PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

K o n g r e s i I I PARTISË PËR PROSPERITET DEMOKRATIK 41

K o n g r e s i I

I PARTISË PËR PROSPERITET DEMOKRATIK 41

Me të përfunduar referendumi për Autonominë politike shqiptare në Maqedoni, u mbajt Kongresi i parë i Partisë për Prosperitet Demokratik ( partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni ). Kongresi u mbajt pikërisht, në momentin kur shpërthyen kundërthëniet brenda strukturës drejtuese të këtij subjekti politik. Në këtë Kongres, me të drejtë pritej të përcaktohet platforma e veprimit politik rreth së cilës do të vepronte anëtarësia e gjerë e kësaj partie në periudhën e ardhshme.

Deri në prag të Kongresit, udhëheqja politike kishte bërë një sërë gabimesh politike, që kishin reperkusione të rënda për fatin e popullit shqiptar në Maqedoni. Shteti i ri i posaformuar kishte përfunduar shumë procese kapitale pa përfillur interesin shqiptar: kishte miratuar Deklaratën e pavarësisë, kishte mbajtur referendumin për Maqedoninë sovrane, kishte aprovuar dhe Kushtetutën. Ndërkohë bëheshin përpjekje që Maqedonia të njihet ndërkombëtarisht si shtet i pavarur. Pra, ishte vulosur statusi i shqiptarëve në Maqedoni, si pakicë kombëtare. Subjekti politik shqiptar përpëlitej, me shumë kundërthënie, brenda vetes. I vetmi sukses i tij ishte pjesëmarrja e disa ministrave në qeveri, gjë që nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe politike për interesat kombëtare, sepse ata nuk mund të ndryshonin statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në këtë shtet. Prandaj, logjikisht pritej që udhëheqja partiake e PPD të jepte llogari përpara delegatëve të Kongresit.

Në ekspozenë e kryetarit të PPD, N. Halilit, flitet për themelimin e Partisë për Prosperitet Demokratik, për raportet e partisë me partitë maqedonase, për pjesëmarrjen në zgjedhjet e para shumëpartiake, për moslejimin e funksionimit të kuvendeve komunale të themeluara në Tetovë dhe Gostivar, për përfaqësimin e shqiptarëve në qeveri, për takimet

e shumta me udhëheqësit republikanë, për bashkëpunimin dhe kontaktet me partitë kosovare dhe ato të Shqipërisë …Kur flet për grupin parlamentar, lideri i partisë thotë:

Grupi parlamentar, kryesisht ka respektuar qëndrimet e Kryesisë së Partisë dhe shumë herë qëndrime të ndryshme për çështje vitale janë marrë së bashku. Është e vërtetë se nëpër seanca ka pasur momente të paparapara dhe është dashur aty për aty të merren vendime të rëndësishme ! Në lidhje me autonominë politike, Nevzat Halili, thotë: Në këtë moment aktual politik, populli shqiptar në mënyrë demokratike e shprehu vullnetin e lirë politik dhe paqedashës për autonomi politiko-territoriale në Maqedoni dhe bëri përcaktimin e vet politik. Partia në veprimtarinë e ardhshme politike doemos do ta respektojë këtë vullnet dhe do të japë kontributin e vet për institucionalizimin dhe jetësimin e tij 42.

Në raportin e punës së Kongresit të parë, nuk flitet aspak për kontradiktat brenda organeve drejtuese të partisë, të miratuara nëpër mbledhjet e kryesisë. Gjithashtu, delegatët e Kongresit nuk informohen fare për bisedime me palën maqedonase për pjesëmarrje në qeveri …! Pikërisht, anashkalimi i problemeve dhe kontradiktave të grupeve të ndryshme që vepronin brenda këtij subjekti politik do ta dëmtojnë shumë rëndë partinë, duke çuar kështu në hapjen e problemeve të ndryshme brendashqiptare. Por, për habi, edhe pse në Kongres u shtruan shumica e këtyre temave, sërish u anashkaluan dhe grupet me vizione të ndryshme vazhduan bashkëveprimin mes tyre 43.

Kongresi I i subjektit politik më të fuqishëm të shqiptarëve në Maqedoni, jo vetëm që nuk e përcaktoi opsionin e veprimit të mëtejshëm, por lejoi që edhe më tutje të veprojë politika joparimore ndaj çështjeve të interesit fundamental të shqiptarëve në Maqedoni. Përçarjet vazhduan të intensifikohen në relacionin brenda kryesisë qendrore, mes kryesisë së partisë dhe grupit parlamentar shqiptar, apo mes kryesisë së partisë dhe antarësisë, deri në shprëthimin e vrullit të pakënaqësisë, në vitin 1993.

Kongresi I solli Rezolutën, në të cilën kur flitet për sistemin politik, në pikën dhjetë, thuhet:

PPD njeh integritetin e Maqedonisë si shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve që jetojnë në te. Referendumi për autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni të mbajtur më 11 dhe 12 janar, të vitit 1992, PPD e kupton dhe e pranon si shprehje të lirë të vullnetit politik, andaj është detyrë parësore e PPD që të angazhohet për jetësimin dhe institucionalizimin e tij me mjete demokratike dhe institucionale ”.

Zhvillimet e ardhshme politike do të dëshmojnë se kreu politik i PPD nuk do të angazhohet fare për jetësimin e vullnetit të popullit shqiptar, të shprehur në referendum për autonomi.

Në përfundim të punimeve të Kongresit u zgjodh udhëheqësia e PPD me këtë përbërje:

Nevzat Halili, kryetar

Mitat Emini, sekretar

Sami Ibrahimi, nënkryetar

Mahi Nesimi

Ilir Luma

Mevlan Tahiri

Bexhet Bexheti

Naser Selimi

Zydi Bilalli

Muhedin Bajrami

Mojsi Daci

Arif Qoku

Arif Vinca

Shaban Zendeli dhe

Qenan Hasani.

Subjekti më i fuqishëm politik, tek shqiptarët e Maqedonisë, as në këtë Kongres nuk arriti të hartojë platformën politike, rreth së cilës do të vepronin anëtarët e saj. Këtë e dëshmon edhe koordinatori i grupit parlamentar E. Aliu, i cili pak pas mbajtjes së Kongresit, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë, deklaron: Boshti i veprimit tonë duhet të jetë platforma politike, sepse mungesa e një platforme të tillë shkakton huti në popull” 44. Mungesa e platformës politike krijonte hapësirë për manipulime dhe veprime të papërgjegjshme politike, të cilat shkaktuan konfuzitet, interpretime të ndryshme të vendimeve partiake dhe përçarje në rradhët e organeve të PPD.

Më në fund, duke parë se çështjet politike për të ardhmen e popullit shqiptar kishin marrë tatëpjetë, faktori politik shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, nënshkruan një dokument për inicimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Në këtë dokument shkruhet:

Duke pasur parasysh përbërjen heterogjene shumënacionale dhe konfesionale në Republikën e Maqedonisë, faktin e shpërbërjes të RSFJ dhe krijimin e shteteve të reja, duke respektuar të drejtën e vetëvendosjes së popujve, vullnetin politik të popullit shqiptar në Maqedoni të shprehur në Referendumin e 11 dhe 12 Janarit 1992, në interes të qytetarëve, popullit maqedonas, popullit shqiptar dhe grupeve etnike që jetojnë në R. e Maqedonisë. Konform angazhimit të shteteve të Bashkësisë Evropiane dhe SHBA-së për zgjidhjen paqësore të krizës jugosllave, ne deputetët shqiptarë, si përfaqësues legjitim të vullnetit politik të popullit, për të mos ardhur gjer te regjionalizimi në R. e Maqedonisë – proces tejet i ndijshëm në këtë moment, me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillim të mëtejmë të demokracisë, lirisë, barazisë nacionale dhe zhvillimit më të shpejtë e stabil të Republikës si dhe funksionimin efikas të shtetit të ri modern, juridik dhe social, japim propozim për ngritjen e procedurës për ndryshime në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë45.

Propozim-dokumenti për ndryshime kushtetuese parashihte që:

1. Republika e Maqedonisë të jetë shtet demokratik dhe sovran i qytetarëve, popujve të barabartë – maqedonasve, shqiptarëve dhe grupeve nacionale etnike që jetojnë në te, i bazuar në sovranitetin e qytetarëve dhe barabarsinë e popujve, grupeve nacionale dhe etnike.

2. Në organet shtetërore të caktuara me Kushtetutë dhe Ligj, sigurohet përfaqësim proporcional i popujve, grupeve nacionale dhe etnike që jetojnë në Maqedoni.

3. Gjatë vendosjes për çështjet qenësore për barazinë e popujve dhe grupeve nacionale e etnike, të pamundësohet majorizimi dhe dominimi përmes instrumenteve adekuate juridiko-kushtetuese, respektivisht aprovimit të sistemit parlamentar dy dhomësh – dhoma e qytetarëve dhe dhoma e popujve. Me rëndësi është që përmes dispozitave adekuate të sigurohet barazia e popujve dhe grupeve nacionale e etnike në ushtrimin e funksioneve të Kuvendit Republikan, kuvendeve komunale dhe bashkësive tjera rajonale.

4. Në Maqedoni të garantohet barazia e plotë e gjuhëve dhe shkrimeve të popujve dhe grupeve nacionale e etnike, paraparë me Kushtetutë dhe Ligj.

5. Maqedonia të ketë simbolet shtetërore – stemën, flamurin dhe himnin, të pranueshëm për të gjithë dhe të çveshura nga elementet nacionale dhe politike.Në Maqedoni të garantohet përdorimi i lirë i simboleve nacionale të popujve dhe grupeve nacionale e etnike e rregulluar me Kushtetutë dhe Ligj.

6. Të garantohet dhe sigurohet shkollimi i plotë dhe i barabartë në gjuhën amtare në të gjitha nivelet e shkollimit, sipas nevojës së popujve dhe grupeve nacionale e etnike e rregulluar me Kushtetutë dhe Ligj dhe

7. Të garantohet zhvillim i lirë kulturor, shkencor dhe fetar për të gjithë popujt, grupet nacionale e etnike, në nivel të së drejtës së patjetërsueshme të tyre, për sigurimin e së cilës obligim të veçantë kanë institucionet shtetërore 46.

Por, me kalimin e kohës edhe kjo iniciativë mbeti vetëm ide, sikurse Autonomia politike e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila u anashkalua për t’u harruar përfundimisht. Anëtarsësia e gjerë partiake e PPD dhe shqiptarët në tërësi, e humbën pak nga pak besimin te subjekti më i fuqishëm politik i tyre, PPD, besimin se ajo mund të ndikojë në ndërrimin e statusit politik dhe juridik dhe t’i prijë popullit shqiptar në Maqedoni.

Më 4 shtator 1992, u zgjodh qeveria e dytë shumëpartiake 47. Kësaj radhe mandatari i qeverisë ishte caktuar Branko Cërvenkovski. Subjekti politik shqiptar u përfshi në këtë qeveri si partner i koalicionit. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe ndodhën ngjarjet e “Bit Pazarit” në Shkup. Sipas informatës zyrtare të Ministrisë për Punë të Brendshme, “policia i tejkaloi autorizimet ” 48. Ndërsa, sipas informatës së Partisë për Prosperitet Demokratik, thuhet: “ Fajtor kryesor për këto ngjarje dhe për pasojat tjera është Ministria e Punëve të Brendshme ose një pjesë e saj që është në funksion të forcave që janë në kundërshtim me interesat e Maqedonisë të shprehura në polici, e cila u përlesh me qytetarët e pafajshëm të nacionalitetit shqiptar dhe rrezikoi jetën e tyre dhe integritetin fizik “ 49. Pra, sipas këtij konstatimi faktori shqiptar, pjesëmarrës në qeverinë aktuale, nuk ishte faktor vendimmarrës por vetëm vrojtues i ngjarjeve që zhvilloheshin.

Prapavija e ngjarjeve të Bit Pazarit nuk u ndriçua asnjëherë dhe pyetja se pse i nevojitej ky skenar tragjik strukturës politike të kohës ? Një gjë është e vërtetë, se strukturës sunduese të Maqedonisë i nevojitej kjo ngjarje, për të dëshmuar se “është e rrezikuar” nga shqiptarët, të cilët mund ta destabilizojnë atë. Qëllimi i fundit ishte, përshpejtimi i procesit të njohjes ndërkombëtare.



41 Kongresi i Parë i Partisë për Prosperitet Demokratik u mbajtë më 8-9 shkurt, 1992.

42 Raporti i Kryetarit të PPD, N. Halili, në Kongresin e Parë.

43 Është fjala për grupin që e arsyetonte miratimin e Deklaratës së pavarësisë së Maqedonisë, që e ftoi popullatën shqiptare për të mbështetur Referendumin për Maqedoni sovrane, që nuk e lëshoi sallën e parlamentit me rastin e miratimit të kushtetutës së Republikës së Maqedonisë … dhe grupi tjetër që qëndronte në pozitë të kundërt, që e kundërshtoi miratimin e Deklaratës për Maqedoninë sovrane, miratimin e kushtetutës dhe që angazhohej për zbatimin praktik të Referendumit për Autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni.

44 Procesverbali me nr. 0202-311/1, i datës 24 prill, 1992.

45 Dokumenti me nr. 0202-312, “Propozimi i dy udhëheqësive të partive politike shqiptare, PPD-së dhe PDP-së dhe Grupit parlamentar, për inicim të procedurës për ndryshimin e kushtetutës së RM-së “, 3 maj, 1992. ( Dokumenti i mban vulat e të dy partive )

46 Po aty.

47 Subjekti politik shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik mori pjesë si partner në këtë qeveri.

48 Ngjarjet tragjike në Bit Pazar ndodhën 6 nëndor, 1992, në Shkup.

49 Informata me nr. 0202-375/1, e datës 17 nëndor, 1992.