PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

9 KORRIKU 1997 32

9 KORRIKU 1997 32

Në pranverën e vitit 1997 Shqipëria kalonte një krizë shumë të rëndë. Ajo kishte hyrë në një fazë të anarkisë politike dhe atë të sistemit. Imazhi i kombit shqiptar ishte në rënie të vazhdueshme. Qarqet antishqiptare hidhnin valle dhe ndërtonin imazhin e tyre pozitiv tek Bashkësia ndërkombëtare. Përderisa, në Kosovë vazhdonte me intensitet të shtuar represioni serb për shfarosjen e shqiptarëve, qarqet antishqiptare në IRJM, të ndihmuar nga propaganda “Gebellsiane” informative, e zgjodhën momentin e përshtashëm që të shfryjnë mllefin kundër popullatës shqiptare të Gostivarit dhe të Tetovës.

Ngjarjet e “ 9 Korrikut, 1997 “ ishin një kurth i madh për Partinë Demokratike Shqiptare dhe për shqiptarët në ish Jugosllavi. Ky aksion i kurdisur do të përfundonte me krijimin e një gjendjeje kaotike në hapësirat shqiptare të IRJM, pas të cilës do të mund të shpallej në vazhdim gjendja e jashtëzakonshme. I ndodhur para rrethanave, kur lufta e Kosovës ishte në prag, subjekti politik shqiptar në IRJM, i përçarë, nuk do të mund të merrej me menaxhimin e politikës së Bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe luftës së saj kundër pushtuesit serb. Nga ana tjetër, pritej që pushteti policoro-ushtarak, në IRJM do të mbyllte kufirin me Kosovën ose vetëm do t’i “transportonte” kosovarët nëpër Maqedoni. Konstatimi i fundit bazohet në deklaratat e mëvonshme të K. Gligorovit, i cili u siguronte shqiptarëve të Kosovës “korridorin” nëpër IRJM.

Gabimet eventuale politike të krerëve të PDSH, gjatë ngjarjeve që zhvilloheshin në Gostivar dhe Tetovë, do të ishin katastrofale për politikën shqiptare në tërësi. Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi, falë vizionit të shkëlqyer të kryetarit Arbën Xhaferi dhe udhëheqësve të tjerë të PDSH.

Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si pasojë e represionit shfarosës të regjimit serb, tek qarqet diplomatike të Bashkësisë ndërkombëtare filloi të përhapet teza për “terrorizmin shqiptar”, “fundamentalizmin islamik shqiptar”, për shqiptarët si “destabilizues të Ballkanit”, etj. Qarqet e politikës pansllaviste frymonin përmes propagandës së shfrenuar mediale kundër shqiptarëve. Këta qarqe, në prag të

Ngjarjet e 9 Korrikut 1997 – bllokimi i godinës së komunës së Tetovës nga forcat policore maqedonase

vendosjes së “çështjes së Kosovës”, përpiqeshin që të ndërtonin imazhin negativ për shqiptarët, tek Bashkësia ndërkombëtare. Propaganda maqedonase vazhdonte të ishte aktive, sidomos pas daljes në skenë të Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, pas turbullirave që ndodhën në Shqipëri dhe pas bashkimit të PPDSH dhe PDP. Në këtë projekt-skenar që shërbente për satanizimin e Partisë Demokratike Shqiptare ishte i angazhuar i tërë aparati shtetëror dhe mekanizmat e tjerë të mendësisë së vjetër, duke e mbuluar kështu ekstremizmin e vet që më 9 korrik, 1997 arriti kulmin me sulmet brutale të policisë sllavo-maqedonase në Gostivar.

Ndërhyrja e njësive të armatosura policore sllavo-maqedonase në Gostivar dhe Tetovë, e zhveshi tërësisht politikën “demokratike” dhe “oazën e paqes” së Gligorovit. Këto ngjarje treguan qartë, se IRJM kishte marë fizionominë e shtetit policor. Gjatë tërë zhvillimit të shtetit pluralist, IRJM, kishte marë shumë ndihma financiare nga Bashkësia ndërkombëtare, të cilat dukej qartë se ato ishin keqpërdorur për të ngritur struktura të fuqishme policore dhe ushtarake, që kishin të vetmin qëllim, t’i disiplinonin shqiptarët.

Çka ndodhi në fakt, më 9 korrik 1997 ?

Për të ardhur tek këto ngjarje duhej pretekst, i cili s’qe vështirë për t’u gjetur: shkas ishte flamuri kombëtar shqiptar i vendosur përpara objekteve komunale në Gostivar dhe Tetovë si dhe nëpër komunat ku shqiptarët ishin shumicë. Organet drejtuese komunale të zgjedhura nga populli, në komunat me shumicë shqiptare, bazuar në kompetencat komunale, zyrtarisht vendosën flamurin para objekteve të komunave. Por, vendosja e flamurit kombëtar shqiptar shkaktoi reagimin e menjëhershëm të qeverisë së Cërvenkovskit. Gjykata Kushtetuese e IRJM, më 21 Maj 1997 33, u deklarua se me këtë akt “kërcnohej sovraniteti i shtetit” dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar nga komunat! Pak më vonë, pikërisht më 8 Korrik, Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e flamujve. Ky vendim u mor rreth orës 23.00 të së njëjtës datë, ndërsa në 03.00 të mëngjesit forcat speciale policore të Qeverisë kishin zënë pozicionet e tyre duke vendosur kështu regjimin policor në Tetovë dhe Gostivar. Policia hyri me dhunë në zyrat e komunave, duke thyer dyert dhe shkatërruar paisjet e zyrave. Me këtë rast, filluan rëmbimet, burgosjet, rrahjet dhe vrasjet e aktivistëve politikë të PDSH 34.

Pasi objekt studimi nuk janë ngjarjet e 9 Korrikut 1997, për shkak se për këto ngjarje kërkohet elaborim shkencor dhe politik, akti i ndërhyrjes brutale të policisë maqedonase arriti kulminacionin në Gostivar, ku forcat speciale në mënyrë barbare u vërsulën kundër masës së pa armatosur, të tubuar për të protestuar ndaj heqjes së flamurit kombëtar shqiptar, me ç’rast u vranë tre shqiptarë, u plagosën 100, u rrahën pa mëshirë mbi 1000 të tjerë. Gjithashtu u burgosën dhe u dënuan me burg të rëndë kryetarët dhe kryesuesit e këshillave komunale : R. Osmani, A. Demiri, R. Dauti dhe V. Bexheti. Ngjarjet e 9 korrikut 1997, hapën plagë të pashërueshme dhe thelluan mosbesimin midis shqiptarëve etnik dhe pushtetit.

Nuk ka dilemë se ngjarjet e 9 korrikut ishin një skenar i parapërgatitur. Qeveria e Cërvenkovskit përmes hapjes të konfliktit, synonte të fajësojë subjektin politik shqiptar që mbante pushtetin komunal, të cilin Socialdemokratët përpiqeshin ta shpallin si radikal dhe destabilizues të IRJM. Nga ana tjetër, ishte i çuditshëm reagimi i subjektit tjetër politik shqiptar që merrte pjesë në qeverinë aktuale. Ministrat e saj në qeverinë e Cërvenkovskit deklaruan, se: “s’paskan ditur dhe nuk paskan qenë të informuar për aksionin policor në Gostivar35 !?

Protesat masive kundër burgosjeve të udhëheqësve komunal

Skenari i 9 korrikut kishte për qëllim përfundimtar shkatërrimin e subjektit politik të PDSH dhe eliminimin e A. Xhaferit dhe M. Thaçit nga skena politike. Vrasjet dhe terrori policor që u ushtrua mbi popullatën dhe aktivistët politik të partisë, duhej të frikësonin dhe të zbrapsnin rrugën e nisur të kësaj partie, anëtarësinë dhe simpatizuesit e saj.

Gjithashtu, skenari i 9 korrikut, koniukturat neokomuniste, kishin për qëllim të: - detyrojnë PDSH të ndryshojë nga kursi i vet politik;

- të nxisë konflikte dhe ngatërresa të brendshme në PDSH;

- të thellojë antagonizmat në mes partive politike shqiptare dhe

- të fajësojnë PDSH si destabilizuese të IRJM dhe të rajonit.

Pikërisht në këto momente të rënda për PDSH, kur aktivistët e saj torturoheshin nëpër dhomat policore sllavo-maqedonase, kryesia e partisë vendosi që të organizojë protesta, ku për kryetar u zgjodh F. Shabani dhe zëvendës Z. Rexhepi. Protestat u organizuan disa ditë me rradhë në qytetet: Gostivar, Tetovë, Kërçovë dhe Shkup. Protestat kishin për qëllim t’ia bëjnë me dije faktorit të brendshëm dhe të jashtëm se PDSH dhe shqiptarët nuk do të heqin dorë nga të drejtat kombëtare. Po në këtë kohë, partia tjetër rivale, PPD mori rolin e prokurorit, duke dalë në opinion me një deklaratë në të cilën thuhej se : “për intervenimin brutal të policisë maqedonase fajin e kanë edhe disa shqiptarë dhe një parti politike36 ( skishte tjetër përveç PDSH ). Sipas tyre, këta faktorë gjoja e kishin nxitur policinë të ndërhyjë, me çka e amnestonin veten dhe partnerët e tyre të koalicionit për vrasjet dhe torturat që ndodhën në Gostivar dhe Tetovë.

Por, t’ia mveshur fajin dikujt dhe për ta mbyllur çështjen e hapur, u organizuan proceset gjyqësore në Gostivar dhe në Tetovë. Me këtë rast, Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë, Kryetarin e Komunës së Gostivarit, R. Osmanin dhe Kryesuesin, R. Dautin. Ndërsa, Gjykata themelore e Tetovës dënoi Kryetarin e komunës së Tetovës dhe Kryesuesin, A. Demiri dhe V. Bexheti.

Pas gjykimit skandaloz të krerëve të komunave të Gostivarit dhe Tetovës, lideri i subjektit politik shqiptar, A. Xhaferi, në shenjë revolte deklaroi: “se pas procesit gjyqësor e vetmja gjë që i mbetej PDSH është lëshimi i institucioneve të sistemit me ç’gjë do të mund të vijnë në shprehje forcat e tjera që do të mund të shkaktonin probleme edhe më të mëdha”. Për të vazhduar :Në këtë gjykim u pa qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare e cila ofron modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Jemi të detyruar të përdorim masa jashtëinstitucionale. Është e mundshme edhe tërheqja e të gjithë këshilltarëve, prefektëve dhe deputetëve të PDSH nga sistemi politik si dhe organizimi i mitingjeve”. Arbën Xhaferi mori tërë përgjegjësinë për politikën e Rufi Osmanit, sepse siç tha ai, kjo është një politikë e prezantuar në platformën politike të PDSH dhe jo në kabinetin e Rufi Osmanit37.

Promovimi i A. Xhaferit për deputet pas marrjes së mandatit nga parlamenti i IRJM

Brenda një muaji, më 8 tetor 1997, Parlamenti i Maqedonisë ia mori mandatin deputetit dhe liderit të PDSH, z. A. Xhaferit 38, me pretekstin e mospjesëmarrjes së tij në punimet e Parlamentit. Në fakt, A. Xhaferi, bojkotonte punimet e Parlamentit në shenjë proteste, dy vjet me radhë. Për marrjen e mandatit votuan shumica e deputetëve sllavo-maqedonas, gjithsej 81 deputetë 39. Me heqjen e imunitetit përgatitej skenari tjetër, burgosja e zërit sinjalizues të çështjes shqiptare, në IRJM. Socialdemokratët sllavo-maqedonas, dëshmuan se kur bëhet fjalë për shqiptarët, përmes procedurës parlamentare mund të bëjnë çdo gjë, madje kur të duan mund t’ua marrin edhe mandatet, që fitohen vetëm me votën e popullit. Pra, mendësia e vjetër komuniste e të vepruarit nuk ishte çrrënjosur nga kokat e tyre.

Lidhur me këtë, Arbën Xhaferi deklaroi: “ Unë në qëndrimin tim jashtë Parlamentit maqedonas kam sinjalizuar se parlamenti aktual nëpërkëmb votën shqiptare, ndërsa aty çdo ide shqiptare majorizohet dhe mbivotohet. Mua ma morrën mandatin, por mbetet çështja shqiptare në Maqedoni. Ideja shqiptare në Maqedoni nuk mund të eliminohet, sepse ne do të vazhdojmë realizimin e idesë shqiptare këtu “ 40.

Pse abstenonte A. Xhaferi në punimet e parlamentit ?

Megjithëse, ka një mori faktesh, do të përmendi vetëm disa nga këta: Me shembullin personal të viktimizimit politik, Arbën Xhaferi sinjalizonte hilenë që u bëhej shqiptarëve në IRJM, ku nuk ekzistonte mekanizmi i koncensusit për çështje të të drejtave kombëtare. Andaj, populli që kishte shumicë votash në parlament e eliminonte popullin që kishte pakicë vota, e shfrytëzon dhe ia ngushton hapësirën për zhvillim të veçorive të tij. Në këtë shtet gjithashtu nuk ekzistonte mekanizmi që garantonte barazinë e popujve jo sllavë. Fati i shqiptarëve varej tërësisht nga vullneti, interesat apo tekat e koniukturave politike sllavo-maqedonase. Abstenimi në parlament e delegjitimonte një institucion që prodhonte pabarazinë e shqiptarëve në sistem, që i përjetësonte antagonizmat shqiptaro-maqedonase dhe e degjeneronte shoqërinë.

Rrahjet brutale të aktivistëve të Partisë Demokratike Shqiptare, burgosjet e kryetarëve të komunave dhe kryesuesve të Këshillave komunale të Tetovës dhe Gostivarit, marja e mandatit të Kryetarit të partisë, A. Xhaferi si dhe paralajmërimet për burgosjen e nënkryetarit M. Thaçi, ishin një fushatë e egër që zhvillohej kundër një partie politike shqiptare që kontestonte konceptin “Gligorovian” të shtetit. E gjithë kjo aventurë e socialdemokratëve maqedonas, u zhvillua pas turbullirave që ndodhën në Shqipëri, në pranverë 1997 dhe pas përpjekjeve për unifikimin e subjektit politik shqiptar.

Pas marrjes të mandatit të z. Arbën Xhaferi, në parlament sërish u shpallën zgjedhjet për njësinë zgjedhore nr. 73 u shpallën zgjedhje të sërishme për deputet republikan. Mirëpo, fitorja e sërishme e liderit të PDSH ishte spektakolare. Më 18 dhjetor 1997, Komisioni zgjedhor republikan ishte i detyruar të njoftojë opinionin se deputet i kësaj njësie zgjedhore ishte rizgjedhur Arbën Xhaferi. Më 21 janar, 1998, 41, po ai Parlament që ia mori mandatin, u detyrua t’ia verifikojë përsëri. Fitorja e sërishme e Arbën Xhaferit në njësinë zgjedhore nr. 73 simbolizonte dështimin e tërësishëm të një politike të ashpër që mohonte interesat kombëtarë të shqiptarëve të IRJM dhe nga ana tjetër simbolizonte fitoren e një politike, kontestonte sistemin “Gligorovian”, që në esencë, në mënyrë shumë dinake donte të përmbyllë kontestin që ekzistonte në këtë shtet.

Në periudhën e ardhshme, gjatë vitit 1998, PDSH me politikën e vet kaloi në kundërsulm. Udhëheqja e saj solli vendim për dorëheqjen e tërë grupit parlamentar, kryetarëve dhe Këshillave komunale 42. Në dorëheqjen e grupit parlamentar drejtuar Parlamentit të IRJM, thuhet:

“ Në pajtim me vendimin e Kryesisë qendrore të PDSH, për tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga sistemi, grupi parlamentar i PDSH ju lajmëron se tërhiqet nga puna e Parlamentit të RM.

A r s y e t i m

Për shkak të:

- ngecjes së proceseve demokratike;

- moszgjidhjen e kërkesave thelbësore të shqiptarëve lidhur me pozitën e tyre në sistem, zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, përdorimin optimal të gjuhës shqipe, përfshirjes së tyre adekuate në sistem;

- keq përdorimin e sistemit, të institucioneve dhe ligjeve në funksion të vënies së supremacionit tëdhunshëm të një kombi mbi tjetrin, të eliminimit brutal të alteranativave demokratike;

- krijimin artificial të situatave të krizës në marrëdhëniet ndëretnike, siç ishte rasti me sulmin policor mbi komunat e Gostivarit dhe Tetovës për ta tërhequr vëmendjen e opinionit nga deformimet e tjera sociale dhe nga kriza e përgjithshme;

- përdorimin e shfrenuar të dhunës dhe tejkalimin fashizoid të autorizimeve si gjatë ndërhyrjes së policisë kundër qytetarëve të pafajshëm të Gostivarit ashtu edhe gjatë bisedave të paligjshme informative;

- gjykimet dhe dënimet skandaloze kundër kryetarëve të komunave të Gostivarit dhe të Tetovës, z. Rufi Osmani ( 7 vjet ) dhe z. Alajdin Demiri ( 2.5 vjet ) si dhe kundër kryesuesve të Këshillave komunale, z. Refik Dauti ( 2 vjet ) dhe Dr.Vebi Bexheti ( 2.5 vjet ) dhe qytetarë të tjerë;

- nacifikimin e institucioneve të sistemit,veçmas të gjyqeve, me çka drejtpërdrejt rrënohen themelet e shtetit juridik;

- obstruksionet e vazhdueshme kundër pushtetit lokal që me burgosjen e kryetarit të komunës së Gostivarit, z.Rufi Osmanit merr trajta të izolimit dhe të pengimit fizik;

- deklarativizimin, inflacionin e deklaratave për tolerancë të ndërsjellë përderisa vetë sistemi, institucionet e tij janë patologjikisht intolerantë ndaj vlerave shqiptare;

- bllokimin e dialogut të mirëfilltë për çështjet që i ngrisin tensionet ndëretnike etj.

Duke i pasur parasysh shkaqet e lartëpërmendura grupi parlamentar i PDSH në përbërje:

Arbën Xhaferi,

Hysni Shaqiri,

Zeqir Kadriu,

Naxhi Purde,

Sami Ibrahimi dhe

Rami Tuda,

si deputetë të zgjedhur nga qytetarët në zgjedhje, të penguar nga vetë sistemi për aktivitetet tona, vendosëm të tërhiqemi nga puna e parlamentit të RM” 43.

Ndërkohë, dhanë dorëheqje edhe këshilltarët komunalë dhe të gjithë kryetarët e komunave shqiptare të zgjedhur nga PDSH:

Alajdin Demiri, kryetar i komunës së Tetovës;

Llokman Elezi, kryetar i komunës së Tearcës;

Raif Kamberi, kryetar i komunës së Negotinës;

Bajramali Hajrullahu

Sefer Elmazi

Fadil Bajrami

Rufat Hyseni dhe

Sevdi Kaba 44

Dorëheqjet iu dorëzuan kryetarit të Qeverisë, Branko Cërvenkovskit, më 18 prill 1998.



32 Më 9 korrik 1997 ndodhën sulmet brutale të policisë speciale sllavo-maqedonase kundër popullatës shqiptare në Gostivar dhe Tetovë.

33 Robert Goro : “Supermacia e inferioritetit”, New York, 2001.

34 >>Koha Ditore<<, “ Arrestohen shumë veprimtarë të PDSH, Ernad Fejzullahu – anëtar i kryesisë qendrore të PDSH, Zeqirja Rexhepi – sekretar i PDSH, dega Tetovë, Servet Ceka – kryetar i nëndegës së Reçicës së Vogël, Arsim Sinani, nënkryetar i Rinisë Demokratike Shqiptare, Gazmend Etemi, aktivist i RDSH …”, 17 korrik, 1997.

35 >>Koha Ditore<<, “Ky ishte skenar, faktori shqiptar nuk është përgjegjës”, 30 korrik, 1997.

36 Komunikata e PPD-së pas ngjarjeve të 9 korrikut, 1997.

37 Koha Ditore, “Kadiu të padit kadiu të gjykon”, 18.09.1997.

38 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, “ Odluka za odzemanje na mandatot na Arben Xhaferi, pratenik vo sobranieto na RM “, 13 oktomvri, 1997.

39 >>Koha Ditore<<, “Mua ma morën mandatin por mbetet çështja shqiptare në Maqedoni “, 9 tetor, 1997.

40 Po aty.

41 Republiçka izborna komisija, br. 32-53, “ Uverenie za izbor na pratenik ”, 18 dekemvri, 1997.

42 Kumtesa e Partisë Demokratike Shqiptare, 18 prill, 1998.

43 Njoftimi, nr. 2033, me të cilin Grupi parlamentar i PDSH-së e njofton Parlamentin e IRJM-së për dorëheqjet, 21 maj, 1998.

44 Dorëzimi i dorëheqjeve të kryetarëve të komunave, 12 maj 1998.