PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

K o n g r e s i II i PPD – n d a r j a 77

K o n g r e s i II i PPD – n d a r j a 77

Pas formimit të Këshillit të Përbashkët për Përgatitjen e Kongresit”, anëtarësia sikur u qetësua, edhe pse ishte tepër e shqetësuar nga kundërthëniet dhe sulmet që i bëheshin rrymës së re politike nga elementët e rrymës së vjetër, të cilët donin me çdo kusht të uzurpojnë partinë dhe të vazhdojnë me politikën tradicionale.

Në mbledhjen e parë të Këshillit të përbashkët u zgjodhën komisionet që do të merreshin me përgatitjen e Kongresit. Më 7 Shkurt 1994, në prag të mbajtjes së Kongresit, në Tetovë, u mbajt mbledhja e dytë e Këshillit të përbashkët 78. Në këtë mbledhje u shqyrtuan propozim - dokumentet dhe raportet e komisioneve për përgatitjen e Kongresit. Poashtu, u miratua projektprogrami për Kongresin dhe u hartuan kriteret për përfaqësimin e delegatëve. Sipas vendimit, Kongresi duhej të kishte gjithësej 244 delegatë 79. Por, në momentin kur mendohej se shumë gjëra kanë marrë të mbarën, lindi edhe diçka tjetër që shkaktoi pakënaqësi. Disa anëtarë të Këshillit ( N. Zyberi, I. Ramadani, A. Aliti, S. Avziu dhe R. Sulejmani), këmbëngulnin që në Statutin e partisë të futet një nen, sipas të cilit deputetët dhe ministrat, me automatizëm, pa kaluar procedurën e zgjedhjes nëpër Kuvende të degëve, të bëhen anëtarë të Kuvendit Qendror të partisë. Por, një gjë e këtillë nuk u pranua nga shumica e anëtarëve të Këshillit të përbashkët për përgatitjen e Kongresit. Kjo tentativë ishte shkas që grupi i lartëpërmendur e lëshoi mbledhjen, megjithatë, Këshilli e vazhdoi punën, i miratoi të gjitha projekt-dokumentet dhe propozimin për Kryesinë e punës që do të udhëhiqte Kongresin e përbashkët 80.

Më 12 Shkurt, 1994, ashtu siç ishte e paraparë, me vonesë prej një ore, u hap solemnisht Kongresi i parakohshëm i Partisë për Prosperitet Demokratik. Në punimet e Kongresit merrnin pjesë:

- Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Tritan Shehu;

- përfaqësuesi i Partisë Republikane të Shqipërisë;

- kryetari i Partisë Demokratike Popullore, Iljaz Halimi;

- kryetari i Forumit për të drejtat e njeriut, Milaim Fejziu;

- anëtari i Qeverisë së Kosovës, Muhamet Bicaj;

- Kryetari i qeverisë së Kosovës, Bujar Bukoshi i dërgoi Kongresit telegram përshëndetës 81.

Punën e Kongresit e shpalli të hapur Refik Dauti, anëtar i Këshillit për përgatitjen e Kongresit dhe kryetar i degës së partisë në Gostivar. Në fjalën e hapjes, ai tha se: “ Ky do të jetë Kongres i rikthimit të besimit, e njëherit po mbahet në kohën kur dikush ka menduar se jemi të alivanosur politikisht “ 82. Ai, pasi i përshëndeti të pranishmit, propozoi Kryesinë e punës që e udhëhoqi Kongresin, në përbërje:

Mitat Ramadani (dega e Gazi Babës),

Ismail Dardhishta (dega e Qendrës-Shkup),

Reshat Latifi (dega e Kumanovës),

Menduh Thaçi (dega e Tetovës),

Aliriza Lloga (dega e Strugës),

Shazim Memeti (dega e Gostivarit) dhe

Sejdin Abazi (dega e Kërçovës), i cili refuzoi të marrë pjesë në Kryesinë e punës.

Ndërkohë, një pjesë e ministrave dhe deputetëve duke u kapur pas çështjeve të parëndësishme statutare, dolën nga Salla e Pallatit të kulturës, ku ishte caktuar të mbahej Kongresi i Dytë i parakohshëm i PPD. Këtij grupi iu bashkëngjitën edhe një pjesë e vogël e delegatëve të Kongresit nga degë të ndryshme. Komisioni verifikues informoi të pranishmit se nga 244 delegatë të Kongresit, në sallën e Pallatit kishin ngelur 166 delegatë, prej të cilëve 125 të zgjedhur nga Kuvendet e degëve dhe 21 nga degët e diasporës. Gjithashtu, në Kongres merrnin pjesë edhe 14 kryetarë degësh ( nga 17 kryetarë që ishin gjithësej ) dhe 44 anëtarë të Kuvendit Qendror të përparshëm nga 55 gjithsej. Duhet theksuar se në Kongres vazhduan punën edhe deputetët : Mersin Pollozhani, Hysni Shaqiri, Nexhati Xhaferi dhe Zudi Emini 83.

Raportin e punës midis dy Kongreseve e mbajti anëtari i Këshillit për përgatitjen e Kongresit dhe kryetar i degës së partisë, në Tetovë, Menduh Thaçi. Në vlerësimin kritik të aktivitetit të udhëheqësisë partiake, ai mes të tjerash tha:

në dimensionin e brendshëm, shqiptarët ashtu si më parë nuk mund të ndikojnë në çështjet sistemore, në rregullimin shtetëror dhe në pozitën e tyre në sistem. Vendimet politike dhe të tjerat janë qendërzuar, komunat kanë kompetenca ceremoniale, ndërkaq shqiptarët në Kushtetutën e re e kanë statusin e pakicës”. Rreth fërkimeve në partinë më të madhe shqiptare në Republikën e Maqedonisë, Thaçi tha se dorëheqja kolektive e Kryesisë ishte një akt përfundimtar i një politike që nuk arriti t’i realizojë objektivat programore84.

Pas një sërë diskutimesh të delegatëve vihej re mllefi i madh i grumbulluar për dështimet e mëdha të udhëheqjes politike shqiptare, në IRJM. Nga shumica e delegatëve të Kongresit u theksua se: pozita e margjinalizuar e shqiptarëve në sistem, mossukseset për të bërë ndryshime të sistemit, pjesëmarrja pa platformë në qeverinë e koalicionit dhe pa kushtin shqiptar, mosjetësimi i autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve në IRJM dhe lëshimet tjera serioze politike, ndikuan drejtpërsëdrejti në disfavor të interesave të popullit shqiptar në këtë shtet.

Punimet e Kongresit që filluan me 12 shkurt zgjatën deri në orët e para të 13 shkurtit, 1994. Në përfundim të punimeve u miratuan dokumentet dhe Deklarata politike e Kongresit të parakohshëm, në të cilën thuhet:

Tendosjet, diku edhe konfliktet tragjike në shtetet ish komuniste janë pasojë e një koncepti të gabueshëm të ndërtimit të shoqërisë. Monizmi të hiqet nga skena historike me inskenime të përgjakshme. Tentohet që një doktrinë të zëvendësohet me një tjetër: komunizmi, si një variant i ekskluzivitetit ideor duhet t’ia lëshojë vendin nacionalizmit. Kjo strukturë mentale e kundërshton shumësinë e ideve, kulturave, religjioneve. Pastrimet makabre etnike aspak nuk dallohen nga ato të kundërshtarëve ideologjikë. Komunistin e dikurshëm, të stimuluar në të gjitha segmentet e jetës, duhet ta zëvendësojë pjesëtari i kombit primar. Të tjerët, që nuk pajtohen me këtë pozicionim, i pret Gullaku i ri, ekzodi, apo në variante më të buta, getoizimi. Kosova dhe Bosnja janë variacione të së njëjtës temë.

Jugosllavia u shkatërrua, ngaqë s’e përballoi sfidën e pluralitetit. U demontua në njësi të popujve primarë, shtetformues. Konflikti plasi në zonat ku ndesheshin aspiratat e popujve primarë, ndërkaq në ato zona të popujve sekondarë, u zbatua represioni i egër. Për ta evituar këtë projekt të dominimit, Kosova, njëra nga tetë konstituentët e ish Jugosllavisë me referendum u përcaktua për pavarësi. Me shkatërrimin e Jugosllavisë, substanca shqiptare u thërrmua edhe

Arbën Xhaferi – kryetar i PPD i zgjedhur në Kongresin e Dytë të parakohshëm, të mbajtur në sallën e Pallatit të kulturës në Tetovë

më shumë. Komunikimi intern i njerëzve, ideve, mallërave dhe vlerave të tjera u bë i pamundshëm. Barierat që janë vënë kanë funksion të pengimit të interaksionit shqiptar. Politikisht ato funksionojnë si simbole të koncepteve moniste.

Në Shqipëri pluralizmi fitoi. Shumësia e ideve, religjioneve kanë marrë forcën e kultit kombëtar. Sistemi politik ndërtohet mbi këto parametra. Shqipëria është alternacioni pozitiv i Bosnjës, atje pluralizmi e forcon shtetin dhe qenien shpirtërore të njeriut. Atje botërat nuk ndahen, por bashkohen.

Në Maqedoni, poashtu, ndodh tranzicioni, ndonëse me ecejake që ngrisin tensionet. Në Maqedoni ekziston gatishmëria që të pranohet pluralizmi, por në varianta provinciale. Maqedonia sot tenton t’i bashkohet botës së civilizuar, por me bagazh të vjetër. Shqiptarët me kushtetutën e saj janë spostuar në pozicionin sekundar. Edhe sistemi i ri që ndërtohet e ndjek këtë vijë. Në të gjitha segmentet e pushtetit vërehen mekanizma sistemore që e avansojnë ose e garantojnë pozicionin primar të një kolektiviteti. Pushteti, në këtë shtet, nuk është në proporcion me strukturën e popullsisë dhe çdo tentativë për përmirësim të këtij disproporcioni pengohet me aplikimin e standardeve të dyfishta. Ladorishta, Bit Pazari dhe afera e armëve janë raste më drastike të zbatimit të standardeve të dyfishta. Me këto demonstrime të forcës së popullit primar, tentohet të restaurohen raportet e vjetra në sistem, tentohet të mbahet gjallë mekanizmi i pretekstit për disciplinim të atyre që synojnë balansimin në sistem. Këtu edhe një variant i butë i politikës proshqiptare paraqitet si radikalizëm, për të stimuluar kështu në vazhdimësi oportunizmin. Por, raportet në sistem nuk mund të ndërrohen, po qe se nuk merret një pozicion i vendosur në negociata. Kompromiset, marrëveshjet që sot bëhen lidhur me sasinë dhe cilësinë e represionit janë, sa të dëmshme, po aq edhe joproduktive. Me to vazhdohet agonia, mbahet gjallë mekanizmi i pretekstit, sanksionohet pozicioni i fajtorit konstant, i inferioritetit që pengon ndërrimet strukturale.

Pranimi dhe afirmimi i Maqedonisë duhet të kushtëzohet me pozitën e shqiptarëve në sistem. Në këtë kohë të tranzicionit nuk duhet lejuar që ideologjinë komuniste ta zëvendësojë një variant sado i kamufluar i nacionalizmit, që në sistemin politik vendos mekanizma për stimulimin e popullit primar dhe destimulimin e popullit sekundar, të perceptuar edhe si rrezik për formacionin shoqëror. Këtë kushtëzim duhet ta artikulojë, me kode të kuptueshme politike Partia për Prosperitet Demokratik. Platforma e saj është pluralizmi i ideve, kulturave, religjioneve. Pa mekanizma sistemore, institucione politike, arsimore, kulturore, etj, pluralizmi do të jetë deklarativ, që gjithnjë e më tepër do ta tensionojë situatën në regjion. Për PPD-në në pluralizëm, qarkullimi i lirë i njerëzve, ideve, mallrave, toleranca nacionale, fetare ka rëndësi strategjike. Së këndejmi, ajo do të angazhohet që në Ballkan të hiqen të gjitha barierat që pengojnë komunikimin85.

Gjithashtu, u zgjodh organi drejtues i Partisë për Prosperitet Demokratik, KUVENDI QENDROR, i cili sipas statutit zgjodhi Kryesinë e re në përbërje:

1. Arbën Xhaferi 86 -kryetar

2. Menduh Thaçi -nënkryetar

3. Shazim Memeti -nënkryetar

4. Nexhibe Palloshi -nënkryetar

5. Sefedin Duka -sekretar

6. Bilall Lutfiu

7. Gazi Mustafai

8. Shezo Zenku

9. Mitat Ramadani

10.Ismail Dardhishta

11.Esad Dehari

12.Vibar Hani

13.Muhamer Sabriu

14.Muharem Nexhipi

15. – nuk u zgjodh anëtari nga Kërçova, por vendi do të plotësohet më vonë.

Kongresi unanimisht zgjodhi kryetarin, tre nënkryetarët dhe sekretarin si dhe anëtarët e propozuar të kryesisë nga Kuvendi Qendror.

Kryetari i posazgjedhur i Partisë për Prosperitet Demokratik, Arbën Xhaferi në fjalën e rastit para delegatëve tha:

Këtë detyrë të vështirë dhe me përgjegjësi të madhe e mora me një brengë për shumë shkaqe, por do të përmend vetëm disa: detyra e kryetarit të partisë vjen në një kohë kur shumë procese politike kanë marrë fund. Kanë marrë fund për shak se shumë aspekte si në kushtetutë dhe pranimi i disa shteteve kanë ngushtuar hapësirën e veprimit politik. Mirëpo kjo, megjithatë shton motivin për punë dhe shpresoj se ka hapësirë se mund të ndryshohen shumë gjëra. E dyta, për shkak se këtu sonte ndodhi një përçarje që s’kishte nevojë dhe ndodhi një përçarje për shkaqe, të them, procedurale. Ne gjithmonë përçahemi për çështje të vogla e jo për platforma programore. Kur e aprovuam programin të gjithë ishim unanimë dhe të gjithë ishim njëmend që të punojmë për atë program. Unë me siguri nuk mund t’ju premtoj shumë, por do të premtoj se Partia nuk do të jetë në shërbim të personave që e drejtojnë atë, por ne, me siguri edhe unë, do të jemi në shërbim të Partisë 87.

Me zgjedhjen e udhëheqësisë së re politike, në krye me Arbën Xhaferin, partia më e madhe shqiptare në IRJM, PPD e ndërroi rrënjësisht kursin e veprimit politik. Ajo kaloi nga politika mbrojtëse në ate sulmuese, duke mobilizuar masat e gjëra popullore shqiptare, me shpresë se do të rikthehet koha e humbur.

Gjatë ditës kur në sallën e Pallatit të kulturës në Tetovë, zhvilloheshin punimet e Kongresit të parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik, u mor vesh se të “pakënaqurit” që u larguan nga Salla e Pallatit të kulturës, ishin grumbulluar në Sallën e vogël të Komunës së Tetovës dhe ia kishin filluar punës për mbajtjen e një Kongresi paralel të improvizuar. Në “Kongresin e improvizuar”, në Sallë të Komunës së Tetovës, gjithashtu u zgjodhën organet partiake, Kuvendi qendror, Kryesia dhe kryetari i saj, Xheladin Murati. Përfundimisht, u nda partia më e madhe shqiptare në Republikën e Maqedonisë 88.

Më 16 shkurt, 1994, në zyrat e Kryesisë së PPD të zgjedhur në Kongresin e ligjshëm që u mbajt në Pallatin e kulturës, u dorëzua dokumenti i gjyqit , në bazë të kërkesës së pjesës tjetër të PPD, sipas së cilës kërkoheshin vulat e partisë dhe çelësat e zyrave. Por, në fakt, kjo ishte ndërhyrja e hapur e organeve të pushtetit në punët e brendshme të një partie shqiptare. Ndërhyrjet e këtilla shkaktuan përçarjen e madhe të shiptarëve në dy grupe: në të “moderuar” dhe “radikalë”. Në grupin e parë bënin pjesë ata që donin të ruajnë me çdo kusht vijën e vjetër politike, ndërsa të dytët, konsideroheshin të gjithë ata që donin ndryshime dhe që përkrahnin kursin e reformave shoqërore në IRJM.

Por, diçka mbeti e qartë si dita, se “rryma e vjetër” kishte mbështetjen totale të strukturave të regjimit të socialdemokratëve, të cilit edhe i shërbente me besnikëri dhe si e këtillë ajo do të njihet si “legjitime” në veprimtarinë e mëtejshme politike në IRJM, duke uzurpuar emrin e PPD. Ndërsa, “rryma e re” që u zgjodh nga anëtarësia e gjërë partiake e PPD në Kongresin e Pallatit të kulturës, aty ku ishte caktuar vendi i mbajtjes së Kongresit, iu mohua legjitimiteti përmes mekanizmave juridik, që kontrolloheshin nga socialdemokratët sllavo-maqedonas dhe filiali i tyre shqiptar që edhe në kushtet e pluralizmit politik, dëshironin me çdo kusht të vazhdojnë me politikën e status-quo-së.

Pas përfundimit të Kongresit të dytë të parakohshëm dhe ndarjes së partisë, ish- kryetari i PPD, N. Halili, doli me një letër të hapur, me titull “ Quo vadis, Shqipëri “ ?! 89. Fatkeqësisht, në këtë letër ish-kryetari i partisë më të madhe të shqiptarëve të IRJM, fajëson Shqipërinë për ndarjen e partisë, në vend që të fajësojë strukturën politike sllavo-maqedonase që përgatisnin kurthe kundër shqiptarëve.



77 Kongresi i ndarjes u mbajt më 12-13 shkurt, 1994, në Tetovë.

78 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Cila PPD është legjitime “, 25 shkurt, 1994.

79 Po aty.

80 Po aty.

81 Procesverbali i Kongresit të Dytë të parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik.

82 Po aty.

83 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Ndarje definitive “, 13 shkurt, 1994.

84 Po aty.

85 “ Deklarata politike “ e Kongresit të Dytë të Parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik.

86 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Ndarje definitive “, 13 shkurt, 1994, “Biografi e shkurtër e Arbën Xhaferit”, Arbën Xhaferi u lind në vitin 1948, në Tetovë, Gjimnazin e kreu në vendlindje, ndërsa studimet në Fakultetin Filozofik-Prishtinë. Deri në përjashtimin nga puna, punoi gjashtëmbëdhjetë vjet në Televizionin e Prishtinës, ku një kohë të gjatë ishte redaktor i programit të kulturës. Është marrë vazhdimisht me shkrime dhe është bërë i njohur me krijime publicistike, ku i ka paraqitur qëndrimet e veta intelektuale për shumë çështje, ngjarje, fenomene, etj. Në postin e kryetarit të PPD-së vjen si i deleguar nga Dega e Tetovës.

Shënim plotësues : Arbën Xhaferi në moshën 20 vjeçare ka qenë njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, në Tetovë. Studimet e Filozofisë i ndoqi në Beograd. Më pas, është vendosur në Prishtinë, ku punoi si redaktor i Televizionit, por krijoi emër si kritik i artit, skulpturës dhe filmit. Në vitin 1990, ai ndihmoi në themelimin e Partisë Socialdemokrate në Kosovë. Në vitin 1993 u kthye në Tetovë për të kontribuar në zhvillimet politike në IRJM. Pikëpamjet e tij shkencore për zgjidhjen e çështjes shqiptare në hapësirat e ish Jugosllavisë, opinioni ka mundur t’i njohë përmes shkrimeve publicistike të tij. Në Kongresin e Dytë të parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik, të mbajtur në Tetovë, u zgjodh kryetar i kësaj partie. Për shkak të pikëpamjeve të tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare në IRJM, që ishte në kundërshtim me politikën aktuale të strukturës politike sllavo-maqedonase, të udhëhequr nga Kiro Gligorovi, organet shtetërore sllavo-maqedonase ia mohuan legjitimitetin Partisë për Prosperitet Demokratik në të cilën u zgjodh kryetar me procedurë të rregullt demokratike. Por, duke i njohur mirë veprimet antishqiptare të sllavëve, Arbën Xhaferi nuk u tërhoq nga politika edhe përkundër obstruksioneve të përditshme që shkaktonte sistemi i Gligorovit. Ai vazhdoi kontaktet me masat e gjëra shqiptare në IRJM, (mundësi që i jepte sistemi pluralist) dhe me faktorin ndërkombëtar, duke shpjeguar “hilen” që u bëhej shqiptarëve të IRJM. Ai, në mënyrë shkencore konstatoi se “Kushtetuta është gjenerator i krizës në Maqedoni”. Për këtë arsye ofroi zgjidhje për ndryshimin e kushtetutës, e cila do të definonte raportet ndëretnike dhe do të avansonte pozitën e shqiptarëve në sistem, si popull i barabartë me sllavo-maqedonasit. Me këtë ofertë ai shpresonte se Maqedonia do të mund të ndërtohej si shtet multietnik, ku shiptarët do të kishin barazi të plotë, si komb i barabartë me sllavo-maqedonasit. Refuzimi i ofertës së propozuar nga Arbën Xhaferi për të ndryshuar Kushtetutën, pak nga pak do të sjellë krizën e rëndë që do të shkaktojë luftën e armatosur në vitin 2001. Pas luftës së Kosovës për çlirim nga Serbia, përmes pjesëmarrjes në pushtetin qendror, Arbën Xhaferi duke shfrytëzuar reputacionin e madh, për të fundit herë do të përpiqet me tërë fuqinë e tij intelektuale që të demokratizojë krizën e sistemit në IRJM. Me fillimin e luftës së armatosur, Arbën Xhaferi, përfundimisht kaloi në axhendën e luftës për ta ndihmuar atë në fushën diplomatike…

87 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Fjala e rastit e Arbën Xhaferit para delegatëve “, 16 shkurt, 1994.

88 Po aty, “ Epilogu i ( pa ) pritur : dy parti ! “, 16 shkurt, 1994.

89 >>Flaka e vëllazërimit<<, “ Pikëpamje të ish kryetarit të PPD-së “, 18 shkurt. 1994.