PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE LINDJA, ZHVILLIMI DHE VEPRIMTARIA

ÇKA REALIZOI PPDSH-PDSH NË RRAFSHIN E PUSHTETIT LOKAL ?

ÇKA REALIZOI PPDSH-PDSH NË RRAFSHIN E PUSHTETIT LOKAL ?

Sipas kushtetutës, IRJM ishte shtet i centralizuar. Pushteti i vetëadministrimit lokal i varur plotësisht nga pushteti qendror dhe nuk ushtronte ndonjë ndikim të madh në zhvillimin e komunës. Ligji për pushtet lokal 31, parashihte kompetenca minimale për komunat. Sipas këtij ligji, komuna praktikisht nuk ushtronte ndonjë pushtet real. Qeveria përmes dikastereve komunale, ushtronte pushtetin e vet edhe nëpër komuna. Gjithçka ishte e centralizuar. Kuptohet, se një gjë e këtillë ishte bërë me paramendim, që shqiptarët të zhvisheshin nga pushteti real, në komunat ku përbënin shumicën e popullatës. Një varg i tërë institucionesh shtetërore, që kryenin shërbime të ndryshme në komunë, ishin centralizuar.

Komuna si pushtet i vetëadministrimit lokal, sipas ligjit të vitit 1995, mund të ushtronte ndikim të drejtpërdrejtë vetëm në :

  1. NP. komunale, që merrej me pastrimin dhe mirëmbajtjen e vendbanimit;
  2. NP. që merret me rregullimin dhe shfrytëzimin e tokës ndërtimore;
  3. NP. për transportimin e udhëtarëve ;
  4. Fondin për mirëmbajtjen e rrugëve ;
  5. Mjetet e informacionit publik, të themeluara nga komunat.

Ndërkaq qeveria qendrore ushtronte pushtetin e vet nëpër komuna, drejtpërdrejtë në:

  1. Qendrën mjekësore ( Spital );
  2. Fondin shëndetësor;
  3. Entin për punësim;
  4. Ministrinë rajonale të arsimit;
  5. Shkollat e mesme;
  6. Shkollat fillore;
  7. Qendrat zbavitëse;
  8. Qendrat sportive;
  9. Qendrat për punë sociale;
  10. Bibliotekë;
  11. Pallat të kulturës;
  12. Çerdhet për fëmijë;
  13. Njësinë rajonale të urbanizmit;
  14. Ministrinë rajonale të bujqësisë;
  15. Ministrinë rajonale të drejtësisë;
  16. Ministrinë rajonale të ekonomisë;
  17. Entin e gjeodezisë – komunale;
  18. Drejtorinë e të hyrave publike – rajonale;
  19. NP. për projektim;
  20. Gjyqin komunal;
  21. Ministrinë rajonale të Punëve të Brendshme;
  22. Burgun komunal;
  23. Entin rajonal për punë dhe politikë sociale;
  24. NP. të Elektrodistribucionit komunal;
  25. NP. të Telekomunikimit;
  26. NP. të njësive rajonale për Kullosa;
  27. Muzeumin komunal;
  28. Arkivin komunal;
  29. Shtëpitë përmirësuese komunale

30. Njësinë rajonale të Entit statistikor …

Edhe përkundër ligjit shumë të disfavorshëm për kompetencat komunale, PPDSH (PDSH) arriti të shfrytëzojë, maksimalisht, ligjin në fjalë për të instaluar interesin kombëtar shqiptar. Ky interes ishte anashkaluar gjatë tërë periudhës së komunizmit, kur komunat kishin pasur ingerenca më të mëdha. Por, edhe gjatë qeverisjes së PPD-së, nuk ishte bërë asnjë ndryshim në të mirë të shqiptarëve në udhëheqjen komunale.

Kur PPDSH (PDSH) i fitoi zgjedhjet lokale në Tetovë dhe Gostivar, trashëgoi një situatë shumë të rëndë; numri i madh i të punësuarve në administratën komunale, krahasuar me mundësitë e komunës. Nga ana tjetër edhe Ndërmarjet Publike komunale ishin të ngarkuara në borxhe dhe me numër të madh të të punësuarve. Sipas strukturës etnike, në të dominonin më tepër sllavo-maqedonasit, ndërsa numri i të punësuarve shqiptarë ishte simbolik. Fillimisht, duhej ndërruar struktura drejtuese e NP-ve dhe pastaj përmes punësimeve të reja të mund të rritej përqindja e shqiptarëve në to, kështu të rikthehej një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve që u ishte marur në periudhën e kaluar.

Menjëherë pas fitores, PPDSH ( PDSH ), në përputhje me platformën e vet, filloi procesin e reformës institucionale nëpër komuna. Në krye të NP-ve komunale, që ishin në kompetencë të komunës, u emëruan drejtues shqiptarë dhe pak nga pak filloi procesi i përmirësimit të strukturës nacionale të të punësuarve, në dobi të shqiptarëve, pa përjashtuar asnjë maqedonas. Rritja e numrit të shqiptarëve të punësuar nëpër NP. komunale duhej të përmirësonte një padrejtësi të madhe që u ishte bërë shqiptarëve gjatë pesëdhjetë viteve të kaluara, si dhe gjatë qeverisjes tetëvjeçare të partisë së mëparshme, e cila nuk kishte qenë në gjendje të emërojë asnjë udhëheqës shqiptar.

Pra, për herë të parë në komunat të cilat qeveriseshin nga PPDSH (PDSH), ndodhnin ndryshime rrënjësore në strukturën drejtuese të NP. komunale, duke emëruar drejtorë shqiptarë në:

NP. komunale, që merrej me pastrimin dhe mirëmbajtjen e vendbanimit;

NP. që merrej me rregullimin dhe shfrytëzimin e tokës ndërtimore;

NP. për transportimin e udhëtarëve;

Fondin për mirëmbajtjen e rrugëve lokale dhe

Radiot lokale.

Reformat e filluara në nivel lokal nga PPDSH (PDSH), që ishin në interes të shqiptarëve të diskriminuar do të vazhdojnë më vonë edhe në nivel republikan. Mirëpo, këta përpjekje të PDSH-së, qeveria e socialdemokratëve, do të përpiqet t’i pengojë përmes obstruksioneve dhe skenareve të përgatitura, me qëllim të rikthimit të proceseve.

Një nga këta skenarë që do të kujtohen, hidhur, nga shqiptarët ishin edhe ngjarjet e 9 Korrikut, 1997.



31 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 52/1995, “ Zakon za lokalna samouprava “.