PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

F O R M I M I I PARTISË DEMOKRATIKE SHQIPTARE

F O R M I M I

I

PARTISË DEMOKRATIKE SHQIPTARE

Pas miratimit të dokumenteve të para dhe nënshkrimit të tyre nga kryetarët e të dy partive politike, PPDSH dhe PDP u thirr Kongresi i përbashkët, në të cilin u shkrinë dy partitë shqiptare dhe u formua një parti e re me emrin PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE. Kongresi u mbajt me 5-7 korrik, 1997, në Pallatin e kulturës, në Tetovë 28. Simbolika e bashkimit të faktorit politik shqiptar në IRJM u përshëndet me entuziazëm nga mbarë anëtarësia e gjerë e të dy partive dhe nga faktori demokratik jashtë vendit.

Formimi i Partisë Demokratike Shqiptare, përmes procesit të bashkimit të subjekteve politike, paralajmëroi një proces të ri të strukturimit të partive politike shqiptare në Maqedoni. Ky hap i rëndësishëm politik kishte për qëllim krijimin e makrostrukturave politike shqiptare në IRJM, që do të kishin një rol vendimtar në artikulimin e interesave shqiptare dhe do të korrigjonin gabimet e bëra deri më atëherë. Mirëpo, ky proces nxiti shqetësimin e pushtetarëve maqedonas dhe qarqeve proserbe, prandaj filluan goditjet e njëpasnjëshme, jo vetëm për ta ndërprerë këtë proces, por edhe për ta zbehur veprimin politik të partisë së re të bashkuar dhe për ta shmangur tërësisht nga skena politike. Kundërpërgjigja e këtyre qarqeve nuk vonoi shumë. Pesë ditë pas “Kongresit të Bashkimit”, më 9 Korrik ndodhën ngjarjet e tmerrshme në Gostivar.

Kongresi i Bashkimit hartoi dy dokumente me rëndësi të madhe historike:

1. Programin e Partisë Demokratike Shqiptare prej 32 pikash;

2. Platformën e veprimit politik dhe projekt-ndryshimet për Kushtetutën e IRJM.

Kongresi i Bashkimit zgjodhi kryetar të saj z. ARBËN XHAFERI. Gjithashtu, u zgjodh edhe Kuvendi Qendror dhe Kryesia Qendrore 29.



28 Procesverbali i Kongresit të përbashkët të PPDSH-së dhe PDP.

29 Kryesia e PDSH: Arbën Xhaferi - kryetar, Menduh Thaçi - nënkryetar, Iljaz Halimi - nënkryetar, Fejzulla Shabani - nënkryetar, Bedredin Ibrahimi - sekretar dhe anëtarët : Muharem Nexhipi, Etem Aziri, Raif Kamberi, Kadri Kadriu, Ferid Ramadani, Sulejman Veliu, Esat Dehari, Qani Aliu, Tahir Hani, Aliriza Lloga, Zamir Dika, Xhemaludin Idrizi, Ismail Dardhishta, Fatmir Etemi, Besim Dogani dhe Fadil Bajrami.