PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

Q E V E R I A P D S H-V M R O-AD

Q E V E R I A P D S H-V M R O-AD

Lufta e Kosovës dhe roli i PDSH-së

Pas rezultateve të zgjedhjeve të treta parlamentare në IRJM u formua qeveria e Georgievskit 11. Këtë qeveri e përbënin tre partnerë të koalicionit: Partia Demokratike Shqiptare, partia VMRO-DPMNE dhe Aleanca Demokratike.

Kjo Qeveri përbëhej prej këtyre dikasterëve:

Kryeministër, - Lupço Georgievski

Ministria e Mbrojtjes, -Nikolla Klusev;

Ministria e Punëve të Brendshme, - Pavle Trajanov;

Ministria e Drejtësisë, -Vllado Kambovski;

Ministria e Punëve të Jashtme, -Aleksandar Dimitrov;

Ministria e Financave, -Boris Stojmenov,

Ministria e Ekonomisë, -Zhanko Çado;

Ministria për Zhvillim, -Miljana Danevska;

Ministria për Urbanizëm, Ndërtimtari dhe Mbrojtjen e Ambientit jetësor,

-Dushko Kadievski;

Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonominë e ujrave, Vlladimir Xhabirski;

Ministria për Arsim dhe Kulturë fizike, -Nenad Novkovski;

Ministria për Kulturë, -Dimitar Dimitrov;

Ministria për Shëndetësi, -Stojan Bogdanov;

Ministria për Punë dhe Politikë sociale, -Bedredin Ibrahimi;

Ministria për Shkencë, -Merie Rushani;

Ministria e Pushtetit lokal, -Xhevdet Nasufi;

Ministria për Informata, -Rexhep Zllatku dhe

Ministrat tjerë : -Georgi Bove,

-Nikolla Gruevski,

-Martin Trenevski,

-Georgi Naumov,

-Radmilla Kiprijanova-Radovanoviq,

-Toni Popovski,

-Adnan Qahil dhe

-Ernad Fejzullahu.

Cila ishte strategjia politike e kësaj qeverie dhe politika e jashtme e saj ?

Pse PDSH-ja u bë partnere në këtë qeveri ?

Nëse analizohet strategjia politike e qeverisë së Georgievskit, nga këndvështrimi i interesit shqiptar, atëherë duhen analizuar dy çështje themelore:

A. Interesi kombëtar i popullit shqiptar që ishte akoma nën robëri (Kosova) dhe

B. Interesi i veçantë i shqiptarëve të Maqedonisë.

Në momentin historik kur u formua qeveria e Georgievskit (fundi i vitit 1998 ), prioritet i politikës shqiptare në IRJM ishte Kosova. Interesi global-kombëtar i popullit shqiptar përputhej me politikën e jashtme të qeverisë së Georgievskit në shumë çështje fundamentale. Ja çështjet për të cilat bëhet fjalë:

1. Qeveria e Georgievskit dëshironte shkëputjen nga çfarëdo lidhje me Serbinë dhe Millosheviqin. Lideri i VMRO dhe kryetari i qeverisë, e pati konsideruar shumë herët Serbinë dhe politikën e saj shumë të dëmshme për interesat kombëtare sllavo-maqedonase. Ai, që në vitin 1991 pati deklaruar se: “Rreziku më i madh për Maqedoninë dhe popullin maqedonas mund të vijë nga Serbia12.

Politika gjenocidale e Sllobodan Millosheviqit bazohej në projektin e Serbisë së Madhe, të hartuar që në shekullin XIX 13, duke iu përshtatur fazës së re historike. Sipas planeve ekspansioniste serbe, synohej ëndrra e kahmotshme: “dalja e Serbisë në Detin Adriatik”. Kjo “ëndërr” serbe mund të realizohej vetëm nëse pushtoheshin hapësirat shqiptare të Kosovës, Maqedonisë Perëndimore, Shqipërisë Veriore dhe asaj të Mesme. Çdo politikë që mund t’u kundërvihej këtyre planeve qindravjeçare të ekspansionizmit serb, ishte në interes të shqiptarëve. Shkëputja e aleancës në mes Shkupit dhe Beogradit, ishte në interes të kombit shqiptar, e në veçanti në interes të Kosovës dhe shqiptarëve të IRJM-së.

2. Qeveria e Georgievskit zhvillonte politikë antikomuniste dhe luftonte për çrrënjosjen e strukturave të vjetra komuniste. Politika e komunistëve jugosllavë ose “Titistëve”, e gjendur nën ndikimin e politikës së qarqeve serbe, kishte më se dyzet e pesë vjet me radhë që dëshmohej si antishqiptare. Gjatë gjithë këtyre viteve, një politikë e tillë shqiptarëve iu kishte shkaktuar dëme të mëdha:

- I kishte përndjekur, duke i shpërndarë nëpër tërë Jugosllavinë, Evropë, Amerikë dhe gjetiu, duke i vënë në pozitë diskriminuese si asnjë popull tjetër në Jugosllavinë socialiste ;

- Përderisa, gjermanët u ndanë si popull, për shkak të fajësisë kolektive për tragjeditë që u kishin shkaktuar të tjerëve, kombi shqiptar në Shqipëri dhe Jugosllavi u nda dhunshëm pas Luftës së Dytë Botërore, pa kurrfarë preteksti, edhe pse shqiptarët morën pjesë aktive në luftën antifashiste, përkrah popujve të tjerë dhe ;

- Shqiptarët në Jugosllavinë e “Titos” edhe pse përbënin popullsinë e tretë në numër në ish-Jugosllavi, nuk mundën të kenë republikën e tyre.

Në Jugosllavinë socialiste ishte ndërtuar një sistem shoqëror që në esencë ishte antidemokratik dhe antishqiptar. Një sistem i ngjajshëm ishte edhe ai që ishte ngritur në IRJM. Kur filluan proceset e reja pluraliste në IRJM, sistemi nuk pësoi reforma rrënjësore, po të kishin qëllim demokratizimin, por vetëm u ndryshua emri i sistemit nga komunist në të ashtuquajtur “demokrat”. Ndaj, ishte më se e nevojshme ç’rrënjosja e strukturave të mendësisë së vjetër, të cilat kishin ndërtuar filozofinë e antishqiptarizmës. Ky proces u arrit me fitoren e strukturave antikomuniste në IRJM.

3. Qeveria e Georgievskit, tërthorazi e njohu Kosovën si fqinjen e pestë të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Në përfundim të luftës së Kosovës, për herë të parë ndodhën takimet në nivel të kryetarëve të qeverive të dy vendeve, kryetarit të qeverisë së IRJM, Lupço Georgievskit dhe kryetarit të qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçit, në Shkup dhe në Prishtinë 14.

Politika e Kosovës, që synonte shkëputjen nga Serbia kishte nevojë edhe për shtytje nga ana e IRJM. Këtë më së miri mund ta bënin strukturat e reja anti-komuniste të këtij shteti. Gjatë periudhës së Jugosllavisë socialiste, Maqedonia si pjesë e Federatës Jugosllave shfrytëzohej si poligon eksperimental i politikës serbe kundër shqiptarëve, prandaj si e këtillë ajo zhvillonte politikë vazale nga Serbia. Gjatë ekzistimit të Jugosllavisë socialiste, Maqedonia dhe Serbia kishin qasje të ngjajshme për çështjen e Kosovës. Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në IRJM, në pushtet u infiltruan mbeturinat e mendësisë së vjetër. Prandaj, edhe pas shpalljes së pavarësisë së IRJM-së, politika ndaj Kosovës nuk ndryshoi aspak. Kjo politikë intrigante, vazhdoi gjatë tërë kohës sa ishin në pushtet Socialdemokratët dhe Kiro Gligorovi. Pas zgjedhjeve të treta parlamentare, me fitoren e strukturës së re politike, politika e mëhershme antikosovare (pro-serbe), ndërroi rrënjësisht. Kjo politikë nuk ishte vetëm në interes të shqiptarëve, por edhe në interes të vetë sllavo-maqedonasve, sepse ajo nuk binte ndesh me politikën e ndjekur nga Bashkësisa ndërkombëtare për Kosovën.

PDSH mori pjesë në qeverinë e Georgievskit për shkak të interesave strategjike kombëtare. Këto interesa mund t’i analizojmë nga dy aspekte: në aspektin e jashtëm dhe në atë të brendshëm.

1. Në planin e jashtëm, PDSH me politikën e saj duhej të ndihmonte çlirimin e Kosovës duke akorduar politikën e Bashkësisë ndërkombëtare dhe ;

2. Në planin e brendshëm, PDSH, duhej të ndikojë në riorientimin e politikës së IRJM dhe të fillojë procesin e ç’rrënjosjes së strukturave të vjetra neokomuniste -antishqiptare, për të filluar procesin e realizimit të aspiratave të popullit shqiptar për barazi në sistem.

Në kohën kur vazhdonte lufta e Kosovës, Partia Demokratike Shqiptare artikuloi drejt kauzën kosovare në rrafshin diplomatik, ndërsa brenda në IRJM pamundësoi krijimin e projekteve dhe infrastrukturës sërbe ose proserbe. Lufta e Kosovës përfundoi me fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj okupatorit serb dhe dështimin e politikës kolonialiste të Millosheviqit. Strukturat ushtarake serbe u dëbuan nga Kosova përfundimisht, duke i dhënë kështu fund episodit të shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Kur bëhen këto analiza për këto ngjarje, nuk mund të mos shtrohen dilemat historike:

- Si do të zhvilloheshin ngjarjet politike dhe ushtarake rreth Kosovës, nëse në IRJM do të qeverisnin Socialdemokratët ?

- Si do të zhvillohej çështja e “korridorit”, për transportimin e kosovarëve ( ideja fashiste e Presidentit Gligorov ) ?

- Si do të zhvilloheshin marrëdhëniet në mes Shkupit dhe Beogradit, nëse Lufta e Kosovës do të ndodhte gjatë qeverisjes së socialdemokratëve ?

- Cilat do të ishin obstruksionet që do t’i bëheshin NATO në IRJM, gjatë Luftës së Kosovës …???

Duke u nisur nga platforma e politikës së Gligorovit, që e konsideronte Kosovën “çështje të brendshme të Serbisë” dhe mosnjohja e saj si “fqinj i pestë” i IRJM-së, është shumë e qartë se politika serbe në IRJM do t’i kishte duart e lira për ngritjen e infrastrukturës pro-politikës së Millosheviqit, kundër NATO dhe kundër Kosovës. Serbët ishin të gatshëm në çdo moment të përhapnin konfliktin, me qëllim që ai të merrte përmasa ballkanike. Në këto rrethana çështja shqiptare, e në veçanti çështja e Kosovës mund të lihej në hije dhe të hapeshin çështje më të mëdha ndërkombëtare. Ky është një përfundim logjik duke pasur parasysh zhvillimet politike të periudhës paraprake, me shumë skenare konfliktuoze, bartës të të cilave ishin socialdemokratët dhe presidenti K.Gligorov.

Meqenëse politika e PDSH bazohej mbi parimet e prioriteteve, por edhe qe faktor i rëndësishëm politik që luajti një rol historik. Politika e saj bazohej mbi parimet e prioriteteve. Në këtë fazë historike për kombin shqiptar, prioritet ishte Kosova, e cila përjetonte momentet më të rënda të historisë së vet. PDSH hyri në qeveri, pikërisht në kohën kur kriza e Kosovës hynte në fazën përfundimtare. Interesi strategjik dhe global shqiptar, për këtë fazë, ishte t’i jepet hapësirë vepruese NATO në IRJM dhe të ruhej qetësia dhe stabiliteti i brendshëm i saj. Partia Demokratike Shqiptare e kreu misionin e vet historik, me përgjegjësinë më të madhe dhe e arsyetoi ekzistimin e vet si formacion i organizuar politik.

Që në janar 1998, pas sinjaleve të para të shpërthimit të luftës në Drenicë, nën organizimin e subjektit politik të PDSH dhe aktivistëve të saj filloi formimi i Shtabeve të Emergjencës në IRJM, të cilat ishin në shërbim të zbutjes së pasojave të luftës që sapo kishte filluar në Kosovë. Detyrat e këtyre mekanizmave ishin të shumëllojshme. Kështu, në momentin kur filloi fluksi i refugjatëve nga Kosova, ky organizim i shkëlqyer pati efekte edhe më të mëdha se sa angazhimi i organizatave të ndryshme humanitare botërore. Të gjithë organizmat ndërkombëtare u befasuan nga niveli i organizimit dhe pjekuria politike e shqiptarëve të IRJM.

Forca motorike dhe organizative e këtij organizimi perfekt, që tërësisht ishte vënë në shërbim të çështjes më madhore kombëtare, çështjes së Kosovës, ishte PDSH. Nga ana tjetër, PDSH duke qenë partnere e koalicionit qeveritar, pati platformë të qartë për artikulimin e drejtë të interesit shqiptar në IRJM, gjë që kishte munguar më herët. Ky partneritet qeveritar, krahas çështjes së Kosovës, ndikoi dukshëm edhe në qetësimin e marrëdhënieve ndëretnike, në të gjitha qendrat e banuara me shqiptarë në IRJM. Duke qenë se shqiptarët gjatë tërë periudhës së Jugosllavisë socialiste dhe periudhës së sistemit shumëpartiak njohën vetëm shtypjen në të gjitha sferat e jetës, u erdhi mundësia që pas zgjedhjeve të treta parlamentare për herë të parë fillojnë t’i realizonin disa nga të drejtat e tyre kombëtare.



11 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 58, “ Odluka za izbor na vlladata na Republika Makedonija “, 1 dekemvri, 1998.

12 >>Zëri<<, “ Serbia është armiku më i madh “, 28 shtator, 1991.

13 “Naçertania” e Ilija Garashaninit.

14 K. Gligorov, Makedonija e se shto imame, vtoro izdanie, Skopje 2002, 463.