PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

AUTONOMIA POLITIKE TERRITORIALE E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI Janar 1992

AUTONOMIA

POLITIKE TERRITORIALE E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

Janar 1992

Pas miratimit të një sërë aktesh politike dhe juridike në dëm të interesave kombëtare shqiptare, më në fund faktori politik shqiptar ndërmori një hap të rëndësishëm që kishte vlerë historike, deklarimi plebishitar i popullit shqiptar në Maqedoni, referendumi për autonomi politike të shqiptarëve. Por, është i çuditshëm dhe kundërthënës një fakt që duhet përmendur: derisa nga njëra anë bëheshin përgatitje për referendum, nga ana tjetër përfaqësues të caktuar të Partisë për Prosperitet Demokratik bënte “pazarllëqe” për pjesëmarrje në kabinetin qeveritar 34. Kjo përpjekje lente hapësirë për dyshime lidhur me seriozitetin e nismës për autonominë shqiptare.

Referendumi për autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni u mbajt më 11 e 12 Janar, 1992 35, dhe ishte veprim politik si kundërpërgjigje ndaj injorimit permanent të të drejtave historike dhe të trashëguara të popullit shqiptar që jetonte në trojet etnike të Maqedonisë. Në këtë referendum, shqiptarët në mënyrë plebishitare u deklaruan për pyetjen: ”A janë për autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni ”?. Duhet theksuar se referendumi ishte plotësisht i suksesshëm dhe pritej jetësimi i tij për shpalljen e Autonomisë së popullit shqiptar në Maqedoni.

Në raportin e kryetarit të Kuvendit të Autonomisë, z. Gjyliaz Fejzullait, thuhet:

” Referendumi për autonomi politike teritoriale të shqiptarëve në Maqedoni, u mbajt më 11 e 12 Janar, 1992, në 17 komuna të Republikës së Maqedonisë, në katër Republika të ish Jugosllavisë si dhe në 15 shtete të Evropës Perëndimore, në SHBA, Kanada e Australi … Lista e votuesve, të cilën e përgatitën organet përkatëse të Referendumit, për shkak të kushteve jo aq të favorshme, mbeti e limituar në shifrën prej 383.539 votuesish, prej të cilëve 360.928 sish ose 99.9 % të tyre votuan PËR, kurse KUNDER ishin 57, e pati edhe 307 fletëvotime të pavlefshme. Për këtë referendum në botën e jashtme votuan 74.441 votues, kurse në 4 republikat e ish-Jugosllavisë (Kroaci, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Slloveni), votuan 9.930 sish ” 36.

Zhvillimet e mëtejshme politike nuk do të çojnë në kahje të jetësimit të Autonomisë shqiptare, në rradhë të parë për shkak të kundërthënieve të brendshme të faktorit shqiptar, i cili joshej më tepër kah pjesëmarrja në pushtet se sa drejt rrugës së rëndë për jetësimin e autonomisë.

Edhe përkundër vendimeve të sjellura në organet më të larta të subjektit politik shqiptar për aktualizimin e referendumit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare dhe jetësimin e Autonomisë politike, kjo nuk ndodhi. Kështu, në rrjedhë të zhvillimeve politike për Autonomisë shqiptare, në një nga mbledhjet e subjektit politik, që ishte bartës kryesor i procesit të referendumit, u aprovuan dy qëndrime të rëndësishme :

1. Çështja e autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni të aktualizohet në planin brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe ;

2. Kuvendi për autonomi politiko-territoriale të formojë organet e veta 37.

Por, dokumentet flasin se ka patur dallime të mëdha brenda vetë vetë kryesisë së partisë. Derisa në njërën anë merret vendim për jetësimin e autonomisë politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, në anën tjetër bisedohet për pjesëmarrje në qeveri 38. Tendencat diametralisht kundërthënëse ishin shenjat e para të përçarjes brenda faktorit politik shqiptar (PPD). Zhvillimet e mëtejshme politike dhe voluntarizmat kundërthënëse e dëmtuan rëndë çështjen shqiptare në Maqedoni.

Kështu, përderisa faktori politik shqiptar nuk kishte platformë të qartë politike, struktura politike sllavo-maqedonase, vazhdonte rrugën drejt pavarësisë së Maqedonisë. Më 15 janar 1992, qeveria e Republikës së Bullgarisë e njohu pavarësinë e Republikës së Maqedonisë 39. Ndërsa më 21 dhjetor, 1993, qeveritë e dy vendeve vendosën marrëdhënie të plota diplomatike në nivel të ambasadave 40.

Me kalimin e kohës çështja e referendumit dhe jetësimi i Autonomisë politike të shqiptarëve u anashkalua dhe përfundoi si një prej shumë përpjekjeve të shqiptarëve gjatë të kaluarës së historisë.



34 Dokumenti i Partisë për Prosperitet Demokratik me nr. 0301-262/1, nënshkruar nga sekretari i saj M. Emini, me të cilin informohet kryesia e partisë për bisedat që kishte zhvilluar ai me kryetarin dhe nënkryetarin e qeverisë për kandidatët për ministra dhe zëvendësministra.

35 Vendimin për organizimin e referendumit e kishte sjellur Kuvendi i Autonomisë qysh më 27 dhjetor 1991.

36 Procesverbali i kryesisë së PPD, nr. 1 me nr. 0202-263/1, i datës 23 janar, 1992.

37 Po aty.

38 Dokumenti i kryesisë së PPD që mban datën 20. 07. 1992, propozohet lista e kandidatëve për anëtarë të Qeverisë nga PPD, për postet, Nënkryetar të qeverisë, Ministër për financa, Ministër për punë dhe politikë sociale, Ministër për ekologji, turizëm dhe komunikacion, Zv.ministër për arsim dhe shkencë, Zv. ministër në Ministrinë e jashtme, dhe Zv. ministër për jurisprudencë …

39 Ministerstvo za Nadvoreshni raboti, “ Odnosite i sorabotkata na Republika Makedonija so sosednite zemji “, 4.

40 Po aty.