Zeqirja Rexhepi

PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

P A R A T H Ë N I E

Libri që keni në dorë synon të pasqyrojë zhvillimet politiko-shoqërore në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në veçanti veprimtarinë e Partisë Demokratike Shqiptare. Duke qenë pjesëmarrës aktiv dhe i drejtpërdrejtë i zhvillimeve politike që kanë ndodhur, jam përpjekur të trajtoj një varg analizash rreth çështjeve të ndryshme, të karakterit politik.

Dalja në dritë e këtij libri ka tre qëllime kryesore:

1. Të pasqyrojë ngjarjet politike të kohës, duke përfshirë raportet brenda faktorit politik shqiptar dhe raportet politike shqiptaro-maqedonase, që nga momenti i përpjekjes për formimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë;

2. Të nxisë kritikën e mirëfilltë intelektuale brenda klasës politike shqiptare, për çështjet politike të kohës, me qëllim të unifikimit të premisave fundamentale të politikës shqiptare në IRJM, ku mbi të gjitha do të vijë në shprehje interesi kombëtar dhe ;

3. Të pasqyrojë veprimtarinë e Partisë Demokratike Shqiptare, në kontekst të zhvillimeve politike të kohës, faktografinë për avansimin e pozitës së shqiptarëve në sistem dhe rolin historik të saj në kohën e “Krizës së Kosovës”.

Në këtë libër është analizuar edhe periudha e kryengritjes së armatosur shqiptare të vitit 2001, si dhe zhvillimet e kombinuara politiko-diplomatike dhe ushtarake të faktorit shqiptar, duke e përmbyllur atë me marrëveshjen shqiptaro-maqedonase në Ohër.

Jam i vetëdijshëm se mund të ketë edhe mjaft ngjarje të rëndësishme pa u përmendur, të cilat mund të plotësohen në periudhën e ardhshme. Megjithatë, dalja në dritë e këtij libri është një përpjekje dhe nxitje për shkrime të temave të këtilla, të cilat do ta pasuronin kritikën intelektuale shqiptare për çështjet politike.

Autori

H Y R J E

Procesi i shthurrjes së Jugosllavisë socialiste u përshkrua me “orekse” për territore nga popujt më të fuqishëm brenda kësaj federate. Serbët shfaqën “orekset” territoriale për Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Ndërsa, maqedonasit * nuk kishin potencial ushtarak për të plotësuar “orekset”, por ata përpiqeshin të krijojnë shtetin e tyre nacional edhe në hapësirat e banuara me shumicë shqiptare.

Në vitet 90-të shekullit XX, Evropën Lindore dhe Juglindore e kaploi kriza më e thellë pas Luftës së Dytë Botërore. Ra sistemi komunist e me këtë edhe Pakti i Varshavës, si mekanizëm që mbante me forcë aleancën politike dhe ushtarake në mes Evropës Lindore dhe BRSS. Ndryshimet e mëdha politiko-shoqërore në vendet e Evropës Lindore u reflektuan edhe në Jugosllavi, në të cilën krahas reformave në sistem, ndodhi edhe shthurja e shtetit.

Çështja shqiptare asnjëherë nuk ishte shtruar për t’u zgjidhur, si problem i veçantë në Jugosllavinë socialiste. Ndryshimet “kozmetike” që kishin ndodhur kohë pas kohe, përfshinin vetëm Kosovën. Hapësirat e banuara me shqiptarë, në ish Jugosllavi, ishin ndarë në katër njësi administrative, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Propaganda jugosllave, zhurmshëm, afirmonte idenë e barazisë nacionale dhe të vëllazërim-bashkimit, edhe për kundër faktit se shqiptarët si popull as për së afërmi nuk gëzonin të drejtat e shpallura kombëtare, edhe pse sipas numrit të përgjithshëm përbënin popullin e tretë, pas serbëve dhe kroatëve. Rrënia e sistemit komunist dhe shthurja e Jugosllavisë, u përshëndet pothuajse nga të gjithë shqiptarët e atij shteti si një “e keqe” që duhej flakur. Ishte ky një moment i shumëpritur për çlirimin nacional nga shtypjet aventuriere të aparateve shtetërore sllave: serbe, malaziase dhe maqedonase.

Në këtë proces, Maqedonia ishte një problem në vete. Në kuadër të Jugosllavisë, në Maqedoni ishte eksperimentuar politika diskriminuese serbe kundër shqiptarëve, e cila do të gjente zbatim edhe në hapësirat e tjera shqiptare. Vështruar nga aspekti historik, në sikurse shqiptarët edhe maqedonasit, ishin të shtypur njësoj nga pushtues të huaj, si edhe nga vetë politika serbe, gjatë kohës së Mbretërisë së Jugosllavisë. Ndërkaq, gjatë luftërave për çlirim nacional, maqedonasit qenë ndihmuar nga shqiptarët (në kohën e kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës). Gjatë Luftës së Dytë Botërore sllavo-komunistët u përpoqën që përmes frymës së luftës së përbashkët antifashiste dhe “vëllazërim-bashkimit”, të përçajnë popullatën shqiptare, duke iu kundërvënë kështu përpjekjeve për çlirimin nacional të shqiptarëve. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë, politika sllavo-komuniste shumë shpejt u demaskua përmes diskriminimit të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës. Marrëdhëniet u ashpërsuan, sidomos pas ngjarjeve revolucionare të pranverës së vitit 1981, në Kosovë dhe në hapsirat tjera shqiptare. Gjatë kësaj periudhe politika maqedonase hidhte vallen e njëjtë me politikën naciste serbe. Maqedonia dhe strukturat e saj politike paraprinin në proceset e diferencimit ndaj shqiptarëve. Në Maqedoni zhvilloheshin format eksperimentale të politikës antishqiptare, ku diskriminimi i shqiptarëve mund të vërehej në çdo fushë të zhvillimit të shoqërisë. Rruga e vetme e mbijetesës, për shqiptarët e Maqedonisë ishte kurbeti. Diferencimet ideo-politike të atyre pak shqiptarëve të arsimuar zhvilloheshin në përmasa shqetësuese.Të gjithë këta procese antishqiptare zhvilloheshin nga një strukturë politike e quajtur-Partia Komuniste Jugosllave, nën zhurmën e fuqishme të propagandës së “vëllazërim-bashkimit” të popujve.

Maqedonia, në prag të shpalljes së pavarësisë, ndeshej me dy probleme: problemi i parë ishte raporti i jashtëm ndaj republikave të tjera të Jugosllavisë dhe shteteve fqinje, Bullgarisë dhe Greqisë dhe i dyti ishte problemi i brendshëm, raportet ndëretnike në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për problemin e brendshëm zyrtarët maqedonas vinin në pah parimet evropiane, ndërsa në praktikë zbatonin mënyrat ballkanike të zgjidhjes së problemit.

Në Maqedoni zhvillohej luftë permanente në mes dy koncepteve politike për shtetin : konceptit unitarist-etnocentrik, i ngjashëm me atë serb dhe atij multietnik. Konceptin e parë e përfaqësonin strukturat politike maqedonase të ish-Lidhjes Komuniste të kryesuar nga Gligorovi, ndërsa të dytin e përfaqësonin subjektet politike shqiptare, por pa ndonjë ofertë konkrete të koordinuar dhe të qartë.

Në hapësirën gjeografike të Maqedonisë gati gjysma e popullatës është jo-sllave dhe jo-maqedonase, ndër të cilët bindshëm numerikisht shumicë janë shqiptarët. Në fakt, Maqedonia, për nga përbërja nacionale është një “mini Jugosllavi” multietnike. Por, edhe përkundër këtij fakti, struktura politike maqedonase përpiqej që përmes proceseve të reja pluraliste, që lindën në vitin 1990, të ndërtojë konceptin e shtetit nacional sipas parimit serb, >>një njeri - një votë<<. Protagonistët kryesorë të këtij koncepti të shtetit ishin grumbulluar rreth platformës së ish-Lidhjes Komuniste, të reformuar nën emrin e ri, Lidhja Komuniste – Partia për Transformim Demokratik dhe udhëhiqeshin nga Presidenti Kiro Gligorov. Ideologët e këtij koncepti në vazhdimësi injoruan të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe kështu artificialisht krijuan antagonizma politike dhe ndëretnike. Koncepti i tillë i shtetit unitarist dhe etnocentrik mbolli farën e kundërthënieve ndëretnike dhe shpërthimin e konfliktit shqiptaro-maqedonas.

Dalja në skenë e pluralizmit politik imponoi nevojën e transformimit të ish- Lidhjes komuniste, e cila në IRJM ndërtoi doktrinën politike që mbështetej mbi konceptin e “Oazës së paqes” dhe të “bashkëjetesës” (Sozhitelstvo)* në shtetin e posaformuar. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ofrohej si model në gjithë botën për zgjidhjen e çështjeve ndëretnike. Në të vërtetë, praktika dëshmoi se refrenet e këtilla fshihnin në vete regjimin e egër, policor dhe nacionalist maqedonas. Makineria propagandistike që ishte në shërbim të nacionalizmit “gligorovian”, arriti të përcjellë në arenën ndërkombëtare të “vërtetën” e njëanëshme, duke lënë nën hije çështjen shqiptare, me retorikën e bukur të “bashkëjetesës”, në Maqedoni.

Se sa radikale ishte politika nacionaliste dhe etnocentrike e Gligorovit, mund të vërtetohet edhe nga fakti se, në momentin kur Bashkësia ndërkombëtare ishte e përqëndruar tek luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, atëherë , nën maskën e “oazës së paqes”, në Maqedoni përgatiteshin kurthe sipas nevojës momentale të politikës ditore, për të krijuar imazhin negativ ndaj shqiptarëve si kriminelë, klandestinë, destabilizues të rajonit apo fundamentalistë islamikë. Pra, kjo politikë antishqiptare ishte në funksion të krijimit të imazhit të keq për shqiptarët në tërësi dhe në veçanti për shqiptarët etnik të Maqedonisë.

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, më 17 Nëntor 1991, mënyra tradicionale e mospërfilljes së skajshme të kërkesave të shqiptarëve, kundërthëniet ndëretnike, sjelljet brutale të organeve policore, diskriminimi në arsimim, kulturë, art, punësim, etj. pak nga pak i keqësoi edhe më tepër marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara ndëretnike duke prodhuar konfliktin e armatosur, të vitit 2001.



* Sqarim : kur përmenden maqedonasit, duhet të kuptohet popullata sllavo-maqedonase, e cila synon në vazhdimësi të maqedonasve antik.

* “Sozhitelstvo” (bashkëjetesë) ishte refreni që është dëgjuar më së shumti nga Kiro Gligorovi, përderisa ai ishte president i Maqedonisë në vitet 1991-1998.

KAPITULLI I PARË

HISTORIKU I MAQEDONISË
( MAQEDONIA NGA E KALUARA HISTORIKE E DERI NË KOHËN MË TË RE )