PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

KRYENGRITJA SHQIPTARE E VITIT 2001 DHE ARRITJA E PAQES NË I R J M

KRYENGRITJA SHQIPTARE E VITIT 2001

DHE ARRITJA E PAQES NË I R J M

Çka e solli Maqedoninë deri te kryengritja e armatosur shqiptare ?

Pa dyshim, diskriminimi i shqiptarëve, i cili ka historikun e vet. Ai zë fill që nga krijimi i Maqedonisë si shtet, në Jugosllavinë socialiste, kur u ndërtua sistemi, i cili refuzonte barazinë e shqiptarëve. Mbi baza të këtij koncepti u ndërtuan raporte jo të drejta ndëretnike. Në periudhën e ekzistimit të Jugosllavisë socialiste (1945-1990), këta raporte u vendosën mbi platformën e rrejshme të “vëllazërim-bashkimit”. Ëndrra e shqiptarëve, se pas shpalljes së pavarësisë (nga viti 1991), pozita e tyre do të ndryshojë në kahje pozitive, nuk u realizua. Gjatë proceseve demokratike sistemi i mëparshëm nuk u reformua, por vetëm u konvertua, duke iu përshtatur rrethanave të reja plurale. Me këtë sllavo-maqedonasit nuk treguan gatishmëri të pranonin një marrëveshje, e cila do të garantonte barazinë e plotë të popullit shqiptar në shtetin e ri të pavarur. Pra, shqiptarëve ia mohuan :

- të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe;

- përdorimin e simboleve kombëtare;

- përfaqësimin adekuat në institucionet e sistemit;

- arsimimin në gjuhën amtare në të gjitha nivelet e shkollimit;

- punësimin në ndërmarrjet shtetërore;

- privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha shtetërore …

Shkaqet e kryengritjes së armatosur në IRJM mund të përmblidhen në dy çështje:

1. Koncepti etnocentrik i shtetit të Ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë dhe

2. Diskriminimi i shqiptarëve në sistemin shtetëror.

Koncepti i shtetit të IRJM-së, sipas Kushtetutës së 17 janarit 1991, nuk korrespondon aspak me realitetin etnik në këtë shtet. Kushtetuta u shpall si “qytetare”, por në praktikë ushtronte funksionin e Kushtetutës një nacionale të popullit sllavo-maqedonas, ku shteti konceptohej vetëm i nacionalitetit maqedonas. Kjo kushtetutë nuk i merrte parasysh të drejtat e trashëguara të popullit shqiptar dhe i shmangej së kaluarës historike. Duke e margjinalizuar skajshmërisht popullin shqiptar, e barazonte atë me pakicat tjera irelevante në këtë shtet.

Pra, pa dyshim se gjenerator i pabarazisë së shqiptarëve në IRJM ishte Kushtetuta “qytetare” dhe të gjitha ligjet që miratoheshin nga parlamenti pluralist sllavo-maqedonas, të cilat i ndrydhnin të drejat historike dhe ato të trashëguara të shqiptarëve përmes procesit të majorizimit. Kjo mënyrë e këtillë e qasjes së problemit, kur çështjet fundamentale shtetërore, të interesave të ndryshme etnike, nuk zgjidhen me koncensus, por përmes procesit të mbivotimit, me anë të të cilit mohohen të drejtat historike dhe ato të trashëguara, solli kundërthënie permanente mes përfaqësuesve politikë të të dy popujve. Në fakt, IRJM ishte një “kopje” e variantit shtetëror serb. Përderisa Serbia me anë të tankeve imponoi ndryshimet kushtetuese në Kosovë, regjisorët e kushtetutës sllavo-maqedonase, në mënyrë elegante përmes majorizimit anuluan të drejtat e trashëguara me Kushtetutën e v.1974. Ideologët e konceptit të shtetit nacional sllavo-maqedonas, bartin përgjegjësinë historike për konfliktin e armatosur që shpërtheu në pranverën e vitit 2001.

Çështja e dytë: diskriminimi i shqiptarëve në sistem ishte një problem shumë i theksuar. Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit dhe në ndërmarrjet publike ishte shumë i vogël, krahasuar me përqindjen e tyre etnike.

Në vazhdim do të japim të dhënat e mbledhura nga grupi parlamentar i PDSH, për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e ndryshme shtetërore, ku mund të vërehet shkalla e diskriminimit të shqiptarëve në IRJM:

T A B E L A

53

Mirëpo, me ardhjen në pushtet të forcave politike antikomuniste (PDSH-VMRO-AD), raportet shoqërore në IRJM filluan të ndryshojnë në favor të interesave kombëtare shqiptare. Andaj, në prag të fillimit të kryengritjes shqiptare, nga njëra anë:

PDSH ishte e bindur thellë se qëllimet e popullit shqiptar mund të arrihen edhe përmes procesit politik dhe nga ana tjetër kishte drojën e humbjes së përkrahjes nga SHBA dhe Perëndimi si dhe faktin se kryengritja shqiptare mund të ndikonte në ringjalljen e aleancës së vjetër serbo-maqedonase.

Çështja e parë: Atë që kishte filluar ta realizojë PDSH në dy vitet e qeverisjes së saj, ndonëse me ndonjë gabim të vogël, jepte shpresë se proceset politike do të vazhdojnë në të mirë të interesit kombëtar shqiptar. Prandaj, PDSH ishte e interesuar jetësisht për ruajtjen e paqes në IRJM.

Në prag të shpërthimit të konfliktit të armatosur, më 13 mars 2001, PDSH në Shkup organizoi një marsh të qetë me moton “për Paqe dhe drejtësi”. Në këtë marsh morën pjesë rreth 30 000 njerëz. Mirëpo, këto ishin përpjekjet e fundit për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej: zgjidhjen e krizës me mjete politike. Këto përpjekje të PDSH nuk hasën në mirëkuptim, duke e bërë atë të gjendej midis kudhrës dhe çekanit.

PDSH ishte thellësisht e bindur, sikurse i gjithë spektri politik shqiptar dhe faktori ndërkombëtar, se çështjet kontestuese në IRJM mund të zgjidhen përmes vazhdimit të procesit politik. Duke u bazuar në ecejaket politike të proceseve zhvillimore, ky subjekt politik gjatë qeverisjes së saj besonte në shtetin e përbashkët maqedono-shqiptar, ose siç quhej ndryshe në “shtetin multietnik”, ku të gjithë qytetarët do të gëzonin të drejta të barabarta juridiko-kushtetuese, si alternativë e kërkesës për bashkimin e shqiptarëve. Politika e PDSH ishte vizionare, sepse marrëdhëniet ndëretnike shkonin në drejtim pozitiv. PDSH ishte e bindur se në rast të konfliktit të armatosur ndëretnik, do të krijohet një hendek i madh, ku grupet e armiqësuara etnike, nuk do të mund të bashkëjetojnë në shtetin e përbashkët.

Çështja e dytë: Për shqiptarët, humbja e përkrahjes së SHBA dhe e Perëndimit, do të thotë humbja e aleatëve të kombit shqiptar në botë. Veprimet e pamatura nga ana e shqiptarëve seriozisht do të rrezikonin kapitalin politik, që ishte krijuar në IRJM nga ana e PDSH, gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Deklarimet me tone të ashpra të ndërkombëtarëve dhe zyrtarëve shqiptarë, jepnin të kuptojmë se kryengritja e armatosur nuk gjente mbështetje. Ja vetëm disa nga deklarimet kryesore :

Xhorxh Robertsoni, Sekretar i përgjithshëm i NATO, daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e cilësoi si fenomen antievropian, ku përmes “metodës revolucionare delegjitimohen subjektet e ligjshme demokratike”. Robertsoni madje propozonte “izolimin politik dhe ushtarak”54 të grupeve të armatosura.

Xhorxh Bushi, Presidenti i SHBA, aleati më i sigurt i çështjes shqiptare, përmes një mesazhi i jep mbështetje të plotë IRJM për zgjidhjen e krizës, duke thënë:

Perfeksionimi i një shteti të tillë, siç është Maqedonia, dhe trajtimi i shqetësimeve legjitime është një proces i vazhdueshëm. Mund të kryhet vetëm përmes dialogut dhe demokracisë dhe kurrë përmes dhunës. Për këtë shkak ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kërkojnë ndryshime politike në Maqedoni të punojnë përmes procesit politik demokratik55.

Wesli Clark, ish kryekomandanti i trupave të NATO, në Evropë dhe njëri nga miqtë më të mëdhej të shqiptarëve, sidomos për Kosovën, gjithashtu nuk i kurseu tonet e ashpra ndaj shqiptarëve:

Shkaqet e pakënaqësisë shqiptare në Maqedoni janë reale. Por ato janë rizgjuar nga një problem më i gjerë, efektet e të cilit po destabilizojnë Serbinë Jugore dhe vetë Kosovën – dhe ky problem është ngadalësimi gjymtues i progresit drejt vetëqeverisjes reale për popullin e Kosovës… Si mik i Kosovës, dua të them qartë se veprimet e radikalëve dhe diaspora shqiptare që i mbështet ata, vetëm sa po minojnë shanset e Kosovës për një të ardhme më të lirë dhe më paqësore… Udhëheqësit e rinj të Kosovës dhe populli i saj, duhet të dinë se NATO nuk do të ndërhyjë përsëri për t’i mbrojtur, kësaj radhe prej pasojave të veprimeve të veta ekstremiste…56.

Ambasadorët e SHBA në IRJM dhe në Shqipëri, Mark Ajnik dhe Joseph Limpreht gjithashtu u shprehën shumë qartë kundër dhunës. Majk Ajnik:

Ekstremizmi i armatosur , në kontekst të Maqedonisë së sotme është antidemokratik dhe i dëmshëm dhe deklaratat se dhuna është e nevojshme që të avansohet aksioni politik janë shtrembërim tërësor i realitetit 57.

Në këta dimensione ishin edhe deklaratat e zyrtarëve shqiptarë. Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi:

Qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe imi personalisht nuk kanë të bëjnë thjeshtë me presionin ndërkombëtar, por kanë të bëjnë me bindjen se përdorimi i forcës dhe mënyrat ekstremiste të paraqitjes së problemeve dhe përpjekjeve për t’i zgjidhur ato, veç mund të sjellë komplikacione të mëtejshme, të cilat do të sillnin jo vetëm një destabilizim të Maqedonisë, por akoma më gjërë; do të sillnin implikime shumë të gjëra dhe do ta kthenin rajonin tonë prapa, në rrugën e tij për më shumë stabilitet, bashkëpunim dhe integrim. Prandaj, ne kemi mbështetur vazhdimisht faktorin politik shqiptar atje dhe kemi kërkuar që të vendoset një dialog midis autoriteteve të Shkupit dhe faktorit politik shqiptar atje, në mënyrë që të përmirësohet statusi i shqiptarëve në Maqedoni, sepse ne kemi thënë që edhe pse ka pasur njëfarë progresi, përsëri ka ende mjaft për të bërë, që shqiptarët në Maqedoni ta ndiejnë veten të lirë e të barabartë 58.

Intelektuali dhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, u shpreh :

Shqiptarët që besojnë se çdo vit mund të përsëritet epopeja e Kosovës ose janë shumë mendjelehtë ose kanë qëllime tepër të dyshimta 59.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, kryetarët e tre partive politike relevante shqiptare, nënshkruan një deklaratë, nëpërmjet së cilës u bënin thirrje “rebelëve” shqiptarë të Maqedonisë të “dorëzonin armët” dhe Shkupit i kërkonin të tregohej i përmbajtur”60.

Çështja e tretë: Qarqet luftënxitëse sllavo-maqedonase përpiqeshin të dalin në skenë, për të ringjallur politikën e vjetër të aleancës Shkup-Beograd, të cilat e konsideronin çështjen shqiptare si problem të përbashkët. PDSH gjatë qeverisjes së saj, kishte bërë çmos, që politikën e jashtme të qeverisë ta largojë sa më shumë nga Beogradi.

Por, edhe përkundër bindjeve të PDSH, se kryengritja e armatosur shqiptare është e panevojshme, që me fillimin e luftimeve në Malësinë e Sharrit, PDSH deklaroi qartë, se konflikti i armatosur ka burim vendor dhe motive vendase, që binte ndesh me deklaratat e partnerit të saj qeveritar dhe të tjerëve që e konsideronin konfliktin si të ardhur nga jashtë. PDSH në asnjë mënyrë nuk mund të luante rolin e përçarësit të shqiptarëve, sepse ky nuk ishte misioni i saj historik. Lideri shqiptar, Arbën Xhaferi, edhe pse pjesëmarrës i qeverisë aktuale, sinjalizoi rirreshtimin e PDSH. Ai në një deklarate dhënë gazetës “ Welt Am Sonntag”, të botuar edhe nga e përditshmja “Fakti”, pati deklaruar:

Maqedonia përbëhet nga një shoqëri me dy klasa, nga maqedonasit sllavë sundues dhe nga pakica e shtypur shqiptare, e cila përbën 1/3 e popullsisë. Kur më 1991 Maqedonia u shkëput nga Federata Jugosllave dhe u bë e pavarur, u ashpërsua rruga e vuajtjes së shqiptarëve. Të drejtat e tyre për gjuhën, arsimin, kulturën shqipe u shkurtuan. Si nëpunës, policë dhe ushtarë diskriminoheshin dhe ishte vështirë që ndonjëri të arrinte karrierë të lartë. Ka dhjetë vite që ne jemi në kërkim të dialogut, por problemi ynë është injoruar. Tani fatkeqësisht rrjedh gjak61.

Po në këtë kohë, Arbën Xhaferi, për televizionin “CNN” deklaroi: “Burimet e pakënaqësisë janë të brendshme, ne jemi 10 vjet të pakënaqur me këtë shtet, ne jemi plotësisht të margjinalizuar” 62.

PDSH nën udhëheqjen e kryetarit, Arbën Xhaferi, bëri të mundur artikulimin e kërkesave të kryengritësve të armatosur. PDSH, edhepse sakrifikoi axhendën e veprimit të vet, nuk lejoi ndarjen e shqiptarëve në “të mirë” dhe “të këqinj”, apo “në ekstremistë” dhe “të moderuar”… E tërë struktura e PDSH, në forma të kombinuara u vu në shërbim të rrethanave të luftës së armatosur të popullit shqiptar në IRJM. Nga ana tjetër veprimi i PDSH ndikoi dukshëm për internacionalizimin e kryengritjes së armatosur shqiptare.

PDSH ishte e vetmja artikuluese e drejtë e ideve kombëtare që diti t’i përçojë dhe legjitimojë negociatat edhe tek faktori ndërkombëtar. Politika e saj, dilaogu dhe demokratizimi i krizës arriti që të mund politikën e strukturës sllavo-maqedonase, që ishte ndërtuar dhjetë vitet e fundit. Përfundimisht, u demaskua politika “Gligoroviane” para faktorit ndërkombëtar. I dërguari special i Unionit Europian, Havier Solana, gjatë qëndrimit në Tetovë, jep këtë vlerësim për liderin e PDSH:

PDSH ka një lider shumë të mirë që ka punuar dhe punon në mënyrë intensive për të mbrojtur popullin e tij. Xhaferi ka një rol tepër të rëndësishëm për të gjithë kombin për të ndihmuar në demokracinë, prosperitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike këtu. Dua të them se unë kam një respekt shumë të madh për Xhaferin63.

Menaxhimi politik i krizës luftarake në IRJM kaloi plotësisht në duart e PDSH dhe lidershipit të saj. Kjo bëri që pak nga pak të fillonte konfrontimi i hapur i PDSH me qeveritarët sllavo-maqedonas. Kur këto të fundit iu dhanë ultimatum kryengritësve në male “t’i dorëzojnë armët dhe të largohen nga territori i Maqedonisë”, Arbën Xhaferi deklaroi se: “ultimatumi ma kujton sindromin jugosllav dhe se ai riciklon dhunën” 64.

Nga ana tjetër, nënkryetari i PDSH, Iljaz Halimi, i cili ishte anëtari i vetëm i Këshillit të Sigurisë kombëtare të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur në kabinetin e kryetarit B.Trajkovski, e kundërshtoi ashpër kërkesën e tij për shpalljen grupeve e guerile shqiptare të UÇK, si grupe terroriste. Iljaz Halimi gjithashtu tha: “politikisht të gjitha kërkesat e UÇK përputhen me kërkesat e PDSH. Ne dallojmë vetëm në metodat për realizimin e synimeve tona”65.

PDSH formalisht vazhdonte të merrte pjesë në koalicionin qeveritar, por në fakt ajo më tepër punonte në teren.

Më 9 prill 2001, megjithëse IRJM vazhdonte të përjetonte kryengritjen e armatosur shqiptare, në Luksemburg u nënshkrua Marrëveshja për asocim dhe stabilizim 66, në mes Unionit Evropian dhe Maqedonisë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe vetë lideri shqiptar, Arbën Xhaferi, me qëllim të caktuar që të vazhdonte takime me të gjithë ministrat e jashtëm të shteteve evropiane Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, PDSH hartoi një dokument të quajtur “Non Paper” 67, në të cilin ndër të tjera theksohej se në Maqedoni ekzistojn dy çështje kryesore, të cilat shkaktojnë kontestin ndëretnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve:

- koncepti i shtetit dhe ;

- përfaqësimi jo proporcional i shqiptarëve në institucionet e shtetit.

Në këtë dokument, në mënyrë të qartë, përshkruhet historiku i akumulimit të problemeve të shqiptarëve në IRJM, gjë që solli krizën e armatosur. Poashtu, në të jepet informacion i saktë i veprimtarisë së PDSH gjatë krizës:

1. Në fillim ajo u thellua në analizën e faktorëve të krizës duke i luftuar njëkohësisht ato interpretime, që ishin ose të gabuara ose qëllimkëqija;

2. Dënoi dhunën si mjet të shprehjes së pakënaqësisë etnike apo politike;

3. I dha mbështetje integritetit dhe sovranitetit territorial të Maqedonisë duke iu kundërvënë ideve secesioniste, federaliste, konfederaliste;

4. Parandaloi polarizimin etnik dhe masivizimin e konfrontimit etnik;

5. Mbeti në sistem përkundër faktit se ajo u margjinalizua apo u mënjanua nga procesi i vendimmarrjes dhe;

6. U angazhua kryekëput në mbrojtjen e interesave dhe ekzistencës së qytetarëve që pa vetëdije ishin përfshirë në vorbullën e konfliktit.

Në këtë dokument PDSH jep vizionin e vet si të dilet nga kriza:

” Duke pasur parasysh se kriza ka karakter etnik, duke përkufizuar pakënaqësinë etnike kryesisht në tre kategori çështjesh:

- Kushtetutë;

- përfaqësim proporcional në institucione të shtetit dhe;

- riintegrim të kategorisë së qytetarëve që tregoi shenja të dislojalitetit.

PDSH me bindje të plotë vlerëson se kriza e ashtuquajtur ethet jugosllave në Maqedoni mund të tejkalohet vetëm nëse hapet dialogu konkret me mandat dhe afat të caktuar për këto tema. Në këtë dialog duhet të marrin pjesë përfaqësuesit legjitimë shqiptarë, autoritetet shtetërore maqedonase dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nga Bashkësia Europiane, NATO dhe OSBE në funksion të ndërmjetësimit dhe lehtësimit produktiv. Në fund thuhet se të gjithë ata që do të hulumtojnë rrënjët e krizës në Maqedoni do të ofrojnë zgjidhje të këtilla në të mirën e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Të gjithë ata që për shkak të oportunizmit apo stereotipeve të ndryshme do të përpiqen t’i ikin dialogut do të jenë shkaktarë të reciklimit të krizës 68 .

Në këtë propozim PDSH ishte shumë serioze, pasi nënkryetari i kësaj partie, M. Thaçi, deklaroi publikisht:

në qoftë se nuk pranohet ky propozim , situata do të kthehet në ditët e mëhershme. Ai gjithashtu paralajmëroi se: në rast se dialogu do të dështojë, atëherë PDSH do të dalë nga qeveria dhe njerëzit e PDSH do t’u bashkëngjiten njerëzve në mal 69.

Përpjekjet e saj i dhanë sukseset e veta në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë një pjesë e anëtarëve dhe simpatizuesve të PDSH iu bashkëngjitën strukturave të kryengritësve, e cila për një kohë të shkurtër u masivizua. Nga ana tjetër, çështja shqiptare në IRJM internacionalizohej dita-ditës dhe Bashkësia ndërkombëtare filloi të kuptojë se në këtë shtet nuk ka pakicë shqiptare, por ka çështje shqiptare 70.

Ndërkohë për shkak të situatës së krijuar u formua një qeveri e re me koalicion të zgjeruar, në të cilën morën pjesë katër partitë kryesore politike në vend: VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe PPD. Qeveria e re kishte këtë përbërje:

Kryeministër -Lupço Georgievski;

Ministria e Mbrojtjes -Vllado Buçkovski;

Ministria e Punëve të Brendshme -Lube Boshkovski;

Ministria e Drejtësisë -Ixhet Memeti;

Ministria e Punëve të Jashtme -Ilinka Mitreva;

Ministria e Ekonomisë -Besnik Fetahu;

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujrave -Marjan Gjorçevi;

Ministria e Shëndetësisë -Petar Milloshevski;

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës -Nenad Novkovski;

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale -Bedredin Ibrahimi;

Ministria e Pushtetit Lokal -Faik Asllani;

Ministria e Kulturës -Ganka Samoillovska-Cvetanova;

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve -Lupço Ballkovski; dhe

Ministria e Mjedisit jetësor dhe Planifikit hapësinor-Vlladimir Xhabirski 71.

Shqetësimi dhe brenga e shfaqur nga ana e PDSH për rikthimin e IRJM në politikën e vjetër u tregua shumë i saktë. Kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski, në një takim me kryeminstrin serb, Zoran Gjingjiq në Shkup, në fillim të majit 2001, paralajmëroi se bashkëpunimi midis Serbisë dhe Maqedonisë do të ngrihet në nivel më të lartë. Ai deklaroi: “Maqedonia dhe Serbia pas kësaj vizite, edhe më shumë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në rrafshin politik, kulturor dhe të sigurisë, sepse jemi dy shtete që ballafaqohemi me një problem të përbashkët” 72. Pas këtyre deklarimeve të hapura, edhe PDSH nuk qëndroi duarkryq. Ajo filloi të shpjegojë motivet e konfliktit si motive të brendshme që kanë një histori të gjatë të pakënaqësive të shqiptarëve nga pozita e tyre në sistem. PDSH arriti që ta bind faktorin ndërkombëtar për etimologjinë e krizës, prejardhjen e saj, duke kundërshtuar tezat që kërkonin të argumentonin, se kriza vjen nga jashtë, kryesisht nga Kosova. Kështu, PDSH kaloi në axhendën e luftës së armatosur, gjë që shkaktoi edhe konfrontimin e hapur me partnerin qeveritar.

Zhvillimi i ngjarjeve të pranverës së vitit 2001, nxorri në shesh tendencat e vjetra të qarqeve të ndryshme sllavo-maqedonase që nuk pranonin zgjidhjen e çështjeve kontestuese me anë të dialogut. Përdorimi i forcave ushtarake dhe policore shkaktoi zgjerimin e konfliktit të armatosur, i cili përfshiu pjesën më të madhe të Maqedonisë Perëndimore. Politika aktuale qeverisëse e humbi identitetin e vet dhe u përqafua me qarqet antishqiptare pan-sllaviste në IRJM dhe jashtë saj. Në fakt, ajo u kthye në binarët e vjetër. U rishfaqën tendencat e qarqeve të ndryshme që zgjidhjen e problemit e shihnin përmes dhunës policoro-ushtarake, marrëdhëniet në mes partnerëve qeveritar u ashpërsuan tejmase. Duke i analizuar të gjitha këto rrethana, PDSH u tërhoq nga axhenda e veprimit të vet politik, për të kaluar tërësisht në atë të luftës së armatosur. Kjo ishte e logjikshme, sepse hapësira e veprimit politik dhe linja politike e PDSH, që kërkonte zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, ngushtohej gjithnjë e më tepër. Ngjarjet që pasuan, në axhendën e PDSH, ishin në vijë të artikulimit të kërkesave të luftës dhe të unifikimit të shqiptarëve. Kjo solli edhe marrëveshjen historike të Prizrenit.

Marrëveshja e Prizrenit paraqet koncensusin në mes forcave politike shqiptare dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Me këtë u firmos platforma e përbashkët e veprimit politik dhe ushtarak. Për të gjithë veprimtarët e partive politike u qartësuan të gjitha paqartësitë e deritashme.

Marrëveshja e Prizrenit paraqet dy dimensione të rëndësishme për zgjidhjen e krizës në IRJM : njëra është “ oferta “ shqiptare për kreun politik sllavo-maqedonas, për zgjidhjen e krizës me mjete paqësore demokratike, ndërsa dimensioni tjetër është platforma unike parandalonte ndarjen e shqiptarëve në “ të mirë “ dhe “ të këqinj “ dhe përfundimisht koordinonte veprimet politike dhe ushtarake shqiptare.

Dokumenti i Prizrenit ishte oferta më serioze shqiptare drejtuar palës sllavo-maqedonase për një marrëveshje historike në mes dy etniteteve. Ky dokument ofronte mundësi për uljen e armëve, dhe kështu të gjitha çështjet e hapura të mund të zgjidheshin përmes procesit politik. Fondamenti i kësaj marrëveshjeje nuk e mohon integritetin territorial të IRJM dhe është kundër çfarëdo ndarjeje territoriale mbi baza etnike dhe njëkohësisht i hidhte poshtë të gjitha shpifjet propaganduese të qarqeve sllavo-maqedonase, dhe atyre pan-sllaviste, se shqiptarët luftojnë për territore të pastërta etnike.

Në dokumentin e Prizrenit thuhet:

“Liderët shqiptarë të Maqedonisë, të vetëdijshëm për momentin historik nëpër të cilin po kalon Republika e Maqedonisë, pajtohen për veprim të përbashkët mbi pikat e një koncensusi të gjerë kombëtar e shoqëror, i cili duhet ta reformojë Republikën e Maqedonisë në mënyrë që të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve dhe i të gjitha bashkësive kombëtare “.

Koncensusi i arritur në mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto pozicione parimore:

- njohjen e faktit se reformat për të cilat angazhohen shqiptarët kanë për qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë ;

- njohjen se nuk ka zgjidhje etnike territoriale për problemet në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të copëtuar etnikisht territoret u sjell dëm vetë qytetarëve të Maqedonisë dhe paqes në rajon ;

- njohjen se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM ;

- njohjen se procesi i transformimit të RM duhet të shkojë vetëm drejt integrimeve evroatllantike ;

- njohjen se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me lehtësimin e SHBA-së dhe Bashkësisë Evropiane.

Në bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të marrin pjesë në procesin e dialogut reformist, duke i trajtuar këto çëshjte:

- amandamentet në Kushtetutën e Maqedonisë ;

- përdorimin e papenguar të gjuhës shqipe, si njërës prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë ;

- përfaqësimin përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit ;

- zgjerimin e kompetencave të pushtetit lokal ;

- sekularizimin e plotë të Kushtetutës, dmth. Shtetit ;

- vendosjen e demokracisë koncensuale, në çështjet që kanë të bëjnë me të drejat kombëtare, dmth. kufizimi i procesit të mbivotimit në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të drejat etnike ;

- të drejtën për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.

Gjithashtu, “ brenda “ këtij debati janë masat për transfromimin e jetës së anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në forma të ndryshme profesionesh civile, duke përfshirë edhe ato brenda institucionesh qeveritare.

Brenda këtij debati, një vëmendje e veçantë do të jetë mbi:

- rehabilitimin dhe risocializimin e plotë të të gjithë pjesëtarëve të UÇK ;

- rindërtimin e fshatrave dhe ekonomive familjare të shkatërruara gjatë luftimeve si dhe përkujdesjen ndaj viktimave të luftës ( invalidët e luftës, familjet e të vrarëve, bonjakët, etj );

- Kryerjen e shërbimit ushtarak në ARM brenda komunës së lindjes.

Në dialogun, i cili do të zhvillohet brenda tryezës së rrumbullakët të liderëve të koalicionit të tashëm qeveritar, duke u kryesuar nga kryetari i Republikës e me lehtësim të SHBA dhe BE, do të krijohet forma koncensuale e pjesëmarrjes së faktorit politik shqiptar “ 73.

Dokumenti u nënshkrua nga:

Arbën Xhaferi – Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare

Imer Imeri – Kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik dhe

Ali Ahmeti – Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Në vijim janë deklaratat e tre liderëve shqiptarë pas nënshkrimit të marrëveshjes:

Arbën Xhaferi, kryetar i PDSH-së: “Qëllimi i parë ishte të pengoj përçarjen kombëtare, të gjejmë një variant të dakordimit të interesave, të pikave dhe strategjive si të përfundojë kjo krizë në Maqedoni. Qëllimi i dytë ka qenë arritja e paqes në Maqedoni dhe në rajon, me vendosjen e parametrave qytetërues që rregullojnë marrëdhëniet jo vetëm në mes të popujve, por në mes të shtetit. Me këtë ne tash e politizojmë krizën, rrethi i dytë i takon qeverisë së Maqedonisë, e cila do ta pranojë ofertën dashamirëse të shqiptarëve për paqe dhe për vendosje të rregullave të qarta të bashkëjetesës”.

Imer Imeri, kryetar i PPD-së: “Shqiptarët edhe kësaj radhe treguan se sa janë konstruktiv dhe sa janë racional në punët politike, të cilat i kanë marrë përpara. Të gjithë subjektet relevante shqiptare në Maqedoni, ashtu edhe përfaqësuesi politik i UÇK-së u dakorduan që shansi primar t’i jepet paqes dhe popullit shqiptar. Popujve të tjerë në Ballkan t’u bëhet me dije se shqiptarët nuk kërkojnë asnjë alternativë tjetër përveç paqes. Mbetet te tjerët që të na kuptojnë drejtë dhe t’i realizojnë kërkesat politike në mënyrë legale dhe pa pasë humbës. Të gjithë të jenë fitimtarë”.

Ali Ahmeti, lideri politik i UÇK-së: “ Me nënshkrimin e kësaj Deklarate kemi dashur t’i tregojmë opinionit se shqiptarët janë unik në kërkesat e tyre politike. Kurse, ne si ushtri nuk dëshirojmë që të militarizohet situata, por çështja jonë të kalojë për zgjidhje politike, zgjidhje e cila shkon në favor të dy popujve, zgjidhje e cila hap horizonte të reja, si në politikën tonë kombëtare, ashtu edhe në Ballkan “ 74.

Veprimi i mëtejshëm i subjektit politik dhe ushtarak shqiptar, iu përmbajt me përpikëri Dokumentit të Prizrenit, deri në firmosjen e Marrëveshjes shqiptaro-sllavo-maqedonase, në Ohër. Edhe pëkundër trysnive të hapura të përfaqësuesëve ndërkombëtarë mbi liderët politikë shqiptarë për të hequr dorë nga kjo marrëveshje, kjo nuk ndodhi. Marrëveshja e Prizrenit ishte vendimtare për fitoren diplomatike të luftës së shqiptarëve të IRJM. Ajo shënoi kthesë për të mirë, si në fushëbetejat luftarake, ashtu edhe në tryezat e vendosjes diplomatike. Subjekti politik dhe ushtarak shqiptar i unifikuar, arriti ta ndërkombëtarizojë platformën unike dhe ta përfshijë edhe Bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në IRJM.

Por, peshën më të madhe të problemit në fushën diplomatike pa dyshim, e mbajti PDSH dhe Arbën Xhaferi. Angazhimi i PDSH në planin e internacionalizmit të çështjes shqiptare filloi t’i shfaqë rezultatet e para. Gjatë muajit qershor 2001, në Maqedoni erdhi Robert Badinteri, për t’u konsulltuar rreth ndryshimeve të mundshme të kushtetutës së vitit 1991 75, për të cilën ai kishte dhënë vlerësime pozitive. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë për Maqedoninë, në të cilën thuhej “ U bëjmë thirrje palëve që krijojnë konflikt ta evitojnë mundësinë e përdorimit të dhunës. Në këtë thirrje potencohen qartë edhe forcat ekstremiste maqedonase” 76. Angazhimi i PDSH, në qendrat e vendosjes ndërkombëtare shkaktoi ndërrimin e klimës dhe të vokabularit të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare ndaj kryengritësve shqiptarë. Tashmë ata nuk quheshin “rebelë”, “vrasës”, “terroristë” apo ngjashëm. Filluan edhe bisedimet e para të faktorit politik shqiptar te kryetari Trajkovski, por ato nuk jepnin rezultatet e pritura. Shqiptarët, përfundimisht kishin krijuar një bllok të vetëm politik dhe ushtarak, por edhe maqedonasit nga ana tjetër. Tërë bota ishte alarmuar për situatën në IRJM, për luftën qytetare, e cila ishte shumë afër. Sipas gazetës Britanike “Gardian”, >>Qeveritë perëndimore kishin filluar përpjekjet dëshpëruese për të shpëtuar Maqedoninë nga lufta qytetare dhe paralajmëruan se NATO është e gatshme të sigurojë paqe poqese maqedonasit dhe shqiptarët i tejkalojnë çështjet e hapura<< .

Rezultati i angazhimit diplomatik katër mujor i PDSH në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, ishte shumë i madh. Përderisa në fillim të konfliktit, në muajin mars 2001 mbi kryengritësit bëhej trysni e madhe ndërkombëtare, në muajin qershor e më pas kjo ndihej mbi ushëheqësit shtetërorë sllavo-maqedonas. Falë këtij angazhimi të vazhdueshëm, PDSH arriti të bind Bashkësinë ndërkombëtare, se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin në pamje të parë, duke arritur që faktori ndërkombëtar të emërojë përfaqësuesit e saj që do të ndërmjetësojnë për zgjidhjen e krizës në këtë shtet.

Çka kërkonin shqiptarët?

Platforma e bisedimeve shqiptaro-maqedonase përmblidhte tre çëshjte kryesore:

  1. Vendosja me KONCENZUS për çështje që prekin të drejtat nacionale;
  2. Përfaqësimi adekuat në institucionet shtetërore, proporcionalisht me përqindjen e popullatës shqiptare dhe ;
  3. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe krijimi i institucionit për mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar.

Zhvillimet politike dhe luftarake të shqiptarëve, ndikuan në përshpejtimin e zgjidhjes së çështjes së hapur, ku u përfshi edhe faktori ndërkombëtar nga frika se kjo situatë mund të shkallëzohej më tepër. Ndërkombëtarët dërguan në IRJM ndërmjetësuesit: Fransoa Leotard-përfaqësues i Unionit Evropian dhe James Perdew-përfaqësuesi i SHBA, misioni i të cilëve ishte gjetja e zgjidhjes së problemit. Bisedat maratonike mes faktorit politik vendas dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë përfunduan me marrëveshjen shqiptaro-maqedonase, në Ohër.

Gjatë muajit korrik 2001, të dërguarit ndërkombëtarë Perdew dhe Leotar, liderëve të katër partive politike dhe presidentit, B.Trajkovski iu dorëzuan platformën e bisedimeve që ishte hartuar nga eskpertët ndërkombëtarë, i quajtur “Versioni i Draft Dokumentit Kornizë”77 për ndryshimin e kushtetutës së IRJM. Ky dokument duhej shqyrtuar nga liderët shqiptarë dhe maqedonas dhe në rast vërejtjesh eventuale duhej t’u kthehej ndërkombëtarëve për shqyrtim të mëtejshëm.

Pas takimeve të vazhdueshme në kabinetin e kryetarit, B.Trajkovski, pala shqiptare e pranoi platformën e hartuar, duke përfunduar bisedat. Mirëpo, pala maqedonase i zvarriste çështjet edhe pas përfundimit të bisedave. Presidenti i shtetit dëshironte t’i rikthente negociatat nga fillimi. Por, Arbën Xhaferi nuk e pranoi një lojë të tillë dhe braktisi takimin që ishte caktuar te Trajkovski. Ai, me këtë rast, dha një deklaratë: “Trajkovski dhe opinioni duhet të kuptojë se megjithatë nuk jemi naivë dhe i kuptojmë tentativat e tij që t’i rikthejë bisedimet në fillim, pa marrë parasysh se bisedimet në këtë fazë përfunduan me ofertën e faktorit ndërkombëtar nënshkrimin e marrëveshjes” 78. Arbën Xhaferi paralajmëroi se “Dokumenti i ndërkombëtarëve nuk guxon të hudhet poshtë ” 79. Ky ishte momenti i pritur për më shumë se njëmbëdhjetë vite. Nga ky moment filloi trysnia e ashpër e faktorit ndërkombëtar mbi palën sllavo-maqedonase.

Më vonë, më 13 gusht 2001, u nënshkrua marrëveshja shqiptaro-maqedonase, ose ndryshe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ku merrnin pjesë përfaqësuesit maqedonas, shqiptarë, përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe një numër i madh i gazetarëve, Arbën Xhaferi, duke shfrytëzuar të drejtën, që tashmë ia lejonte marrëveshja shqiptaro-maqedonase, i pari iu drejtua opinionit në gjuhën shqipe.

Marrëveshja e Ohrit, nga këndi historik, paraqet përmirësimin e gabimeve politike, kryesisht kushtetutës së miratuar në vitin 1991, e cila i vendoste shqiptarët në pozitë të pakicës nacionale dhe me këtë automatikisht reduktonte të drejtën e barazisë në këtë shtet. Marrëveshja e Ohrit u mundësoi shqiptarëve në IRJM, fitimin e të drejtave të mohuara me kushtetutën e vitit 1991 dhe njëkohësisht ndryshimin e statusit politik dhe juridik të tyre. Me këtë, shqiptarëve iu kthyen të drejtat juridike dhe politike, që padrejtësisht i humbën në fillim të proceseve demokratike. Në Ohër, Korniza kushtetuese vendosi mekanizmin e “ veto-s ”, përmes së cilës, në mënyrë ligjore mund të mbrohet interesi kombëtar i shqiptarëve në institucionet e sistemit.

Dokumenti i miratuar në Ohër, “de jure” shënon fundin e konceptit nacional të shtetit të “Gligorovit” dhe fillimin e një etape të re, të një kocepti të ri të shtetit, në të cilin shqiptarët fitojnë statusin e popullit konstitues. Peshën e saj e rrit prania e vazhdueshme dhe angazhimi serioz i komunitetit ndërkombëtar, Unionit Evropian, SHBA, OSBE dhe mekanizmat e tyre që sollën deri te tryeza e Ohrit dhe përfundimin me sukses të negociatave që u kurorëzuan me marrëveshje përfundimtare. Ky dokument është një lloj kontrate mes dy palëve : shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, i garantuar nga faktori ndërkombëtar. Prandaj, shikuar nga ky aspekt, ai mund të cilësohet edhe si dokument historik. Pra, përfundimisht IRJM, me ndryshimet kushtetuese, sipas Marrëveshjes së Ohrit, nuk do të jetë vetëm shtet i popullit sllavo-maqedonas, por edhe shtet i popullit shqiptar që jeton në Maqedoni.

Marrëveshja e Ohrit është etapa e parë e marrëdhënieve të reja shqiptaro-maqedonase, pas së cilës do të pasojë implementimi i saj në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe njëherë iu dha shansi historik procesit politik për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve shqiptaro-maqedonase. Mbetet të shpresohet se marrëveshja e arritur në Ohër do të realizohet edhe në praktikë. Realizimi praktik i Marrëveshjes së Ohrit do të sillte këto arritje: shqiptarët popull konstitues i shtetit të IRJM, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe përdorimin e simboleve kombëtare, realizimin praktik të rritjes së numrit proporcional të shqiptarëve në institucionet e sistemit, sipas përqindjes kombëtare si dhe ndarjen adekuate të fondeve materiale për art, kulturë, sport, ekonomi, etj.



53 Të dhëna janë përgatitur nga Grupi parlamentar i PDSH-së gjatë vitit 2002.

54 >>Fakti<<, “ Izolim ushtarak dhe politik i grupeve të armatosura shqiptare “, 16 mars, 2001.

55 >>Fakti<<, “ Të punohet me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve ”, 26 mars, 2001.

56 Po aty, “ Shqiptarët në Maqedoni meritojnë trajtim të drejtë ligjor “, 22 mars, 2001.

57 Po aty, “ Problemet të zgjidhen me mjete demokratike “, 16 mars, 2001.

58 Robert Goro, FYROM- Supermacia e inferioritetit New York, 2001- “ Intervista me kryeministrin e Shqipërisë, Ilir Meta në Athinë, 4 prill, 2001“.

59 >>Shekulli<<, “ Ekstremistët e Tanushës janë këlyshë të Enver Hoxhës “, Tiranë, 26 mars, 2001.

60 Po aty, “ Shkupi do shkaktojë një konflikt të tmerrshëm “, 26 mars, 2001.

61 >>Fakti<<, “ Dhjetë vjet ne jemi në kërkim të dialogut “, 19 mars, 2001.

63 >>Fakti<<, “ Xhaferi ka një rol tepër të rëndësishëm për gjithë kombin “, 28 mars, 2001.

64 Po aty, “ Ultimatumi ma kujton sindromin jugosllav “, 22 mars, 2001.

65 Po aty, “ Nuk do të jemi konkurrentë politik të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare “, 11 maj, 2001.

66 Po aty, “ Maqedonia me obligime plus për shqiptarët “, 7 prill, 2001.

67 Po aty, “ Bartës të krizës së fundit në Maqedoni janë qytetarët e saj “, 9 prill, 2001.

68 Dokumenti “Non Paper”i Partisë Demokratike Shqiptare.

69 >>Fakti<<, “ Nëse dështon rruga politike, mbtetet vetëm bashkëngjitja njerëzve në male “, 9 prill, 2001.

70 >>Shekulli<<, Xhaferi si po e zgjedhim krizën: “Evropa po bindet se nuk ka pakicë, por çështje shqiptare“, 16 prill, 2001.

71 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 37, 14 maj, 2001. ( Në “qeverinë e koalicionit të zgjeruar” morën pjesë: partia VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH dhe PPD.

72 >>Fakti<<, Georgievski: “Problemi ynë është me qendër në Kosovës “, 11 maj, 2001.

73 >>Fakti<<, “ Konsensuz për rrugën e daljes nga kriza “, 26 maj, 2001.

74 >>Fakti<<, Deklaratat e Xhaferit, Imerit dhe Ahmetit pas nënshkrimit të marrëveshjes, “ Pengojmë përçarjen kombëtare “, 26 maj, 2001.

75 Po aty, >>Gardian<<, “ Maqedonia mes paqes dhe luftës “, 23 qershor, 2001.

76 Po aty, “ Palët në konflikt të përmbahen nga përdorimi i dhunës “, 23 qershor, 2001.

77 Po aty, “ Dokumenti i ekspertëve ndërkombëtar për ndryshimin e Kushtetutës “, 9 korrik, 2001.

78 Po aty, “ Shqiptarët i thonë JO takimeve të Trajkovskit “, 20 korrik, 2001.

79 Po aty