PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

KUNDËRTHËNIET BRENDA FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR

KUNDËRTHËNIET BRENDA FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR

Gjatë vitit 1993 vazhduan fërkimet e mëdha brenda subjektit më të madh politik shqiptar në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik. Pas një sërë gabimesh politike, anëtarësia e saj pothuajse u “rebelua”. Anashkalimi i jetësimit të autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve e rëndoi edhe më shumë gjendjen. Përgojimet dhe mosdurimet brenda kreut më të lartë partiak të PPD kishin filluar të kthehen në skandale dhe të arrijnë deri te anëtarësia e gjerë e partisë.

Nga ana tjetër, takimet me përfaqësuesit e Bashkësisë ndërkombëtare zhvilloheshin me udhëheqësin e grupit punues për nacionalitetet dhe pakicat nacionale të caktuar nga Konferenca e Londrës, z. Gert Arens. Këta takime nuk ishin në frymën e deklaratave pompoze të përfaqësuesve shqiptarë. Konfuziteti arriti kulmin kur Gert Arens deklaroi publikisht : “ t’ju them të drejtën, pas një sërë kontaktesh me palën shqiptare, ende nuk e kam të qartë se çfarë në të vërtetë kërkojnë ata. Them kështu ngase kërkesat e shqiptarëve janë tejet të larmishme dhe të shumta ”50.

Shkaku kryesor i kontradiktave brenda partisë ishte mungesa e platformës politike, e cila mundësoi që t’i hapet rrugë voluntarizmit të grupeve me pikëpamje të ndryshme politike brenda partisë, që nuk përputhej me idealet fillestare të themeluesve të partisë së parë politike tek shqiptarët. Ky proces shkaktoi ndarje të thellë në relacionin udhëheqje partiake-grup parlamentar-grup qeveritar-anëtarësi partiake.

Subjekti më i madh politik shqiptar nuk kishte qasje serioze rreth çështjeve fundamentale të interesave kombëtarë të popullit shqiptar në Maqedoni, pikërisht në fazën e krijimit të shtetit të ri në Ballkan, siç ishte Maqedonia. Struktura sllavo-maqedonase vazhdonte t’i shfrytëzojë me mjeshtëri të përkryer dobësitë e faktorit politik shqiptar. Kështu, në procesin e njohjes ndërkombëtare, gjatë vitit 1993 shënoi rezultate, sepse më 9 prill, 1993, shteti i ri u pranua si anëtar i 181 i OKB-së 51. Sipas rezolutës 817, të miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në dokumentet e organizatës botërore, Republika e Maqedonisë pranoi të emërohet dhe të njihet me emrin:

“ISH-REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË” – I R J M

Pranimit të Maqedonisë në OKB, pa kushtëzime nga ana e faktorit politik shqiptar, me apo pa vetëdije i ndihmuan edhe veprimet voluntariste të shqiptarëve. Gjatë ceremonisë së pranimit të saj mori pjesë edhe koordinatori i grupit parlamentar shqiptar, z. Eshref Aliu. Për këtë ngjarje, Gligorovi në kujtimet e tij shkruan :

Pranimi në OKB është me rëndësi historike në familjen e madhe të popujve. Në mes tjerash, mendoja, nuk është keq që në delegacionin për në New York të marr edhe ndonjë shqiptar, me praninë e të cilit edhe kombësia shqiptare do të përfaqësohet në këtë ngjarje. Më ra ndërmend se shqiptarët nuk morën pjesë në Referendum, nuk e votuan kushtetutën dhe nëse përsëritet edhe me këtë rast, pranimi i Maqedonisë në OKB, do të vazhdonte taktika e kontestimit të akteve më të rëndësishme të këtij shteti… Në këtë kohë, shef i grupit parlamentar të PPD ishte E. Aliu 52.

Gligorovi tregon se ka urdhëruar që ta kërkojnë shefin e Grupit parlamentar shqiptar, i cili brenda pak kohe ka shkuar në kabinentin e tij. Sipas Gligorovit, dialogu midis tij dhe E. Aliut është zhvilluar kësisoj :

K. Gligorov: “ Dëgjo Eshref, urgjent duhet të shkohet në New York, qysh sonte. Unë desha ti të vish me mua dhe atje të marrësh pjesë në pranimin e Maqedonisë në OKB ”

E. Aliu: (pyet) “ A do të na pranojnë ? ...( dhe përgjigjet ) E dini çfarë, kryetar, kjo është punë serioze. Unë patjetër për këtë duhet të pyes partinë ” .

Gligorovit i kujtohet se Eshrefi u kthye pas gjysmë ore dhe i përgjigjet :

E. Aliu: Kryetar nuk bën puna, nuk më lejojnë të nisem”.

Mirëpo, Gligorovi ka insistuar në propozimin e tij, prandaj, shefi i Grupit parlamentar shqiptar më në fund paska vendosur:

E. Aliu: “ Le të bëhet çka të bëhet, le të më therrin, le të më varin, do të vij ” 53 !!!

Në planin ndërkombëtar, pas njohjes nga OKB, IRJM u njoh edhe nga Shqipëria më 26 prill, 1993 54. Sigurisht, lexuesve do t’u interesojë: Pse Shqipëria e njohu këtë shtet, pa kushtëzuar për interesat e shqiptarëve ?! Por, duhet theksuar se politika zyrtare e shtetit shqiptar edhe me këtë rast duhej të jepte shembullin konkret se do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajonin e trazuar ballkanik. Shqipëria zyrtare nuk mund të ishte në kundërshtim me planet gjeostrategjike të Bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, ajo kishte pikëpamje të drejtë për interesat kombëtare të shqiptarëve të IRJM. Konsulli i Shqipërisë në Shkup, Leonidha Mërtiri i llogariste ata si jo pakicë kombëtare 55. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar i llogarsite shqiptarët e IRJM si komb, gjë e cila ishte në kundërshtim të plotë me konceptin sllavo-maqedonas.

Kursi i politikës së subjektit më të rëndësishëm shqiptar duhej të ndërrohej patjetër, sepse zhvillimet politike nuk shkonin në favor të interesit të popullit shqiptar në IRJM. Andaj, filluan shqetësimet në rradhët e anëtarësisë së gjërë.

Shtylla kryesore e PPD, dega e kësaj partie në Tetovë mbajti kuvendin e saj të rregullt më 5 qershor, për të vazhduar edhe më 19 qershor, 1993 56. Në këtë kuvend, përveç raportit vjetor të punës, u vendos në rend dite edhe votëbesimi i kryesisë së degës së Tetovës dhe të anëtarëve të Kuvendit Qendror të partisë nga Tetova ( anëtarët e KQ nga Tetova, në fakt e përbënin kreun e PPD). Pas diskutimeve të ashpra me tone polemizuese, pjesa e parë e Kuvendit të Tetovës përfundoi me revokimin e anëtarëve e Kryesisë së degës së Tetovës. Ndërsa, në pjesën e dytë të Kuvendit, fillimisht u zgjodh Kryesia e re e degës në këtë përbërje:

1. Menduh Thaçi – kryetar

2. Llokman Elezi – nënkryetar

3. Enver Bexheti – sekretar

4. Izair Sadiku

5. Fatmir Ibrahimi

6. Abdylaziz Fejzullahu

7. Isamedin Limani

8. Milaim Ajdini

9. Sali Jonuzi

10. Ismail Rexhepi ( i njëjti nuk pranoi të jetë anëtar i kryesisë ) dhe

11. Zeqirja Rexhepi 57.

Në vazhdim të Kuvendit u debatua edhe për aktivitetin e anëtarëve të Kuvendit qendror të PPD, si bartësit kryesorë të politikës së partisë. Me këtë rast, nga shumica e kuvendarëve të Kuvendit u mblodhën nënshkrime për revokimin e anëtarëve të Kuvendit qendror nga Tetova. Por, ç’ndodhi në të vërtetë? Me shumicë votash, nga anëtarët e Kuvendit qendror u revokua sekretari i përgjithshëm, M. Emini. Lexuesit do t’i interesojë, se për ç’arsye u revokua vetëm sekretari i partisë 58. Në ato rrethana veprimi i sekretarit të përgjithshëm kishte ndikimin më të madh në çështjet vendosëse të ushëheqësisë partiake, gjë e cila mund të vërtetohet lehtë nga numri i madh i dokumenteve të nënshkruara, apo negociatat e zhvilluara me palën sllavo-maqedonase, sidomos angazhimet e tij për pjesëmarrje në qeverinë e asaj kohe. Në anëtarësinë partiake ishte krijuar bindja se kryetari N. Halili është personalitet dytësor. Nga ana tjetër mediat e shkruara në gjuhën maqedonase, sekretarin e përgjithshëm të PPD e quanin “truri i partisë”. Mbi të gjitha, sekretari i partisë llogaritej si fajtor kryesor i politikës së dështuar të PPD.

Pas zgjedhjes së Kryesisë së re të degës së Tetovës, të udhëhequr nga Menduh Thaçi, filloi aktiviteti i vrullshëm partiak dhe zgjimi i anëtarësisë së gjerë. Krahas aktiviteteve të dendura, dega e Tetovës kërkoi nga Kryesia qendrore dhe Kuvendi qendror i PPD realizimin e vendimit të Kuvendit të Tetovës, për largimin e sekretarit të partisë nga posti, i cili ishte kërkuar nga baza e partisë. Por, Kryesia qendrore, duke mos dhënë ndonjë shpjegim, taktizonte dhe e zvarriste realizimin e vendimit të Kuvendit të degës së Tetovës. Situata filloi të komplikohej dhe të acarohej, më shumë pas paraqitjes publike të ish-sekretarit të PPD, i cili i denonconte aktivistët e degës së Tetovës, duke i quajtur marksistë-leninistë dhe stalinistë. Anëtarësia e gjerë e partisë më të madhe shqiptare në IRJM u irritua edhe më tepër nga këto paraqitje publike. Por, aktivistët e degës së Tetovës nuk u zbrapsën dhe ishin edhe më të vendosur për realizimin e vendimeve të Kuvendit të saj. Gjatë verës së vitit 1993, ata u angazhuan me aktivitete në nëndegët e PPD, lëvizje këto që në mënyrë permanente ringjallën aktivitetin e partisë, e cila pothuajse ishte shuar tërësisht.

Më në fund, më 28 gusht, 1993, në Teatrin e Kombësive në Shkup u mbajt Kuvendi Qendror i PPD 59. Në këtë seancë të Kuvendit duhej të merret vendimi konstatues dhe të realizohej vendimi për revokim të ish-sekretarit të partisë, Mit’hat Emini, i cili e kishte humbur bazën e tij brenda partisë. Në punimet e Kuvendit Qendror të PPD, iu bënë vërejtje serioze kreut politik të partisë për pjesëmarrjen në koalicionin qeveritar të Branko Cërvenkovskit, për mosangazhim në jetësimin e autonomisë politike territoriale të shqiptarëve, për gjendjen e shqiptarëve në IRJM, për uljen e kredibilitetit të partisë. Gjatë Kuvendit të tretë qendror, kryetari i partisë në një atmosferë të përshkruar me kërcënime dhe shantazhe, refuzonte të vë në rend dite vendimin për revokim të sekretarit të partisë. Por, kur obstruksionet dhe voluntarizmat arritën kulmin, si pasojë e vërejtjeve të shumta, anëtarët e Kuvendit qendror ngritën iniciativën tjetër: revokimin e tërë kryesisë së PPD. Kjo iniciativë u nënshkrua nga 29 kuvendarë të Kuvendit Qendror (që përbënin shumicën e Kuvendit Qendror) 60, disa prej të cilëve ishin edhe anëtarë të Kryesisë qendrore të PPD. Por, taktizimet nuk morën fund me kaq, sepse kur duhej të votohej për iniciativën e 29 Kuvendarëve, mbledhja e Kuvendit u ndërpre, duke u shtyrë për më vonë. Por, edhe pse u vendos që të mbahej vazhdimi i seancës, ajo shtyhej sërish pa ndonjë arsye, gjë që irritonte edhe më tepër anëtarësinë e PPD.

Ndërkohë, pas ndërprerjes së Seancës së tretë të Kuvendit qendror, në Tetovë ishte ngritur në këmbë tërë struktura e partisë nëpër nëndegë dhe rajone. Gati për çdo ditë mbaheshin mbledhje nëpër nëndegë apo rajone, në të cilat i jepej mbështetje pa rezervë degës së Tetovës për të realizuar vendimet e Kuvendit të saj. Në takimet e shumta me strukturën e partisë, aktivistët e degës së Tetovës hasnin në mllefin e madh që ishte grumbulluar, tek anëtarësia e gjërë, nga dështimet e mëdha politike të udhëheqjes partiake.

Në fakt, ç’ndodhte brenda Partisë më të madhe të shqiptarëve të IRJM ?

Një gjë ishte e qartë, se në horizont dukeshin qartë dy vija politike që zhvillonin aktivitete tek anëtarësia e gjerë partiake. Rryma e vjetër, e akomoduar në sistemin ekzistues, përpiqej të ruajë status-quo-në, ndërsa rryma e re kërkonte ndryshime, fillimisht, brenda partisë dhe më pas edhe në raport me strukturën politike maqedonase për ndryshimin rrënjësor të statusit politik dhe juridik të popullit shqiptar në IRJM. Cilat qenë shkaqet kryesore të kontradiktave brenda subjektit politik shqiptar (PPD) ? Pa dyshim ato ishin :

1. Mungesa e platformës së veprimit politik,

2. Pozita e margjinalizuar e shqiptarëve në sistem dhe mosukseset për të bërë ndërrime,

3. Participimi në qeverinë e koalicionit pa kushtëzime dhe pa platformë,

4. Anashkalimi i jetësimit të autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni.

Më në fund, pas taktizimeve të shumta, më 18 shtator, 1993, Kuvendi Qendror i PPD i vazhdoi punimet e seancës së tretë. Gjatë kësaj periudhe u bë edhe një manovër tjetër nga ana e kryesisë së ngushtë të PPD, e cila me këmbëngulje dëshironte të vazhdojë me avazin e vjetër. Në vend që të zgjidhej problemi në Kuvendin qendror dhe të mbyllej çështja e hapur, në vazhdim të seancës së tretë, ky Kuvend doli me opcionin e mbajtjes së “Kongresit të parakohshëm” 61. Sipas këtij vendimi ai duhej të mbahej deri më 1 dhjetor, 1993. Por, koha dëshmoi se as ky vendim, si të tjerët nuk u respektua.

Ndërkohë Televizioni Satelitor Shqiptar, i cili dëgjohej me vëmendje nga shqiptarët e IRJM, më 1 dhjetor 1993, dha një Koment të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, sipas të cilit apostrofoheshin disa udhëheqës të PPD. Pas kësaj çështja u alarmua edhe më tepër.

Më 4 dhjetor, kryetari i PPD thirri seancën e katërt të Kuvendit qendror të PPD, e cila nuk u mbajt fare. Po atë ditë, Kryesia qendrore dha dorëheqje të parevokueshme, para një grupi deputetësh dhe ministrash, duke mos caktuar se kush do ta udhëheqë partinë deri në Kongres, por, u emërua Këshilli për organizimin e Kongresit të parakohshëm.

Ndërkohë, udhëheqësia e degës së Tetovës thirri Kuvendin e jashtëzakonshëm 62, për të diskutuar për çështjen e të apostrofuarve nga Televizioni Shqiptar, të cilët ishin të gjithë anëtarë të Kuvendit Qendror dhe bazën e tyre e kishin në Tetovë. Kuvendi i jashtëzakonshëm ua mori mandatin të apostrofuarve si anëtarë të Kuvendit Qendror të Partisë për Prosperitet Demokratik 63. Kuvendi me shumicë votash zgjodhi anëtarët e rinj të Kuvendit qendror : Arbën Xhaferin, Menduh Thaçin, Zeqirja Rexhepin dhe Idriz Musën 64.

Këshilli për organizimin e Kongresit i formuar nga Kryesia e PPD, pasi dha dorëheqje, nuk kishte asnjë bazë statutare 65. Në vend që ky organ, i cili do merrej me përgatitjen e Kongresit të parakohshëm, të emërohet nga organi më i lartë i partisë, siç ishte Kuvendi qendror, këtë e bëri organi i partisë që kishte dhënë dorëheqje. Manipulimi që bëhej dukej hapur për të gjithë anëtarët e partisë, sepse në Këshillin për organizimin e Kongresit ishin emëruar të gjithë anëtarët e Kryesisë që dhanë dorëheqje të pa revokueshme, gjë e cila ishte një shkelje e rëndë statutare, sepse për çështje të këtilla, shumë të ndjeshme, fare nuk ishte përfillur organi më i lartë i partisë, Kuvendi Qendror i PPD. Skenaristët me një manovër të këtillë, të pavetëdijshëm për pasojat e rënda dhe përçarjet që shkaktuan, dëshironin të fitonin kohë për të shmangur nga skena politike “vijën e fortë” të degës së Tetovës. Këto ishin përpjekje për vendosjen e strukturave dhe të politikës, që çështjen kombëtare e konsumoi në skandale të ndryshme që e kompromituan Partinë për Prosperitet Demokratik dhe anëtarësinë e saj.

Këtë lojë perfide dhe manipuluese e ndërprenë tri degët më të fuqishme të PPD: ajo e Tetovës, e Gostivarit dhe e Strugës. Përfaqësuesit e këtyre degëve thirrën Kuvendin e katërt të jashtëzakonshëm në Gostivar 66. Në këtë Kuvend u morën këto vendime:

1. U zgjodh Këshillin i përkohshëm drejtues i PPD 67, në përbërje:

Arbën Xhaferi

Menduh Thaçi – kryetari i degës së Tetovës

Zeqirja Rexhepi

Shezo Zenku

Aliriza Lloga- kryetar i degës së Strugës

Rufi Osmani

Sefedin Duka

2. Vendimi me të cilin shpallej i pavlefshëm Këshilli për organizimin e Kongresit i emëruar nga Kryesia që dha dorëheqje dhe ;

3. Vendimi me të cilin obligohej Këshilli i përkohshëm drejtues i PPD kishte për detyrë të udhëheqë me partinë deri në Kongres 68.

Pas përfundimit të Kuvendit të katërt të jashtëzakonshëm të PPD, Këshilli i përkohshëm drejtues, si organ i përkohshëm që e drejtoi partinë deri në mbajtjen e Kongresit zgjodhi z. Menduh Thaçin në mbledhjen e parë 69 për koordinator të tij dhe përcaktoi detyrat e ngarkuara nga Kuvendi Qendror i partisë. Gjithashtu, Këshilli u zgjerua me një përfaqësues nga Kërçova, z. Ferit Ramadani. Detyra parësore e Këshillit të përkohshën drejtues ishte nxjerrja e Deklaratës politike dhe shpallja e zgjedhjeve në parti, ku do të zgjidheshin delegatët për Kongresin e parakohshëm të PPD.

Ndërkohë, Këshilli i përkohshëm drejtues i PPD iu drejtua anëtarësisë së gjerë me një komunikatë 70:

“Pas dorëheqjes së zvarritur të Kryesisë së PPD, u krijua hapësira për mëkëmbjen e partisë, me rëndësi të pazëvendësueshme për jetën politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në Kuvendin e Gostivarit, ku me brengosje të thellë u shqyrtua kriza pas dorëheqjes kolektive të Kryesisë së PPD-së, u zgjodh Këshilli i përkohshëm drejtues i PPD me detyrë që të përshpejtojë aktivitetet për mbajtje të Kongresit të parakohshëm ku definitivisht do të zgjidhej kryesia e re.

Mirëpo, forcat që e sollën krizën në PPD, qoftë në formë të obstrukcionit, përçarjes, karrierizmit apo oportunizmit, në vend që të bashkohen dhe të përkrahin iniciativën për mbajtjen e Kongresit, vazhdojnë me të vjetrën.

Aktiviteti i tyre i deritashëm, pas dorëheqjes së Kryesisë është i orientuar në tri drejtime që nuk mund të vlerësohen si përpjekje për tejkalimin e krizës në PPD :

- në thellimin e përçarjes që ka për qëllim shkatërrimin definitiv të partisë me pasoja tepër të rënda politike, sidomos në kohën kur duhet të fillojnë përgatitjet për organizim të regjistrimit të popullsisë,

- në kompromentimin e Shqipërisë si shtet jo serioz dhe destabilizues që prish idilën e paqes në Maqedoni, e cila pa argumente dhe në mënyrë tendencioze fajësohet se e ka krijuar krizën në PPD, sikur ajo deri atëherë nuk ekzistonte,

- në involvimin e strukturave dhe personaliteteve politike kosovare në një situatë kur Kosova gjendet në një situatë delikate. Duke mos respektuar institucionin e kryetarit të shtetit, nga Presidenti Rugova kërkohet në mënyrë vulgare të demantojë a të përkrahë një grup a një person që synon pa mbështetje të anëtarësisë të kyçet në krye të PPD.

Ndërlidhja e Shqipërisë dhe Kosovës së ngujuar me Këshillin e përkohshëm drejtues, me krizën në PPD ka për qëllim të nxitë artificialisht pozicionimet politike të këtyre dy shteteve për ta hiperstazuar krizën edhe në planin global shqiptar.

Të vetëdijshëm për këto qëllime, për këto rreziqe e ftojmë anëtarsësinë, nëndegët dhe degët e PPD që të ndërmarrin masa për ndërprerje të këtyre aktiviteteve rrënuese.

Shkaqet për krizën në PPD nuk duhen kërkuar “te përzierja e armikut të jashtëm” sipas modelit të dikurshëm, por në mospunë, në injorancë, në karrierizëm, në oportunizëm dhe në vese tjera të trashëguara nga e kaluara 71.

Më pas, në takimin tjetër Këshilli i përkohshëm drejtues hartoi Deklaratën politike, në të cilën thuhet:

“Partitë politike formohen për t’i shprehur, afirmuar, realizuar interesat e veçanta të shtresave të veçanta a të një populli të tërë brenda një sistemi politik.

Pas rrënies së konceptit njëpartiak, në Maqedoni u formuan shumë parti politike me prefiksin demokratik, trashëguese të vetëdijes politike dhe kombëtare të shqiptarëve të këtyre anëve që mori përsipër t’i sendërtojë aspiratat e veçanta të atyre që me represion të vazhdueshëm u spostuan në margjina të sistemit.

Në këtë parti u mpleksën aspiratat, idealet, njohuritë, energjitë e qindra mijëra njerëzve të vendosur për të luftuar për të drejtën e patjetërsueshme, për barazi në sistem.

Si promotore e këtij vullneti, si përfaqësuese legjitime e vetëdijes politike dhe kombëtare, kjo parti shumë shpejt u shndërrua në subjekt stabilizues apo destabilizues i Maqedonisë, e respektuar nga faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm.

Pritej që konjuktura e zgjedhur do të dijë dhe do të arrijë t’i vë në jetë zotimet e marura. Por, rezultatet ishin konjukturale. Në Maqedoninë pluraliste pozita e shqiptarëve në sistem mbeti e pa ndryshuar. U ndërruan ekipet, por efektet e një politike të gjatë represive mbetën për ta nxitur kështu deri në masë të pa kontrolluar mllefin e popullit.

Në vend që udhëheqësia partiake të jetë instrument i aspiratave të anëtarësisë, të brumosur në program, shumë shpejt ndodhi e kundërta, anëtarësia u shndërrua në medium të promocionit, të personalitetit të tyre, të koncepteve konfuze, shpesh-herë kontradiktore, të pa mbështetura në realitet, në njohuri, si dhe klimën politike që krijonin partitë e tjera demokratike shqiptare në tërësi.

Aleancat jo parimore, koalicionet pa platformë politike, koketimet e kota me grupe jo formale, pastaj përçarjet, etiketimet, malverzimet, aferat, bajraktarizmi u shndërruan në manire të punës të konjukturës që mori përsipër t’i kanalizojë në drejtime konstruktive energjitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Pasuan përçarjet vertikale dhe horizontale, jo mbi baza programore politike, por mbi ato subjektive. Vetë kryesia ishte përçarë në disa drejtime, tërë kryesia me deputetët, e të gjithë këta së bashku me masën.

U krijua bindja shqetësuese sikur PPD u krijua për të ofruar mundësi që një grup njerëzish t’i lansojnë projektet, aspiratat, konceptet, sensibilitetin e tyre personal. Aferat dhe zënkat pasuan pas njëra tjetrës që ishin në funksion të dobsimit të pozitës politike të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe të vënies së tyre në funksion të destabilizimit të rajonit. Ata, të instrumentalizuar, u bënë të rrezikshëm për vetëvehten dhe të tjerët.

Të shqetësuar dhe të brengosur thellë, anëtarët e PPD-së të organizuar në degë dhe nëndegë dhe shumë veprimtarë të tjerë, tashmë politikisht të margjinalizuar bënë disa përpjekje që këtë udhëheqësi të përdalur ta kthejnë në rrugë të drejtë të përcaktuar me program, por këto orvatje u penguan në saje të obstrukcionit të një shtrese të burokratizuar, të ngjizur mirë me aparatin shtetëror që interesat personale i venin mbi ato të përgjithshmet.

Sa më shumë që kultivohej kursi joproduktiv i konjukturës politike, aq më e fortë bëhej kundërvënia e anëtarësisë që shihte dhe vlerësonte drejtë shterpësinë e një politike të devijuar nga programi.

Nga kjo rezistencë rilindi energjia politike që të mëkëmbet PPD-ja, promotorja e aktivitetit të shqiptarëve të Maqedonisë. Nga kjo rezistencë u përfitua legjitimiteti i kundërvënies.

Qelizat e shëndosha, degët dhe nëndegët e kthyen goditjen, së pari në Tetovë, pastaj në Gostivar, në Strugë, Në Dibër dhe deri në diasporë.

Kjo kthesë është radikale aq sa ishte radikale shmangia nga programi, kjo kthesë është aq radikale sa ishin dështimet radikale, kjo kthesë është aq radikale sa ishin manipulimet dhe instrumentalizimet radikale të shqiptarëve në projekte antishqiptare, kjo kthesë është aq radikale sa ishin edhe vetë plagët që u hapën e s’u shëruan ende.

Këshilli i Përkohshëm Drejtues i PPD që u formua në Kuvendin legal dhe legjitim të Gostivarit, pas dorëheqjes së ish kryesisë, synon ta pengojë hemoralgjinë në PPD, ta organizojë sa më shpejt dhe sa më mirë Kongresin e PPD dhe kështu ta forcojë pozitën politike dhe negociuese të shqiptarëve në këto momente historike.

Të gjithë ata, anëtarë, nëndegë, degë, deputetë, qeveritarë dhe njerëz të tjerë të vullnetit të mirë do të angazhohen në këtë detyrë madhore të përforcimit të pozitës politike të shqiptarëve në Maqedoni do ta kenë përkrahjen e pakursyer të Këshillit të Përkohshëm Drejtues të PPD-së dhe të vetë bazës.

Këshilli i Përkohshëm Drejtues nuk është një grup radikal i dalur nga kontrolli, por personifikon tendencën për përtrirjen e vendosur të PPD-së e me këtë edhe të pozitës politike të shqiptarëve të Maqedonisë që në saje të obstrukcioneve të ish kryesisë u zvetnua deri në trajta qesharake.

Përmes Këshillit të Përkohshëm Drejtues populli e manifeston nevojën për marrje të ngutshme të mandatit nga ata që e keqpërdorën, përmes tij populli e shpreh rrezistencën e madhe kundër abuzimeve, konflikteve të pakuptimta, mospunës shmangies nga programi, kundër një kursi joproduktiv politik.

Këshilli i Përkohshëm Drejtues i PPD është katalizator i vullnetit të popullit, të shprehur në Kuvendin historik të Gostivarit 72.

Pak ditë më vonë, më 16 dhjetor, 1993, Këshilli i Përkohshëm Drejtues lëshoi për opinion një komunikatë me të cilën e njoftonte atë për vendimet e marura:

  1. Vendim për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në PPD. Me këtë vendim u përcaktuan kriteret për zgjedhjet partiake. Kriteri fundamental i zgjedhjes në postet prezantuese (Kuvendet dhe për Kongres) dhe funksionale (në kryesitë) u përcaktua numri i anëtarëve të PPD nëpër degë;
  2. Vendim për themelimin e rrjetit subordinar të komisioneve për mirëvajtjen e zgjedhjeve. U vendos që zgjedhjet nëpër nëndegë të fillojnë prej 18 dhjetor e të vazhdojnë gjer më 25 dhjetor, 1993, ndërsa kuvendet e degëve të mbahen prej 25-30 dhjetor, 1993;
  3. Vendim për konstituimin e Komisionit për organizimin e Kongresit të parakohshëm ;
  4. Vendim për mbajtjen e Kongresit në Janar të vitit, 1994, me alternativë të vendit për mbajtjen e tij – Tetovë ose Gostivar 73.

Por, në Partinë për Prosperitet Demokratik tashmë vepronin dy organe paralele:

Këshilli i Përkohshëm Drejtues - rryma e re politike, që u zgjodh nga Kuvendi i katërt i jashtëzakonshëm i PPD në Gostivar dhe ;

Këshilli për organizimin e Kongresit - rryma e vjetër politike, që u zgjodh nga Kryesia, e cila dha dorëheqje të parevokueshme.

Këto organe të Partisë për Prosperitet Demokratik, shpallën paralelisht zgjedhjet nëpër nëndegë dhe degë për delegatë të Kongresit dhe organet drejtuese të nëndegëve dhe degëve. U krijua një atmosferë konfliktuoze, e panevojshme. Këshilli i Përkohshëm Drejtues i udhëhequr nga koordinatori, Menduh Thaçi dhe ideologu Arbën Xhaferi, kishte epërsinë absolute tek anëtarësia e gjerë e partisë. Por, edhe përkundër kësaj përpiqej të gjente zgjidhje fatlume përmes procesit demokratik dhe votës së shumicës. U bënë përpjekje për ndërmjetësim dhe pajtimin e dy Këshillave nga faktorë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova. Nga këto përpjekje dhe përmes takimeve të tjera në Prishtinë dhe Tiranë, u arrit një marrëveshje, e cila u firmos nga koordinatorët, M. Thaçi dhe A. Aliti. Kështu, u formua Këshilli i Përbashkët për Përgatitjen e Kongresit, gjendja përkohësisht u qetësua brenda partisë më të madhe shqiptare në IRJM. Këshilli solli vendim për datën e mbajtjes së Kongresit të Partisë për Prosperitet Demokratik. U vendos të mbahet më 12 shkurt, 1994, në Pallatin e kulturës, në Tetovë.

Në kohën kur ndodhnin fërkimet brenda Partisë për Prosperitet Demokratik plasi e ashtuquajtura “afera e armëve”. Qarqet maqedonase përpiqeshin që përmes këtij skandali të implikojnë Shqipërinë, që ta fajësojnë atë para Bashkësisë ndërkombëtare për destabilizimin e IRJM dhe rajonit. Shumë njerëzve të ndershëm dhe atdhetarë, iu kushtoi rëndë afera e armëve dhe përfunduan nëpër burgje. Askush nga përgjegjësit kryesorë nuk e qartësoi për opinionin e gjerë, atë që po ndodhte. Disa prej tyre, nga faktori shqiptar, deklaronin hapur se organizimi fiktiv për vetëmbrojtje, është bërë me dijeni edhe të faktorit politik sllavo-maqedonas, gjoja për t’u mbrojtur nga Armata e Jugosllavisë. Disa të tjerë shtireshin sikur “ s’paskan ditur asgjë ”, apo, se “ për herë të parë kanë dëgjuar për këtë”.

Në fakt, kush e krijoi aferën e armëve ?.

Ministri i Punëve të Brendshme të IRJM, L. Fërçkovski, në një intervistë për gazetën “Koha” të Prishtinës, tha:

Mendoj se ministria jonë ndihmoi objektivisht në shthurjen e situatës, ashtu që faktet për implikimin e Shqipërisë ua ofroi disa shërbimeve të huaja informative mike, të cilat mundën t’i verifikojnë. Pra, të mos jetë ky vetëm pohim, por u thamë: >>Urdhëroni, verifikoni këto fakte : xhirollogaritë nëpër banka, prejardhjen e armëve me numra, lidhjet, fotografitë, videokasetat …! Dhe ata mund t’i vërtetonin këto. Rezultati ishte presioni i ashpër ndërkombëtar mbi Shqipërinë. Mendoj se ata e merituan këtë 74.

Ndërkaq, pak më vonë, zv.ministri i atëhershëm i Ministrisë së Mbrojtjes të IRJM, N. Maliqi, lidhur me aferën e armëve, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” të datës 31 dhjetor, 1994, tha:

Ideja për vetëmbrojte tek shqiptarët e Maqedonisë ka ekzistuar para se të mvetësohej Maqedonia. Qëllimisht po them ideja, sepse e gjithë kjo edhe ka mbaruar me ide. Nuk ka patur diversione, nuk ka patur luftë, rrezikim të jetës së qytetarëve. Për idenë e vetëmbrojtjes së shqiptarëve ka qenë e njoftuar Qeveria e Klusevit. Përgatitja për vetëmbrojtje nuk ka patur për qëllim rrezikimin territorial të Maqedonisë . . . Më tutje, Nazmi Maliqi, thotë se Qeveria e Maqedonisë dhe Ministria e saj e Mbrojtjes nuk e fajësuan Shqipërinë për këtë aferë 75!

Por, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Fërçkovski mori përgjigjen e merituar vetëm nga nënkryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik ( rryma e re e PPD-së, Z. R. ), M. Thaçi, përmes një letre të hapur, në të cilën thuhet:

Ju, zoti Fërçkovski, tentoni pa ngurim, sipas skemave të vjetra jugosllave, ta paraqitni Shqipërinë si shtet që synon destabilizimin e Maqedonisë edhe përkundër faktit që dita-ditës ajo bëhet garancë e stabilitetit të saj. Në momente, ju shpërthen armiqësia që përkufizohet me mendjelehtësi. Ai e këshillon Fërçkovskin : në vend që me arrogancë ta akuzoni Shqipërinë e pastaj prej saj të kërkoni mëshirë, shumë më lehtë do të ishte që një ditë të bukur, në daçit në Ilinden, të uleni me shqiptarët dhe realisht të kuvendoni, pa paranojë për problemet e tyre dhe tuajat 76.

Projekti i “vetëmbrojtjes së shqiptarëve” me të cilën ishte e njohur edhe qeveria e Klusevit, siç thotë edhe N. Maliqi, fatkeqësisht kishte dy dimensione të dëmshme: përmes këtij projekti implikohej shteti shqiptar që u akuzua në qarqet diplomatike nga Bashkësia ndërkombëtare si destabilizuese e IRJM dhe e rajonit, tendencë që binte në kundërshtim me politikën e Bashkësisë ndërkombëtare dhe çështja e dytë që kishte pasoja shumë të rënda për subjektin politik dhe shqiptarët në tërësi, ishte se përmes implikimit të së ashtuquajturës “vetëmbrojte e shqiptarëve”, gjithmonë do të mund të fajësoheshin shqiptarët si destabilizues dhe terroristë, armiq të Maqedonisë, për të pasur argumente për lloj-lloj skandalesh dhe burgosjesh të reja, ashtu siç edhe ndodhi. Duke qenë i implikuar dhe me “faj”, subjekti politik shqiptar, sipas projektuesve djallëzorë sllavo-maqedonas, do të qëndronte i ngulfatur dhe asnjëherë nuk do të mund të artikulonte drejt interesat kombëtare shqiptare, sepse në të kundërtën do të mund të riaktivizohej rrjeti i burgosjeve të reja, sa herë që do të kishte nevojë politika ditore për të arritur ndonjë qëllim politik.

“Afera e armëve” ishte një kurth i madh për t’u vënë frerë shqiptarëve të “radikalizuar”, dhe një instrument shumë i sigurtë në duart e qarqeve sllavo-maqedonase, që dëshironin të mbanin në hipotekë kolektive subjektin politik shqiptar. Në Kongresin e parakohshëm të PPD duhej të qartësohej, nga “kompetentët kryesorë”, projekti i vetëmbrojtjes dhe logjikisht edhe “afera e armëve”. Ata duhej të jepnin llogarinë pse burgoseshin shqiptarët. Por, për fat të keq, anëtarët e PPD nuk morën përgjigje për këtë çështje, për shkak të mospjesëmarrjes së “kompetentëve”. Prandaj, “projekti i vetëmbrojtjes” dhe “afera e armëve” mbeti si problem i historianëve për të deshifruar atë nga këndi historik.

Kongresi II i parakohshëm i PPD



50 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Nuk e kam të qartë se çka kërkon pala shqiptare ”, N. Maliqi, 19 shtator, 1993

51 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Republika e Maqedonisë anëtare e OKB-së “, 11 prill, 1993.

52 Kiro Gligorov, “ Makedonija e se shto imame “, Kultura, Skopje, 2002, 345-346.

53 Po aty, sipas kujtimeve të Kiro Gligorov-it.

54 Dokumenti, “Odnosite i sorabotkata na Republika Makedonija so sosednite zemji”, 1.

55 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Shqiptarët e Maqedonisë s’mund të jenë pakicë “, 14 mars, 1993.

56 Kuvendi i degës së PPD të degës së Tetovës u mbajt në dy seanca. E para u mbajt më 5 qershor, ndërsa seanca e dytë u mbajtë më 19 qershor 1993, nga procesverbali i Kuvendit të degës së Tetovës, të datës 19 qershor, 1993.

57 Po aty.

58 Po aty.

59 Procesverbali i Kuvendit të Tretë Qendror të PPD-së.

60 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Kryesia përpara revokimit”, 1 shtator, 1993.

61 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Iniciativat ngrihen, konvokohet kongres i parakohshëm “, 19 shtator, 1993.

62 Sipas komunikatës së degës së PPD-së të Tetovës, Kuvendi i jashtëzakonshëm i degës së Tetovës u mbajt në Pirok, të Tetovës.

63 Sqarim : mandati si anëtarë të Kuvendit Qendror iu mor Nevzat Hlailit, Mitat Eminit, Ilir Lumës dhe Mahi Nesimit.

64 Po aty.

65 Sqarim : asnjë nen i statutit të PPD-së nuk parashikonte një mundësi të këtillë.

66 Kuvendi i katërt i jashtëzakonshëm i PPD u mbajtë në Gostivar, më 8 dhjetor, 1993, sipas procesverbalit të Kuvendit.

67 Po aty.

68 Po aty.

69 Po aty.

70 Informata drejtuar anëtarësisë së gjërë të partisë ka mundur të lexohet përmes mjeteve të informimit publik.

71 Po aty.

72 Teksti i DEKLARATËS POLITIKE të Këshillit të përkohshëm drejtues që u zgjodh në Kuvendin e katërt të jashtëzakonshëm në Gostivar.

73 Komunikata me të cilën njoftohej anëtarësia e gjerë e partisë me vendimet e mara.

74 >>Koha-Flaka e vëllazërimit<<, “ Zbuluam zbulimin shqiptar “, 14 qershor, 1994.

75 >>Zëri<<, Nazmi Maliqi, ish zv. Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë, “ Aferën e armëve e krijuan aventurierët në qeverinë e Maqedonisë “, Prishtinë, 31 dhjetor, 1994.

76 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Zbulimi i vetëvetes “, 15 qershor, 1994.