PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

QEVERIA E EKSPERTËVE

QEVERIA E EKSPERTËVE

Në vitin 1991, në IRJM edhe pse kishin filluar proceset e reja pluraliste, ishin mbajtur zgjedhjet dhe ishte konstituuar parlamenti shumëpartiak, akoma vazhdonte të ishte e pranishme mendësia e vjetër. Qeverinë e re nuk e formuan forcat politike që me votën e lirë kishin fituar zgjedhjet, por u zgjodh një alternativë tjetër, ajo e marrëveshjeve në prapaskenë. Kështu më 20 mars, 1991, u zgjodh qeveria e ashtuquajtur “ e ekspertëve ” me 15 dikastere qeveritare. Përbërja e kabinetit të qeversië së “ekspertëve” kishte këtë përbërje:

Kryetar i qeverisë -Nikolla Klusevi

Nënkryetar -Bllazhe Ristovski

Nënkryetar -Jovan Andonovski

Nënkryetar -Beqir Zhuta

Ministria e mbrojtjes - Risto Damjanovski

Minstria e P.të Brendshme - Jordan Mijallkov

Minstria e jurisprudencës - Gjorgji Naumov

Minstria e P. të jashtme - Denko Malevski

Minsitria e financave - Metodija Toshevski

Ministria e ekonomisë - Stojan Trajanovski

Ministria për zhvillim - Goce Petrevski

Ministria për urbanizëm, ndërtimtari, komunikacion dhe ekologji

-Aleksandër Lepavcov

Minstria për bujqësi, pylltari, dhe ekonominë e ujrave

- Ivan Angelov

M. për punë dhe pol.sociale - Iljaz Sabriu

M. për arsim dhe kult.fizike - Dimitar Dimitrov

Ministria për shkencë - Gjorgji Efremov

Ministria për kulturë - Cvetan Grozdanovski

Ministria për shëndetësi - Perko Kolevski

Ministria për informata - Martin Trenevski

Ministër pa resor - Jane Miloski

- Lubomir Fërçkovski

- Ilija Andonov- Çento

- Alajdin Toska 18.

Duke parë përbërjen e qeverisë së parë shumëpartiake shihet qartë se logjika e politikës së mendësisë së vjetër mbeti e pandryshueshme edhe në rrethanat e pluralizmit. Populli shqiptar në Maqedoni në qeverinë e parë, ishte i përfaqësuar vetëm me një resor, atë të Punës dhe Politikës Sociale, gjë që ishte shumë larg realitetit të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e pushtetit.

Mandatari i qeverisë së parë, Nikolla Klusevi, gjatë ceremonisë së zgjedhjes për kryetar të qeverisë, mes tjerash theksoi: qeveria do të veprojë në mënyrë mbipartiake dhe do të merret me interesat qenësore të qytetarit të Maqedonisë 19.

Si kishte mundësi që në kushte të pluralizmit politik të zgjidhej “qeveri mbipartiake”, dhe e njëjta të kishte mbështetjen e të zgjedhurve të popullit ? Gjithashtu mbeti enigmë për antarësinë e gjerë të partive politike shqiptare fakti se përse qeveritarët shqiptarë u pajtuan vetëm me një pozicion qeveritar dhe si u propozuan ministrat shqiptar ?

Pra, dukej haptazi se sapo kishte filluar manipulimi i madh i kreut politik sllavo-maqedonas me faktorin politik shqiptar, dhe se lojërat e vjetra politike do të zhvillohen në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo do të manifestohet edhe në veprimet e mëtejme politike, deri te miratimi i kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Një nga vendimet më të rëndësishme të qeverisë së Klusevit ishte shpallja e referendumit për sovranitetin e Republikës së Maqedonisë, i cili u mbajt më 8 shtator, 1991 20. Faktori politik shqiptar edhe kësaj rradhe hamendej mes shumë dilemash, duke mos pasur kështu qëndrime të klasës politike shqiptare, e cila s’kishte vizion dhe platformë për shumë çështje fundamentale.

Referendumi për Maqedoni të pavarur u mbajt në rrethana shumë të ndërlikuara politike të krizës jugosllave. Maqedonia, në mënyrë perfide e shfrytëzoi rastin për t’u shpallur e pavarur, pikërisht kur Serbia ishte e preokupuar me luftërat në Kroaci dhe Bosnjë. Serbia në këto rrethana nuk mund të hapte çështjet në Jug (Maqedoni), kur dihet se për këto çështje ishin të interesuara edhe shtetet e tjera ballkanike, por dëshironte t’i amortizojë ato përmes një konference ( në konferencën e Athinës), ndërmjet Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Por, Bullgaria nuk e pranoi këtë dhe konferenca dështoi. Ajo deklaroi se do ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Maqedonisë, duke qenë kështu shteti i parë që e pranoi pavarësinë e saj, por nuk e pranoi kombin maqedonas . Në të vërtetë pranimi i Republikës së Maqedonisë nga Bullgaria ishte një taktikë e saj për shkëputjen e Maqedonisë nga Serbia.

Cili ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar ndaj referendumit që u mbajt për Maqedoninë sovrane?

Fatkeqësisht, në momente vendimtare historike, faktori shqiptar vepronte i pakoordinuar, ad-hoc dhe pa vizion të qartë për çështje të mëdha politike me interes kombëtar për shqiptarët e Maqedonisë. Njohësit e rrethanave politike shoqërore shtronin dilemat e mëdha: çka fitonin shqiptarët nga pavarësia e Maqedonisë ? Konstatimi ishte se nuk fitonin asgjë. Por, disa shkonin aq larg, saqë e arsyetonin pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë referendum. Koordinatori i grupit parlamentar shqiptar, Eshref Aliu, duke arsyetuar daljen e shqiptarëve në referendum për Maqedoninë sovrane dhe duke sulmuar ashpër të tjerët, pa i identifikuar ata, thotë: ” personalisht, jam që të dilet në Referendumin që do të mbahet më 8 shtator, për Maqedoni sovrane dhe të mëvetësishme21.

Nga ana tjetër, në emër të subjektit politik shqiptar, Partisë për Prosperitet Demokratik, sekretari i saj, Mithat Emini, tri ditë para mbajtjes së referendumit i drejtoi një kërkesë Kryetarit të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorovit, nga i cili kërkon që të dalë para opinionit, në mjetet e informimit :

-Rihapjen e paraleleve në gjuhën shqipe për shkollat e mesme;

-Anulimin e dënimeve për punëtorët e arsimit për mbajtjen e evidencës pedagogjike;

-Konstituimin dhe fillimin e funksionimit të kuvendeve komunale të Tetovës dhe Gostivarit, sipas rezultateve të zgjedhjeve;

-Deklaratën e grupit parlamentar të PPD dhe PDP për status të barabartë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë;

-Qëndrimin e kryetarit ndaj kërkesës së shqiptarëve për status të popullit 22.

Në paragrafin e fundit të këtij dokumenti, thuhet se: “nëse i përgjigjeni ( dmth. kryetari), kërkesës sonë, do t’i mundësoni PPD t’i drejtohet antarësisë së vet për dalje në referendum dhe përgjigje pozitive në këtë çështje23.

Mirëpo, duhet theksuar se, kushtet të cilat i parashtroheshin kryetarit të shtetit në mënyrë që populli shqiptar të deklarohej për Maqedoni të pavarur ishin tepër qesharake krahasuar me rëndësinë e madhe politike që kishte referendumi. Nga ana tjetër edhe po të deklarohej kryetari i Republikës, deklarata nuk kishte fuqinë juridike që do të detyronte parlamentin apo qeverinë për t’i realizuar kërkesat. Ishte shumë e qartë se dëshirohej vetëm t’i hidhet pluhur syve opinionit shqiptar. Siç duket, me apo pa vetëdije e ardhmja e shqiptarëve të IRJM-së ishte vënë në ankand.

Përdersisa subjekti politik shqiptar përpëlitej dhe hamendej, klasa politike sllavo-maqedonase e udhëhequr nga Kiro Gligorovi, duke e pasur të qartë se çka dëshirojnë, vazhdonte sjelljen e vendimeve të rëndësishme për të jetësuar shtetin e pavarur sllavo-maqedonas në Ballkan. Njëri nga këto vendime të rradhës ishte sjellja e kushtetutës së IRJ të Maqedonisë.

Aprovimi i Kushtetutës si akti më i lartë juridik i shtetit të Maqedonisë, do të thoshte rrumbullakësim i çështjeve të brendshme juridike të Republikës së Maqedonisë. Në procesin e formimit të shtetit të ri në Ballkan, mbetej vetëm njohja ndërkombëtare e tij.

Si reagoi subjekti shqiptar ndaj miratimit të kushtetutës ?

Edhe kësaj radhe u vunë re kontradiktat brenda vetë faktorit politik shqiptar, sepse për fat të keq, në momentet më vendimtare ai sillej nën nivelin e përgjegjësisë historike. Sipas dëshmive të dokumenteve partiake, kryesia e partisë më të madhe shqiptare së bashku me grupin parlamentar shqiptar kishte miratuar vendimin, citoj: Kushtetuta të mos votohet. Me ç’rast sqarimin do ta japë koordinatori i grupit parlamentar shqiptar dhe do të lëshohet parlamenti 24. Por, çka ndodhi ? Kushtetuta nuk u votua, por asnjë lloj arsyetimi nuk u dha në foltore dhe deputetët shqiptarë nuk u larguan nga parlamenti. Sipas dëshmive të deputetit Mersim Pollozhani, të shprehur në mbledhjen e kryesisë së PPD të datës 20 nëntor, 1991, të mbajtur në Gostivar , citoj: ka pasur edhe kërcënime fizike nëse tregon jashtë se kush çfarë qëndrimi ka mbajtur 25. Vendimet që merreshin në organet drejtuese të subjektit politik shqiptar, jo vetëm që nuk respektoheshin, por ata që i kundërshtonin shantazhoheshin nga individë të caktuar. Ndërsa, nga ana tjetër, përfundimi logjik i mungesës së platformës politike të subjektit shqiptar ishte humbja e shansit historik për kontestimin e shtetit nacional sllavo-maqedonas që krijohej pak nga pak në hapësirën gjeografike të Ballkanit, të banuar me shqiptarë etnikë.

Në prag të miratimit të kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, N. Halilit, deklaroi se:

… pavarësisht se si shkojnë bisedimet rreth kushtetutës, tash për tash, deputetët tanë nuk do të tërhiqen nga Kuvendi. Me fjalë tjera, nuk do të heqim dorë nga forma institucionale e veprimit për realizimin e aspiratave tona kombëtare dhe qytetare. Nëse nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë një zgjidhje e kënaqshme rreth definimit të statusit tonë në kushtetutë, sigurisht që deputetët tanë në momentin solemn të aprovimit të kushtetutës nuk do të votojnë dhe demonstrativisht do ta lëshojnë sallën … 26.

Ndërsa, për strategjinë e veprimit të mëtutjeshëm, lideri shqiptar, thotë:

do t’jua them një mendim që ende është vetëm i imi. Them kështu, sepse ende nuk kemi ndonjë vendim qoftë partiak, qoftë në bazë të ndonjë forme të deklarimit popullor. Fjala është për atë, se së shpejti mund të dalim me kërkesën për autonomi që nuk do ta mohonte tërësinë territoriale të Maqedonisë 27.

Zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme dëshmoi se deklaratat e këtilla ishin vetëm retorikë boshe, sepse nuk do të realizohet as njëra dhe as tjetra.

Kushtetuta u miratua më 17 nëntor 1991. Në preambulën e saj thuhet:

Nisur nga trashëgimia historike, kulturore dhe shpirtërore e popullit maqedonas dhe të luftës shekullore për çlirim nacional dhe social dhe për krijimin e shtetit të vet, e veçanërisht nga tradita juridike-shtetërore të Republikës së Krushevës dhe vendimet historike të ASNOM dhe kontinuitetit juridiko-kushtetues të shtetit maqedonas si Republikë sovrane në Jugosllavinë Federative, prej vullnetit të lirë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në Referendumin e 8 shtatorit 1991, sikurse edhe nga fakti historik se Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohen të drejtat e barabarta qytetare dhe për bashkëjetesë të përhershme të popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë28.

Ndërsa, në kujtimet personale kryetari i atëhershëm i Republikës së Maqedonisë, Gligorovi, lidhur me propozimin për miratimin e kushtetutës drejtuar Kuvendit ( Parlamenti i Maqedonisë), shkruante :

Nisur nga kontinuiteti historik për krijimin dhe afirmimin e shtetit maqedonas dhe në bazë të standardeve civilizuese dhe demokratike të shteteve bashkëkohore evropiane me tradita demokratike parlamentare, Kushtetuta e re duhet të vërtetojë dhe të shfaqë konstituimin e Republikës maqedonase si shtet i së drejtës, demokratik dhe sovran, e cila do të mbështetet në sovranitetin e popullit maqedonas dhe qytetarët e Maqedonisë… Republika e Maqedonisë duhet të ndërtohet si shoqëri multikulturore, në të cilën me kushtetutë do të garantohen të drejtat e kombësive – pakicave nacionale dhe grupeve etnike, duke i respektuar standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare “. Më tej Gligorovi, thotë: “ Ne, patjetër, duhej të sjellim Kushtetutë moderne evropiane, e cila do të korrespondojë me kushtetutat e shteteve me traditë demokratike evropiane, sepse Kushtetuta e RSM ishte trashëguar nga ish Jugosllavia, me disa ndryshime që ishin bërë në raport me pakicat 29.

Duke shqyrtuar propozimin e kryetarit për kushtetutën e Republikës së Maqedonisë shihet mjaft qartë propozimi për konceptin e shtetit. Me anë të tij shkelej rëndë historiku i Maqedonisë, gjaku i popullit shqiptar, të derdhur në luftën antifashiste, shkelej rëndë kushtetuta e vitit 1974, me anë të së cilës populli shqiptar ishte element konstituiv i shtetit. Koncepti i kushtetutës së propozuar për periudhën vijuese u bë gjenerator i krizës në Maqedoni dhe burim i të gjitha mosmarrëveshjeve ndëretnike shqiptaro-maqedonase. Populli shqiptar, në Republikën e Maqedonisë asnjëherë nuk mund të pajtohej me statusin e “pakicës”. “Ekspertët” që hartuan kushtetutën, sipas së cilës sanksionohej shteti nacional sllavo-maqedonas, së bashku me propozuesin kryesor, bartin përgjegjësinë më të madhe historike për shpërthimin e konfliktit shqiptaro-sllavo-maqedonas, që filloi dhjetë vjet më vonë, pikërisht në vitin 2001.

Preambulla e Kushtetutës i anashkalonte të drejtat historike dhe ato të trashëguara, të fituara nga e kaluara me gjakun e popullit shqiptar në Maqedoni, gjatë luftërave kundër Perandorisë Osmane, në Luftën e Dytë Botërore kundër fashizmit dhe të drejtat e fituara në Jugosllavinë socialiste. Preambula e kushtetutës së re i kthente shumë pas shqiptarët e Maqedonisë. Ajo, që në fillim të Kushtetutës përcaktonte karakterin e shtetit nacional sllavo-maqedonas, prandaj shqiptarët domosdo duhej të gjenin një zgjidhje tjetër politike, e cila do të garantonte ardhmëri të sigurtë për qenien e tyre kombëtare.

Nga kjo distancë kohore, lexuesit shqiptar sigurisht i intereson se si, subjekti shqiptar, e arsyetonte miratimin e kushtetutës, sipas së cilës, në planin e brendshëm rrumbullakësohej shteti nacional maqedonas. Për të zbardhur këtë vlenë të analizohen dokumentet partiake. Kështu, në një mbledhje të përbashkët të kryesisë së PPD, së bashku kryetarët e degëve dhe me grupin parlamentar shqiptar të mbajtur në Gostivar (pa praninë e kryetarit të partisë) 30 tri ditë pas miratimit të kushtetutës, pas një debati të gjatë, ishin miratuar këto konkluzione:

  1. Kushtetuta e sjellur në Maqedoni, pasqyron raportin e forcave momentale politike, nuk i plotëson standardet e dëshmuara evropiane për barabarsinë e popujve, por as kërkesat e theksuara nga baza dhe partia, prandaj grupi parlamentar nuk e votoi.
  2. Komisioni kushtetues dhe grupi parlamentar, punën e tyre në procesin e hartimit dhe të sjelljes së Kushtetutës e mbështetën tërësisht në vijën gjenerale të Partisë dhe në programin e saj.
  3. Funksionarët partiakë dhe deputetët duhet ta shtojnë përgjegjësinë dhe të mbajnë më tepër llogari për fjalën publike dhe sjelljen e tyre, me qëllim që ato të vehen në funksion të plotë të realizimit të përcaktimeve programore.
  4. Në të ardhmen puna e trupit parlamentar duhet të jetë e organizuar në baza më profesionale, të kombinohet me Kryesinë dhe të zgjërohet hapsira e veprimit politik. Për mënyrën e veprimit politik të grupit parlamentar të PPD-së, PPD-ja në mbledhjen e parë të ardhshme do ta shtrojë këtë çështje.
  5. Fushatat e ndryshme, letrat dhe peticionet duhet të respektojnë normat themelore të demokracisë dhe kulturës politike, të jenë të argumentuara dhe të mos improvizohen nga individë. Ata të cilët nuk përkojnë me këto mënyra të afirmuara të komunikimit, siç ishte peticioni diskualifikues për grupin parlamentar, duhet të hudhen poshtë.
  6. PPD-ja në përputhje me programën e saj, vazhdimisht do të bëjë luftë politike për rregullimin normativo-juridik të statusit të shqiptarëve si popull i barabartë me popullin maqedonas dhe të tjerët 31.

Disfatat politike të njëpasnjëshme në lëmin e realizmit të interesave kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë nga subjekti politik shqiptar e prishën “harmoninë” brenda vetë faktorit politik shqiptar. Filluan të dalin në shesh dobësitë dhe dallimet e mëdha të grupeve politike dhe individëve që ishin infiltruar në subjektin e ri gjatë konstituimit të partisë së re politike. Qysh prej 31 dhjetorit të vitit 1991, koordinatori i grupit parlamnetar shqiptar, E. Aliu, në një letër të hapur, me titull “Ku e shpien popullin …” 32 i drejtohet kryetarit të partisë, me fjalët: “ … përndryshe si mund të shpjegosh të vetmin fakt se deri tash asnjë mbledhje nuk e ke organizuar si duhet. Asnjë mbledhje nuk e ke udhëhequr me rend dite të formuluar që më parë. Në asnjë mbledhje nuk ke përgatitur konkluza …33

Mungesa e platformës politike dhe kontradiktat tash më edhe publike shkonin në dëm të realizimit të synimeve të popullit shqiptar në Maqedoni.



18 >> Flaka e vëllazërimit<<, “ U zgjodh qeveria e re e Maqedonisë “, 22 mars, 1991.

19 Po aty.

20 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje, 2002, 202.

21 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Të dilet në referendum “, 6 shtator, 1991.

22 Dokument i Partisë për Prosperitet Demokratik, me nr. 0201 – 192/1, i datës 5 shtator, 1991.

23 Po aty, paragrafi i fundit.

24 Procesverbali i mbledhjes së kryesisë së PPD, nr. 0202-235/1, të mbajtur në Gostivar më 20 nëntor, 1991.

25 Po aty, procesverbali me nr. 0202-235/1

26 >>Zëri<<, “ Kushtetuta që nuk pranon shqiptarët dhe kërkesa për autonomi “, 19 tetor, 1991.

27 Po aty.

28Ustav na Republika Makedonija”, Slluzhben vesnik na SRM, Skopje, 17 noemvri, 1991.

29 Kiro Gligorov, “ Makedonija e se shto imame “, 213-214.

30 Sipas procesverbalit del se mbledhjen e ka udhëhequr sekretari i kryesisë së PPD.

31 Konkluzione të sjellura në mbledhjen e zgjëruar të kryesisë së PPD në Gostivar, mbajtur më datë 20 nëntor, 1991.

32 Eshref Aliu ishte koordinator i Grupit parlamentar shqiptar të PPD, Ai i drejtohet me një letër të hapur kryetarit N. Halilit, me titull, “Ku e shpjen popullin … “. Është fjala për tendencat për kundërvënie referendumit për autonomi politike teritoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Më 17 dhjetor 1991, ishte sjellur Vendim (nga Kuvendi për Autonomi), për shpalljen e Referendumit për Autonomi politike të shqiptarëve në Maqedoni.

33 Po aty.