistematike e nxiste konfliktin e kontrolluar ndëretnik, ose konfrontimin e shqiptarëve me sistemin.

Të gjitha këta përcaktime dukshëm e përmirësuan klimën politike, ndëretnike dhe hapën shtegun për realizimin e disave nga kërkesat fundamentale të shqiptarëve.

Në vazhdim jepen shtigjet e mëtutjeshme :

Përfundimi i favorshëm i krizës kosovare hap perspektiva të mëdha për tërë rajonin. Duke thënë haptas se gatishmëria e shqiptarëve që të durojnë, të vazhdojnë në kursin politik për mvetësi, kundërvënia e vendosur dhe refuzimi i çfarëdo kompromisi me politikën e Millosheviqit, pranimi i vuajtjes në vend të nënshtrimit ishin faktorë determinantë që e sollën NATO, dhe Evropën në Ballkan, e me këtë edhe mundësitë konkrete për rindërtim dhe integrim të Evropës Juglindore në strukturat evropiane dhe veriatlantike. Mbi vuajtjet e paimagjinueshme të kosovarëve ndërtohet Pakti për Stabilitet nga i cili do të përfitojnë të gjithë. Ky është peshqeshi që Kosova ia solli Ballkanit.

PDSH vlerëson se Pakti për Stabilitet është shansi i papërsëritshëm historik që duhet të shfrytëzohet. Prandaj edhe mbahet ky kongres, të përgatitemi të gjithë që t’i shfrytëzojmë oportunitetet që sjell koha, Paktin për Stabilitet dhe vullnetin e mirë të 19 demokracive që të ndihmojnë në transformimin demokratik, ekonomik dhe të sigurisë të Ballkanit.

PDSH synon të jetë subjekt aktiv në këtë proces në dy kontekste:

- në atë të brendshëm, duke e trimëruar qeverinë që t’i pranojë transformimet në këto tre dimensione dhe ;

- në atë të jashtëm duke spikatur veçanërisht interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Në vijë të kësaj PDSH vlerëson se dimensioni politik, transformimi demokratik i shoqërisë është parakusht për realizimin e dy komponenteve të tjera. Për mbarështrimin e këtyre komponenteve duhet gjithsesi asistenca e faktorit ndërkombëtar, që hap shtegun për realizimin sa më të relaksuar të kërkesave fundamentale të shqiptarëve të Maqedonisë.

- Duke vlerësuar lart rolin historik të Paktit për Stabilitet, PDSH për të shfrytëzuar sa më me efikasitet perspektivat që hapen, do të themelojnë tre komisione: për çështjen politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Tetovë, më 30 korrik 1999.

____________________________________________________

Pas raporteve të funksionarëve të paraqitura në Kongres, pas analizave, diskutimeve të frytshme, sugjerimeve dhe propozimeve që hapin shtigje të reja Kongresi II i PDSH dha këta VLERËSIME :

- kriza kosovare përfundoi me ngadhënjimin e së drejtës nga njëra anë, që simbolizohet me rikthimin e qeverisjes së Kosovës, qytetarëve të saj dhe me dështimin e politikës hegjemoniste anakronike dhe gjenocidale të regjimit të Millosheviqit, që përfundoi me tërheqjen e strukturave represive kolonialiste serbe nga Kosova. Me këtë përfundon një etapë historike, pra me dështimin e kolonializmit nën petkun e së drejtës së rrejshme historike për territore. Në Kosovë dështoi hegjemonizmi, shovinizmi, nacizmi, kolonializmi i mishëruar në të ashtuquajturën kauzë serbe dhe ngadhënjyen parimet e qytetërimit të 19 demokracive më të avancuara, që duke u dalë zot shqiptarëve të shumëvuajtur arritën t’i mbrojnë vlerat dhe standardet qytetëruese dhe njerëzore në përgjithësi. Kosova ishte një arenë planetare ku fitoi e drejta. Kosovarët, të prirë nga UÇK dhe subjektet e tjera politike luajtën një rol global historik. Duke rrezikuar veten, substancën kombëtare, duke pranuar vuajtjen, duke refuzuar padrejtësinë, duke iu shmangur devijimeve nga konventat ndërkombëtare, shqiptarët arritën ta ndërtojnë preteksin për ndërhyrje të jashtme, me çka çështja e Kosovës u bë çështje globale;

- roli i PDSH, pra edhe i shqiptarëve të Maqedonisë në këtë proces, ishte aktiv, konstruktiv dhe i spikatur jashtë mase;

- me përfundimin e krizës kosovare përfundon një etapë ksenofobike në historinë politike të popujve të Ballkanit dhe fillon etapa e re me Paktin e Stabilitetit që do t’i transformojë formacionet shoqërore të Ballkanit sipas kritereve dhe vlerave të sistemeve demokratike perëndimore;

- hyrja e PDSH në koalicion me partitë opozitare maqedonase ishte vendim i drejtë, sepse në këtë mënyrë u krijuan mundësitë për largimin e strukturave që ishin bartëse të mendësisë së vjetër, që gjithnjë e përjetësonte konfliktin ndëretnik;

PËRCAKTIME :

- në Maqedoni duhet inkurajuar gatishmëria për ta korrigjuar konceptin etnocentrik për shtetin, si trashëgimi anakronike e së kaluarës, që vetëvetiu krijon hapësirë për fërkime etnike. Me këtë krijohen kushte objektive për realizimin e kërkesave të drejta të shqiptarëve sa i përket mekanizmit të vendosjes, decentralizmit të pushtetit, arsimit në të gjitha nivelet, mëkëmbjes së themelatave për zhvillim kulturor, përdorimit të gjuhës shqipe, punësimit të barabartë etj.

PDSH mbështet inkuadrimin e Maqedonisë në strukturat veri-Atllantike, në Bashkësinë Evropiane, përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët: Shqipërinë, Greqinë dhe Bullgarinë, ndërkaq sa i përket së ashtuquajturës Jugosllavi duhet të ndiqet rruga e shteteve demokratike të botës që synojnë ta bllokojnë regjimin autoritar të Millosheviqit, ta ndërrojnë atë për ta hapur shtegun për demokratizimin e këtij vendi dhe për denacifikim të mendësisë së popullit serb, që s’arrin dot të distancohet nga krimi që është kryer në emër të tij;

- PDSH do ta trimërojë qeverinë e Maqedonisë që të vendosë marrëdhënie sa më të mira dhe të ngushta me Kosovën, si etnitet i veçantë nën protektoratin e bashkësisë ndërkombëtare;

- PDSH-ja do të angazhohet për implementimin e Paktit të Stabilitetit dhe në vijë të këtij përcaktimi do të themelojë tre komisione profesionale, për çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë;

- PDSH do të gjejë rrugë sa më efikase për përmirësimin e aksesit të bizneseve të vogla dhe të mesme përmes ndihmës së bankave të zgjedhura komerciale; dhe

APELE

- në Maqedoni të ndiqet kursi politik i qetësimit të marrëdhënieve ndëretnike, i përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në sistem, i tolerancës, i kultivimit të diversiteteve, i kooperimit, duke luftuar në të njejtën kohë ksenofobinë, jotolerancën, hegjemoninë etnike, asimilimin, margjinalizimin e bashkësive të tjera etnike, mosdurimin qytetar, etnik, religjioz, etj;

- në Kosovë të arrihet urgjentisht koncenzusi në mes të forcave politike, në mënyrë që të kapitalizohen flijimet mbinjerëzore të luftëtarëve dhe të qytetarëve të Kosovës, të ruhet imazhi sublim i UÇK, faktorit kryesor që i lëvizi të gjitha mekanizmat kombëtare, që përfunduan me ndërhyrjen e 19 shteteve më përparimtare demokratike të botës, të parandalohen keqpërdorimet dhe të kuptohet me shqetësim mobilizues se kjo gjeneratë ka detyrë dhe përgjegjësi ta shfrytëzojë këtë mundësi të papërsëritshme historike;

- në Shqipëri të ndalohen polarizimet politike dhe të tjera, të relaksohen marrëdhëniet ndërnjerëzore, të vendoset rendi, të çrrënjoset korrupsioni dhe abuzimet e tjera, të fillohet me rindërtimin e vendit, të relacioneve me hapësirat e tjera shqiptare si dhe me fqinjët;

-Të evropianizohet Ballkani.

Tetovë, 31 korrik, 1999.



45 Dokumentet kongresiane të Kongresit të Dytë të PDSH.

46 >>Flaka<<, ” Kongres i punës dhe i >>Librit të bardhë të PDSH<<”, 29 korrik, 1999.